Legalizimet, cilat tarifa nuk do të paguhen

0
160

Ervin Kaduku

Qytetarët do të lehtësohen nga pagesa për plotësimin e të gjitha dokumentacioneve që përmban dosja e legalizimit të një objekti të ndërtuar pa leje. E gjithë fatura financiare do të mbulohet nga buxheti i shtetit

 

 

Kredi_depozita

Premtimi i bujshëm i Edi Ramës gjatë fushatës në zgjedhjet e 23 qershorit lidhur me heqjen e tarifës për legalizimin e ndërtimeve pa leje krijoi një vakum jo të vogël ligjor. Në fakt, ajo që ka rënë dukshëm në sy është fakti që ky premtim i stepi qytetarët për vijimësinë e procesit. Në programin e Partisë Socialiste për legalizimet fjala “falas” nuk është shkruar specifikisht, por PS premtoi legalizimin brenda dy vjetësh për ndërtimet e bëra në pronën vetjake dhe atë publike. Ndërsa legalizimi i ndërtimeve informale të kryera mbi toka me pronarë dhe të ndërtimeve të kryera në zona urbane do të bëhej deri në fund të mandatit të parë, pra në katër vjet. Për të arritur këtë, qeveria e re deklaroi se ka në program përshpejtimin e procedurave të evadimit të dosjeve, të cilat në mijëra raste janë bllokuar vetëm për të nxitur korrupsionin.

Tarifat

Që nga ky vit do të aplikohen tarifa të reja për legalizimet. Lajmin e ka njoftuar kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, në një mbledhje me drejtorët rajonalë të këtij institucioni. Sipas tij, skema e vlerësimit të legalizimit të banesave ka ndryshuar nga fillimi i vitit 2014, në varësi të zonës ku është ndërtuar. Lame u shpreh se nuk do të paguajnë të njëjtat tarifa qytetarët e Kukësit me ata të Tiranës. Gjithashtu, tarifa më të ulëta do të ketë për banesat në fshat sesa ato në qytet. Lame u shpreh se janë rreth 300 mijë familje që presin të legalizojnë banesat, ku gjysma e tyre ende nuk ka arritur të dorëzojë dokumentacionin pranë zyrave të ALUIZNI-t dhe ndryshimet e parashikuara në ligjin për legalizimin e banesave, do të mundësojnë mbylljen e këtij procesi. Ai tha se tashmë qytetarët për të kryer procesin e legalizimeve nuk do të vijnë në sportelet e ALUIZNI-t, por ekspertët e legalizimeve do të shkojnë tek ata.

Ky deklarim i Lames lë në harresë premtimin e Ramës për legalizim falas. I vetmi shërbim falas i qeverisë duket se do të përfshijë faturën e dokumentacionit të nevojshëm të dosjes për të legalizuar një objekt, e cila do të mbulohet nga shteti. Por ende nuk ka një vendim të qartë për të përjashtuar të interesuarit nga pagesa e legalizimit, ashtu siç ka premtuar edhe Kryeministri Rama gjatë këtyre ditëve. Qytetarët do të lehtësohen nga pagesa për plotësimin e të gjitha dokumentacioneve që përmban dosja e legalizimit të një objekti të ndërtuar pa leje. E gjithë fatura financiare do të mbulohet nga buxheti i shtetit.

“Është shumë e vështirë të mbulosh faturën për kompensimin e ish-pronarëve”, -është shprehur Lame në një takim të mëparshëm me gazetarët, pasi në gjithë këto vite i vetmi burim për dëmshpërblimin e kësaj shtrese kanë qenë tarifat e legalizimeve. Gjithashtu, ai e vlerësoi absurditet faktin se si mund t’u shpjegohet ndërkombëtarëve që shteti në Shqipëri fal tokat e ish-pronarëve.

Ndërsa ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, kërkoi një qasje më të madhe me qytetarët. Ndryshimet në ligjin për legalizimin e banesave parashikojnë njësimin e procedurave rajonale dhe reduktimin e dokumentacionit të kërkuar për legalizimin e banesave. Serveri i të dhënave të ALUIZNI-it do të lidhet online me arkivin e Hipotekave dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të përshpejtuar këtë proces. “Procesi i legalizimeve gjatë qeverisjes së mëparshme ka dështuar. Ka pasur mosangazhim, mungesë vullneti politik, përveç faktit se shpeshherë janë përdorur për qëllime elektorale. Edhe për sa i përket fondit të kompensimit të pronarëve, që duhej përdorur për kompensimin e tyre, rreth 4 miliardë lekë kanë shkuar në destinacion, ndërsa diferenca 3-miliardëshe është përdorur në kundërshtim me ligjin nga Ministria e Financave e qeverisë së mëparshme për diçka tjetër”, – tha Gjermeni. Në këtë takim u theksua se pritjet e gjatë të qytetarëve prapa dyerve të zyrave të legalizimit do të marrin fund, pasi do të jenë specialistët e ALUIZNI-t që do t’u shërbejnë qytetarëve, duke u shkuar në banesat e tyre.
Procesi nga e para
Ligjërimi falas i objekteve pa leje do të nënkuptonte nisjen nga e para të një procesi të ri. Kjo, pasi deri më tani ka përfunduar ligjërimi i pjesës më të madhe të legalizimeve në vend. Pjesa më e madhe e qytetarëve kanë paguar edhe tarifat përkatëse të legalizimit. Ndërkohë, është edhe kategoria tjetër, e cila ka aplikuar për legalizim, por që nuk ka marrë akoma një përgjigje. Kjo ngre një situatë të re, sipas ekspertëve të kësaj fushe, pasi qeveria aktuale duhet të gjejë një zgjidhje konkrete, për të cilën deri më tani nuk ka thënë asnjë gjë.
Kategoria që deri më tani ka shlyer të gjitha detyrimet pranë agjencive të legalizimit mbetet në një pikëpyetje të madhe, pasi nuk dihet akoma se çfarë do të bëhet me këtë ndërtim që është në rregull me ligjin, që dhe ka paguar dhe se çfarë do të bëhet me këtë ndërtim tjetër, i cili pa paguar asnjë detyrim në shtet do të ligjërohet falas.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency