Ervin Kaduku
6-mujori I 2013, shpenzuam jashtë 10% më shumë, të huajt sollën 7.5% më pak
Dukuria e krizës globale në sektorin shqiptar të turizmit është mjaft paradoksale; rezulton që të huajt të jenë bërë më “kurnacë”, ndërkohë që shqiptarët kur shkojnë jashtë vendit harxhojnë më shumë se më parë
Një situatë paradoksale mbizotëron tashmë prej dy vitesh në sektorin e turizmit në vendin tonë. Statistikat tregojnë që, kur shqiptarët dalin jashtë vendit, shpenzojnë më shumë para se ç’shpenzonin më parë, ndërsa për turistët që vijnë në Shqipëri dukuria është në kah të kundërt. Ndonëse numri i tyre është rritur nga viti në vit, ata harxhojnë gjithnjë e më pak para në vendin tonë, duke krijuar përshtypjen e turistit, që në gjuhën popullore karakterizohet si ai “që merr bukë me vete”. Në këtë kategori të fundit, në fakt, janë shquar kohët e fundit të ardhurit për pushime nga Kosova.
Hyrjet e vizitorëve në Shqipëri në tremujorin e dytë 2013 janë rritur 11.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëhet e ditur në Buletin Statistikor për periudhën prill-qershor të INSTAT-it. Nga toka hyrjet e të huajve zënë 70.5 për qind të ndjekur nga hyrjet nga ajri dhe deti respektivisht me 23.5 dhe 0.5 për qind.
Në të njëjtën periudhë, daljet e shtetasve shqiptarë në tremujorin e dytë 2013 janë rritur 23.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kryesisht ndikuar nga daljet nëpërmjet pikave kufitare tokësore.
Të dhënat e mëparshme, të publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se zëri i shpenzimeve të udhëtimeve në bilancin e pagesave, që kryesisht janë paratë që shqiptarët shpenzojnë në udhëtimet e tyre jashtë ishte 465 milionë euro, me një rritje prej rreth 44 milionë euro, apo 10%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të kundërt, të ardhurat nga udhëtimet, që janë kryesisht hyrjet nga turistët, arritën në 398 milionë euro në 6 mujorin e parë 2013, duke shënuar një rënie me 33 milionë euro, apo 7.5%.
Kjo situatë shtron disa çështje. Ndërkohë që në gjithë botën për të tërhequr turistët është ulur masivisht çmimi, duke nisur nga vende me krizë më të thellë, si Greqia, Spanja apo Italia, operatorët turistikë shqiptarë e kanë shumë të vështirë të operojnë në drejtim të një tendence të tillë. Nuk është e rrallë të gjesh në plazh dhoma me 50-60 euro vetëm për një natë, ndërkohë që cilësia e shërbimit le shumë për të dëshiruar. Ndër defektet ende të pazgjidhura janë kanalizimi i ujërave të zeza, që largon pjesën më të madhe të turizmit cilësor, mungesa vende-vende e ujit të pijshëm në çdo orë, problematika e furnizimit të rregullt me energji elektrike, mungesa e organizimit nga komunat e largimit të plehrave, të cilat, në kohë vere, me temperaturat e larta, helmojnë atmosferën.
Është e njohur tendenca dhe preferenca e shqiptarëve që të kalojnë pushime jashtë vendit, gjë që tani e mundëson heqja e vizave për shtetet e hapësirës Shengen. Por, krahasimi që bëjnë turistët shqiptarë midis raportit çmim/cilësi shërbimi në vendet ku shkojnë dhe atij të vendit të tyre është i dukshëm, negativ për Shqipërinë. Në këto kushte, siç po ndodh tashmë vitet e fundit, paratë “marrin arratinë” drejt plazheve të Antalias apo Halkidikisë, por edhe drejt Palma de Majorkës, për të mos harruar destinacionet më të largëta, balneare apo jo.
Lëvizja e lirë e njerëzve është tashmë një e drejtë e realizuar e tyre. Ndërkohë, shteti duhet të rritë konkurrueshmërinë, pa detyruar askënd që të preferojë Shqipërinë ndaj të tjerëve, por duke e bërë sektorin turistik shqiptar më të preferuarin për shkak të shpenzimeve më të ulëta të lëvizjes, pastërtisë apo bukurisë së natyrës ende të virgjër, duke eliminuar njollat e bardha të territori shqiptar, deri në majë të Vermoshit apo Korabit, në shpellat karstike të përhapura anembanë vendit, në pyjet e Gramshit apo Pukës. Është koha që qeveritarët t’ua lenë vendin veprave, në vend të llafeve të përvitshme. Por, edhe operatorët kanë këtu pjesën e vet të përgjegjësisë.