Kryetarja e komitetit për MSA-në BE-Shqipëri/ “Për akuza të rralla në demokraci, personi i akuzuar jep dorëheqjen. Hetimi të nxjerrë rezultat”

0
117

macoveiMacovei: Hetimi të vihet në fund me një rezultat, qytetarët e kanë të rëndësishme të dinë nëse është e vërtetë apo jo çështja”

Kryetarja e komitetit për MSA-në BE-Shqipëri, Monika Makovei, deklaron se Prokuroria Shqiptare duhet të bëjë punën e saj, në mënyrë që të fitojë besimin e qytetarëve dhe se politika nuk duhet të ndërhyjë. Në një intervistë për “ABC News”, duke folur edhe për kërkesën për dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta, Macovei tha se ai është vendim personal edhe pse theksoi se në një demokraci, akuza të tilla bëhen shumë rrallë dhe nëse ato ngrihen, personi që akuzohet normalisht pritet të japë dorëheqje.

 

Ju keni vizituar Tiranën në 16 dhe 17 mars në kuadrin e takimit të komitetit parlamentar të marrëveshjes të stabilizim-asocimit BE-Shqipëri, për të cilën ju jeni kryetare. Si e përshkruani atmosferën në takim dhe faktin, që s’pati një deklaratë të përbashkët?

Ne gjetëm gjuhën e duhur mbi 3-4 amendamente dhe arritëm si përfundim në pesë. Ne kaluam një natë duke diskutuar me opozitën dhe të gjithë aty. Unë mendoj, se palët ishin dakord, por pastaj në fund thanë: “Nuk mundemi ta pranojmë, sepse kështu na thanë”. Kjo ka të bëjë me strukturën demokratike në parti. Ndoshta në Shqipëria partitë funksionojnë kështu, por struktura partiake si duket është e përbërë nga njerëz që ndjekin të gjithë vetëm një person. Kjo s’ka kuptim. Duhen dëgjuar zërat e tjerë për të patur një ekip. Kjo këshillë është e vlefshme për të gjitha partitë në Shqipëri dhe Ballkan. Edhe ne e kemi përjetuar këtë fazë në Rumani, por në një moment të caktuar, politikanët filluan të kundërshtojnë duke thënë, që ky është zëri im dhe dua që ai të dëgjohet. Ekziston rreziku i përjashtimit nga partia, por për këtë duhet patur kurajo. Pra, ne aprovuam një deklaratë të përbashkët. Rekomandimet janë aty me një kompromis nga PE-ja. Dhe në fund thashë. Nuk është një dështim. Ne qëndruam këtu dy ditë dhe diskutuam në detaje amendamentet, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, sikur ne t’i kishim aprovuar ato në fund. Ky është qëndrimi për këtë radhë dhe për radhët e tjera.

 

Ju e dini, që një pjesë e arsyes së tensionimit politik vjen nga situata politike e pazakontë në vend. Ka patur akuzat në gjirin e mazhorancës drejtuar Kryetarit të Kuvendit për porositje të vrasjes së dy deputetëve. Kemi dëgjuar reagime të ndryshme nga Parlamenti Evropian. Cili është qëndrimi juaj dhe a cenon situata e krijuar në vend kredibilitetin e vendit në sytë e partnerëve evropianë?

Ka shumë akuza, të cilat ne nuk e dimë nëse janë të vërteta apo jo. Unë mund të them shumë gjëra për ju apo për të tjerë. Ajo që është e rëndësishme, është të kesh evidenca. Në këtë rajon, nuk është se s’hasim ngjarje të tilla. Nëse ka një hetim, kjo është diçka pozitive. Asnjë nuk pret që të mos ketë krim apo korrupsion në këto vende. Nëse thua s’ka, atëherë ti mbulon krimin apo korrupsionin. Pra të ngresh çështje të tilla nuk shkon në kundërshtim me anëtarësimin e vendit. Unë nuk po them që duhet mbyllur gojën dhe të mos thuhen gjëra të tilla të llahtarshme, sepse kjo cenon procesin e anëtarësimit të vendit. Jo. Është e rëndësishme që të zhvillohet hetimi dhe të vihet në fund me një rezultat, sipas të cilit të tregohen që kanë evidenca kundër një personi apo tjetri. Në bazë të kësaj, ngrihet akuza dhe bëhet dërgimi para Gjykatës. Kjo është një gjë shumë pozitive që mund të ndodhë. Edhe për qytetarët shqiptarë është e rëndësishme të dihet nëse është e vërtetë apo jo dhe kush është fajtori. Kjo është e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian. Nëse nuk hetohet, atëherë kjo është gabim, sepse rrjedhimisht do të konsiderohet që nuk ka kapacitet për një hetim të pavarur dhe objektiv në Shqipëri.

 

Çfarë ishte më e çuditshmja për ju në këtë çështje?

Lidhur me dorëheqjen, sigurisht që kjo është një çështje personale. Ne e pyetëm kryetarin e Kuvendit gjatë takimit që patëm me të për këtë çështje. Ai tha që s’do të japë dorëheqje dhe ato që thuhen për të janë gënjeshtra. Është detyra jonë të pyesim, ndaj e bëmë këtë, pa dashur të etiketojmë asnjë. Sigurisht që në një demokraci, akuza të tilla bëhen shumë rrallë dhe nëse ato ngrihen, personi që akuzohet normalisht pritet të japë dorëheqje. Ju më pyetët gjithashtu për ekpertizë të huaj, një pyetje që është shtruar edhe në Shqipëri.

 

Po, çfarë mendoni për këtë?

E di që keni probleme dhe nuk keni siguri te prokurorët shqiptarë. Por nuk besoj, se ju duhet të gjeni të tjerë për të hetuar. Problemi është që t’i lini prokurorët tuaj të lirë. Mos i merrni në telefon, mos u takoni me ta, lërini të hetojnë. Kur unë ngrita zyrën kundër korrupsionit në Rumani dhe filluam hetimet kundër ministrave në qeverinë ku unë bëja pjesë, kryeministri më tha në mbledhjen e qeverisë: Monika, unë kujtoja se ti do t’i përvishesh opozitës dhe jo ministrave Ministria e drejtësisë është e jona dhe ti heton ministrat? Përgjigjja ime është: Ne nuk po i përvishemi asnjërit. Ne do mbështetemi vetëm në punën e prokurorëve dhe evidencave të tyre. Ishte një tronditje për ta. Filluan hetimet dhe ato u shtuan. Nuk ju pëlqeu aspak, por nuk mundën të thoshin asgjë.

 

I qëndroni asaj që deklaruat në konferencë shtypi, që për zgjedhjet lokale nuk duhet të ketë asnjë person me rekorde kriminale në lista.

Për dekriminalizimin, duhet të hiqen personat me rekorde kriminale në pozicione publike, ata duhet të shkarkohen. Sigurisht nëse akuzat ndaj tyre provohen të jenë të vërteta. Politikanët në këndvështrimin tim nuk kanë një prezumim pafajësie në terma politike, që të rrinë aty në Parlament apo në postin e ministrit duke pritur verdiktin e fundit, nëse ka një të tillë. Politikanët janë të pastër. Duhet të jenë një shembull për të gjithë. Në këndvështrimin tim, këta persona duhet të japin dorëheqje. Ne kemi patur raste të tilla edhe në Parlamentin Rumun. Kishte deputetë të akuzuar që nuk jepnin dorëheqje. Dhe pastaj u detyruan të shkonin nga Parlamenti drejt e në burg pas një verdikti final vitin e shkuar. Pra, dorëheqja në këtë rast për politikanët ka të bëjë edhe me imazhin dhe besimin te qytetarët. Nëse ka vendime për persona me rekorde kriminale në pozicione publike, ata duhet të zëvendësohen. Shqiptarët po presin për anëtarësimin. Kështu që si politikan, duhet të sakrifikoni interesin tuaj

 

Berisha: Qeveria skuqet nga krimi, dhe jo nga turpi

Ish-kryeministri Berisha deklaroi dje se ka disa arsye që e bëjnë qeverinë të skuqet nga krimi dhe jo nga turpit. Kjo ndodh, sipas tij, se në krye të Parlamentit është njeriu të cilin partnerët kanë kërkuar të arrestohet. “Sepse në krye të Parlamentit u vendos njeriu, të cilin partnerët tanë i kanë kërkuar arrestimin e tij Edi Ramës, bazuar në dosjen që vet Rama u ka dorëzuar atyre, dhe sot për atë, Parlamenti i vendit është peng i dosjes së tij. Sepse kreu i Parlamentit, pasi akuzohet nga miku i tij Doshi, se ai ka porositur vrasjen e dy deputetëve mban fshehur se bashku me Ramën dhe Tahirin për 6 muaj akuzën, manipulon haptas prova e dëshmitarë, akuzon opozitën dhe refuzon dorëheqjen. Sepse Rama – Meta, si në asnjë vend tjetër, për të prishur çdo provë që fakton vërtetësinë e akuzave për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, hetimin ja ngarkojnë jo Prokurorisë por kryetarit të PS për Tiranën, Saimir Shullazit. Sepse si në asnjë vend tjetër, kreu i Parlamentit, i ekzekutivit, rendit etj janë të lidhur përjetë njëri me tjetrin më lidhje krimi”, – shkruante Berisha në “Facebook”.

 

Në Itali/ Rama: Zgjidhja e situatës duhet para brenda Evropës, dhe jo jashtë saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se duhet thelluar bashkëpunimi jo vetëm mes vendeve të rajonit, por edhe mes vendeve të rajonit dhe vendeve të BE-së, veçanërisht atyre kufitare. Në kuadër të vizitës dy ditore në Itali, kreu i qeverisë në një diskutim para auditorit Aurum në Pescara, theksoi se kërkesa e zgjidhjes së vendeve të rajonit jashtë Evropës është si kërkesa e zgjidhjes jashtë historikes. “Shpresoj që faza aktive e strategjisë makrorajonale Adriatiko-Joniane të realizojë ëndrrën e 4 vendeve anëtarë të Be dhe të 4 vendeve joanëtare. Në periudhë të shpejtë shpresojmë të përfshihen edhe dy vendet Kosova dhe Maqedonia duke e bërë më të plotë kuadrin e bashkëpunimit. Strategjia makrorajonale është një rrugë e re, është një rrugë e re për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve fqinje, por edhe për të forcuar një strategji paqeje përmes bashkëpunimit ekonomik, social”, – u shpreh Kryeministri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency