Krisje në koalicionin e majtë?! Çfarë do të sjellë “lufta” në bazë mes PS dhe LSI, arsyet e ngërçit Rama-Meta

0
114

 

Gëzim Saliu

rama meta_1Pas më shumë se dy vitesh në pushtet, koalicioni i majtë po kalon “dallgët” e para të mëdha të vështirësive të funksionimit të tij. Edhe pse krerët e koalicionit, si Kryeministri Rama ashtu edhe Kreu i Kuvendit Meta kanë mohuar publikisht çdo lloj konflikti dhe kundërshtie mes dy partive, duket se gjendja në bazë është krejt ndryshe. Analizat e bëra në bazat e partive përkatëse mbi zgjedhjet e fundit kanë nxjerrë në pah kundërshtitë mes palëve. Në shumë prej këtyre analizave të brendshme të kryera nga degët e PS-së në vend, kryesisht në ato qytete që u humbën në garën e 21 qershorit, anëtarët socialistë kanë vënë peshën e përgjegjësisë tek aleatët e LSI-së. Sipas socialistëve, kanë qenë kandidatët e dobët të përzgjedhur nga LSI-ja që kanë sjellë humbjen e këtyre bashkive. Nga ana tjetër vetë LSI fill pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve foli për një “pazar” në Pogradec, duke akuzuar indirekt edhe aleatët e PS-së. Por kjo pakënaqësi me PS nuk mbetet vetëm këtu, pasi burimet pranë LSI-së bëjnë të ditur se baza ka shprehur kritika për mbështetjen e aleatëve socialistë edhe në Lezhë apo Kukës. Ndërkaq, krahas zhvillimeve që kanë sjellë analizat e zgjedhjeve në degët e partive perkatëse të koalicionit të majtë, një tjetër çështje që ka ndikuar gjithnjë në problematikat e marrëdhënies mes PS-së dhe LSI-së është ajo e punësimit. Anëtarët dhe militantët e PS-së kanë shtuar mjaft kohët e fundit tonin e akuzave ndaj partisë ku ata militojnë, duke kërkuar me ngulm marrjen e masave ndaj aleatit LSI. Sipas bazës socialiste, LSI ka arritur të marrë më shumë poste në administratën shtetërore se sa ka merituar në bazë të marrëveshjes parazgjedhore të lidhur para elektoraleve të 2013-ës. Ndërkaq nga ana e saj vetë baza e LSI-së nuk ka munguar të shprehë herë pas here, edhe pse jo publikisht, kritika të vazhdueshme për një sërë drejtorësh të emëruar nga radhët e PS-së, duke i cilësuar këta të fundit si militant partiakë. Por përpos këtyre problematikave që vijnë nga rrënjët e koalicionit, “qendra” e tij e kryesuar nga Rama dhe Meta duket se është ende në një marrëdhënie me hope se sa të tendosur. Problematika të tilla deri më tani janë munduar të zgjidhen përmes takimeve të shpeshta mes Kryeministrit dhe kreut të Kuvendit. Por nëse të tilla shqetësime nga bazat perkatëse të partive do të vazhdojnë të rriten në ditët dhe muajt në vazhdim, atëherë nuk do të duhet shumë kohë që “akulli” që ka zënë “rrënjët” e koalicionit të mbërthejë edhe kryesinë e tij.

 

Shqetësimet e PSSH Itali

 

Shqetësimet dhe problematikat e koalicionit të majtë janë përcjellë edhe në degët e partive jashtë vendit. Kështu dega e Partisë Socialiste në Itali denoncoi dje emërimet e bëra nga LSI në shërbimin konsullor, duke i cilësuar ato si jashtë standardeve. “ të gjithë e dimë që menaxhimi i shërbimeve konsullore në Itali është në dorë të koalicionit, konkretisht, krejtësisht të LSI-së. Sipas burimeve zyrtare të degëve të PS-së, të akredituar në qytetet ku operojnë këto zyra, konfirmojmë që të gjitha emërimet që ka bërë LSI në zyrat e shërbimeve konsullore në Itali janë krejtësisht jashtë standardeve evropiane e larg ekzigjencave të emigracionit dhe mbi të gjitha shumë larg kritereve që ne kemi premtuar në fushatë, kritere pune që do ti përmirësonim në krahasim me qeverinë e kaluar. Gjithashtu edhe disa emërime janë të jashtëligjshme. Asambleje e “dega PSSH Itali” e ka dërguar vazhdimisht prej dy vjetësh këtë shqetësim në Tiranë. Vetë kryetari i degës së Italisë në takimet e shpeshta me ministrat përkatës të qeverisë e ka dërguar këtë shqetësim. Presim që në shtator autoritetet përgjegjëse të partisë dhe qeverisë në bashkëpunim me kryesinë e PS Itali të bëjnë një analizë të gjerë mbi çka emigracioni shqiptar në Itali pret prej zyrave tona të akredituara këtu”, – thuhej në deklaratën e PSSH-së, dega Itali.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here