Krim në familje/ Grindet me bashkëshorten, dhëndrri plagos vjehrrin me automatik

0
127

65-vjeçari Përparim Koka ndërhyri për të zgjidhur konfliktin e krijuar mes vajzës dhe dhëndrit, por u përball me breshërinë e plumbave

 kallashnikov2Krimi në familje merr përmasa të frikshme. Shifrave në rritje të publikuara nga Ministria e Brendshme ku në nëntë muaj janë regjistruar rreth 30 krime në familje, i shtohet edhe ngjarja e ditës së djeshme në familjen Koka në Kamëz. Dhëndri qëllon me armë automatike ndaj vjehrrit të tij. Ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, në banesën e 65-vjeçarit Përparim Koka, me banim në Kamëz. Konflikti mësohet se ka nisur fillimisht në banesën e autorit të plagosjes së 38-vjeçarit Tafil Cami. Nga të dhënat e para bëhet me dije se autori i plagosjes është konfliktuar me bashkëshorten e tij, e cila më pas është larguar për në banesën e prindërve të saj. 38-vjeçari nuk e ka pranuar largimin e bashkëshortes dhe për këtë qëllim është nisur drejt banesës së vjehrrit të tij.
Grindja

Fillimisht, autori i plagosjes së rëndë është futur në banesën e vjehrrit, ku i ka kërkuar bashkëshortes të kthehet në shtëpi bashkë me të. Kundërshtimi nga ana e saj ka irrituar autorin e ngjarjes, i cili mësohet se ka filluar të debatojë ashpër me të gjithë pjesëtarët e familjes. Burime nga uniformat blu pranë komisariatit numër tre, të cilat bënë shoqërimin e më pas arrestimin e 38-vjeçarit, pohuan se ai e ka pranuar krimin, por është justifikuar me faktin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e konsumimit të pijeve alkoolike. Rrëfimi fillestar i të dyshuarit nuk e ka bindur policinë, e cila ka vendosur të kryejë më tej procedurat ligjore për të përcaktuar nivelin e konsumimit të alkoolit. Paralelisht me marrjen e 38-vjeçarit në pyetje, policia ka administruar edhe deklarimet e familjarëve të tjerë. Është marrë në pyetje bashkëshortja e autorit, e cila mësohet se ka shpjeguar arsyet e konfliktit fillestar me bashkëshortin e më pas grindjen në familjen e babait. Për të zbardhur plotësisht ngjarjen do të shërbejë edhe marrja e dëshmisë së 65-vjeçarit, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak, në kujdesin e mjekëve.

 

Arrestimi

Pas kryerjes së krimit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe armën e krimit. Policia e komisariatit numër tre sapo ka marrë njoftimin është vënë në ndjekje të tij, duke e arrestuar vetëm pak kohë më pas. Në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, janë bërë veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjithçka është dokumentuar në dosjen përkatëse. Janë marrë dëshmitë e familjarëve, deklarimet e të pandehurit dhe pritet që dosjes t’i shtohet edhe dëshmia e të plagosurit, i cili u shpëtoi për mrekulli plumbave të automatikut. Ndryshimet e një viti më parë në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, ku krimi në familje u konsiderua i rëndë dhe kaloi për hetim dhe gjykim te krimet e rënda, duket se nuk kanë ndryshuar kurbën e konflikteve familjare, të cilat jo në pak raste përfundojnë në tragjedi.

 

 Shpërthimi/ Kamëz, tritol magazinës së miellit, dyshimet, për shkak të konkurrencës

Shpërthimet me tritol vazhdojnë të jenë shqetësim në gjithë territorin e vendit. Një ditë më parë, një sasi e konsiderueshme tritoli është vendosur në magazinën e miellit në Kamëz. Tritoli është vendosur në pjesën e jashtme të magazinës, në pjesën e oborrit, ndërkohë që policia shpjegon se ka pasur dëme të konsiderueshme materiale. Të njëjtat burime bëjnë me dije se në momentin e shpërthimit nuk ka pasur njerëz në fabrikë. Dyshimet e para të policisë, pas hetimeve fillestare, shkojnë për një veprim të kryer si pasojë e konkurrencës në treg. Por kjo nuk është pista e vetme. Policia shprehet se po punon edhe në atë të konflikteve personale që pronari i kësaj fabrike mund të ketë pasur me persona të tjerë.

 

Qarkullimi/ Policia, 25 kallëzime penale në 24 orë për drejtuesit e automjeteve

Operacionet e Policisë Rrugore për të parandaluar aksidentet dhe për të “edukuar” drejtuesit e automjeteve duket se nuk kanë dhënë pritshmëritë e parashikuara në momentin e hartimit të ligjeve dhe forcimit të masave të dënimit. Këtë fakt e vërtetojnë shoqërimet e shumta të drejtuesve të automjeteve që Policia Rrugore kryen çdo ditë, si dhe numri i madh i gjobave që vendosen, me apo pa të drejtë. Ndonëse ligji parashikon dënimin me burg nga 10 ditë deri në 3 vjet për ata që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, kjo nuk ka parandaluar aksidentet dhe rregulluar trafikun. Policia e kryeqytetit, nëpërmjet njoftimit zyrtar, shprehet se në dy ditët e fundit ka referuar në Prokurori të paktën 25 kallëzime penale. Por nga ana e saj akuza shprehet se jo të gjithë këta persona mund të ndiqen në gjendje arresti. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, do të kishte amulli në paraburgime.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency