Kreditë e këqija, problem që po shmanget nga të gjithë

0
165

Ervin Kaduku

 

 

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave bëjnë vetëm konstatime, ndërkohë që duhet të merren masa të menjëhershme për të ndryshuar rregullat në sektorin bankar

 

KrediaNiveli i kredive të këqija për sektorin e biznesit arriti në 28.6% në fund të shtatorit 2013, nga 25.9% në fund të vitit 2012, duke qenë më i lartë se mesatarja e të gjithë sistemit, prej rreth 24%. Shifra bëhet e ditur në programin ekonomik dhe fiskal 2014, të publikuar nga Ministria e Financave. Në nivele të larta është dhe huaja e pakthyer në monedhë të huaj, që ka arritur në 26.2% të totalit për të njëjtën periudhë, nga 24.7% në dhjetor 2012.

Duket se subjektet kryesorë që duhet të merren me kontrollin e problematikës në sektorin bankar në Republikën e Shqipërisë nuk po bëjnë gjë tjetër, veçse konstatime. Banka e Shqipërisë ka kohë që po ve alarmin, duke dhënë si rrugëzgjidhje thirrjen që u bën individëve dhe ndërmarrjeve që të konsumojnë më tepër. Një ftesë që mund ta bënte vetëm një UFO si guvernatori Ardian Fullani, a thua se shqiptarët nuk janë të interesuar për të shpenzuar më tepër. Po, duhet të jetosh në një planet tjetër, për të mos kuptuar se, kur kishin para, ata konsumonin më shumë dhe, në rast se tani konsumojnë më pa, do të thotë që kanë më pak likuiditet!

Këtu duhet të hynte në lojë subjekti tjetër, ministria e Financave. Ajo, gjithashtu, po bën premtim pas premtimi për të rritur aftësinë blerëse të kompanive, duke shlyer detyrimet e prapambetura në vite të shtetit ndaj tyre, por gjithshka ka mbetur në fjalë në erë. Mendohej që një Strategji e Pagesave të borxhit të prapambetur të shtetit të kalonte me urgjencë në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar, por as kjo nuk ndodhi. Logjika është e thjeshtë: premtimi është bazuar në një ndihmë financiare nga jashtë, që do të vonojë. Nuk do të shlyhen borxhet ndaj subjekteve as me një dorë të vetme, as 1 miliard euro në një vit, por shpresohet që nga maji të nisë pagesa e detyrimeve, duke u nisur nga vetëm 100 milionë dollarë që do të japë Fondi Monetar apo Banka Botërore. Po si qëndron puna në sektorin e kreditimit, në këtë situatë kur shteti – BSH dhe Financat – janë kthyer në “yje që rrinë e vështrojnë”?!

 

Prognoza e qeverisë

Sipas Financave, rreziku i kredisë përfaqëson sfidën më të madhe për sektorin bankar. Rritja e ngadaltë e ekonomisë është faktori kryesor i rritjes së rrezikut të kredisë në bilancet e bankave. Pasiguria rreth zhvillimit ekonomik, kushtet e dobëta të tregut të punës, luhatshmëria e remitancave dhe të ardhurave dhe problemet strukturore janë disa nga faktorët, që sipas raportit, kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, si për individët ashtu dhe për bizneset. Raporti thekson se sektori bankar është më shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të kredisë për huatë në monedhë të huaj dhe ato që i janë dhënë sektorit privat. Stoku i kredisë në monedhë të huaj, ku të ardhurat e huamarrësit janë në monedhën vendase llogariten për 31.1% të huasë totale. Huatë e pakthyera në afat u rritën me një shpejtësi të madhe në vend, që nga 2008-ta, kur ato ishin vetëm 6.5%, duke nxjerrë në pah si krizën që preku bizneset e individët ashtu dhe dhënien e huave të pastudiuara mirë. Me nivelin e kredive me probleme (NPL), që po i afrohet 25% të totalit, Shqipëria paraqitet në krye të listës së vendeve me tregues të lartë të NLP-së.  Sipas të dhënave të publikuara nga BERZH, i vetmi shtet në të gjithë Evropën Qendrore e Lindore, që i ka NPL-të më të lartë se Shqipëria, është Kazakistani, me 36.7%.

 

Raporti i BSH

Kërkesa për kredi nga bizneset ngeli e dobët edhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të Bankës së Shqipërisë, rënia e kërkesës së bizneseve vijoi të ndikohet negativisht nga situata aktuale dhe ajo e pritshme makroekonomike. Bankat nga ana e tyre kanë raportuar shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kredisë për biznesin dhe veçanërisht në financimin e investimeve. Faktorët kryesorë që kanë sjellë shtrëngimin e kushteve të kreditimit për bizneset e të gjitha përmasave janë kryesisht vlerësimet pesimiste për situatën ekonomike dhe shkalla e lartë e kredive me probleme.

Shtrëngimi i standardeve është ndërmarrë përmes rritjes së marzhit të interesit dhe shtimit të kërkesës për kolateral. Bankat nuk presin përmirësime domethënëse të kërkesës së bizneseve për kredi as gjatë tremujorit të parë të këtij viti, por ndërkohë shprehen se standardet e kreditimit mund të lehtësohen. Disi më pozitive ka qenë situata në segmentin e individëve, ku për tremujorin e fundit 2013 bankat raportojnë përmirësim të kërkesës, por edhe lehtësim të standardeve të financimit.

Individët kanë shfaqur kërkesë më të lartë sidomos për kredi konsumatore, ndërsa bankat janë treguar më fleksible në ofertë, falë gjendjes së mirë të likuiditetit. Bankat kanë pritshmëri optimiste edhe për tremujorin e parë të këtij viti dhe parashikojnë lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit për individët. Bankat parashikojnë gjithashtu ulje të normave të interesit për kredinë në lekë, ndërsa për kredinë në valutë interesat nuk priten të kenë ndryshime të ndjeshme.

 

Sipërmarrjet
Në bazë të rezultateve të bankave të anketuara, për sa u përket standardeve të kredidhënies për bizneset, rezultoi se këto standarde u shtrënguan. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë 3-mujorit të katërt shtrëngimi i standardeve të kredisë për bizneset regjistroi nivelin -6.4%, ndërkohë që një 3-mujor më parë kishte shënuar nivelin 0%. Faktorët që ndikuan për këtë shtrëngim, raportohen të jenë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend.
Sipas Bankës së Shqipërisë këto faktorë kanë pësuar një rritje gjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2013. Duhet thënë se të dhënat tregojnë se standardet për dhënien e kredive janë shtrënguar në të njëjtin nivel si për ndërmarrjet e mëdha, ashtu edhe për ato të vogla. Për sa i përket qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan vetëm për kreditë me qëllim investimi (niveli rezultoi -5.1%), ndërsa u lehtësuan disi për kreditë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues (niveli rezultoi 1.8%). Ndërkaq, për 3-mujorin e parë të vitit 2014, pritet që standardet për kredidhënie ndaj bizneseve të madha të lehtësohen.

Individët
Gjatë 3-mujorit të katërt të viti 2013, standardet e kredidhënies për individët u lehtësuan. Ky lehtësim u ndje si për kleintët që kërkonin kredi konsumatore (në nivelin +8.3%) ashtu si edhe për ata që kërkonin kredi për financim të blerjes së një banese (në nivelin +10.8%). Ndërkaq, për 3-mujorin e parë të parë të vitit 2014, pritet një lehtësim në standardin e kredidhënieve konsumatore (në nivelin +8.3%) dhe atë për financim të blerjes së një banese (+10.8%).

Kërkesa
Gjatë 3-mujorit të katërt të viti 2013, për sa i përket biznesit, bankat kanë raportuar se kërkesa për të marrë kredi për investime nga bizneset ka pësuar rënie, ndërsa ka qenë disi më e lartë kërkesa për financimin e kapitalit qarkullues. Ndërsa për individët, nga njëra anë kërkesa për kredi konsumatore ka pasur rritje dhe nga ana tjetër ajo për financim të blerjes së një banese ka pasur rënie.

 

 

 

Si do të zhvillohen sektorët kryesorë të ekonomisë

Ministria e Financave ka publikuar këto ditë pritshmërinë për ecurinë e sektorëve kryesorë të ekonomisë për periudhën afatmesme 2014-2016, ku ndikimin kryesor në rritje pritet ta kenë shërbimet, bujqësia e industria. Prodhimi bujqësor, duke marrë në konsideratë që kushtet klimaterike do të jenë normale, është parashikuar që të rritet çdo vit mesatarisht me 4.4% për periudhën 2014 – 2016, me një kontribut mesatar në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto prej 0.9 pikë përqindjeje (p.p.)

Prodhimi industrial, përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, parashikohet të rritet mesatarisht me 6.1% për vit në afatin e mesëm, duke kontribuar mesatarisht me 0.7 p.p. në rritjen e parashikuar të PBB-së.

Ndërtimi pritet që të vazhdojë me rënie në 2014, megjithëse më të moderuar se në vitet e mëparshme, dhe parashikohet që t’i rikthehet zgjerimit pozitiv në vitet 2015 dhe 2016.

Mesatarisht ndërtimi pritet që të rritet me terma realë me 1.5% gjatë 2014 – 2016, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e përgjithshme ekonomike me mesatarisht 0.1 p.p. në vit.

Shërbimet pritet të rriten mesatarisht me 2.7% në vit gjatë periudhës afatmesme 2014 – 2016, duke kontribuar mesatarisht me 1.4 p.p. në vit në zgjerimin e përgjithshëm ekonomik. Kontributi kryesor pritet nga Shërbime të Tjera. Tregtia, hotelet dhe restorantet pritet gjithashtu që të kenë një kontribut në rritje në afatin e mesëm.

Financat presin që në bazë të parashikimeve të mësipërme të kërkesës dhe ofertës, rritja ekonomike reale për 2014-n të jetë 2.1%; 3.3% në 2015; dhe 4.2% në 2016.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency