Kredia në lekë tani kushton më pak

0
130

Ervin Kaduku

Gushti ka sjellë një kthesë në tendencën e kostos së kredisë në lekë. Ndërsa deri në korrik interesat e huasë i kishin “rezistuar” uljes së normës bazë të interesit, më në fund u konstatua një rënie e ndjeshme e tyre

 

Kredi_depozitaGushti ka sjellë një kthesë në tendencën e kostos së kredisë në lekë. Ndërsa deri në korrik interesat e huasë i kishin “rezistuar” politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë (e cila që nga gushti 2011 ka ulur shtatë herë normën bazë në 3.5% aktualisht), në gusht u konstatua një rënie e ndjeshme e tyre.

Megjithëse ende bankat na japin kredi me kushte tepër të rënda, sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) e kredive të reja në lekë, në gusht zbriti në 9.44% nga 10.93, që kishte qenë në korrik, duke arritur nivelin më të ulët historik.

Megjithatë, ritmet e tkurrjes së kostos së kredisë në lekë kanë qenë shumë më të ulëta se reduktimi i normës bazë, apo rënie e yield-eve (interesave) të bonove të thesarit, të cilat përdoren si referencë në caktimin e çmimit të kredisë. Kjo ka bërë që diferenca mes yield-it të bonove dhe interesave të kredisë në lekë të mbetet e lartë. Në ankandet e fundit, yield-i i bonove 12 mujore është luhatur rreth 4%, ndërkohë që kredia në lekë me të njëjtin afat maturimi shitet me 9-13%, pra një diferencë mbi 5 pikë përqindjeje, që nxjerr në pah riskun e lartë me të cilin bankat perceptojnë huanë në lekë.

Yield-i i bonove të thesarit ka zbritur me rreth 3 pikë përqindjeje që nga dhjetori i vitit të kaluar, ndërsa interesat e kredisë në monedhën vendase janë ulur me vetëm 1.3 pikë përqindjeje për të njëjtën periudhë.

Reagimi i vonë i interesave të kredive është pranuar dhe nga guvernatori Fullani në daljen e tij të fundit publike: “Tregjet financiare janë karakterizuar nga prime në rënie rreziku të inflacionit e të likuiditetit, si dhe nga një përcjellje më e plotë e reduktimeve të normës bazë të interesit në segmente të ndryshme të tregut. Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë qëndruar pranë normës bazë dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shënuar një rënie të shpejtë për të gjitha maturitetet, veçanërisht për ato më të gjata, duke zbutur pjerrësinë e kurbës së yield-eve. Rënie të normave të interesit janë shënuar edhe në tregun e depozitave, ndërkohë që Fullani pranoi se normat e interesit për kreditë në lekë vijojnë të shfaqin përgjigje të zbehtë ndaj stimulit monetar të Bankës së Shqipërisë. “Përcjellja e plotë e sinjaleve të politikës monetare në tregun e kredive frenohet nga prania e primeve të larta të rrezikut të moskthimit, si dhe nga oreksi i ulët për rrezik nga ana e bankave dhe e bizneseve”, – ka pohuar kohët e fundit guvernatori Fullani.

 

Kredia për biznesin, keq e më keq

Nga ana tjetër, një pasqyrë shumë të zymtë paraqet kredia e re e dhënë nga bankat për sektorin privat të ekonomisë. Kriza e kreditimit gjatë këtij viti pasqyrohet më së miri në shifrat e kredisë së re për biznesin. Muaji Gusht dha një kontribut negativ dhe e thelloi rënien vjetore. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për tetëmujorin kredia e re për biznesin është tkurrur me 19% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënies nuk i ka shpëtuar asnjë prej degëve kryesore të ekonomisë. Tregtia, sektori me peshën kryesore në kreditim gjatë këtij viti ka pësuar rënie të kreditimit me afro 21% krahasuar me një vit më parë.

Në gjysmën e parë të këtij viti, tregtia ka pësuar rënie të prodhimit bruto për dy tremujorë radhazi, përkatësisht me 2.1% dhe 2.8%. Rënia e kreditimit është konfirmim i mëtejshëm i vështirësive të këtij sektori, i goditur drejtpërsëdrejti nga dobësimi i kërkesës së brendshme. Kreditimi vazhdon të jetë në rënie edhe për sektorët prodhues. Dega më e rëndësishme, industria përpunuese ka pësuar rënie të kreditimit me afro 15%. Kredia e re ka rënë edhe në një segment që për momentin është më i shëndetshëm, industrinë nxjerrëse. Ndonëse në vitet e fundit industria nxjerrëse ka regjistruar rritje të prodhimit, falë kërkesës së huaj për lëndë të para, sërish kreditimi paraqitet në rënie me rreth 29%.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bujqësinë, që në vitet e fundit ka qënë përgjithësisht një sektor i shëndetshëm për sa i takon ritmeve të rritjes së prodhimit. Por, edhe këtu kreditimi ka rënë me 11% kundrejt vitit të kaluar. Më e pritshme është rënia e kredisë së re për ndërtimin, që vazhdon dhe që për tetëmujorin ishte rreth 17%. Rënia e përgjithshme e kredisë për sipërmarrjen, përfshirë edhe ato degë që kanë një ecuri më pozitive të aktivitetit, duket se kombinon dobësimin e njëkohshëm të kërkesës dhe të ofertës. Një pjesë e madhe e bizneseve ka ulur kërkesën për financime, në kushtet e një klime të pafavorshme për investime të reja. Por rënia e njëkohshme e kreditimit edhe në sektorët ekonomikë që paraqiten relativisht më të shëndetshëm tregon se edhe aty ku mund të ketë potencialisht kërkesë, oferta e sistemit bankar është shumë e shtrënguar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency