Kosova:Qumështi shqiptar kancerogjen dy kompanitë që e tregtojnë në vend

0
164

Ina Jano/ Elton Qyno

qumeshti

Në produktet e “Primalatit” dhe “Fast”, gjendet substanca e rrezikshme “Alfatoksina”

 

Qytetarët Shqiptarë konsumojnë qumësht të kontaminuar dhe që ka rrezik shfaqjen e tumorit në zonën e mëlçisë. Të paktën ky është vetëm njëri nga përfundimet paraprake të autoriteteve kosovare, të cilat pas analizave laboratorike, kanë dalë në përfudnimin se produktet e kompanive të qumështit “Primalat”, “Fast”, (Shqiptare) “Meggle”, “Zott” dhe “Dukat” (Bosnja-Herzegovina), përmbajnë një substancë kancerogjene që quhet “Alfatoksina”. Kosntatimi i saj ka vënë në alarm autoritet shqiptare, të  cilat që nga dita e sotme kanë filluar kryerjen e analizave, dhe kontrolleve në supermarke dhe dyqane të ndryshme. Pas rezultatave të analizave se qumështi është i kontaminuar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka vendosur të njoftojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë fakt. Disa lloje të produkteve kanë rezultuar si të dyshimta në bazë të rezultatit të parë të analizave. Këto produkte janë duke u hequr nga tregu nga inspektorët veterinarë të AUV-së dhe nga importuesit të cilët përmes pikave të tyre të shitjes janë urdhëruar që t’i heqin nga shitja deri ne marrjen e super analizës e cila vërteton rezultatin e parë ku në bazë të saj do të vendoset për kthim eventual ne treg apo për asgjësim. “Për t’iu shmangur çfarëdo mundësie që këto produkte të vinë në kontakte të konsumatorit për përdorim lusim që llojet e produkteve sipas brendit, përqindjes se yndyrës, llojit të paketimit, serisë së prodhimit vendit të origjinës që po i prezantojmë me poshtë mos t’i blejnë dhe mos t’i konsumojnë. “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë duke parë nevojën që është shfaqur për të rritur masën e kontrollit është duke punuar gjatë gjithë kohës në pika kufitare por edhe ne tregun e brendshëm ku deri me tani gjithçka është nën kontroll. Asnjë ngarkesë nuk është duke u lejuar të futet në treg për shitje pa i ju nënshtruar gjithë kontrollit të detajuar i cili garanton kontroll të plotë. Shumë sasi të qumështit janë të grumbulluara në depot e importueseve të cilat janë ndalur për qarkullim deri ne verifikim të plotë pjesa tjetër është ndaluar në kufij dhe do të qëndroj atje deri ne verifikim të shëndetit të produktit me anë te analizave”, – thuhet në njoftim të AUV-së kosovare.

Reagimi

Menjëherë pas bërjes publik të lajmit, reagoi edhe Ministria e Bujqësisë duke qenë se kjo është një çështje tejet sensibël. “Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Ministria e Bujqësisë sqaron se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri ka marrë me urgjencë mostra të llojeve të qumështit që dyshohet se kanë përmbajtje Alfatoksine dhe që janë bllokuar në Kosovë dhe shumë shpejt do të publikojë përgjigjet e analizave. Ministria e Bujqësisë bën me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë kontrolle periodike apo dhe të befasishme te prodhuesit dhe importuesit e qumështit, të cilët i nënshtrohen analizave dhe në kontrollet e bëra në të shkuarën nuk ka rezultuar përmbajtja e Alfatoksinës. Çdo produkt që del nga njësitë e prodhimit në treg, apo hyn në Shqipëri nga subjekte importuese shoqërohet me certifikatat e nevojshme veterinare. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, pas njoftimeve zyrtare nga autoritetet në rajon janë marrë mostra të qumështit Dukat dhe shumë shpejt pritet që të përfundojnë analizat në laboratorët e specializuar të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare”, – thuhet në reagimin e ministrisë sonë.

Rreziku nga “Alfatoksina”

Alfatoksina është një lloj kërpudhe që gjendet në bimë. Ajo mund të gjendet në qumështin e kafshëve, si pasojë e ushqimit të kontaminuar që kanë konsumuar kafshët, kryesisht ushqimet bimore. Prania e Alfatoksinës në trupin e njeriut mund të zbulohet në dy mënyra. Një formë është analizimi i urinës, i cili tregon për përmbajtjen në trupin e njeriut, nëse virusi është përthithur në 24 orët e fundit. Ndërsa mënyra tjetër me e sigurt është analiza e gjakut, e cila tregon praninë në trup gjatë muajve dhe javëve të fundit, ekspozimin që ka pasur trupi ndaj Alfatoksinës. Ekspozimi i gjatë i Alfatoksinës mund të shkaktojë tumor në mëlçi, hemorragji, enjtje, probleme me tretjen, probleme me metabolizmin e njeriut, probleme mendore dhe deri në gjendje kome.

Qumështi që sduhet të konsumoni

1 . Qumësht “MEGGLE” 3.2% me datë të skadencës 23.06.2013 me origjinë nga BIH, 

2. Qumësht “Fast” 3.5% me datë skadence 03.06.2013 me origjinë nga Shqipëria 

3. Qumësht “Primalat” me origjinë nga Shqipëria, si 3.8% Data e sakadencës 05.08.2013 , Qumësht Primalat 1.5% ds. 10.03.2013, Qumësht Primalat 1.6% data sk. 04.04.2013 si dhe Qumështi Primalat 3.5 te dt. Skadencës 01.08.2013,

4. Qumësht ZOTT 3.5% me datë skadence 10.06.2013 me origjinë nga BIH të cilat kanë qenë me data skadence të ndryshme si: 10.06.2013, 25.06.2013 20.05.2013, si dhe qumësht me 0.5% yndyrë me dt. Sakdence 05.07.2013 dhe qumësht 2.8% me datë skadence 05.07.2013 

5. Qumështi Dukat 2.8% yndyrë me datë skadence 12,05,2013 dhe Qumështi Dukat për kafe të gjitha seritë

 

 

Intervista/ Flet aksioneri i kompanisë “Primalat”, Vigan Dervishi

Drejtori: S’ka rrezik qumështi, Kosova

nxori lajmin të më dëmtojë biznesin

 

Pas skandalit të bllokimit nga autoritetet kosovare të disa prej qumshtave të kompanive shqiptare si “Primalat” dhe “Fast”, të cilët kanë rezultuar me substancën kancerogjene siç është ajo e Aflatoksinës, ka reaguar drejtori, njëherësh njëri nga aksionerët e kompanisë së qumështit “Primalat”, Vigan Dervishi. Në një intervistë telefonike për gazetën “Standard”, Dervishi u shpreh i bindur se qumështi që del nga fabrika e tij, është sipas rregullave dhe se përpara se të shkojë tek konsumatori, u nënshtrohet dhjetëra analizave nga ana e laborantëve të fabrikës por edhe nga kontrollet e vazhdueshme të Ministrisë së Bujqësisë. Dervishi sqaroi se e gjithë zhurma që është bërë nga autoritetet kosovare, nuk është gjë tjetër, por vetëm një goditje ndaj biznesit të tij, me qëllim hapjen rrugë të kompanive të tjera që duan të hyjnë në tregun kosovar. “Jam shumë i tronditur nga kjo që po ndodh. I garantoj qytetarët se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Qumështi “Primalat” filtrohet në një fabrikë nga më modernet në Shqipëri dhe qoftë produkti i qumështit, por edhe ambalazhi, i nënshtrohen dhjetëra herë analizave në laboratorët tanë, përpara se produkti të dalë në treg”, – shprehet Dervishi. I pyetur nga gazeta nëse kompani e tij po diskuton mundësinë e tërheqjes nga tregu të qumështit, Vigan Dervishi është shprehur se një gjë të tillë nuk do ta bëjë, deri në momentin e daljes së konkluzioneve përfundimtare.

Zoti Dervishi, autoritet kosovare kanë vendosur bllokimin e tregtimit të qumështit “Primalat”, për shkak të gjetjes së substancës kancerogjene Aflatoksinë në produktin që ju si kompani nxirrni në treg. Sa e vërtetë është kjo?

Unë ju garantoj se kjo nuk është aspak e vërtetë. Atë që kanë bërë kosovarët, vetëm ata mund ta dinë, por unë mendoj se kjo është një goditje e rëndë për mua dhe biznesin tim. Të garantoj se nuk ka asnjë substancë të dëmshme për shëndetin siç pretendojnë kosovarët. Madje, edhe këta nuk janë të qartë, pasi kanë bërë një analizë, por nuk i kanë shkuar deri në fund. Dhe në njoftimin që kanë dhënë, tregojnë se analizat rreth kësaj çështjeje do të vazhdojnë. Mirëpo në një kohë kur nuk ka dalë konkluzioni përfundimtar, ata dalin publikisht dhe thonë se ka rrezik. Kjo është një goditje e qëllimshme për të prishur imazhin dhe asnjë gjë më tepër.

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me autoritetet kosovare? A keni pasur përplasje rreth cilësisë në këtë shtet? Ju si u jeni përgjigjur?

Unë s’kam shumë punë me autoritetet shtetërore aty, pasi të gjithë hapat i ndjek importuesi kosovar që vjen dhe merr mallin. Që është një goditje e qëllimshme, këtë e them me bindje, pasi tri ditë më parë, importuesi më solli dokumentet e analizave që kishin kryer autoritetet kontrolluese kosovare dhe gjithçka ishte në rregull. Tri ditë pasi jam njohur me këtë rezultat, njihem me një lajm tjetër tani, që produkti im ka probleme. Kjo nuk më duket aspak e drejtë.

Cilët do të jenë hapat tuaj pas këtij skandali, do të kryeni analiza paralele apo do të prisni rezultat nga Kosova?

Sigurisht që do kryejmë analizat, pasi në një veprim të tillë e bëjmë çdo ditë dhe s’mund ta lëmë këtë rast. Autoritetet kosovare ende nuk kanë dalë me një konkluzion përfundimtar dhe ne jemi në pritje. Por, nëpërmjet laborantëve tanë, që janë më të mirët në Shqipëri, do bëjmë analizat tona, për të parë gjendjen.

Pas publikimit të lajmit për përmbajtjen e substancës Aflatoksinë, nga ana juaj do të ketë një vendim për tërheqjen e produktit të qumështit në tregun shqiptar dhe atë kosovar?

Kjo pyetje të intereson ty si gazetar apo do t’ia thuash dikujt tjetri? Ne s’kemi pse të tërheqim qumështin nga tregu, kur s’ka një analizë përfundimtare qoftë nga ana jonë, por edhe nga pala kosovare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency