Korrupsioni te tatimet/ Dosja, si u morën miliona lekë ryshfet që të mos mbyllnin  bastet  pa licencë

0
162

Artan Cena

pika bastesh Zbardhen detaje të reja nga hetimi i 13 inspektorëve të tatimeve dhe njësisë së lojërave të fatit. Ja rolet që kishin secili prej të ndaluarve

I arrestuari Metjon Bijo ishte zyrtari që njoftonte administratorët e lokaleve të basteve se kishin dalë për kontrolle. Këto e detaje të tjera janë zbardhur në dosjet e 13 punonjësve të Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Tiranë dhe inspektorëve të njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të cilët janë vënë në pranga. Siç mësohet, 10 të arrestuarit dhe 3 punonjësit e tjerë të shpallur në kërkim përfitonin shuma të mëdha parash kundrejt mos vendosjes së gjobave për biznese të ndryshme në gjithë Shqipërinë. Sipas dosjes së hetuar nga prokurorja Antoneta Sevdari, thuhet se janë identifikuar dy grupe kontrolli, të cilët abuzonin me detyrën duke konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Hetimet ndaj tyre kishin nisur kryesisht, pas marrjes së informacioneve në rrugë operative.

 

Rolet e të arrestuarve

Nga hetimet është provuar se grupi i kontrollit të inspektorëve të Drejtorisë së Hetimit Tatimore drejtohej nga i arrestuari Metjon Bijo dhe grupi i inspektorëve të njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit drejtohej nga Jani Berukasi. Të dy këta të dyshuar, mbanin kontakt të vazhdueshëm me të arrestuarin Kreshnik Kasaj njëherazi menaxher i shumë pikave të bastit në Shqipëri si dhe me ish-punonjësin e njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Petrit Ahmetaj, tashmë me detyrën e specialist në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës që luante rolin e ndërmjetësit. Prokurorët thonë se Kreshnik Kasaj kundrejt mos kontrollit të pikave të basteve që ai menaxhonte dhe njohjeve që kishte paguante Metjon Bijo që tatimet të mos afroheshin. Përveç kësaj, Kasaj rezulton se ka paguar para edhe për të kontrolluar nga tatimet dhe mbyllur pika bastesh apo dyqane të lojërave të fatit të cliët ishin konkurrentë. Ndërsa me ndërmjetësimin e Petrit Ahmetaj, i arrestuari Kasaj paguante inspektorët e njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që drejtoheshin nga përgjegjësi Jani Berukasi për të vazhduar aktivitetin e bizneseve të lojërave të fatit edhe pa licencë.

 

Jo vetëm pika bastesh

Në dosje thuhet se përveç pikave të basteve, lojërave të fatit, ky grup kontrolli i drejtuar nga Metjon Bijo ka përfituar shuma të mëdha parash edhe nga magazina të ndryshme, karburante, fabrika të prodhimeve të ndryshme apo edhe dyqane elektroshtëpiake që ndodhet në autostradën Tiranë – Durrës. Hetuesit thonë se ata tregoheshin të kujdesshëm në telefon dhe takoheshin në vende të mbyllura për të shkëmbyer parat për mos kontrollin e bizneseve që paguanin. E gjithë veprimtaria e paligjshme e 13 të dyshuarve është filmuar, fotografuar dhe përgjuar me vendim gjykate. Ku edhe në momentin e arrestimit, Metjon Bijo është prangosur vetëm pak sekonda pasi Kreshnik Kasaj i kishte dorëzuar zarfin me 1 milionë lekë të reja në formë takse për ushtrimin e aktiviteteve të palicencuar dhe pa kasa fiskale.

 

Masat e sigurisë

Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 5 të arrestuarit dhe 3 të shpallurit në kërkim. Tre të dyshuarit e tjerë është caktuar masa e “Arrestit shtëpiak”, ndërsa për dy të dyshuarit që ishin pjesë e këtyre grupeve u caktua masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” për arsye shëndetësore.

 

Të arrestuar

Jani Berukas

Tefik Mallkuçi

Valentin Lokaj

Petrit Ahmetaj

Mensur Hoxha

Trendafil Tarja

Kreshnik Kasaj

Metjon Bijo

Arrest në shtëpi

Punonjësja I. R.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency