Kontrolli i KLSH-së   / OSHEE në pronësi të shtetit, 32 milionë euro shpërdorime  

0
208

 

 

 

tela-energjieeee_8– Dërgohet në Prokurori dosja penale në ngarkim të ish-drejtorit të Përgjithshëm Arben Seferi, caktuar nga qeverisja aktuale, si dhe për dy ish-drejtues të tjerë

 Ervin Kaduku

 

Dosja CEZ duket se do të mbetet një njollë shumë e madhe në ndërgjegjen e shtetit shqiptar. Kjo, jo vetëm për kohën kur ndërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike ishte në pronësi të privatëve çekë të CEZ Group-it, por sidomos tani, kur ajo ka kaluar në pronësi të shtetit shqiptar sërish.

Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi se ushtroi auditim në shoqërinë “Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) Sh.a., Tiranë, në përfundim të të cilit është konstatuar një dëm tërësor ekonomik në vlerën 32.039.440 euro, si dhe të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për Buxhetin e Shtetit në vlerën 5.630.713 euro, duke depozituar njëkohësisht pranë organit të Prokurorisë edhe kallëzimin penal nr. 495/21, datë 25.09.2015 për ish-Administratorin e CEZ Shpërndarje Sh.a., si dhe dy ish drejtues të larte të saj shoqërie, për periudhën kur kjo shoqëri ka qenë nën administrim të përkohshëm të Shtetit Shqiptar. Fjala është për drejtorin e përgjithshëm, tashmë të larguar, Arben Seferi, njeri i afërt me kryeministrin Rama, të cilit i ka shërbyer në Bashkinë e kryeqytetit në një nga postet kyçe drejtuese të saj.

Më konkretisht, për periudhën e audituar 21.01.2013 deri me datë 30.06.2015, nga auditimi është evidentuar keqmenaxhimi i kësaj shoqërie për sa i përket: blerjes së energjisë elektrike, zbatimit të procedurave të blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike, zbatimit të procedurave të prokurimit publik, sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, dhënies së pagave dhe shpërblimeve, hartimin dhe mbajtjen e pasqyrave financiare etj.

 

1) Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike, për periudhën janar – korrik 2014, nga CEZ Shpërndarje SHA, rezultoi se është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 2,96 miliard lekë, ose 21,238,860 euro, si rrjedhojë e:

  1. a) Blerjes së energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut

Nga moszbatimi i rregullt i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem, për periudhën Janar-Korrik 2014, nga shoqëria “CEZ Shpërndarje” Sha, është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 1,357,823 mijë lekë ose 9,727,223.4 euro. Konkretisht blerja e energjisë elektrike është kryer me çmime shumë më të larta se çmimet e tregut (përfshirë dhe kostot të transportit të energjisë), nga 7.94 euro deri në 13.12 euro për Mwh.

  1. b) Mbifaturimit të konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike.

Nëpërmjet uljes artificiale të humbjeve teknike, është shkaktuar një dëmtim i interesave të ligjshme të shoqërisë “KESH” sha dhe buxhetit të shtetit, për 2014, në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro.

Konkretisht për vitin 2014 u konstatua se në mënyrë artificiale janë ulur humbjet teknike, veprim i cili është kryer me fatura të dyshimta (mbi faturim, keq faturim, faturim të abonentëve pa adresë si dhe abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë etj), si pasojë e të cilës i është krijuar një dëm ekonomik shoqërisë “Kesh” sh.a dhe buxhetit të shtetit në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euroKy faturim është bërë në mënyrë abuzive dhe të pasaktë, pasi reflekton një sasi të pa konsumuar të energjisë elektrike, por edhe një faturim fiktiv me abonent që nuk kanë arkëtuar asnjëherë (të cilët rezultojnë aktiv në sistemin e faturimit, ndoshta nuk ekzistojnë etj).

  1. c) Blerjes së energjisë elektrike nga kompani të lidhura ndërmjet tyre.

Nëpërmjet blerjes së energjisë elektrike nga tre kompani të lidhura ndërmjet tyre (një kompani mëmë dhe dy bija), për mbulimin e humbjeve te energjisë në sistemin e shpërndarjes për periudhën korrik 2014 – mars 2015, është shmangur konkurrenca, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik për llogari shoqërisë CEZ Shpërndarje sha dhe më pas për OSHEE sha, në vlerën 59,877 mijë lekë ose 428,950 euro.

 

 

2) Nga auditimi i blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike nga shoqëria ÇEZ Shpërndarje, përgjatë vitit 2014, rezultoi që është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 4,359,882 euro, si rrjedhojë e shkeljeve të procedurave të tenderimit të vendosura nga ERE në “Rregullore e Prokurimeve të CEZ Shpërndarje sha”, lidhur me trajtimin e procedurave si raste emergjente, realizimit të tyre me një fazë negocimi, kryerjes së shtesave të kontratave në vlera të konsiderueshme që arrinin deri në 50% apo 70% të vlerës së kontratës bazë, si dhe blerjes në disa raste të materialeve dhe pajisjeve elektrike pa zhvilluar procedura tenderimi.

 

3) Nga auditimi i pjesshëm për shkak të dokumentacionit të mangët ekonomiko-financiar, i disa prej kompanive të mbledhjes së borxhit tё energjisë elektrike rezultoi që këto kompani kanë përfituar padrejtësisht nga CEZ Shpërndarje Sha, së paku vlerën prej 6,074,478 euro, për të cilën grupi i auditimit të KLSH shprehet me rezervë si pasojë e:

–   Mungesës së një inventari të plotë të llogarive (inventar fizik të aseteve dhe inventar kontabël) të Shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.a, si në momentin e kalimit të kësaj shoqërie nën administrimin e përkohshëm të shtetit më datë 21.01.2013, ashtu edhe pas kësaj date deri në periudhën e përfundimit të këtij auditimi.

–   Mosdisponimit të programeve autentike të Shoqërisë CEZ Shpërndarje Sha (SAP – Programi i kontabilitetit, Billing – Programi i faturimit dhe Mobirid – Programi i leximit të matësve), mbi bazën e të cilave kjo kompani menaxhonte dhe administronte aktivitetin e saj, që nga momenti i kalimit të kësaj shoqërie nën administrimin e përkohshëm të shtetit dhe deri më periudhën e përfundimit të këtij auditimi.

–   Ekzistencës së të dhënave kontradiktore në dokumentacionin e disponuar në OSHEE nga dega ekonomike, drejtoria ligjore dhe drejtoria e shitjes.

Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion u konstatua që për katër kompanitë e audituara, nga ana e Shoqërisë CEZ Shpërndarje Sha, nuk disponohej dokumentacioni i plotë për justifikimin e pagesave të dhëna këtyre kompanive të mbledhjes së borxheve, duke ngritur kështu dyshime serioze për shumat e përfituara padrejtësisht prej këtyre kompanive nga Shoqëria CEZ Shpërndarje Sh.a.

Në mungesë të ekzistencës së dokumentacionit të plotë justifikues për zbatimin e detyrimeve kontraktore të kompanive të mbledhjes së borxheve, vlera prej 847,936,386 lekë do të konsiderohet si dëm ekonomik i përfituar në mënyrë të padrejtë nga ana e tyre.

Në lidhje me këtë konstatim, KLSH i ka rekomanduar Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të OSHEE, marrjen e masave të menjëhershme për të përfshirë në veprimtarinë e saj audituese, aktivitetin e të gjitha kompanive të mbledhjes sё borxhit tё keq të energjisë elektrike duke analizuar në veçanti kallëzimin penal të Avokaturës së Shtetit, përcjellë organit të Prokurorisë me shkresën nr. 526/34, datë 24.07.2013, si dhe të organizojë punën për auditimin e plotë të veprimtarisë administruese dhe menaxhuese, ekonomike dhe financiare të CEZ Shpërndarje Sha, për periudhën e administrimit të përkohshëm të kësaj kompanie, duke filluar nga data 21.01.2013.

 

4) Nga auditimi i zbatimit të kuadrit rregullator në dhënien e pagave dhe shpërblimeve rezultoi që është shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 336,986 euro, si rrjedhojë e pagesave të tepërta për shpërblime në fund të vitit, si dhe një dëm ekonomik në vlerën 29,232 euro porsa i përket shpenzimeve të ndryshme operative.

 

5) Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike në muajin dhjetor 2014 u konstatuan të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për buxhetin e shtetit, të krijuar nga eksporti i energjisë nga KESH sha dhe importit të energjisë nga OSHEE në vlerën 5,630,713 euro, ku OSHEE kishte blerë energji elektrike me çmim 22,32 Euro/Mwh më të lartë se sa çmimi i shitjes së KESH sha në këtë periudhë.

 

Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që ERE, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka krijuar një situate konfuze në sistemin energjetik, jo vetëm në aktet e nxjerra prej saj, por dhe në monitorimin e shoqërive që operojnë në sistemin energjetik, me pasoje financiare për buxhetin e shtetit, kryesisht duke mos përcaktuar detyrimin e dy shoqërive KESH dhe CEZ për të rakorduar në lidhje me tepricat e prodhimit të KESH sha. Situatë e cila është përmirësuar vetëm në Shkurt 2015, nëpërmjet vendimit të ERE nr. 12, datë 06.02.2015 dhe marrëveshjes përkatëse ndërmjet KESH dhe OSHEE.

 

Veç sa më sipër, auditimi i KLSH ka evidentuar që nga ana e CEZ Shpërndarje Sh.a., nuk janë ndjekur procedurat për hartimin, miratimin e projekt-programit ekonomik dhe financiar, nuk është raportuar periodikisht në ERE; nuk është miratuar niveli i pagave të punonjësve në ministrinë përkatëse; ka diferenca në inventarizimin e aktiveve të qëndrueshme; ekzistojnë mospërputhje e llogarive të arkëtueshme midis sistemit të faturimit dhe të dhënave të kontabilitetit për faturat e papaguara nga abonentët, si dhe mospërputhje e detyrimeve për huat afatgjata me KESH SHA; ka mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit publik dhe në zbatimin e kontratave, nuk është ngritur njësia e prokurimit; studimi i vlerës së kontratës nuk është plotësisht i saktë; nuk është hartuar dhe miratuar një plan strategjik auditimi dhe plan vjetor i punës së departamentit të auditit të brendshëm; ka mangësi në procedurat dhe zbatimin e tyre për blerjen e energjisë elektrike dhe mbledhjen e borxhit të shoqëruara me dëm ekonomik, etj.

 

Në total, nga auditimi rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të CEZ Shpërndarje Sh.a. (aktualisht OSHEE) dhe për rrjedhojë edhe buxhetit të shtetit, arrin në vlerën 32,039,440 Euro dhe të ardhurat e munguara arrijnë në vlerën 5,630,713 Euro.

Me shkresën nr. 495/21, datë 25.09.2015, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal për Arben Seferi në cilësinë e ish-Administratorit të shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.a., (përgjatë vitit 2014); E.Z.në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit të Shitjes në CEZ Shpërndarje Sh.a.; dhe J.Z. në cilësinë e ish-drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në CEZ Shpërndarje Sh.a., të cilët në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre funksionale kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të“Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe më konkretisht për shkeljet e konstatuara në lidhje me:

–   Blerjen e pajisjeve dhe materialeve elektrike emergjente për nevojat e shoqërisë, në vitin 2014,

–   Moszbatimin e kuadrit rregullator për blerjet e energjisë elektrike, duke e blerë atë me çmime më të larta se ato të tregut, si dhe

–   Uljen artificiale të humbjeve teknike, nëpërmjet mbifaturimit të konsumatorëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here