Kontrolli i celularëve përmes IMEI-t

0
152

Gëzim Saliu

halimi PD, Halimi: Rama do të përgjojë çdo shqiptar. Vendimi, fund i lirisë së komunikimit

 “Kushtetuesja ta pezullojë vendimin para datës 6 gusht, pa u vendosur sanksionet”

 Vendimi i ri për kontrollin e celularëve të qytetarëve shqiptarë përmes IMEI-t është fundi i lirisë së komunikimit dhe të drejtave të njeriut për privatësi. Kështu pohoi dje deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, duke theksuar se vendimi i Kryeministrit shtetëzon të dhënat personale të aparateve celulare, në mënyrë që të ketë akses në telefonata, mesazhe, “Whatsapp”, “Facebook”, “BBM”, kudo dhe kurdo. “Po kë do të përgjojë Kryeministri? Sipas pikës 2 të këtij vendimi, ata që do duhet t’ia dorëzojnë celularin KM dhe që do jenë nën përgjim 24 orë në 24 apo sa herë që Kryeministri apo të emëruarit e tij do kenë dëshirë, janë: individët të cilët duan të blejnë apo që vihen në zotërim për përdorim vetjak të aparatit celular apo që në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zotërojnë aparate celulare për përdorim vetjak. E thënë ndryshe, çdo qytetar, burrë, grua, i ri apo e re që ka në përdorim një celular, çdo kundërshtar politik, disident, brenda grupit, drejtues institucioni të pavarur, çdo gazetar, çdo pronar mediash, çdo drejtues biznesi, çdo adoleshent që ka sot një rrjet social dhe përdor celularin. Ky është fundi i lirisë së komunikimit dhe të të drejtave personale në vend, fundi i “privacy” për çdo qytetar në këtë vend”, – u shpreh deputeti demokrat.

 

Denoncimi

Në nisje të deklarimit publik, ligjvënësi demokrat bëri të ditur arsyet pse grupi parlamentar i PD-së ka paditur Kryeministrin Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese për vendimin që kërkon, sipas opozitës, të shtetëzojë të dhënat personale dhe të përgjojë çdo individ që zotëron një aparat celular. “Brenda datës 6 gusht 2014, Kryeministri do ngrejë një databazë, ku të mbledhë të gjithë numrat e IMEI-t të çdo celulari dhe ku do ketë akses sipas pikës 7, përveç Kryeministrit, ministri i tij i Brendshëm, policia e tij e politizuar në skaj, drejtoresha e tij e Tatimeve, drejtoresha e tij e Doganave dhe të gjithë drejtorët e Tatimeve, Doganave anembanë vendit të emëruar personalisht nga Edi Rama”, – u shpreh deputeti demokrat. Në këtë kontekst, Halimi shpjegoi se IMEI është pasaporta e çdo celulari dhe meqenëse do të regjistrohet në emër të çdo individi, të dhënat e tij janë të ngjashme me shenjat papilare të gishtërinjve të çdo individi. “Kryeministri dhe zyrtarët e tij të emëruar ministra, drejtorë doganash, tatimesh, policie e deri tek zyrtari i këtyre drejtorive, që do të ketë akses në këtë data base, që do ngrejë Kryeministri, ka mundësi që nëpërmjet numrit të IMEI-t, pa kërkuar lejen e prokurorisë, mund të identifikojnë në pak sekonda, vendndodhjen se ku është individi, me kë është, çfarë është duke bërë, të kontrollojë e-mail-in, mesazhet, “Whatsapp”, “Viber”, “BBM”, “Facebook”, “Twitter” dhe çdo telefonatë sigurisht”, – u shpreh ai. Nisur nga kjo, deputeti i PD-së tha se shpreson që Gjykata Kushtetuese ta marrë në shqyrtim sa më parë dhe ta pezullojë vendimin para datës 6 gusht, kur qeveria ka vendosur sanksione për çdo individ që nuk ia dorëzon pasaportën e celularit. “I kërkojmë gjithashtu Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave që të zgjohen dhe të bëjnë detyrën për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve për të cilën ata paguhen. Ne do të vazhdojmë këtë betejë dhe ftojmë çdo të ri, çdo të re, çdo burrë e grua të vendit që të mbrojë jetën e tij private kundër një vendimi antievropian, antikushtetues dhe antidemokratik si ai i një Kryeministri që kërkon të futet në jetën personale të gjithkujt”, – deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi.

 

 Rasti/ Spaho: Rama thellon heshtjen për inkriminimin e Kuvendit dhe dhunën ndaj opozitës

Partia Demokratike denoncoi sërish dje heshtjen e Kryeministrit Rama për aktet që kanë ndodhur dy javë më parë në Kuvend, ku u godit deputeti i opozitës. Sipas Edmond Spahos, Rama nuk ka reaguar edhe ndaj emërimeve të personave me precedentë kriminalë, pas publikimeve të dosjes me fakte. “Asnjë koment apo reagim i Kryeministrit edhe pas publikimit të dosjes me fakte të plota të aktivitetit kriminal të deputetit të tij, Ndoka. Aktet mafioze dhe banditeske janë produktet e aleancës së krimit që ka nënshkruar Edi Rama që përpara zgjedhjeve dhe ne e kemi denoncuar herët këtë fenomen. Çdo Kryeministër normal do të kishte reaguar”, – tha ai. Më tej, deputeti demokrat theksoi se qytetarët janë edhe më shumë të tronditur, kur shohin se Kryeministri pajtohet, sipas tij, me faktin se ai ka inkriminuar Parlamentin dhe pajtohet me dhunën e kërcënimet me jetë të përfaqësuesve të opozitës. “Kjo heshtje e Ramës është edhe një provë më shumë se është ai, në fakt, porositësi i agresionit fizik, kërcënimit dhe përpjekjes për të mbyllur gojën e opozitës. Por si në çdo drejtim tjetër, Edi Rama do të dështojë edhe në këtë sipërmarrje”, – përfundoi Spaho.

 

Çështja e pronave/ Tabaku: Kryeministri mashtroi, Strasburgu nuk i ka dhënë asnjë ditë kohë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi dje se Gjykata Evropiane e Strasburgut nuk i ka dhënë qeverisë shqiptare asnjë ditë kohë afat për shqyrtimin e çështjeve të pronave. Sipas saj, Kryeministri Rama mashtroi të gjithë shqiptarët në datën 7 qershor, duke thënë se u shty me një vit kohë afati për pezullimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve që kanë kaluar në Strasburg. “E vërteta është se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk i ka dhënë, jo një vit, por asnjë ditë kohë qeverisë për zgjidhjen e çështjes së pronave, kështu që pronat kanë zënë vend në listën e dështimeve të 300 ditëve të kësaj qeverie. Edhe pse është në praktikën e GJEDNJ-së që në rastet e vendimeve pilot, shteteve u jepet mundësi për një shtyrje 6-mujore deri në njëvjeçare, për më tepër që ka dhe një ndryshim të qeverive në rastin tonë, kjo nuk ka ndodhur”, – deklaroi deputetja demokrate. Më tej, Tabaku theksoi se arsyet e mosdhënies së mundësisë për Shqipërinë kanë të bëjnë me plan-veprimin e paraqitur nga qeveria për pronat. “Gjykata vëren se masat e parashikuara në plan-veprimin e paraqitur nga qeveria nuk sjellin asnjë risi dhe nuk përmbajnë asnjë masë të ndryshme nga ato të parashikuara në Strategjinë e Pronës të vitit 2012 apo në plan-veprimin e vitit 2011. Në këto kushte, Gjykata ka vlerësuar: “Nuk do të ishte në interes të administrimit të drejtë të drejtësisë shtyrja e afatit për trajtimin e kërkesave të reja, apo të kërkesave që janë lënë pezull nga dhjetori i vitit 2012”, – u shpreh deputetja demokrate.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency