Konfiskohen 10.5 milionë lekë mallra në subjektet turistike të Durrësit

0
159

Ervin Kaduku

plazhi durres –  Rënie me 50 për qind e net-qëndrimeve të turistëve në dhomat e hoteleve të vendit

Drejtoria e Hetimit Tatimor ushtroi kontroll në subjektet private në zonën e plazhit Durrës, lidhur me regjistrimin e këtyre subjekteve në organin tatimor, deklarimin e punonjësve, instalimin dhe përdorimin e pajisjeve fiskale, dokumentimin e mallrave si dhe afishimin e çmimeve. Nga ky kontroll, vetëm në harkun kohor prej 7 ditësh, u arrit të konstatohen shkelje të rënda. Nga ana e Tatimeve u penalizuan 404 subjekte si dhe u arrit të licencohen 159 subjekte në QKR. Veç kësaj, u konfiskuan 20.000 shishe birrë pa faturat përkatëse, 3.600 shishe me pije të akcizës (uiski, verë) si dhe asete te luajtshme, të cilat në tërësi kapin një vlerë rreth 10.500.000 lekë.

 

Ulja e xhiros

Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2013 janë regjistruar 178 mijë net-qëndrime të të huajve në hotelet shqiptare, nga 353 mijë që ishte kjo shifër një vit më parë, duke shënuar një rënie prej 50%.

Të larta kanë qenë net-qëndrimet dhe në 2011-ën, në rreth 356 mijë, ndërsa në 2013-n ato zbritën pothuajse në nivelin e 2010-ës.

Një nga problemet e turizmit shqiptar janë shpenzimet e pakta të të huajve në vend.

Banka e Shqipërisë ka llogaritur shpenzime mesatare ditore prej 76-81 euro në ditë për periudhën 2008-2010, me një ulje në 70 euro në ditë gjatë vitit 2011, çka reflekton frenimin ekonomik. Më tej, sipas “Studimit të sistemit të statistikave të turizmit” të vitit 2010, vizitorët ndërkombëtarë shpenzonin 82 euro në ditë me një kohëzgjatje mesatare prej 5 ditësh ndërsa për turistët e argëtimit, koha mesatare e qëndrimit ishte më e shkurtër – rreth 2,8 ditë. Studimi tregoi që shpenzimi mesatar në destinacionin vendor është 79 euro ose nëse detajohet: 36 euro në ditë ose 25% të shpenzimeve për akomodimin në hotel, 23% të shpenzimeve për udhëtimin dhe 19% për ushqimin. Qytetarët shqiptarë me banim jashtë vendit shpenzojnë afërsisht sa edhe qytetarët e tjerë të huaj: 77 euro në ditë, por ata qëndrojnë mesatarisht më gjatë – 10 ditë. Vizitorët vendas vlerësohet të shpenzojnë 48 euro në ditë, ndërsa për turistët nga Kosova nuk ka informacion, por pritet që ata të shpenzojnë jo më shumë se turistët vendas.

 

 Punësimi në kontradiktë

Anketimet e familjeve tregojnë rënie të punësimit në ekonomi, ndërsa ato të ndërmarrjeve dëshmojnë rritje. Krahasimi i raporteve të ndryshme statistikorë nga INSTAT-i nxjerr këtë përfundim, në një pjesë të madhe kontradiktor. Sipas anketës së forcave të punës, për tremujorin e parë 2014, shkalla e punësimit në ekonomi ishte 42.2%, në rënie me 4.2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Paralelisht, shkalla e papunësisë është rritur në 17.7%, 3.1 pikë përqindje më shumë krahasuar me tremujorin e parë 2013.

Anketa e forcës së punës është një vrojtim statistikor tremujor, që kryhet me një kampion prej 5,040 familjesh, duke ndryshuar çdo tremujor 20% të tyre. Informacioni i mbledhur nga anketat e familjeve tregon se punësimi ka rënë dhe papunësia në ekonomi është rritur. Por, një përfundim tjetër del nga statistikat afatshkurtra, që bazohen në anketimin e shoqërive tregtare. Anketat e ndërmarrjeve tregojnë se punësimi në tremujorin e parë të këtij viti në fakt është rritur me 8.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një vit më parë.

Edhe kjo anketë kryhet me frekuencë tremujore, në shumicën e sektorëve ekonomikë, ku për ndërmarrjet me deri 9 të punësuar kampioni merret me zgjedhje, ndërsa ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar anketohen të gjitha.

Mospërputhja e plotë në të dhënat e punësimit nga anketat e familjeve dhe ndërmarrjeve mund të jetë e natyrshme, sepse rezultatet e anketës së bizneseve nuk përfshijnë punësimin në sektorin publik, atë bujqësor dhe sidomos vetëpunësimin informal, që në ekonominë shqiptare është mjaft i lartë. Por, fakti që dy anketat japin rezultate krejt të kundërta për tendencën e punësimit në ekonomi përfaqëson një lloj paradoksi.

 

 Haxhinasto përuron punimet për impiantin e Kasharit

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, përuroi dje fillimin e punimeve për ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për Tiranen e Madhe, një projekt japonez me vlerë 79 milionë USD. Ky projekt që fillon sot është një zhvillim i jashtëzakonshëm për infrastrukturën e Tiranës, por edhe për zonën e Kasharit. Impakti i tij është shumëplanësh, tha Haxhinasto. Së pari do t’u shërbejë rreth 350 mijë banorëve të Tiranës, duke përpunuar ujërat e përdorura të një pjese të konsiderueshme të saj. Do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në ruajtjen e mjedisit, por edhe mbi zhvillimin ekonomik dhe punësimin e shumë shqiptarëve. Projekti është një zhvillim shumë cilësor për gjithë infrastrukturën e Tiranës në të gjithë komponentët e tij, si në atë të rrjetit të kanalizimeve prej 11 km, në kolektorin kryesor të tij rreth 4.4 km, në kolektori e ri në pjesën jugore të lumit të Lanës, por dhe në vetë impiantin e përpunimit me një kapacitet rreth 95 mijë litra në ditë. Të gjitha këto janë zhvillime cilësore për infrastrukturën e Tiranës. Projekti do të përfundojë brenda dy vjetëve nga kontraktori japonez “Kubota Corporation” dhe ai italian “Construzioni Dondi spa”. Ky është projekti më i madh i kredisë për zhvillim që Japonia ka akorduar për Shqipërinë me një vlerë rreth 109 milionë USD, ku 79 milionë do të përdoren për veprën në fjalë.

 

Italia bën thirrje për reforma në BE

Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të vazhduar debatin e tyre në lidhje me reformat që duhet të ndërmerren për të stimuluar rritjen ekonomike. Gjithashtu, ministrat kanë diskutuar edhe mundësitë për të lejuar më tepër fleksibilitet mbi rregullat buxhetore. Italia është mbështetësja kryesore për fleksibilitet më të madh në buxhetet e vendeve anëtare, për të inkurajuar rritjen dhe investimet. Duke folur në këtë takim, ministri italian i ekonomisë, Pier Carlo Padoan, vendi i të cilit ka borxhin e dytë më të madh në Eurozonë pas Greqisë, deklaroi se vendet që realizojnë reformat duhet të përfitojnë nga masat që kanë për qëllim nxitjen e ekonomisë.

“Ne po prezantojmë reformat strukturore që do të ndërmarrim në Itali dhe propozimi im si kryetar i Presidencës së Bashkimit Evropian është të ndihmojmë vendet të gjejnë stimuj dhe t’i mbështesim të realizojnë reformat. Të gjithë kemi nevojë për një axhendë reformash”, – tha Padoan. Por, Jeroen Dijsselbloem, kreu i ministrave të financave të Eurozonës, i përkufizoi përpjekjet e Italisë për reforma si jo shumë domethënëse dhe këmbënguli se Roma të mos përfitojë asnjë liri veprimi të veçantë. “Nëse shikojmë të dhënat mbi papunësinë, evidentojmë fare qartë se ka ende shumë punë për t’u bërë për sa i përket konkurrueshmërisë dhe rritjes ekonomike.

Sigurisht që nevojitet një punë e madhe. Italia po publikon një rritje ekonomike afër zeros për shumë vite me radhë dhe duhet të përmirësojë ekonominë, në mënyrë që të bëhet më e forte”, – tha Dijsselbloem. Pavarësisht angazhimit, Italia nuk ka dhënë detaje se çfarë do të thotë me krijimin e stimujve për reforma. Por disa ministra të qeverisë italiane, kanë lënë të kuptohet se investimet publike në shkolla apo në infrastrukturë, nuk do të llogariten në deficitin buxhetor. Borxhi i Italisë parashikohet të rritet në 135% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë këtij viti, nga 133% që ishte në 2013-ën.

 

Kosovë, papunësia arrin në 30 për qind

Përqindja e papunësisë në Kosovë mbetet ende e lartë dhe kjo ndikon më shumë tek njerëzit që nuk kanë përvojë të mëhershme të punësimit, mirëpo rritja ekonomike është e mirë nëse krahasohet me vendet tjera në rajon.

Ndërsa, investimet në Kosovë kanë shënuar një zbehje për të cilat Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pretendon që t’i rikthejë në kuptimin e zhvillimit pozitiv dhe progresiv. Kjo e fundit thotë se punësimi në Kosovë nuk mund të arrijnë në 7 për qind sepse nuk jemi Norvegji, por sipas tyre, punësimi ka rritje mbi 2 për qind.

Kështu u tha, në prezantimin e Programit Aktiv të Tregut të Punës për të rinj.

Sipas, Hafiz Leka, kryesues i Divizionit dhe Punësimit në MPMS, nëse investimet në Kosovë rikthehen, kjo e fundit do të realizojë misionin dhe vizionin e vet për një mirëqenie më të lartë institucionale në Kosovë.

Madje, siç pohoi ai, rreth 268 mijë punëkërkues gravitojnë nëpër shërbimet publike të punësimit në Kosovë.

“Momentalisht kemi rreth 268 mijë punëkërkues të cilët gravitojnë nëpër shërbimet publike të punësimit të Kosovës. Këtu i kemi do të thotë edhe ata që kanë statusin aktiv edhe ata që kanë statusin pasiv dhe është një pra hyrje mund të themi vjetore këtë e shihni mes vitit 2013, pra dhjetori i vitit 2013 ku kemi afër 18 mijë persona të cilët hyjnë në tregun e punës por faktikisht prej tyre kemi dalje prej 9 mijë e 221 persona që nuk do të thotë se gjithë këta janë punësuar. Faktikisht përmes zyrave por kemi rreth 4 mijë e 729 persona të cilët kemi arritur përmes zyrave të punësimit ti punësojmë vetëm gjatë vitit 2013. Gjithashtu brenda kësaj periudhe kemi një shkallë mund të themi jo të mjaftueshme të aftësive profesionale të cilat neve i ofrojmë tregut të punës”, – ka thënë ai.

Sipas tij, synimi themelor i këtij prog rami ishte gjithëpërfshirja, që ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve dhe me zhvillimin e sistemit të shkëmbimit të informacioneve.

Kurse, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se vetëm 50 për qind e atyre që kërkojnë punë janë me arsim të lartë, ndërsa të tjerët janë me arsim fillor, madje siç shtoi ai, për rritjen e punësimit 7 për qind-shi është i pamundur të arrihet.

“Kemi një rritje natyrale rreth 2.2 për qind, por kjo nuk mund të mbulojë zbrazëtirat ekzistuese në shoqërinë tonë sepse statistikat tregojnë që, në mënyrë që të arrijmë nivelin te papunësia do të ishte sistemi si në Norvegji ku është 4.4 për qind atëherë ne duhet të kemi një shkallë ku brenda viteve të ardhshme me 7 për qind në rritje dhe kjo në fakt është e pamundur. Ne kemi 2.2. Kjo në fakt nuk është e mundur që të arrijmë në 7 për qind dhe kjo paraqet problem me projektet për të zgjidhur këto zbrazëtira dhe këto probleme por varet prej nesh që të bëjmë numër të projekteve dhe programeve që ta rrisim këtë. Unë mendoj që janë akoma disa programe të cilat merren me rikualifikimin, ritrajnimin për të difersifikuar dhe ndoshta kjo do të ishte projekti më i madh që do të ofronte kësi lloj mbështetje”, – ka thënë Rashiq.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency