Komisioni hetimor mbyll punimet / Propozim Kuvendit: Çefa dhe Lelçaj të shkarkohen. Braho: KLD-ja bandë, duhen hequr të gjithë

0
119

komisioni-hetimor

Gëzim Saliu

Braho: Në raport të përfshihet edhe përgjegjësia e kryetarit të KLD-së, Nishani. Subashi: Pjesën kryesore të përgjegjësisë në shkeljet e KLD-së e ka dhe Presidenti

Komisioni hetimor parlamentar mbylli dje punimet e tij, ku në raportin përfundimtar i propozoi Kuvendit shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. Sipas komisionit, dy anëtarët kanë lejuar shkelje ligjore dhe kushtetuese në këtë institucion me emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve, ndaj i propozojnë Parlamentit shkarkimin e tyre. Po ashtu, në raportin e miratuar përfshihen edhe përgjegjësitë e Presidentit Bujar Nishani në drejtimin e KLD-së. Ndërkaq, ditën e hënë, raporti pritet t’i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe brenda 7 ditëve ai do të futet në axhendën e punimeve të Parlamentit.

Mbledhja

Në mbledhjen e djeshme, e cila ishte edhe e fundit për komisionin hetimor parlamentar, kreu i tij, Armando Subashi, deklaroi se dy anëtarët e KLD-së kanë shkelur ligjin. “Komisioni hetimor i propozon Kuvendit miratimin e raportit përfundimtar. I rekomandojmë Kuvendit në kuadër të reformës në drejtësi përmirësimin e kuadrit ligjor dhe aktet nënligjore të nxjerra nga KLD. I propozojmë Kuvendit shkarkimin e Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt, për shkak të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese”, – tha ai, duke bërë të ditur se raporti është voluminoz dhe me shumë faqe. Sipas kreut të komisionit, veprimtaria e KLD-së për promovimin e anëtareve të saj është në kundërshtim të parimit kushtetues. Ndërkaq deputeti socialist theksoi se një tjetër shkelje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është dhe ajo me emërimin e magjistratëve të rinj nëpër gjykata. “Magjistratët që kanë përfunduar shkollën në 2014 vijojnë të jenë ende pa u emëruar”, tha ai. Ndërkohë anëtari i Komisionit Hetimor Spartak Braho deklaroi se nuk mund të lihet që çështja e emërimeve të jetë në dorë të sekserëve. “Ne nuk mund të lëmë që sekserë të ndryshëm kanë ndikuar negativisht në emërime. Materiali është analizuar mirë dhe është punuar me kujdes. Për mua nuk ka rëndësi shkarkimi por për mua ka rëndësi si do funksionojë KLD”. Në këtë kontekst, Braho kërkoi përfshirjen e përgjegjësive të Presidentit të Republikës në raport, duke e cilësuar nga ana tjetër KLD-në si një batak, që duhet shkarkuar e tëra si strukturë. “Kjo KLD është kthyer në batak, kënetë. Në sytë e opinionit kombëtar kështu përcaktohet. Këtu nuk është për t’u shkarkuar vetëm Elvis Çefa e Lulzim Lelçaj. Këta janë për tu shkarkuar të rërë pasi janë pajtuar me situatën. Këto shkelje nuk janë pa dashje, janë bërë me vetëdije. Ne nuk kemi patur një KLD, kemi patur një bandë që drejton drejtësinë shqiptare. Ne e pamë vetë që ata të dy ishin të mbaruar dhe thanë këtu vetëm artifica se gjoja komisioni është antikushtetues. Në raport duhet të përfshihet dhe përgjegjësia e kryetarit të KLD-së, ne nuk mund të mbyllim sytë. Duhet të evidentohet përgjegjësia e Bujar Nishanit pse e ka lejuar këtë”, – u shpreh Braho. Kërkesa e deputetit të LSI-së u mbështet nga kryetari i Komisionit Subashi, i cili theksoi: “Bie dakord me atë çka tha Braho dhe me rolin e Presidentit. Pasi pjesën kryesore të përgjegjësisë në shkeljet e KLD e ka dhe Presidenti. Unë jam dakord me çka thatë që ne të përfshimë në raport dhe një paragraf me përgjegjësinë e Presidentit të Republikës”. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Taulant Balla bëri të ditur se gjatë hetimeve janë gjetur shkelje edhe para dy viteve nga ana e opozitës. “Është fakt që zoti Çefa, por edhe Presidenti i Republikës ne rolin e kryetarit te KLD nuk kane marre ne konsiderate gjetjet e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e zotit Kreshnik Spahiu. Është për të ardhur keq që një Nënkryetar zëvendëson një tjetër nuk merr masa për të përmirësuar shkeljet e konstatuar për paraardhësin e tij, por i përkeqëson ato”, – tha Balla, duke shtuar: Nëse ka një institucion që e ka në zemër konfliktin e interesave është KLD. Anëtarët e KLD kanë votuar për të emëruar fis e kushërinj por edhe për të promovuar veten”. Ndërsa, anëtari tjetër i komisionit Ulsi Manja, duke komentuar deklaratat e dy ditëve më parë të Presidentit Nishani, tha se ato ishin jo serioze. “Presidenti duhet të na falënderonte për gjetjet e komisionit, por me deklaratat e djeshme ishte jo serioz”, – u shpreh ai. Nga ana e tij, deputeti i PS-së Besnik Bare tha se sistemi i Drejtësisë është kthyer në kancerin e shoqërisë shqiptare.

 

 

Shkeljet kryesore sipas raportit

Mosemërimi i kryetarëve të gjykatave ka mbajtur për kohë të gjatë në këto poste njerëz të komanduar dhe deleguar. Edhe kur janë emëruar është pretenduar që emërimi i tyre nuk është bërë sipas kritereve që kërkon ligji

Emërimi i Gjin Gjonit, Neshat Fanës, promovimi i Ilir Mustafajt, shkelje e ligjit dhe Kushtetutës

Marrja nga KLD-ja e kompetencave të ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakante nëpër gjykata

Shkelje e KLD-së me emërimin e magjistratëve të rinj nëpër gjykata, ku Magjistratët që kanë përfunduar shkollën në 2014 vijojnë të jenë ende pa u emëruar

KLD-ja ka marrë kompetencat e shkollës së Magjistraturës, ku një pjesë e gjyqtarëve që kanë qenë në pjesën fundore të listës së kandidatëve janë emëruar gjyqtarë, ndërsa ata që kanë qenë të parët nuk janë emëruar

 

 

Reagimi i PD-së për komisionin

Bylykbashi: Duan në KLD komisarët e kuq, vendimi, një minë në themelet e reformës në drejtësi

Partia Demokratike reagoi dje në lidhje me vendimin e komisionit hetimor sa i takon kërkesës për shkarkim të nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, dhe anëtarit Lulzim Lelçaj. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, e cilësoi raportin e komisionit hetimor parlamentar një farsë, synimi i vetëm i të cilit është kapja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga shumica parlamentare. “Sot, Kuvendi mbylli kapitullin e hetimit farsë parlamentar mbi KLD-në, që kishte për qëllim vetëm shkarkimin e dy anëtarëve të saj dhe zëvendësimin e tyre me komisarët e kuq të mazhorancës. Me vendimin e sotëm për të miratuar raportin që gjykon mbi punën e KLD-së dhe propozon ndërprerjen e mandateve kushtetuese të anëtarëve të saj, ky komision shkel rëndë pavarësinë e pushteteve dhe thyen Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se Kuvendi nuk është organi suprem dhe nuk mund të hetojë e të gjykojë mbi aktet që janë kompetencë e organeve ‎të pushteteve të tjera. Raporti i sotëm i miratuar nga jakobinët e mazhorancës ishte veçse akti i fundit i farsës parlamentare që Edi Rama dhe Ilir Meta e kamufluan si hetim parlamentar”, – tha ai. Më tej, ligjvënësi demokrat tha se mazhoranca, pasi ka uzurpuar çdo hapësirë të opozitës në parlament po kërkon të kapë sistemin e drejtësisë. “Me ligjin e sapomiratuar, kjo mazhorancë ka krijuar instrumentin për t’i shkarkuar të gjithë anëtarët e KLD-së që nuk i nënshtrohen asaj. Ky është fundi i pavarësisë së gjyqësorit. Veprimi i sotëm është një minë në themelet e reformës në drejtësi e cila si gur themeli duhet të ketë pavarësinë e gjyqësorit. Këtë pavarësi e kërkon edhe BE dhe Këshilli i Evropës. Ky akt, jo vetëm që cenon standardet evropiane dhe kushtetuese, por vë në pikëpyetje seriozitetin dhe qëllimet e kësaj reforme. Për këtë arsye i bëjmë thirrje përsëri komunitetit ndërkombëtar që me qëllim sigurimin e një reforme të vërtetë dhe konsensuale në drejtësi, ta ndjekë nga afër dhe të frenojë menjëherë këtë agresion antikushtetues ndaj pavarësisë së gjyqësorit të kësaj mazhorance. Partia Demokratike shpreh besimin se Gjykata Kushtetuese do garantojë paprekshmërinë e Kushtetutës dhe parimeve të saj”, – përfundoi fjalën e tij deputeti Oerd Bylykbashi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency