Koalicioni i ri/ Aleatët e zhgënjyer nga Rama, Milo: Në 21 qershor nuk do të jemi në koalicion me PS

0
147

Gëzim Saliu

milo-rama “Ne do të organizohemi në një koalicion të ri vlerash politike për të shkuar në zgjedhjet vendore”

Aleatët tradicionalë të Partisë Socialiste shprehen të zhgënjyer ndaj saj, si forcë kryesore e koalicionit të majtë. Në këto kushte, aleatët e vegjël të PS-së, të cilët nuk kanë përfituar aspak nga marrëveshja parazgjedhore e lidhur mes palëve për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, pritet të bashkohen në një koalicion të ri. Në këtë pol të ri pritet të bëhen pjesë Partia Social-Demokrate e Skënder Gjinushit, Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, partitë e vogla të tjera të koalicionit të majtë që janë shprehur të revoltuar ndaj sjelljes së forcës kryesore të koalicionit të majtë.

 

PDS-ja

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, bëri publik dje nga Vlora divorcin me koalicionin e majtë. Në një takim me strukturat e forcës së tij politike në Vlorës, Milo kujtoi edhe një herë faktin se PS nuk respektoi marrëveshjet parazgjedhore me aleatët, duke mos lënë asnjë mundësi bashkëpunimi për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Sipas Milos, Partia Socialiste ka zgjedhur ta largojë vetë PDS-në nga koalicioni i saj, duke mos e bërë pjesë të asnjë prej mbledhjeve të saj me aleatët. Kreu i PDS-së deklaroi se do të bëhet pjesë e një tjetër koalicioni me vlera politike në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. “PS duhej të respektonte marrëveshjen, të respektonte aleatët mbi 10 vjeçar besnik deri në fund. Por për fat të keq në filluam të konstatojmë muaj pas muaji që PSZ nuk ishte serioze në respektimin e marrëveshjes. Ne do të organizohemi në një koalicion të ri vlerash politike për të shkuar në zgjedhjet vendore. Absolutisht nuk bëhet fjalë që PDS të shkojë tek e djathta”, – tha ai. Lidhur me dekriminalizmin, Milo tha se nuk duhet të kufizohet vetëm te Kuvendi dhe për qëllime politike, pasi është një proces që duhet të shtrihet në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe që, sipas tij, nuk mund të mbyllet për 3 e 4 muaj. Ndërkohë, tërheqja e aleatëve duket se shkon në sinkron me sjelljen e Partisë Socialiste, e cila në muajt e fundit ka treguar se nuk ka më interes të vazhdojë bashkëpunimin me disa forca politike, të cilat janë ende pjesë e koalicionit të majtë. Rreth një muaj më parë, PS nuk dërgoi ftesë në drejtim të disa prej aleatëve të dikurshëm Milo e Gjinushi, duke lënë të nënkuptohet se bashkëpunimi me ta është konsideruar i mbyllur pas zgjedhjeve të 23 qershorit kur e majta erdhi në pushtet. Duket se ndarja e pushtetit me aleatët “e mëdhenj” të koalicionit, si LSI, e ka detyruar PS të lë pa mbajtur premtimet dhe angazhimet për aleatët e vegjël, të cilëve në bazë të marrëveshjes së shkruar mes palëve duhej ti shpërblente me poste të ndryshme në nivelin e dytë dhe të tretë të pushtetit. Por duket se kryeministri Rama e ka “ndier” largimin e parive tradicionale nga koalicioni i majtë dhe ka nisur të marrë masë për të rikuperuar vota të cilat do të humben nga kjo ndarje. Kreu i qeverisë ka nisur negociata të vazhdueshme me krerët e forcave të tjera politike për të formuar një koalicion solid për zgjedhjet vendore. Pak kohë më parë ai i ka bërë një ftesë zyrtare për kreu e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ku burime pranë dy partive kryesore bëjnë të ditur se është arritur në një marrëveshje paraprake por pengesë është bërë oponenca që ka ndodhur brenda PDIU-së nga dy deputetë të saj, të cilët kërkojnë të rreshtohen në zgjedhje në krah të Partisë Demokratike. Ndërkaq Rama duket se nuk do të shkëpusë marrëdhëniet me PBDNJ-në ku “thembra e Akilit” mbetet gjithnjë Himara. Për këtë të fundit PS duket se do të rikandidojë kreun aktual të bashkisë, socialistin Jorgo Goro. Në këto kushte, duket se bashkëpunimi mes palëve për zgjedhjet vendore do të jetë i vështirë, ku vetëm pak kohë më parë Dule deklaroi se nëse do të përmbushen kërkesat e tij në zgjedhje do të vijojë të jetë pjesë e mazhorancës.

 

PS e Gjirokastrës, pakënaqësi ndaj kandidatit, Ahmetaj dhe Angjeli “mbrojnë” LSI-në

Marrëveshja e arritur mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet vendore të 21 qershorit nuk është pritur mirë nga një pjesë e bazës së PS-së. Kështu, socialistët e Beratit dhe ata të Gjirokastrës kanë shprehur pakënaqësi lidhur me faktin se kandidati për bashki në këto dy njësi do të jetë nga radhët e LSI-së. Edhe në takimin e zhvilluar dje në Gjirokastër me ministrin Ahmetaj dhe deputetin e zonës Anastas Angjeli mësohet se nuk kanë munguar kritikat e këtij lloji. Nga ana e tyre përfaqësuesit e PS-së janë munduar të qetësojnë radhët brenda partisë duke theksuar se kandidati do të jetë i përbashkët dhe pavarësisht se do zgjidhet nga LSI, ai do të duhet të ketë edhe miratimin e PS-së. “Nuk bëhet fjalë për kandidatë të njërës apo tjetrës parti, por kandidatë të koalicionit”, – tha Angjeli, i cili ndërsa u pyet se përse u përzgjodh Bashkia e Gjirokastrës për një përfaqësim të tillë ai nënvizoi faktin se janë 15 bashki të cilat prezantohen me kandidatë të koalicionit dhe Gjirokastra është njëra prej tyre. Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha: “Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Evropiane do të fitojnë në zgjedhjet vendore dhe kjo është e sigurt. Fitorja më 2015 i paraprin fitores së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Mandati i dytë duhet të konsolidojë rilindjen e Shqipërisë”. Në bashkinë e Gjirokastrës pritet të kandidojë prefektja aktuale Zamira Rami, e cila do të propozohet nga LSI-ja.

 

PD e Lezhës, me 15 propozime, kandidatët e mundshëm Gjoni, Kaçaj dhe Frrokaj

Strukturat e Partisë Demokratike në Lezhë kanë propozuar 15 emra, të cilët do të mbërrijnë në tryezën e kryedemokratit Lulzim Basha për të vendosur për kandidaturën në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Sipas kreut të PD-së në Lezhë, Paulin Marku, procesi i propozimeve ka qenë më transparenti i bërë ndonjëherë. “Procesi ka qenë i lirë dhe propozimet kanë ardhur nga qytetarët”, – tha Marku. Emrat më favoritë si kandidat të së djathtës për Bashkinë e Lezhës janë kreu i qarkut Pashk Gjoni, krerët e komunave Salvador Kaçaj, Fran Frrokaj dhe Jak Zhuba, si dhe kreu i Këshillit Bashkiak në Lezhë, Tonin Uldedaj. Në të gjitha degët e Partisë Demokratike, baza ka thuajse të mbyllur procesin e përcjelljes në kryesi të emrave të kandidatëve të mundshëm që do të garojnë për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency