Kë të besojmë: “parajsën” e INSTAT-it apo “kërbaçin” tatimor?

0
146

Ervin Kaduku

IMGP4687 –  Sipas listës zyrtare të publikuar nga Drejtoria e Tatimeve, detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohë nga 11.350 biznese, ku vetëm në 2014-ën numri i tyre u rrit me 40%

Biznesi është në hall, por qeveria shikon vetëm hallin e saj. Gati gjysma e subjekteve që rezultojnë debitore ndaj arkës së shtetit janë regjistruar këtë vit. Por, pas rritjes së lartë të numrit të subjekteve debitore ndaj shtetit në vitin 2014, Tatimet kanë filluar javën e kaluar u janë drejtuar zyrtarisht, duke u kërkuar sipërmarrjeve, që të shlyejnë këto detyrime. Në inbox-et e bizneseve kanë mbërritur përgjatë gjithë javës së kaluar njoftime të përsëritura ku u kërkohej shlyerja e detyrimeve sa më shpejt.

Sipas listës zyrtare të publikuar nga Drejtoria e Tatimeve, detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohë nga 11.350 biznese, ku vetëm në 2014-n numri i tyre u rrit me 40%.

Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, kompanitë janë në aktivitet ekonomik dhe nuk konsiderohen të falimentuara, por për arsye të ndryshme, që lidhen edhe me mungesën e likuiditetit në periudha të caktuara, ato nuk mund të shlyejnë detyrimin tatimor, i cili po rritet me hapa galopantë.

Shumica e borxhlinjve, me rreth 50 për qind të totalit të borxhlinjve deri në fund të nëntorit 2014, ose 6.330 subjekte, i përkasin Qarkut të Tiranës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se këto subjekte përfaqësojnë listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata tatimore ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

 

INSTAT-i njeh vetëm ngjyrën rozë

Natyrshëm, për shkak politik. Instituti i Statistikave po bën kohët e fundit një rezume’ tepër rozë të situatës së ekonomisë shqiptare, që e pasqyroi edhe gjatë nxjerrjes së shifrave aspak realiste në fushën e punësimit. Po kështu, dje INSTAT ka vijuar avazin, duke pasqyruar një realitet inekzistent në fushën e afarizmit.

 

Ja se ç’zbulon megafoni statistikor i partisë në pushtet…

“Sa u përket Ndërmarrjeve Ekonomike në vitin 2013, kontributin më të madh në rritjen e shifrës së afarizmit e japin prodhuesit e shërbimeve me 5,1%. Me rritje paraqiten edhe treguesit e tjerë si numri i të punësuarve 9,0%, investimet 9,2% dhe numri i ndërmarrjeve 1,4%. Në sektorin e transportit dhe komunikacionit paraqitet rënia më e madhe e këtij treguesi me 7,8% krahasuar me një vit më parë.

Prodhuesit e shërbimeve realizuan 65,3% të shifrës së afarizmit dhe zënë 85,3% të numrit të ndërmarrjeve. Prodhuesit e të mirave kanë 37,8% të të punësuarve dhe realizuan 56,9% të investimeve.

Gjatë vitit 2013, ndërmarrjet aktive në sektorin e tregtisë realizuan 48,7% të shifrës së afarizmit gjithsej dhe zënë 43,3% të numrit të ndërmarrjeve gjithsej. Ky sektor ka përfaqësimin më të lartë në punësim me 26,0% të të punësuarve gjithsej. Sektori i industrisë nxjerrëse ka realizuar 17,6% të investimeve gjithsej. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar dominojnë ekonominë shqiptare. Këto ndërmarrje realizuan 60,1% të shifrës së afarizmit. Ky grup ndërmarrjesh ka 48,5% të të punësuarve gjithsej të aktiviteteve ekonomike të mbuluara nga kjo anketë dhe ka realizuar 66,9% të investimeve. Në grupin e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar mbizotërojnë prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive, numrin e të punësuarve dhe investimeve të realizuara. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar përbëjnë 89,4% të ndërmarrjeve. Ky grup ndërmarrjesh ka realizuar 15,8% të shifrës së afarizmit dhe ka 34,5% të të punësuarve gjithsej. Në ndërmarrjet e vogla me 1-4 të punësuar mbizotërojnë prodhuesit e shërbimeve për numrin e ndërmarrjeve aktive, numrin e të punësuarve dhe shifrën e afarizmit të realizuar. Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, shprehin se shifra e afarizmit për të punësuar, për vitin 2013 ka pësuar rënie me 2,6%, si rezultat i rritjes së numrit të punësuarve (9,0%) me një ritëm më të lartë sesa shifra e afarizmit (6.2%).

Në prodhuesit e të mirave, shifra e afarizmit është rritur 2,9% krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve u rrit 5,2% dhe investimet u rritën 17,2%. Numri i ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e të mirave është rritur 3,0%. Kontributin më të madh në shifrën e afarizmit e jep industria nxjerrëse me 3,1%. Shifra e afarizmit për sektorët e industrisë është rritur 3,4%, ndërsa për sektorin e ndërtimit është rritur 2,1% krahasuar me një vit më parë. Në sektorin e industrisë nxjerrëse është shënuar rritje më e madhe e numrit mesatar të të punësuarve prej 7,5% krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e industrisë përpunuese, gjatë vitit 2013, shifra e afarizmit arriti vlerën 191 miliardë lekë. Ky sektor ka 52,4% të të punësuarve dhe realizoi 30,7% të investimeve të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave. Ndërmarrjet aktive të këtij sektori përbëjnë 63,4% të numrit të ndërmarrjeve në prodhuesit e të mirave gjithsej. Gjatë vitit 2013, në prodhuesit e të mirave, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë realizuar 77,1% të shifrës së afarizmit. Ky tregues është rritur 4,6% krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve në këtë grup përbën 69,8% të numrit gjithsej të të punësuarve në prodhuesit e të mirave, ndërsa investimet arritën vlerën 62 miliardë lekë dhe përbëjnë 67,1% të investimeve. Për vitin 2013, numri i ndërmarrjeve është ulur 0,6% krahasuar me vitin 2012. Shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 2,2% krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e industrisë shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,4%, ndërsa në sektorin e ndërtimit ky tregues u rrit 1,8%.

Në prodhuesit e shërbimeve, shifra e afarizmit është rritur 8,0% krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve u rrit 11,4%, ndërsa investimet e realizuara u rritën 0,1%. Numri i ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve është rritur 1,2%. Kontributin më të madh në shifrën e afarizmit e jep sektori i tregtisë me 7,4%.

Në sektorin e tregtisë, gjatë vitit 2013, shifra e afarizmit arriti vlerën 797 miliardë lekë. Ky sektor ka 41,8% të të punësuarve në prodhuesit e shërbimeve dhe realizoi 34,8% të investimeve të prodhuesve të shërbimeve gjithsej. Ndërmarrjet aktive të sektorit të tregtisë përbëjnë 50,7% të numrit të ndërmarrjeve në këtë grup. Shifra e afarizmit në sektorin e shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) është rritur 10,6% krahasuar me një vit më parë. Ky sektor ka shënuar rritjen më të lartë prej 18,7% e numrit të të punësuarve gjithsej. Gjatë vitit 2013, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë realizuar 51,1% të shifrës së afarizmit. Ky tregues është ulur 2,0% krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve në këtë grup përbën 35,5% të numrit gjithsej të të punësuarve në prodhuesit e shërbimeve, ndërsa investimet arritën vlerën 47 miliardë lekë dhe përbëjnë 66,7% të investimeve. Shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,1% krahasuar me vitin 2012”.

 

Në prodhuesit e të mirave, shifra e afarizmit është rritur 2,9% krahasuar me vitin 2012. Numri i të punësuarve u rrit 5,2% dhe investimet u rritën 17,2%?! Atëherë, pse shqetësohen Tatimet, kur puna shkon kaq mirë?!…

 

 Dështim i ri i Akcizave, konsumatori “gjobitet” 30 për qind më shtrenjtë për cigaret

Gjashtë kompanitë më të mëdha të tregtimit të cigareve në vendin tonë kanë deklaruar çmimet e pakicës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke i azhurnuar ato me nivelin e ri të akcizës. Sipas këtyre deklarimeve çmimet zyrtare të pakicës janë rritur nga 7 për qind deri në 30 për qind sipas llojit të cigares nga kompanitë e mëdha.

Rritja më e madhe e çmimeve është bërë nga Kompania Agna, me mesatarisht mbi 15 për qind dhe nga kompania Philip Morris, e cila ka deklaruar rritje deri në 30 për qind për disa lloje paketash. Rritje më të moderuar, por mbi 11 për qind kanë bëra edhe dy kompanitë tjera të mëdha si British Amerikan Tabaco dhe Marketing & Distribution. Kjo e fundit ka mbajtur të pandryshuar çmimin për 19 lloje paketash, ndërsa e ka ndryshuar për pesë prej tyre.

Gjatë shtatorit parlamenti miratoi rritjen e akcizës së cigareve me 20 lekë për paketë, por taksimi do të nisë të zbatohet nga 1 janari, duke çuar nivelin total për cigaren në 110 lekë për paketë. Por ky afat nuk i ka penguar kompanitë të deklarojnë çmime më të larta për pakicën në vlera edhe më të mëdha se, rritja e akcizës.

Tregtarët importuan gjatë tetorit sasi të mëdha të cigareve për t’i shpëtuar kufizimit prej 5% të rritjes së importeve që vendosi Kuvendi, duke shfrytëzuar kohën para se, ligji të hynte në fuqi.

Sipas të dhënave importeve të mallrave të akcizës nga Ministria e Financave, në tetor u importuan 518 ton cigare, me një rritje prej 67% në raport me një vit më parë, duke shënuar kërcimin më të madh të këtij viti dhe duke arritur pothuajse nivelin e dhjetorin 2013.

Siç tregoi dhe përvoja e dhjetorit të vitit të kaluar, firmat e mëdha krijojnë rezerva dhe më pas gradualisht e shpërndajnë gjatë vitit te firmat e shitjes me shumicë dhe dyqanet dhe efekti fiskal kalon nga buxheti i shtetit te firmat private.

 

 Marrëveshje Dogana-Posta Shqiptare për pagesat e subjekteve

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Posta Shqiptare nënshkruan të hënën marrëveshjen e bashkëpunimit, në vazhdimësi të reformës për lehtësimin e klimës dhe procedurave për biznesin.

Përmes marrëveshjes së nënshkruar do të mundësohet që pagesat doganore, përfshirë dhe akcizën të bëhen nëpërmjet postës, duke sjellë shkurtim të kohës së procedurave doganore për biznesin.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtore e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali si dhe Drejtori i Postës Shqiptare Majlind Lazimi. Sipas Drejtores së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, kjo marrëveshje do të thotë dhe ulje e nivelit të korrupsionit krahas procedurave të thjeshtuara që po i ofrohen biznesit.

 

 Mali i Zi njeh patentat shqiptare

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë Edmond Haxhinasto dhe zv.kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe për Çështjet Evropiane i Malit të Zi Igor Lukšić nënshkruan ditën e djeshme marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes dy vendeve. Nga pala shqiptare, procesi i negocimit është ndjekur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Negociatat mes dy vendeve janë zhvilluar nga autoritetet kompetente përkatëse.

Njohja për herë të pare, të lejeve të drejtimit kombëtare me Malin e Zi sjell lehtësira, jo vetëm për lëvizjet e qytetarëve për qëllim qarkullimi në territoret respektive, për periudhën e vlefshmërisë së tyre, por kjo procedurë u krijon shtetasve shqiptarë mundësinë të punësohen si drejtues mjeti në Malin e Zi, me të drejta të barabarta me shtetasit malazez, në përputhje me lejen e drejtimit që disponojnë.

Kjo marrëveshje vjen mbas nënshkrimit me sukses të marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Italinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë.

 

 Ulen çmimet e lëndëve të para, në nivelin e vitit 2008

Rënia e çmimeve të naftës, qymyrit dhe mineraleve të hekurit është përshpejtuar ndjeshëm në muajt e fundit dhe ka prekur nivelin e kulmit të krizës financiare të viteve 2008/2009.

Sipas analistëve, kjo rënie është shkaktuar jo vetëm nga teprica e furnizimit, por edhe nga dobësia në pjesë të ndryshme të ekonomisë globale. Lëndët e para janë ndër më të ndjeshmet ndaj shëndetit të ekonomisë, me naftën dhe qymyrin që janë dy burimet kryesore të energjisë në botë dhe mineralin e hekurit që përdoret për të bërë çelikun.

Çmimet e naftës bruto janë thuajse përgjysmuar që nga Qershori i këtij viti, duke u tregtuar pranë 60 dollarëve për fuçi, niveli më i ulët që nga kriza financiare e vitit 2009. Ndërsa në tregun e hekurit, kontratat “futures” të bençmarkut evropian kanë rënë poshtë 70 dollarë për ton dhe gjenden në nivelet e periudhës 2007-2009.

Edhe çmimet e metalit të hekurit kanë rënë poshtë 69 dollarëve për ton, pasi kërkesa është dobësuar të tregjet më të mëdhenj, siç është Kina. Analistët e arsyetojnë këtë zhvlerësim të çmimeve me rritjen e prodhimit, por gjithashtu edhe me efikasitetin e energjisë dhe burimeve të tjera alternative.

Në krahun e kërkesës, çmimet e naftës janë shtyrë kryesisht nga zhvillimet në ekonomitë më të mëdha, si Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Bashkimin Evropian. Ndërkohë që rënia e çmimit të naftës është përshpejtuar gjatë këtij viti, tendenca në rënie e qymyrit dhe hekurit ka filluar që në vitin 2011.

Qymyri është i lidhur ngushtë me industrializimin e ekonomive në zhvillim, duke qenë lënda djegëse më e lirë për prodhimin e energjisë elektrike. Për këtë arsye, rënia e çmimeve arsyetohet me ngadalësimin e ekonomive në zhvillim që nga viti 2013.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency