Katastrofa e ujit në Tiranë: Bashkinë e Tiranës e ka braktisur pushteti qendror

0
124

 

Artan FugaNga Artan Fuga

 

Përse sinqerisht habitem?

  1. Habitem sepse ditën e parë na u tha se ja është çështje orësh, meqë shiu i rënë gjoja me rrebesh kishte sjellë shumë baltë dhe filtrat elektronikë nuk e lejonin. Kurse në ditët në vazhdim, shiu nuk kishte rrebeshe, por balta nuk precipiton dhe tani na thuhet se fajet i kanë kolektorët etj. Si dolën kolektorët brenda një dite jashtë përdorimi gjithandej? E pabesueshme.
  2. Si është e mundur që njerëzit e bashkisë të Tiranës dhe të ujësjellësit të qytetit nga mediat dhe daljet e tyre në media duken se kanë mbetur vetëm, fillikat vetëm dhe pushteti qendror as ndihet lidhur me gjendjen e rëndë të furnizimit me ujë në Tiranë? Ujësjellësi deri tani ka qenë në një administrim qendror. Kush po ja le “kopilin në derë” bashkisë të Tiranës dhe këta në vend të japin alarmin dhe të dorëzojnë çelësat në formë proteste vazhdojnë një propagandë marrëdhëniesh publike krejtësisht mjerane.
  3. Habitem sinqerisht habitem sesi bashkia e Tiranës nuk paraqet në formë vizive një hartë të qartë të zonave pa pikë uji në zemër të qytetit prej ditësh pa ujë të pijshëm. Ky është informimi qytetar që këta kanë si koncept për të bërë? Cilat zona kanë ujë dhe përse ato kanë dhe të tjerat nuk kanë kur problemi qenka në Bovillë. Nuk ka orare kur vjen e ikën uji. Ku janë autobotet e gënjeshtra? Me autobot do të ma sjellin ujin në ashensor në katin e 15-të? Po, po, mbusheni ashensorin plot me ujë dhe ma sillni!!!
  4. Habitem se si disa analistë të shitur tregojnë si sukses që spitali paska një rrëke uji si çurkë urine dhe kaq. Ore, jeni në vete ju? Pse me nevojat minimale të majmunit orangutang do ta sillni nivelin e jetës në Tiranë? Ne kemi arritur në atë pikë që themi se shyqyr nuk na marrin edhe ajrin. Kush luan me qytetarin në këtë mënyrë. Pa informim të vërtetë, pa ujë, duke e çuar te nevoja minimale për mbijetesë. Mos ka ndonjë lojë tjetër këtu??? Kush dëshiron të përballet ose mos përballet me turma qytetarësh të palarë, të ndërkryer dhe të tur për ujë e jo vetëm? Kuptojeni se është për t’u shpallur gjendje emergjente katastrofe ekologjike në Tiranë.
  5. Si është e mundur që nuk dalin në biseda serioze televizive e në debate përpara teknikëve dhe specialistëve të furnizimit me ujë politikanët dhe drejtuesit e pushtetit lokal, pra të bashkisë, e mos na tregojnë punëtorë të lodhur që pastrojnë gropa, por sa investime duhen dhe çfarë strategjie duhet për të risjellë ujin që nuk vjen më asnjë pikë?
  6. Si është e mundur që prioritetet e punës të ekipit drejtues në Bashki kanë kaq të zhvendosura në krahasim me atë që duhej të bënin për të përballuar krizën e ujit. Gjithë verës janë marrë me budallallëqe që i kemi denoncuar miqësisht por pa ndërprerje dhe u ka mbetur hatri. Jo punë vullnetare për pastrim oborresh, jo lyerje korridoresh çerdhesh, jo parkingje me lekë, e të tilla fluturime, kur Tirana po mbetej pa ujë?
  7. Po media përse është e lidhur, gojëkyçur për katastrofën ujore në Tiranë, bash në qendrën e kombit, dhe në vend të fillojë investigimin dhe të sjelli revoltën dhe pakënaqësinë qytetare, jep kronika me pushtetarë lokalë të lodhur dhe që duken në fytyrë dhe fjalë se janë në hall dhe e kanë humbur iniciativën. Janë lënë vetëm dhe pushteti qendror as ndihet, as flet, as ndihmon dhe merret me krizën globale andej nga Siria a Madagaskari…
  8. Habitem si nuk kuptojnë se në qytetarët duam dëmshpërblim, paguajmë për ujë dhe ujë nuk kemi, mirë që për të pirë ujin paguajmë pikën e ujit sa frëngu pulën, po lavatriçja me çfarë do të punojë, po depozita e ujit që pastron WC me çfarë do të punojë, po dush mese do të bëjmë? A e kuptojnë se dita ditës laku po mblidhet?
  9. A ka këshilltarë bashkiakë që kemi zgjedhur apo jo? Si nuk dalin te dyert e bashkisë të bëjnë deklarata, si nuk provokojnë mbledhje urgjente këshilli bashkiak, si nuk del opozita në media për të shprehur kritikat e saj dhe alternativat e veta. A kemi opozitë ne në këshillin e bashkisë që merr rroga nga lekët tona apo jo?

Pse na kanë tradhtuar ?
Pse na ka tradhtuar opozita në këshillin bashkiak?
Pse na ka tradhtuar pushteti qendror duke na lënë jetim e pa ujë?

Si mundet që për herë të parë në njëqind vjet pavarësi Tirana të thahet për ujë ndërkohë që laget nga shiu!!!

Po, po, e sigurt, e para herë në historinë e qytetit. Dhe këta nuk dalin në rrugë dhe të kërkojnë falje duke shkulur flokët dhe rrahur shpinën me kamxhikët e Aliut?

Kombin po e tallin duke e lënë popullin e kryeqytetit të palarë.

Banorët e Tiranës po vdesin pa ujë…

Diçka ka, diçka ka…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency