Jo “planin e UET”, por “mbeturinat puniste”, dekonspiron gara për FRPD

0
141

 

henri cili (1)Nga HENRI ÇILI

“Replikë me shkrimin e gazetës Standard “Dekonspirohet plani i UET për të uzurpuar Forumin Rinor të PD-së”

 

“Dekonspirohet plani i UET për të uzurpuar FRPD”. Ky titull i gazetës ‘Standard’, gazetë që për ironi të rastit e kam themeluar si drejtor në dhjetor të vitit 2005, më zgjoi të premten në mëngjes, bashkë më një ide: çfarë shkallë të lartë punizmi mbijeton në këtë vend si mentalitet dhe si praktikë. Një zhurmë në kanalet e ujërave të zeza të internetit po shoqëron këto javë të garës së brendshme në Partinë Demokratike të Shqipërisë, për lidershipin e ri të këtij forumi, e cila shpesh lidhet me fjalët “UET” apo me emrin tim. Situata është bërë aq absurde sa dekonspirimi i një plani, autor i të cilit i bie të jem unë vetë! Ndaj ia vlen shpejt e shpejt të bëj 3 shpjegime të thjeshta, e të plota rreth kësaj çështjeje.

Së pari; Universiteti Europian i Tiranës është një organizëm i gjerë, i strukturuar me organet e tij akademike dhe menaxhuese dhe nuk ka asnjë vendim, sepse sigurisht s’mund të ketë një të tillë pasi është absurde për botën e qytetëruar “për të uzurpuar Forumin Rinor të PD-së”. Sepse UET është një organizatë me qëllim edukimin e lartë të të rinjve shqiptare, një organizatë apolitike dhe e hapur ndaj të gjitha ideve, rrymave, pikëpamjeve, ideologjive të shoqërisë shqiptare. UET është neutral, duke qenë universalisht të hapur ndaj të gjitha ideve, pikëpamjeve apo ideologjive, e jo duke qenë sterilë ndaj të gjitha këtyre. Këtë e dëshmon veprimtaria e përditshme e UET-it, përbërja plurale e stafit, sepse qëllimi ynë është një: shkenca dhe profesionalizmi i punës sonë në fushën e edukimit të lartë dhe të kërkimit shkencor. UET është shumë më i gjerë së “votuesi Henri Çili”, i cili ka idetë e veta politike, ka përkatësinë e vet ideologjike, të njohur dhe mirëdebatuar atëherë e aty ku ka qenë vendi prej vitesh e vitesh, qëkur bashkë me disa kolegë në vitin 2003, Arian Çani na pagëzoi me emrin publicistik “liberalët e djathtë”. Në këtë kuptim, UET nuk ka qëllim të kapë apo uzurpojë ndonjë strukturë politike në qytetin tonë! As është qëllimi e as është mundësia apo puna e një universiteti! Ciladoqoftë që e koncepton rolin e universitetit në këtë mënyrë, dedekton asgjë më shumë sesa budallët apo punizëm, qoftë kur kjo artikulohet nga fundërrina të rrjeteve sociale, apo qoftë nga filozofë e fjalamanë Facebook-u.

Së dyti, Universiteti Europian  i Tiranës, në traditën e universiteteve më të mira perëndimore, e ka shpallur me kohë që në fillimet e krijimit të grupit të parë të diplomuarve të tij nga viti 2009, të organizuar në shoqatën e ALUMNI- UET, se uron karrierën më të mirë dhe suksesin e kujtdo prej ish- studentëve tanë, në biznes, në profesion, në politikë, në kulturë dhe art, si një nga qëllimet më kryesore të një universiteti: të impaktojë zhvillimin e vendit, me ide, më kërkim shkencor, me përgatitjen e specialistëve më të mirë, me suksesin e ish-studentëve tanë kudo ku ka nevojë për lidershipin e tij, në çdo sektor. Këtë mbështetje dhe urim për sukses e gëzojnë të gjithë ish-studentët e UET, e përsëris në traditën e të gjitha universiteteve më të mira ndërkombëtare, pa asnjë dallim politik apo fushë veprimi. E gëzojnë ish–studentët tanë që sot janë deputetë të Partisë Socialiste, drejtues të enteve apo agjencive të rëndësishme në administratën publike, apo koordinatorë e drejtues departamentesh në ekipin e ri drejtues të PD-së në opozitë. E njëjta gjë më pedagogët; shumë ish-pedagogë të UET sot janë zv.ministra të administratës Rama, apo koordinatorë e sekretarë të ekipit Basha, kryesorë të opozitës.

 

Ky fakt na bën krenar që dy partitë kryesore kanë gjetur në ekipet tona akademike apo në radhët e ish- studentëve kualitete për të kontribuar në zhvillimin e jetës politike. Ky është një fakt aq evident, aq i gjithëpërhapur, saqë e bën banal çdo konceptim të tipit malinj mbi kapjen apo “lobimin” e UET për këto poste apo këto raste të suksesshme karriere. Madje, në një vështrim të ngushtë të interesit tonë, kjo “rrjedhje” jona drejt këtyre pozicioneve është në fakt një humbje për kapacitetet e universitetit, është një lloj “brain-drain”.

Por mbi të gjitha, kategorizimi apo konceptimi i “lobimit” si një e keqe për shoqërinë shqiptare nga denonciatorët e vjetër dhe të rinj të kapitalizmit apo të UET, në fakt i vetëdenoncon këto mentalitete puniste, neo apo arkio- marksiste që lëvrijë fort, po fort fare në hapësirën publike konvencionale apo virtuale shqiptare. “Lobia” private stigmatizohet me termat dhe mentalitetet e së shkuarës, që një hap i ndan nga punizmi shqiptar i djeshëm dhe nga lufta që ekstremi i majtë i bën sektorit privat ende kudo në botën e qytetëruar.

 

Së treti; Ervin Salianji, ka aq lidhje me UET sa kanë me të afro 5000 studentët e diplomuar në UET në këto vite, në raport me afro 15 mijë studentët tanë në këto 10 vjet. As më shumë e as më pak. Ai ka qenë student i brezit të parë, 2006-2007, që kishte fituar një vend falas në Universitetin shtetëror të Tiranës, por që zgjodhi me koshiencë një universitet privat, duke paguar tarifën e studimeve. Ka qëlluar për dreq që Ervin Salianji nuk është as bursist në UET, e as është paguar ndonjëherë për punën në UET. Rasti e do që dhjetëra e dhjetëra ish-studentë, ish-bursistë apo ish-pedagogë të UET-it të jenë sot nga kritikët më të fortë të arsimit të lartë privat në përgjithësi apo UET në veçanti, nga protestat e neomarksistëve të rinj të Tiranës e deri tek organizimet e shumta kundër reformës së arsimit të lartë. E  drejtë e tyre.  Si ish-student në UET, ai ka spikatur në lidershipin studentor duke u bërë kryetari i parë i qeverisë studentore të UET dhe po ashtu drejtuesi i parë organizimit të ALUMNI–UET, duke manifestuar aftësi lidershipi më tej edhe si avokat i qytetit të Tiranës, në dy vjetët e parë të mandatit Basha dhe më pas si koordinator për të drejtat e njeriut në ekipin e ri Basha në PD. Pikërisht këtu duket se “lind” problemi për Salianjin. Duket se profili i tij shqetëson. Shqetëson një gardë të vjetër humbëse dhe antielektorale në Partinë Demokratike, ajo që çoi PD në një humbje të turpshme në 2013, dhe në vend që të mbante përgjegjësi, nën modelin e shkëlqyer të liderit historik të demokratëve, Sali Berisha, vërdalloset ende nëpër këmbët e politikës shqiptare, duke marrë peng shansin e qendrës së djathtë për të ndërtuar një alternativë të re për qeverisjen e vendit. Jo më kot, kjo skotë i është vërsulur me një luftë të pisët kandidatit Salianji, duke gjetur “implikime” apo cene të tipit “kafe me deputetin socialist Sadri Abazi”, apo lidhje me “UET”, pra lidhje me “qarqet universitare të Tiranës”!!! (që kur të jesh i lidhur me universitetet, është krim! A mos duhet bërë dhe kjo objekt i dekriminalizimit, meqë jemi në këtë temë!!!!)  I njëjti standard partishmërie apo mentalitet (që e neveris dhe nuk e pranoj për asnjë qytetar shqiptar) nuk sheh tek rivalët e Salianjit, faktin që është “dhëndër i qeverisë së Rilindjes” apo që është një “anonim që i ka mbajt çantën këto vite kryetarit të ri Basha”! Ky banalizim i jetës politike të qendrës së djathtë, nga ajo pjesë e PD-së që mund të emërtohet “PD-ja humbëse, që është gati të promovojë profile anonimë si rasti i Belind Këlliçit, (për të cilin kam shumë respekt si qenie njerëzore, por që nuk e njoh se nuk e kam parë në asnjë formë të artikulimit publik, parakusht bazë për jetën publike), vetëm e vetëm të ruaj pozicionet dhe pasurinë e korrupsionit, në djall fati i demokratëve të thjeshtë .

Çdo gjë tjetër rreth kësaj teme, dhe “planit të UET për të uzurpuar” Forumin Rinor të PD-së, është një banalitet dhe një punizëm i kulluar. Nga ai që paradoksalisht fushata e të rinjve të PD-së, njëzet e pesë vjet më vonë, dhe me ndihmën e internetit, e vuri në dukje fort. Shumë alarmante kjo për demokracinë dhe fatin e qendrës së djathtë në Shqipëri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency