Investimet nuk duhet të mbesin peng i krijimit të qeverisë së re

0
113

invest_729880652Vonesa e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e fundit, nuk duhet të paraqesë problem për investitorët ndërkombëtarë që të vijnë në Kosovë dhe ta investojnë kapitalin e tyre, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, jo domosdoshmërish investimet e huaja duhet të lidhen më stabilitetin e institucioneve, zgjedhjen e qeverisë apo parlamentit. Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se gjendja aktuale politike në Kosovë nuk është problem aq i madh për tërheqjen e investime ndërkombëtare, sa është problematik ambient i pafavorshëm afarist.

“Rrezik për investitorëve paraqesin rastet kur vendi kalon në kriza të thella politike apo kur është rreziku që qeveria e re të ndryshojë komplet sistemin e qeverisjes. Por, këto kriza siç është shtyrja e themelimit të qeverisë apo kuvendit nuk duhet të paraqesin shqetësim për investitorët ndërkombëtarë për shkak se raste të tilla ndodhin edhe në vende të tjera, madje në periudha më afatgjate”, – thekson Demi.

Në Kosovë, gjatë viteve të fundit investimet e huaja kanë qenë të ndërlidhura më procesin e privatizimit të ndërmarrjeve e shoqërore dhe publike, dhe në raste të tilla, siç shprehet Demi, nëse një ndërmarrje publike është duke u privatizuar dhe priten investime ndërkombëtare, ndërkohë që nuk ka qeveri, atëherë kjo gjithsesi do të ishte problematike për investitorët.

Sidoqoftë, problemi më i madh për investitorët, sipas Demit është ambienti i pafavorshëm biznesor në Kosovë. “Kosova nuk e ka një ambient të mirë të të bërit biznes, në jemi një vend të vogël, forca punëtore nuk është e lirë në krahasim më vendet e rajonit, ne kemi një fuqi punëtore më të shtrenjtë se vendet e rajonit, kemi treg shumë më të vogël, mundësia për të eksportuar prej Kosovës është shumë e vështirë. Këto janë probleme që nuk janë tejkaluar edhe kur ka pasur qeveri dhe nuk pritet të tejkalohen edhe për shumë vite”, – vlerëson Demi. Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrorë të Kosovës, ku flitet për investimet e huaja thuhet se gjatë vitit 2013, këto investime ishin 258.9 milionë euro.

Si pasojë e krizës globale financiare, investimet e huaja në raport me produktin e brendshëm bruto kanë shënuar rënie të vazhdueshme që nga viti 2008. Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se shumë shtete në rajon, kanë pako dhe strategji agresive për të tërhequr investitorë të huaj, derisa Kosovës i mungon një qasje e tillë.

Sipas tij, pa sundim të rendit dhe ligjit Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe as tërheqje të investitorëve ndërkombëtarë. “Nëse imazhi i Kosovës është mjaft i dëmtuar, në qoftë se gjithkund në Kosovë dhe për Kosovën flitet për mos sundim të rendit dhe ligjit, për mungesën e një pakoja për investitorët e huaj dhe tani edhe ngritja e çmimeve, atëherë lind pyetja kush do të jetë ai investitor nga jashtë, i cili do t’ia mësyjë Kosovës dhe do të investojë”, – tha Gërxhaliu.

Rritja e investimeve të huaja direkte paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm edhe në kuptim të qëndrueshmërisë së financimit të deficitit të llogarisë rrjedhëse Në vitin 2013, struktura e Investimeve të huaja direkte ishin kryesisht e koncentruar në sektorin e patundshmërisë, ndërtimtarisë, transportit dhe telekomunikacionit si dhe sektorin e shërbimeve financiare. Shteti i cili ka realizuar pjesën më të madhe të investimeve në Kosovë mbetet Turqia me 86.8 milionë euro.

 

 

 Diaspora u mundëson kosovarëve pushime

Kushtet ekonomike dhe sociale shumë qytetarëve nuk u mundësojnë që të bëjnë pushime, por ka edhe prej tyre që nuk kursejnë asgjë që të shkojnë në pushime. Liridon Sinani, student në Prishtinë, thotë se për këtë vit nuk ka planifikuar të bëjë pushime në bregdet, pasi, siç thotë, të ardhurat mujore që familja e tij i ndan për të, janë të pamjaftueshme për të shkuar diku. “Nuk kam kushte, me dëshirë do të punoja diku dhe të fitoja para, e pse jo të bëj edhe pushime, por është e pamundur. Mendoj që pushimet t’i kaloj duke mësuar, do të përgatitem për provime”, – thotë ai. Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë. Sipas hulumtimeve të bëra, Kosova po ashtu ka edhe rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë. Norma e papunësisë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka arritur në 30 për qind dhe norma e të punësuarve është rreth 28 për qind. Paga neto te shumica e punonjësve kosovarë është 300 deri 400 euro në muaj. Derisa paga minimale në Kosovë është 130 deri në 170 euro në muaj. Këto të ardhura shumë qytetarëve nuk iu mundësojnë pushime. Edhe familja Berisha nga Prishtina nuk ka menduar që të bëjë pushime diku. Azra, kryefamiljare, thotë se gjithçka që mund të bëjnë gjatë verës, është të shkojnë diku në Kosovë për të bërë pushime. “Nevojat për të shkuar diku në pushime pas një viti të lodhshëm janë evidente, por pasi që nuk kemi mundësi të bëjmë pushime të mira, do të qëndrojmë në shtëpi”, – shprehet Azra. Sidoqoftë, numri i qytetarëve të Kosovës që shkojnë drejt bregdetit shqiptar, nuk mungon. Raportet e Policisë kufitare tregojnë në vazhdimësi për fluks të madh të kosovarëve që kalojnë kufirin për në bregdetin shqiptarë.

Kosovarëve iu ofrohen mundësi të shumta për të bërë pushime. Bankat komerciale në Kosovë japin kredi dhe, po ashtu, janë edhe dërgesat e emigrantëve kosovarë që luajnë një rol të rëndësishëm për standardin e familjeve në Kosovë. Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se me pagat që janë në Kosovë, është e pamundur të bësh pushime, por ka familje që kanë të ardhura të tjera. “Është një fakt tjetër, shumica e pushuesve kosovarëve janë turistë të lirë, turistë që nuk konsumojnë shumë, por edhe që krejt artikujt që iu duhen i bartin me vete. Është një kategori tjetër që kanë përftime edhe nga diaspora dhe janë kreditë që marrin nga bankat komerciale dhe brenda 12 muajve dalëngadalë e kthejnë kredinë”, – shpjegon Rexhepi. Sidoqoftë, përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbetet një nga sfidat më të mëdha për autoritetet kosovare.

Evropaelirë.org

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency