Inspektimi në Korçë/ Rama: Paguani energjinë elektrike, kritika vetes se po bëjmë më pak se ç’duhet

0
148

Kryeministri bën të ditur ngritjen e pistës së akullit në sheshin e rindërtuar të Korçës

rama inpektim ne korcePërmes një turi vizitash në qarkun e Korçës, kreu i qeverisë, Edi Rama, inspektoi dje një sërë punimesh që po zhvillohen apo janë përfunduar në qytetin juglindor. Pas ndalesës së parë në Pogradec, ku takoi edhe banorët, ndalesa e radhës e kreut të qeverisë ishte Maliqi, ku vizitoi një fabrikë në të cilën mbetjet e drurit përpunohen për t’u përdorur për ngrohje, proces që cilësohet si energji e gjelbër. Në këtë takim, Rama nuk nguroi të ripërsërisë thirrjen e bërë shpesh kohët e fundit nga qeveria për pagesën e energjisë elektrike. “Qeveria jonë kritikohet se po bën shumë gjëra dhe po i bën shumë shpejt. Ne e kritikojmë veten se po bëjmë më pak se ç’duam dhe po i bëjmë më ngadalë se ç’duhet. Kështu që, vitin e ardhshëm do japim gjithë mbështetjen e nevojshme, siç e dhamë këtë vit, në mënyrë që jo vetëm të krijojmë këtë rrjet për një mijë familje që lidhen me punësimin këtu, por të riciklojmë gjithë këto mbeturina që deri dje mbushnin lumenjtë dhe na shkatërruan. Dhe përveç kësaj, të ulim koston e ngrohjes. Kështu që, me një ulje 40% të kostos së ngrohjes familjare, edhe faturat e energjisë paguhen më me kënaqësi. E mbi të gjitha paguani energjinë”, – u shpreh Rama me banorët.

 

Takimet

Në ndalesën e parë në Pogradec, pasi pa nga afër punimet që po kryhen për projektin e rikonstruksionit të njërës prej rrugëve, kreu i qeverisë takoi edhe banorët. Turi i inspektimeve të Kryeministrit vijoi në Korçë, ku pa nga afër investimet që po kryen Bashkia tek zona e parkut “Rinia”, zona e Pazarit të Vjetër si edhe tek sheshi para teatrit të qytetit, ku pritet të përurohet kulla e re si edhe tek pista e patinazhit. “Pista e akullit në sheshin e rindërtuar të Korçës, që ditën e Krishtlindjeve do të jetë gati për të befasuar turistët”, – bëri të ditur ai. Ndërkaq, në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se do të investohet në Korçë më shumë se 20 vjet të marra së bashku, pa harruar të thumbonte kritikët e kullës së re të ndërtuar në mes të qytetit juglindor. “Të gjithë ata që e kanë sharë kullën e re të Korçës duhet të vijnë dhe ta shohin si objekt ku mund të shërojnë shpirtin nga gjurmët e estetikës sovjetike”, – u shpreh Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë lëshoi një mesazh për të gjithë qytetarët për të vizituar Korçën, i cili, sipas tij, është vendi më i bukur për festat. Po ashtu në rrjetin social, Rama publikoi tri fotografi të tjera me diçiturën: “Një perlë e trashëgimisë sonë kulturore, Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë, e sapo rinxjerrë nga pluhuri i rrënimit si dhe Pazari i Korçës, një tjetër perlë e zhytur në rrënim e baltë që është bërë pjesë e kantiereve të Rilindjes Urbane”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency