Inskenimi i Teatrit dhe drama e bla bla bla-ve!

0
246

Violeta Murati

 

Teatri SesiliaPamjet në foto tregojnë tubimin e mbajtur në dy ditë në Teatrin Kombëtar; një nga inskenimet më të dobëta mbajtur për krizën e dramës së shkruar shqipe; konkluzione të përcaktuara qysh më parë në axhendë, të porositura politikisht, ndërsa salla bosh tregoi ndarjen e artistëve në miq e armiq, sipas partive. Teatrit i mungon konkurrenca, tregu dhe ligjshmëria, të vetmet arsye të paprekura për ekzistencën, edhe pse po vërtitet ideja e vjetër e 2000-shit. Deklarata e befasishme e drejtorit të TK-së: “Politikën e teatrit do ta bëj unë, jo bordi!”

 

 

Dy ditë për të zbërthyer pse-të e krizës së dramës shqipe, pse shkruhet me cilësi aq të dobët në të gjitha hapësirat shqiptare. Uzurpohet Teatri për këtë, si skena dhe salla. Në të vërtetë, ky komunitet është krejt i varur prej politikës, prandaj edhe dje numërohej me gishta pjesëmarrja në të ashtuquajturin tubim. Të pakënaqurit dhe inatçorët nuk dihet pse refuzuan, kështu u tha. Projektorët, pra dritat, ishin lëshuar vetëm mbi moderatorët ulur në një tavolinë me mbulesë të kuqe në skenë dhe një podium qelqi ku ngjiteshin folësit si ministrja e Kulturës, dramaturgë, regjisorë… aktorë jo! Salla ishte e errët. U shfrytëzua ndërtesa e ish-Teatrit të Komedisë, quajtur së fundi Eksperimental. Jashtë, në holl, priste një koktej i shtruar nga Ministria, me sebepin e krizës së shkrimit të dramës shqipe!

Nga njoftimi për shtyp që shpërndau Ministria e Kulturës, ishin të gjitha pikat ku do të diskutohej me orientim nga lart: dramaturgjia shqipe dhe temat e rëndësishme të historisë dhe aktualitet; teknikat e shkrimit dhe dega e dramaturgjisë; Teatri dhe drama shqipe; projektide “Laboratori i Dramës Shqipe”; Kritika dhe Drama Shqipe; Dramaturgjia shqipe dhe shoqëria. Mund të quhej dhe një panel shkencor, por në të vërtetë, degjeneroi në copa letrash të rastësishme dhe e pavlerë për disa për të folur në këtë nivel debati, aq më tepër me shkrim. Kjo dështoi, nëse do të ishte në shërbim të reflektimit të krizës së dramës shqipe. Megjithatë, moderatori kryesor, njohur si dramaturg e shkrimtar, Bashkim Hoxha, foli se do të dalin gjatë diskutimit (ashtu siç ishte shkruar në njoftim) dilemat, problemet e shkrimit të veprave teatrore nga autorë shqiptarë; ka dramaturgji të mirë shqipe apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë?

Të gjithë ishin dakord, ata që kishin ardhur pas ftesës së ministres Kumbaro, se ishte herë e parë që flitej për dramën shqipe, së paku në nivel institucional. Kjo do të thotë që e merrte përsipër politika ta zgjidhte çështjen e dramës së shkruar shqipe. U përmendën, edhe nga Kumbaro, se kafenetë bëjnë dëm për këto lloj debatesh, se nuk janë serioze. Por dikush tjetër e hodhi poshtë, duke sjellë shembuj se idetë e mëdha dhe regjisorët e mëdhenj kanë shpërthyer nga debatet në këto kafene!

Në Tiranë gjithmonë i referohen kafesë tek “Aleanca”, kundrejt Teatrit Kombëtar – prej vitesh ka mbetur klishe, ku mblidhen të gjithë aktorët e regjisorët, edhe pse kanë kërkuar prej vitesh të ndërtohet kafeja edhe brenda oborrit të Teatrit.

Ministrja, e para, u shpreh se duhet ikur nga këto “tryeza të kafesë” e të vinin në skenë, të kenë një mikrofon! Dhe kjo të jetë politika? Po, e dha vetë shembullin Kumbaro çfarë ndodh në të tilla raste, iu referua teatrit të socrealizmit, kur propaganda dhe politika nënshtruan artistët, kur teatri nuk mbijetoi dot. Me përdëllimin e saj çfarë shkaktoi politika e regjimit, midis artistëve dhe teatrit, shkoi dhe më tej në nderime ministrja: “Kemi mirënjohje për ata që e përkulën shpinën që bënë ç’mundën brenda atij arti!”

Si mund të lexohet kjo kontradiktë politike e Kumbaros?! Kthimi i fjalës për dramaturgun Hoxha, në nivelin e moderatorit në skenë, në tryezën me mbulesë të kuqe, kërkonte konkluzione që të institucionalizohet edhe vëmendja si për dramën dhe për individin.

Kjo ishte pika e parë që do të hapej dhe kjo seancë tubimi: dramaturgjia shqipe dhe problemet me të cilat ndeshen autorët. Hoxha lexoi fjalë për fjalë çfarë do të referonte regjisori Mihal Luarasi që ishin: Ka një sërë problemesh që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë; disa thonë se nuk ka dramaturgji të mirë shqipe, disa të tjerë se drama ka, por ato nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë. Si qëndron e vërteta?

Kemi një mori dramash të shkruara. Vetëm në konkursin e 100-vjetorit të Pavarësisë u paraqitën 31 drama, në një konkurs të shpallur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (ish-Teatri i Komedisë) për dramën shqipe u paraqiten 15 vepra, në konkursin e përvitshëm për Dramë Kombëtare “Katarina Josipi” në Prishtinë për çdo vit konkurrojnë autorë të ndryshëm me mbi 50 vepra; pra numri i dramave të pretenduara është goxha i madh.

Pyetja që lind: Si ndodh që shumë pak vlera evidentohen kur kemi një numër kaq të madh shkrimesh nga dramaturgët shqiptarë?… Kush konkurron në konkurse dhe a konkurron elita e dramaturgjisë në këto konkurse!

 

Mbeten bosh këto çështje, sepse regjisori Luarasi mungoi. Ishte i sëmurë. Edhe për çështjet pasardhëse u ezauruan pa folur njeri. Ishte ftuar dramaturgu nga Kosova, Haqif Mulliqi, por nuk erdhi.

Si gjithmonë, në rastet e kompromisit në kryeqytet, “përdoret” kritiku Josif Papagjoni, ndër ata që e njeh mirë kritikën dhe teatrin midis dy sistemeve; kësaj të sotmes dhe socrealizmit. Për historinë e teatrit do të fliste, por i mungonin letrat, përgatitja, kështu u dorëzua: “Do flas pa letra, se e di që do të them gjëra të njohura, të rrahura dhe shumë të debatuara në shtyp. S’do them gjë të mençur”, – tha Papagjoni.

Ky kritik, që në një rast e ka pranuar se është ndër kompromisaxhinjtë më të mëdhenj të kryeqytetit, e thotë hapur se nuk është hera e parë që organizohet një takim e ku rrihen çështjet për dramën shqipe. Ka qenë nga pjesëmarrësit më të rregullt në çdo debat, qoftë nga e majta apo e djathta, nuk ka munguar ndryshe nga sa u tha për të tjerë dje, se disa nuk erdhën nga egoja, kapriçozët, ata që janë pro dhe kundër!

Papagjoni thotë dhe një gjë hapur se është debatuar nëpër festivale teatri, por jo ta prijë politika një gjë të tillë, kështu të paktën nuk bëjnë bla bla bla!

Kështu nis fjalimin kritiku: Drama e madhe e shek. XX është shumë e cunguar. Në këta 24 vjet, ka munguar. Optika opake e politikës kulturore e ka ngushtuar teatrin. Neve nuk na intereson politika. Teatri ka ardhur duke u rrudhur. U shkurtuan dhe u ngushtuan trupat teatrore. Teatri sot s’është në nivelin e publikut. Duhen para. Të gjithë drejtorët e kanë nënvleftësuar teatrin. Unë kam humbur miq e shokë, për shkak të egos së brishtë të artistëve”.

Problemi më i madh: regjisorët kanë frikë për dramën, pasi tekstet kanë probleme. Ka vjelë Papagjoni edhe ca mendime kritike, që për të si duket ia vlejnë të rifreskohen dhe nga socrealizmi si rasti i shkrimit të dramës në skenë, prania e autorit në teatër! Por menjëherë është kujtuar se në “demokraci”, korruptohet juria në rast se propozohet një komision për leximin e teksteve të dramave dhe hidhen për diskutim. Si duket, fataliteti që ka Papagjoni nuk e zhbën dot nga imazhi për dramën shqipe.

Rasti konkret, ç’po ndodh me dramaturgun Stefan Çapaliku, që ka nisur të bëhet regjisor i teksteve të veta. Nuk ka besim te regjisorët, – thotë kritiku.

Si përcjellës miqve të dramës, i kompromiseve, i lëvdatave, Papagjoni thotë: Cilësia është problemi ynë i madh.

Debati ka shkuar në plagë të teatrit, por folësit u janë drejtuar karrigeve bosh, shumica, dhe kolegëve të tyre si auditor studentësh, si leksione teatri, si të shkruhet një dramë!

Një konkurs që u bë në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku u porosit tema, dëshmoi dobësinë e shkrimit të dramës shqip. Këtë ka treguar Papagjoni konkretisht, i cili ishte në cilësinë e anëtarit të jurisë, ku edhe drama fituese përmbante dy naivitete të forta mbi figurën e I. Qemalit. Pra, është kundër porosive, mbi kurriz të shkrimit të dramës… por e mbyll këtu Papagjoni, duke thënë se kishte dëshirë të ishte më i përgatitur, se ia ngatërruan datën!

A vijnë drama cilësore në dyert e Teatrit? Regjisori nga Kosova, Fadil Hysi, ulur në radhën e moderatorëve, nuk e ka të parën herë që u flet kolegëve të tij në Shqipëri për çështje të teatrit. Megjithatë, Fadili mbështetet te një përvojë personale, për të lektuar raportin regji dhe dramë, skenë dhe letërsi, ku thotë se ndihet mungesa e një laboratori për dramat cilësore.

Hysi e trajton dramë nacionale, ikjen ndaj saj – duke përjashtuar të mëdhenj, antike e klasike – me zëvendësimin me drama sezonale e për më tepër plagjiatura me DVD apo shkarkime online – problematike në të tria shtetet, ku luhet shqip. Regjisorët kërkojnë sukses të shpejtë, thotë Hysi, pavarësisht se kjo prapë nuk është gjë e re, ka 23 vite i njohur fenomeni. Na duhen laboratorë, ka vazhduar, siç i ka Hollivudi me psikologë, antropologë e shkrimtarë! “Këtu nuk është bërë ndonjë studim se çfarë e brengos shqiptarin në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni. Në botë kjo gjë është normale. Shembulli e sjell Jeton Neziraj”, – thotë Hysi. Duhet dora e shtetit për këtë thotë dramaturgu nga Prishtina; teatri dhe varrezat tregojnë çfarë shteti është! “Për teatrin politika s’ka respekt, tek ju në Shqipëri për varrezat kujdesen më shumë”, – kalon ironia.

Ndërsa komunikimi apo krijimi i një komuniteti të teatrit për Hysin merr rëndësi, shembulli Sarajeva, artistët takohen në klube-kafe dhe debatojnë. Kjo mungesë, nisur dhe nga përvoja që janë asiqari mes artistëve, e detyron të thotë se kritika apo vërejtja i bën armik më njëri-tjetrin, e kështu nisin elozhet. Ky regjisor ka vënë 47 shfaqje, prej tyre 30 drama shqipe, duke kulmuar në vitet ‘80-‘90.

E denjë për një monodramë poetike, grotesk, ironi, por edhe mendim ishte fjala e regjisores Sesila Plasari. Tregon se para 20 vitesh ka shkruar një dramë, e la duke treguar interes për regjinë, ku edhe është. Gjithë ç’donte të rrëfente Plasari ishte raporti i regjisorit me dramaturgun, se regjisori e zgjedh veprën duke e dashuruar. Rrugë tjetër nuk ka, përpos së natyrshmes. A ka vepra për të dashuruar? Regjisorët duhet të zbulojnë. Vetë Plasari thotë se deri tani ka zgjedhur dramën e huaj në natyrshmërinë e saj, se drama shqipe e derisotme nuk e tërheq, nuk është dashuruar me ndonjë vepër. Arsyeja: nuk lexohen, nuk ka të botuara, nuk janë në internet, nuk ka sit për dramat apo komunitet për lexime publike etj., etj. Për të gjitha këto, thotë Plasari, e kam qetësi në ndërgjegje se ka të tjerë regjisorë për dramën shqipe, ndërsa ka përkthyer vetë dramat që ka dashur. Plasari ka “sindromën” e konkursit të dramës shqipe në 100-vjetorin e Pavarësisë, ku përvoja i rastisi të lexonte vepra më cilësi të dobët, duke menduar çfarë mund të inskenonte, por: “Nuk ia vlente të vritesha për to. Autorët nuk e dinë sa luftojmë ne mbi tekstet”.

Skenaristi i humorit (prej vitesh mbetur tek “Portokallia”) Vangjel Kozma rikthehet në teatër, duke thënë se ka 10 vjet që nuk ka marrë pjesë në asnjë konkurs, por ka realizuar tekste të 300 pjesëve të spektaklit të humorit në TV.

Kozma e ka parë gjithë situatën në nivelin ku është Shqipëria: si drama, si shëndetësia, njëlloj, si plehrat dhe cilësia e veprave, njëlloj – ky standard. Skenaristi thotë se ka 6 drama të shkruara në sirtar dhe nga dje vendos t’i depozitojë pranë TK-së, për t’u lexuar.

Të ngrihet komision leximi! Ky propozim erdhi menjëherë nga drejtori i ri i TK-së, Hervin Çuli, ku dihet se këtij qëllimi po i shërbente takimi. “Më ndalin të gjithë e më thonë më vendos dramën time, se është më e mira”, – ka thënë Çuli, për të kuptuar se paska nisur një dyndje e madhe tani me tekste shqipe!

U shtuan nga dita e parë edhe tri propozime të tjera, e si duket deri dje në fund të takimit, ishin konsoliduar si konkluzione (ndoshta para se të bëhej takimi): të ngrihet forumi i dramaturgëve; të krijohet laboratori i teatrit dhe të mbahet një festival mbarëshqiptar i dramës, të paktën një herë në dy vjet.

Çuli ka kërkuar të dalë nga situata se si të gjendet një mënyrë për të përzgjedhur dramën shqipe. Deri tani thotë shifrën prej 150 veprash, për të cilat i bie telefoni gjithë ditën. A nuk ka pasur Çuli fare në platformën e tij se ç’do të bëjë me dramën shqipe, cila do të jetë strategjia e teatrit apo, fjala vjen, repertori i tij për një mandat 4-vjeçar?! Duket se jo, të paktën çfarë është publikuar në media, pasi më shumë i kanë kushtuar “terrorit” për reforma, që në fakt bëhen me ligj. Në të kundërtën i bie të jetë e jashtëligjshme çdo lëvizje në teatër mbi strukturën. Megjithatë, Çuli ende nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim. Dhe mbledhja e regjisorëve dhe aktorëve në dy ditë ka një parantezë. Ata që e dinë, kanë munguar apo refuzuar si kundërshtarë të tij, duke lënë një pjesë të mirë të sallës, bosh!

Konteksti i shkrimit të dramës shqipe mund të jetë vetëm një sebep, që jo pak herë rrëmbeu emocione ndër folësit. Të pranishmit më shumë ishin nga brezi që ka bërë teatër në regjimin diktatorial, dhe natyrshëm idetë e disa prej tyre ishin nostalgji, si luhej, si interpretohej, si lexohej e si tingëllonte drama shqip! Të rinj të teatrit, meqë kërkonin rinim të dramës, nuk kishte. Asnjë rresht nga Akademia e Arteve, studentë. Këtu, në të vërteë, zë fill debati: mungon lënda e shkrimit të dramës. Të ftuarit nga Kosova, kritikë, regjisorë e dramaturgë, gati u shokuan për nivelin e organizimit, sallën bosh në kryeqytet. Ata kanë prekur çështjen: t’i kthehemi konkurrimit, të shkruajmë të lirë e të vijmë këtu.

Gati protestë e tyrja: duhen lënë dramat e porositura, se e vrasin dramaturgjinë! Ndërhyrja e drejtorit të TK-së, Hervin Çuli, ka befasuar të gjithë, kur çështja ka nëpërdhëmbur anëtarët e bordit, prej të cilëve përcaktohet repertori. “Ata janë njerëz mediatikë, është bord mediatik pa ndikim të drejtpërdrejtë me Teatrin. Politikat e Teatrit do t’i bëj unë”, – kjo deklaratë e papritur e Çulit do lexuar mirë, të paktën për ata që merren me teatrin. Nëse kjo “arrogancë” e tij nuk rezulton të jetë për ndonjë kothere bukë më shumë për teatrin, si ky të ndërtohet e jo të shembet – autoriteti i tij si drejtor ka përparuar shumë, me deklaratën e djeshme!

Ndjesia se si po mbahej ky “tubim” për krizën e dramës shqipe sigurisht prej shumë pjesëmarrësve krijonte reminishencën e plenumeve në diktaturë; ja nga niveli, ja nga atmosfera se si artikulohej gjithë debati bashkë me inskenimin. Agron Gerguri, një kritik nga Kosova, e thotë fjalën, se teatri duhet të shpëtojë nga ideologjia, pasi rreshtoi një tufë shqetësimesh të komunikimit mes teatrit dhe kritikës, se mungojnë botimet, periodikët – kush është kritik këtu! S’po flasim për firot e debatit, anonimë e nostalgjikë. Në këtë vrull u ngrit edhe skenaristi i “Portokallisë”, Vangjel Kozma, nëse “ky kal Teatër, a ka shanse të shpëtojë!” Në posterin në ballë të sallës me tituj dramash, miksuar nga diktatura dhe ca sot, mban ende gjallë historinë e Teatrit si nostalgji dhe duket si ndër dilemat: Dramë shqipe si në kohë diktature?! Në mbarim të takimit dyditor, vetëm dikush më në fund tha: Teatri duhet bërë treg, duhet konkurrencë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency