Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë/ Rama takon Nishanin para vendimit të Apelit

0
194

Florenc Drizari

nishani-ramaKryeministria dhe Presidenca ruajnë konfidencialitetin e takimit 30 minutësh

Një ditë para se çështja “Fullani” të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit në Tiranë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kreun e shtetit Bujar Nishani në presidencë. Takimi mes dy përfaqësuesve të lartë të shtetit zgjati për rreth 30 minuta, ndërkohë që si kryeministria ashtu edhe presidenca, zgjodhën të zbatojnë heshtjen duke mos dhënë detaje se cila ishte tema e diskutuar, ashtu si në takimin e parë që u mbajt të dielën e shkuar. Takimi i kreut të ekzekutivit me Presidentin Nishani vjen pak ditë para se Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë kërkesën e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullanit. Ndërkaq, burime zyrtare bëjnë të ditur se takimi informal Rama – Nishani, ka pasur në fokus çështjen e zgjedhjes së guvernatorit të ri. Sipas ligjit për BSH-në presidenti ka një rol kyç në zgjedhjen e kreut të ri të Bankës, ndërkohë që qeveria më herët ka pranuar të drejtën që atij ia njeh Kushtetuta. Diskutimet për këtë çështje janë reflektuar edhe në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist, ku mes Ramës dhe deputetëve të majtë, ka pasur debate për emrin e ri të Bankës së Shqipërisë si dhe për procedurat që duhen ndjekur për shkarkimin e Fullanit, i cili prej mëse një jave u arrestua me urdhër të Prokurorisë. Aktualisht këtë të hënë pritet të merret edhe vendimi në Apel për masën e arrestit, lënie në burg, ndjekje e procesit gjyqësor në gjendje të lirë, apo arrest shtëpie, ndërkohë që nga ana tjetër Kuvendi pritet të votojë shkarkimin e tij në mesjavë. Ajo që dihet është se asnjë prej procedurave parlamentare për Ardian Fullanin nuk do të ndodhë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit në mesditën e së hënës. Me interes pritet vendimi i kësaj gjykate në të cilën është kundërshtuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit me burg të Fullanit.

 

Shkarkimi i Fullanit

Të enjten e kaluar Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi propozimin e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani si dhe të inspektores së Përgjithshme, Elivar Golemi. Seanca e komisionit u zhvillua paralel me punimet e seancës plenare, ndërkohë që sipas kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, vendimi u votua në unanimitet nga anëtarët pranishëm, ndërsa opozita nuk mori pjesë në kuadër të bojkotit parlamentar që ka vendosur me këtë institucion disa javë më parë.

“Shkresa e Këshillit Mbikëqyrës që vë në dijeni Kuvendin për vendimin Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbështetur në nenin 47, pika 2 gërma c, të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Pra baza ligjore ka qenë kjo. Motivacioni “shkelje e etikës në punë dhe cenim i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë”. Ky është motivacioni që ka sjellë Këshilli në mbështetje të nenit 47, pika 2, gërma c. Komisioni e ka gjetur në përputhje me ligjin propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe e ka miratuar me unanimitet shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”,-deklaroi Braçe të pak ditë më parë. Kreu i Komisionit të Ekonomisë tha se e njëjta procedurë u ndoq edhe për Inspektoren e Përgjithshme. “Komisioni ka shqyrtuar edhe çështjen e vijimit të procedurave. Vetë komisioni, pasi kjo është një çështje, që sipas ligjit, i takon vetëm Kuvendit. Asnjë institucioni tjetër që lidhet me Bankën e Shqipërisë, as Këshillit Mbikëqyrës, as autoriteteve të tjera drejtuese të Bankës së Shqipërisë. Kemi shqyrtuar këtë gjë. Mbështetur edhe në vijim të procedurës nga një kërkesë e një grupi deputetësh për të vijuar apo për të proceduar me shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”,-tha Braçe. Sipas tij, relacionet e Komisionit bashkë me vendimet do t’i paraqiten Kryetarit të Kuvendit dhe do të jenë në rendin e ditës në seancën e kësaj të enjteje.

 

 Takimi Basha – Nishani për Bankën e Shqipërisë

Në kuadër të konsultave për zhvillimet në Bankën e Shqipërisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati një takim rreth një javë më parë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. “Basha vlerësoi rolin e Presidentit në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi qëndrimin e opozitës se garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe qëndrueshmëria e politikës monetare, janë të një rëndësie jetike për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve”- ka bërë me dije PD. Ndërkohë, më herët Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Edi Rama. Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në BSH, Rama  dhe Nishani ndane pikëpamjet për situatën e re të krijuar në Bankën e Shqipërisë, pas arrestimit të ish-Guvernatorit Ardian Fullani. “Ndërkohë që në çdo hap të mëtejshëm drejt normalizimit, duhet mbajtur parasysh, qoftë forcimi i pavarësisë së institucionit, qoftë garantimi i standardeve më të larta të profesionalizmit në drejtimin e Bankës së Shqipërisë.”-ka qenë mesazhi i kryeministrisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency