Gara për Kurbinin/ Kolegji Zgjedhor rrëzon KQZ-në: Pjetraj i PD-së të regjistrohet si kandidat brenda 30 majit

0
132

Gëzim Saliu

 Kolegji ZgjedhorAuditi: 600 zgjedhës të shkuar në Kavajë. Kosovrasti: KQZ të bëjë kallëzim penal. Gjonçaj: Janë 1% e votuesve

Kolegji Zgjedhor shfuqizoi dje vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për çregjistrimin e kandidatit të djathtë për Bashkinë e Kurbinit. Në përfundim të shqyrtimit të ankimimit të Partisë Demokratike, Kolegji Zgjedhor detyroi dje KQZ-në të bëjë regjistrimin e Ilir Pjetrajt brenda datës 30 maj. Pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor kanë qenë Ilir Toska si relator i çështjes, Valbon Çekrezi, Petrit Ceno, Gjenovefa Gaba dhe Kliton Spahiu. Në mbledhjen e datës 20 maj, KQZ çregjistroi kandidatin e PD-së për Kurbinin me kërkesë të PS-së me pretendimin se ishte regjistruar nga ZAZ e kësaj njësie jashtë afatit ligjor. Kandidati demokrat në Kurbin, Ilir Pjetraj, vëllai i deputetit të kësaj force politike Mhill Fufi, u regjistrua si kandidat në datën 13 maj, pas dorëheqjes së kandidatit të Partisë Demokratike Altin Biba më 9 maj, ndërsa afati i fundit ligjor ishte data 4 maj.

 

Mbledhja e KQZ-së

Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shqyrtua raporti i auditit teknicien Armand Teliti “Mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, maj 2015”. Teliti deklaroi se nga verifikimet ka një shtim jo natyral të zgjedhësve në Kavajë me rreth 600 zgjedhës. Pas paraqitjes së raportit, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti e ka quajtur këtë rast shumë të rëndë, duke e akuzuar kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, se ka shkelur ligjin për lëvizjen e qytetarëve. Sipas tij KQZ duhet ta hetojë këtë çështje, pasi theksoi ai, Roshi ka nënshkruar kontrata huapërdorje për ambiente dhe jo për banesa. “Është rasti i dytë që na ndodh të ndeshemi në KQZ pas atij të Durrësit. Në aspektin formal të asaj se si kreu i Bashkisë ka manipuluar procesin, ky i Kavajës s’ka dashur t’ia dijë për asgjë. Ky nuk ka respektuar asnjë akt. Në këtë kuptim, ngjarja që ka ndodhur në Bashkinë e Kavajës është shumë e rëndë. Shtimi i 195 familjeve që ka sjellë 590 zgjedhës. Kemi të bëjmë me një kontratë huapërdorje. Kryetari i Bashkisë ka dhënë kontrata huapërdorje për ambientin, jo banesën. Kjo situatë e frikshme. Si mund të mënyrë kaq flagrante, një punonjës i shtetit të marrë përsipër gjëra të tilla. Kontrata e përdorimit duhet të ishte për banesë. Kjo është një lojë fiktive, e rrezikshme vetëm me një synim që të mbledhë në zgjedhjet e ardhshme 595 votues të tij. Mendoj se kryetari Elvis Roshi është në kundërshtim të hapur me ligjin. KQZ ta thellojë këtë çështje. Të bëhet edhe kallëzimi penal për këtë veprimtari”, – deklaroi Kosovrasti. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, mbështeti hetimin e kësaj çështjeje, por theksoi se numri, për të cilin flitet është realisht i vogël në krahasim me numrin total të votuesve, rreth 1%. “Flasim për numra dhe themi që auditi i Kavajës ka gjetur rreth 600 persona që janë shtuar në një kohë të caktuar. Nga auditi tjetër pashë që një muaj më parë ka pasur 1000 më pak, pra 1000 të larguar. Pamë në Durrës 2000 persona të shtuar. Nuk i thamë publikut që numri i votuesve është 200 mijë në Durrës, dhe 2000 janë 1.6%. Harrojmë të themi që Kavaja ka 60 mijë zgjedhës dhe 600 janë 1%, duhet të kemi parasysh edhe këto fakte. Bashkoj zërin tim me zërin e Kosovrastit për një hetim të thellë të këtij rasti. Është mirë që KQZ të hetojë këtë rast, sepse është shumë e thjeshtë, ligja i parashikon të gjitha procedurat për lëvizjen e qytetarëve. Në Durrës procesi më i qetë se sa duket. Në Kavajë duket problematik por po ecën mirë”, – deklaroi Gjonçaj. Në mbyllje të mbledhjes KQZ vendosi që gjetjet dhe rekomandimet e dy raporteve të auditëve, t’i kalojnë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile e ndërsa raporti shtesë i z. Teliti t’i kalojë Prokurorisë së Përgjithshme për hetime të thelluara.

 

Në Burrel e Klos/ Basha: Oferta e PD-së është punësimi, ulja e taksave dhe forcimi i biznesit

Kreu i Partisë Demokratike zhvilloi dje një takim me banorët e Burrelit e Klosit ku u njoh me problematikat e shumta të zonës. Në këto takime, kryedemokrati tha se shumë biznese po mbyllen dhe arsyeja e vendosur në mbishkrimet në dyert e tyre është emigracioni. “Më të zhgënjyer ndjehen votuesit e majtë të cilët thonë se qeveria u shërben vetëm një grupi njerëzish ndërsa qytetarët janë në varfëri ekstreme. Oferta jonë, pikë kryesore ka punësimin, uljen e taksave për të krijuar më shumë vende pune, për të punësuar të rinjtë, kryefamiljarë të papunë, përmes zgjerimit dhe forcimit të biznesit”, – tha ai. Nga ana tjetër Basha pyeti banorët e Burrelit i cili drejtohet nga socialistët nëse në këtë Bashki jetohet më mirë, ka më shumë vende pune. Përgjigjja nga banorët ka qenë se në këto dy vite kur bashkia dhe qeveria janë të majta mjerimi dhe varfëria ka kaluar çdo kufi. “Pas mashtrimeve për 300 mijë vende pune, pas mashtrimeve për uljen e taksave, për uljen e çmimit të energjisë, për legalizime falas e për shëndetësi falas, mashtrimi tjetër është që po t’i kemi ne të dyja do t’i bëjmë më mirë. Ja pra, këtu i kanë pasur të dyja, a i kanë bërë më mirë këto dy vite? A kanë sjellë përmirësim në cilësinë e jetës tuaj? A kanë sjellë shpresë për rininë? A kanë hapur vende pune për të papunët? Kanë mbyllur vende pune. Kanë pakësuar ndihmën ekonomike e kanë bërë më të vështirë për shumicën dërrmuese të familjeve të mbyllin muajin”.

 

Blendi Klosi zgjidhet me 75 vota ministër i Mirëqenies Sociale

Me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votua Dekreti i Presidentit Nishani për emërimin e Blendi Klosit si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Klosi mori dje zyrtarisht drejtimin e ministrisë së lënë nga Erion Veliaj i cili kandidon për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votua dhe projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, ndërsa projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 96, datë 27.11.2014, “Për krijimin e komisionit të posaçëm parlamentar në sistemin e Drejtësisë” u votua me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projekti “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë” u votua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pjesë e rendit të ditës të seancës plenare ishte edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane për grantin e asistencës financiare për projektin “Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri II” që u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 104,datë 4.12.2014, “Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e Drejtësisë” u votua me 74 vota pro,asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ku z. Vexhi Muçmataj zëvendëson z. Armando Subashi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here