Gara për kupolën drejtuese të PD-së/ Të dielën mblidhet Këshilli, zgjidhen sekretari i Përgjithshëm dhe 2 nënkryetarët

0
131

Gëzim Saliu

selia e pd saktePër nënkryetarë Edi Paloka dhe Edmond Spaho, gara për sekretarë të Përgjithshëm, më e vështira: përballen Selami, Ristani dhe Alibeaj

 Pas rifreskimit të të gjitha strukturave të saj, Partia Demokratike është përfshirë në ethet e fundit të garës brenda saj, ku ditën e diel do të zgjidhet struktura drejtuese e forcës më të madhe opozitare. Më 30 nëntor, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka thirrur mbledhjen e parë për Këshillin Kombëtar, organ i cili do të votojë për sekretarët, drejtuesit e departamenteve, sekretarin e Përgjithshëm dhe 2 nënkryetarët e PD-së. Gara e fortë pritet të zhvillohet për dy postet e nënkryetarit, ku përkatësisht një prej tyre do të jetë automatikisht kreu i grupit parlamentar demokrat, i cili është Edi Paloka. Ndërsa kandidati i dytë më i favorizuar për të marrë postin e nënkryetarit është Edmond Spaho, ish-kryetar i Komisionit të Ekonomisë, një ndër ekspertët e demokratëve në fushën e financave. Po ashtu një tjetër garë e fortë, krahas atyre për drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretarët është edhe ajo për sekretarin e Përgjithshëm të PD-së. Ky i fundit, krahas dy nënkryetarëve, cilësohet si një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të kreut të partisë. Për këtë post do të garojnë deputetët Arben Ristani dhe Eduard Selami si edhe ish-ligjvënësi i PD-së, Enkelejd Alibeaj. Burime brenda selisë blu bëjnë të ditur se dy kandidatët më të favorizuar deri më tani janë Selami dhe Ristani, të cilët kanë edhe pozita të forta brenda partisë. Por si për këtë garë ashtu edhe atë për nënkryetarët e partisë apo edhe për drejtuesit e departamenteve dhe sekretariatet do të jenë 140 anëtarët e Këshillit Kombëtar që do të vendosin me votë. Për 6 sekretarët kanë shprehur interes për të kandiduar me tepër se 15 persona, ndërkohë për 22 departamente kandidojnë 65 persona. Nga ana tjetër, kryesia e re e PD-së do të rikompozohet, duke u zgjeruar, pasi pjesë e saj do të jetë edhe kryesia e grupit parlamentar demokrat. Por ndërkohë, mësohet se jashtë kryesisë do të mbeten ish-kreu i PD-së Sali Berisha, i cili ka bërë të ditur se kontributin e tij në vazhdim në PD kërkon ta japë si një deputet i thjeshtë, ish-nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli dhe ish-nënkryetari tjetër Astrit Patozi. Në mbledhjen e Këshillit, me interes pritet edhe mesazhi politik që kryetari i opozitës do të japë para anëtarëve të rinj të Këshillit, të zgjedhur në fund të shtatorit. Me këto zgjedhje përfundon përtëritja e partisë më të madhe në opozitë, e cila u përfshi në një proces rigjenerimi pas humbjes së 23 qershorit 2013.

 

Mbledhja

Ndërkaq, ditën e djeshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi një mbledhje me kryetarët e degëve në rrethe dhe deputetët, ku në qendër të diskutimit ishin takimet me qytetarët në kuadër të kundërshtisë së vendimeve të qeverisë. Mësohet se kryedemokrati ka kërkuar nga të zgjedhurit e tij që të intensifikojnë takimet me qytetarët në të gjitha zonat urbane dhe rurale, duke marrë prej tyre shqetësimet lidhur me shkeljet e qeverisë. Po ashtu, mësohet se në takimin me deputetët, është vendosur që PD të propozojë amendamente për buxhetin e shtetit, duke kërkuar uljen e taksave, mosrritjen e çmimit të energjisë, atij të karburantit etj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency