Gara për Bashkinë e Tiranës/ Analiza e aleatëve për kandidatin e PD-së: Basha nuk përjashtohet

0
124

Erneta shevroja

 dashiKreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, mbështetje të plotë Bashës. Ndoka: Mund të garojë edhe një kandidat tjetër

 Mundësia e rikandidimit të Lulzim Bashës për të qenë në krye të Bashkisë së Tiranës nuk përjashtohet. Madje, ai merr mbështetje edhe të aleatëve të tij në opozitë. Nëse nuk do të jetë Basha, aleatët thonë që ky i fundit duhet të bëjë një zgjidhje serioze, të një personi që do të mund të “ngjisë maloren e Tiranës”. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, shprehet edhe për një kandidaturë tjetër, pasi, sipas tij, përgjegjësitë dhe sfidat e kreut të opozitës i tejkalojnë ato të kreut të Bashkisë së Tiranës. Ndërsa aleati tjetër, kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, thotë se rikandidimi i Bashës është një detyrim jo vetëm për qytetarët e kryeqytetit, por edhe të Partisë Demokratike. Dy aleatët e Partisë Demokratike kanë shprehur opinionin e tyre edhe për kandidaturën e parë të hedhur nga opozita, Agron Duka. Ata thonë se kandidati i Partisë Republikane është një kandidaturë dinjitozë dhe që ka mbështetjen e qytetarëve të Durrësit.

 

Kandidatura e Bashës

Aleatët e Partisë Demokratike në opozitë mendojnë se Lulzim Basha do të ishte kandidatura më e mirë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u shpreh dje se Basha duhet të mendojë për një fitore si Kryeministër, pasi atë të Bashkisë e ka të fituar. “Unë jam nga ata që kam mbështetur rikandidimin e Bashës në Tiranë dhe mendoj se është detyrim ndaj qytetarëve në radhë të parë, të djathtëve në radhë të dytë dhe Partisë Demokratike në radhë të tretë”, – tha Dashamir Shehi për “News 24”. Ndërsa kreu i Partisë Demokristiane thotë se Basha duhet të fitojë ndaj kreut të qeverisë në zgjedhjet për Kryeministër. “Kjo është temë interesante për t’u diskutuar, por i takon z. Basha të vendosë. Megjithatë, ai e ka fituar garën për kryetar Bashkie, pasi ai e ka mundur në mënyrë të drejtpërdrejtë Ramën. Gjithashtu, besoj se do të tentojë të fitojë si Kryeministër. Mendoj se gara e Bashkisë së Tiranës do të ketë një lojtar tjetër”, – tha Ndoka. Sipas Ndokës, në rast se kryetari Basha vendos të largohet, duhet të mendojë seriozisht për zëvendësuesin e tij. Kjo, me arsyetimin se janë në “lojë” shumë vota në diferencë. “Janë një sërë përgjigjesh, të drejtash dhe detyrimesh që i mbart Basha si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ditën kur do të largohet Basha nga kjo betejë, duhet të mendojë seriozisht për një kandidaturë serioze, që të ngjisë maloren e Tiranës, sepse janë me mijëra vota diferencë”, – tha Ndoka.

 

Kandidatura e Agron Dukës në Durrës

Dy aleatët e PD-së kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për kandidaturën e opozitës për Bashkinë e Durrësit, Agron Dukën. “Agron Duka si kandidaturë e opozitës në Durrës rrit shanset e opozitës për fitore”, – u shpreh Shehi, kreu i LZHK-së. “Kandidatura e Dukës është pozitive. Janë marrë vesh me PD-në apo jo kjo është një çështje që do ta sqarojnë. Një figurë si Duka i rri shanset e opozitës në Durrës”, – vijoi Shehi.

“Kandidaturë dinjitoze. Përtej Partisë Republikane. Z. Duka ka mbështetjen e qytetarëve, ka një aktivitet politik dhe mbështetjen e qyteti të Durrësit. Është e rëndësishme që opozita të fillojë me një kandidaturë fituese”, – theksoi kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

Ndërkohë, në ditët në vijim pritet të bëhet e ditur nëse kandidatura e Agron Dukës për Bashkinë Durrës do të marrë apo jo mbështetjen e partisë më të madhe në opozitë, Partia Demokratike. Pak ditë më parë, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, prezantoi Agron Dukën si kandidatura më e mirë e opozitës për Bashkinë e Durrësit. Ai tha se Duka gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët e Durrësit e për këtë arsye ai kërkoi mbështetjen e PD-së.

 

PD: Ndërtuesi i shtëpisë së Ramës, dy vila të paligjshme te Liqeni dhe është i paprekshëm‏

Partia Demokratike akuzoi këtë të enjte Kryeministrin Edi Rama se ka lejuar ndërtuesin e shtëpisë së tij në Surrel, që të ndërtojë në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë në shkelje të ligjit, por edhe të një vendimi të dhënë disa muaj më parë nga Inspektorati i Bashkisë për shembjen e dy ndërtesave. “A e dini ku gjendet rezidenca qeveritare e Presidentit të Republikës në këtë foto? Nuk është asnjëra nga këto dy ndërtesat këtu. Është kjo këtu në cep, që mezi duket. Dy vilat luksoze që shohim janë të oligarkut të Edi Ramës. Këto janë dy ndërtime të paligjshme brenda Parkut të madh të Liqenit. Sipas ligjeve në fuqi, në parqe nuk lejohet as të jepet leje zhvillimi dhe as të legalizohen objekte ndërtimi. Për më tepër, parqet, zonat arkeologjike dhe vija bregdetare janë të vetmet raste ku INUK ka tagër të veprojë pa pritur asnjë njoftim nga pushteti vendor. Jemi vetëm dy kilometra larg zyrave të qeverisë, por ligji këtu nuk vepron. Ligji nuk është i barabartë”, – tha kreu i departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit në PD, Jamarbër Malltezi. Ai tha se kjo vjen si shpërblim për punën e tij në shtëpinë e kreut të qeverisë. Në një deklaratë nga selia blu, ai akuzoi se vetë Kryeministri ka lejuar dhunimin e planit rregullues të Tiranës në favor të personit që i ndërtoi shtëpinë në periferi të kryeqytetit, në Surrel. “Lidhja e pronarit të këtyre objekteve me Edi Ramën është e njohur dhe ka themele e mure të forta. Shkelësi i ligjit tek Parku i madh i Liqenit është ndërtuesi i sarajeve të Surrelit. Kursimtari Edi Rama me 3000 euro kursime jete përfitoi saraje, të vlerësuara sipas ekspertëve me mbi 1 milion euro vetëm vlerë betoni. Për pasojë, Edi Rama e shpërblen donatorin e tij, duke e lejuar të kafshojë mushkëritë e qytetit, si të ishte prona e vet”, – vijoi akuzat Malltezi. “Ndërkohë, ndërtues-financues i Edi Ramës është i paprekshëm, janë me mijëra qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që gjenden sot mbi gërmadhat e pasurisë së tyre të ligjshme, të bërë hi nga INUK-u që sillet si bandë e paligjshme. Janë me mijëra qytetarët e pamundur që kishin banesën e jetës së tyre ose një dyqan që mbanin familjen, që nuk e kanë më sot, për shkak të paligjshmërisë së bandës INUK. Ndërsa ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës shkel 4 ligje, dhunon planin rregullues të Tiranës (dhunon edhe vete vendimin e KRTRSH së 2004-ës kur z. Lame ishte sekretar i KRTRSH) dhe vazhdon i qetë ta çojë deri në fund shkeljen brutale të ligjeve, siç mund të dallohet lehtë mes fotove të fillimit të nëntorit 2014, ku objektet janë pa dyer, pa dritare dhe pa grila, dhe fotos së sotme ku objektet po përfundojnë, ndonëse ka një vendim prishjeje në fuqi prej disa muajsh. Edhe sa ligje të tjera duhet të shkelë ky oligark që të funksionojë shteti ligjor?”, – vijoi kreu i departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit, Jamarbër Malltezi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency