Fullani, tepër i vonuar apo bankat s’e përfillin?

0
164

fullani Ervin Kaduku

Që prej gushtit të vitit 2011, konstatohet se Banka e Shqipërisë e ka ulur gjashtë herë normën bazë të interesit, instrumenti i saj për të ndikuar në uljen e kostos së parasë në ekonomi, duke e zbritur me 1.25 pikë përqindjeje në 3.75% aktualisht

 

Në vendin tonë po konstatohet një dukuri, që do të kishte shqetësuar çdo guvernator të një banke qendrore në çdo vend me ekonomi tregu, jo vetëm në Evropë, jo vetëm në një vend që është shumë pranë marrjes së statusit kandidat në Bashkimin Evropian, por edhe ka mbërritur në një stad të zhvilluar të zbatimit të standardeve ekonomiko-financiare të këtij bashkimi shtetesh të zhvilluara.

Për çfarë bëhet fjalë?

Që prej gushtit të vitit 2011, konstatohet se Banka e Shqipërisë e ka ulur gjashtë herë normën bazë të interesit, instrumenti i saj për të ndikuar në uljen e kostos së parasë në ekonomi, duke e zbritur me 1.25 pikë përqindjeje në 3.75% aktualisht. Megjithatë, pavarësisht nga agresiviteti në dukje i politikës monetare të bankës qendrore, me kah lehtësues, kostoja e kredisë në lekë nuk është ulur me të njëjtat ritme. Një muaj më parë, normat e kredisë në lekë ishin pothuajse sa në gusht 2011. Edhe në prill 2013, kredia në lekë është vetëm 0.24 pikë përqindje më e lirë se në shtator 2011.

Atëherë, ku është leverdia e një mase të tillë?

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se ky mekanizëm nuk ka qenë shumë eficient, pasi ka pasur edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në procesin e kredidhënies, ku si më kryesoret përmendin kërkesën e ulët për hua nga sektori privat. “Ne krijojmë kushte për të lehtësuar politikat, po rezultatet nuk janë gjithnjë të parashikueshme”, – kanë pohuar ekspertët e bankës qendrore.

 

Deklaratat

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pohuar në daljen e fundit publike, rreth një javë më parë, se institucioni qendror do të vazhdojë të lehtësojë politikën e vet monetare, në kushtet kur presionet inflacioniste mbeten të ulëta, duke paralajmëruar një tjetër ulje të normës bazë në të ardhmen e afërt.

Por, duhet theksuar se, pavarësisht nga këto justifikime, fakti është se kostoja e huasë në lekë është ulur në ritme shumë më të ulëta në raport me reduktimin e normës bazë nga Banka e Shqipërisë. Bizneset dhe individët, që ia kanë dalë të marrin një hua nga bankat gjatë muajit prill të këtij viti, kanë arritur që ta marrin atë më lirë. Sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e ponderuar e kredisë së re në lekë për të gjitha afatet e maturimit në muajin prill ishte 10.83%, në ulje nga 11.4% që rezultoi në mars. Ky reduktim ka ardhur si rrjedhojë i rënies së interesave të huave me afat maturimi 6 muaj deri në 1 vit dhe atyre 3-5 vjeçare, ndërkohë që kreditë 1-3 vjet dhe mbi 5 vjet kanë shënuar tendencë rritëse. Por, ajo që pritej nga bankat e nivelit të dytë ishte shumë më tepër, ishte një ulje e ndjeshme e normave të interesit të huave, që do të bënin të mundur një lehtësim të vërtetë të kushteve të kreditimit për bizneset dhe individët. Kjo nuk ka ndodhur. Deri tani kemi dëgjuar nga goja e guvernatorit Ardian Fullani vetëm kritika “me pambuk” për bankat e nivelit të dytë, madje edhe thirrje në drejtim të individëve dhe bizneseve, klientë të këtyre bankave, që të rritin konsumin dhe të mos kenë frikë. Para se të thotë një gjë të tillë, guvernatori duhet të shtrojë më parë pyetjen: nga kush kanë frikë qytetarët dhe bizneset për të marrë kredi? Nga qeveria jo, pasi ajo e ka bërë punën e vet, duke lehtësuar vazhdimisht dhe sistematikisht ekonominë nga taksat. Pra, mbetet që të shihet defekti madhor Brenda vetë sistemit bankar në Republikën e Shqipërisë, që mbikëqyret me ligj nga Banka e Shqipërisë.

 

Çështja

 

Pyetja duhet të shtrohet ndryshe. Mos vallë guvernatori, së bashku me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë kujtuar tepër vonë për të bërë uljet e shumëpritura të normës së interesit bazë, duke e ofruar atë në një kohë kur masa në fjalë nuk mund të jepte më efektet e duhura? Edhe këto ditë, dëgjuam nga goja e zotit guvernator të njëjtin premtim, se BSH është duke marrë në shqyrtim një ulje të re të normës. Nga ana tjetër, le të kujtojmë se sërish në vendin tonë kostoja e parasë është tepër e lartë dhe përbën një frenues të ndjeshëm të çdo aktiviteti ekonomiko-financiar. A mund të krahasohet norma shqiptare e zotit Fullani me atë të Eurozonës, ku Banka Qendrore Evropiane, e drejtuar me profesionalizëm të lartë nga Mario Draghi, e ka çuar këtë normë në 0,75 për qind? Frenimi i BSH ka qenë i patolerueshëm, edhe përballë kërkesave eksplicite nga ana e shoqatave kryesore të biznesit, që kanë kërkuar një ulje të ndjeshme dhe të hershme të normës së interesit, që do të jepte një frymë të re kreditimi, përballë shtrëngimit të kushteve nga ana e bankave, të cilat janë ndodhur gjithnjë e më shumë përballë një dukurie masive negative, siç është rritja e kredisë së keqe, që ka kaluar në 24 për qind.

Por, këtu nuk mund të harrohet edhe një qëndrim aspak konstruktiv nga ana e institucioneve financiare të pranishme në vendin tonë, të cilat duket se uljen e interesit të normës bazë e kanë shfrytëzuar për të rritur fitimet e tyre, por kurrsesi për të kryer atë, për të cilën është marrë kjo masë nga banka qendrore: uljen e interesave reale të kredive për klientin fundor. Këto banka mund të kenë në vendin e bankave të tyre mëmë probleme të karakterit financiar apo juridik, por kjo nuk ka asnjë lidhje me realitetin shqiptar, që ka shenjë çdo shenjë krize dhe nuk mund të përligjë asnjë qëndrim të tillë nga ana e tyre. Siç nuk mund të përligjë edhe largimin e përvitshëm të atyre qindra milionë eurove në drejtim të vendeve të origjinës pikërisht nga këto banka.

Sistemi bankar ka përjetuar një “bum” të vërtetë dekadën e kaluar, por duket se shumë gjëra i ka bërë qorrazi dhe tani ka gjetur të udhës të shtrëngojë dorën pikërisht me ata qytetarë dhe ato biznese, që janë më të rregulltat me shtetin dhe kanë se ku t’i “kapin”. Të gjithë, biznese, qeveri, qytetarët, janë në pritje të një qasjeje krejtësisht të re të këtyre institucioneve ndaj situatës ekonomike në vend.

 

 

Jepen 648 leje shfrytëzimi minerar në 5 muaj

 

Gjatë 5 muajve të parë të vitit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka dhënë 648 leje për shfrytëzim minerar në të gjithë vendin. Burime nga ky institucion, bëjnë të ditur se, gjatë vitit të kaluar në këtë sektor janë investuar diçka më shumë se 50 milionë dollarë, të përqendruara kryesisht në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e kromit dhe hekur-nikelit.

Aktualisht, rezervat kombëtare në krom arrijnë në 35 milionë ton, ndërsa në hekur-nikel arrijnë në 230 milionë ton. Burimi minerar që shënon rezervën më të madhe në vend janë gurët gëlqerorë, duke arritur në rreth 500 milionë metër kub rezerva gjeologjike. Pasuri natyrore të mëdha vendi ka dhe në gurët dekorativë, rezervat e të cilëve arrijnë në disa qindra milionë metër kub. Investimet gjatë vitit të kaluar në këtë sektor tejkaluan me rreth 10 milionë dollarë pritshmëritë e qeverisë.

Megjithatë, prodhimi dhe të ardhurat nga sektori minerar deri në muajin Maj janë më të ulëta nga parashikimet e Ministrisë së Ekonomisë dhe AKBN-së. Nuk është tejkaluar kufiri prej 5% rritje për shkak se, pjesa më e madhe e volumit të mineraleve përbëhet nga ato që përdoren në industrinë e ndërtimit. Ky sektor, prej gati pesë vitesh po shënon rënie në vend, kryesisht për mungesë investimesh në infrastrukturë dhe nga bllokimi i nxjerrjes së lejeve të ndërtimit në qytetet kryesore të vendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency