Fullani bashkon Shqipërinë me bllokun monetar të Kinës komuniste

0
156

Ervin Kaduku

 –   ­Guvernatori nënshkruan marrëveshje me Bankën Qendrore të Kinës komuniste, duke pranuar të hyjë në sistemin e veçantë monetar të Pekinit

–   Nuk dihet pse guvernatori ka “vrapuar” të pranojë hyrjen në “klubin monetar” të sistemit ekonomik të stilit “NEP-leninist” të ekonomisë kineze, ndërkohë që Shqipëria tashmë ka hyrë në klubet e botës së lirë: të Brukselit e Uashingtonit

 

banka-e-shqiperiseShqipëria dhe Republika Popullore e Kinës do të kryejnë për tre vjet transaksionin SWAP, që ofron një kanal, mes të cilit, bankat qendrore do të kenë akses në monedhat vendase, me qëllim, nxitjen e tregtisë dypalëshe dhe investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, njoftoi zyra e shtypit pranë Bankës së Shqipërisë.

Sipas saj, Guvernatori i BSH, Ardian Fullani dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, Zhou Xiaochuan, nënshkruan dje në Jerevan (Armeni) marrëveshjen dypalëshe SWAP për monedhat vendase në shumën maksimale 2 miliardë Yuan ose 35.8 miliardë Lek.

Sipas Wall Street Journal marrëveshjet e shkëmbimit të nënshkruara nga Kina janë pjesë e planit për ta bërë monedhën juan të konvertueshme nw tregun ndërkombëtar, hapi i parë drejt përdorimit të kësaj monedhe si konkurrente e dollarit, euros e monedhave të tjera ndërkombëtare. Por, nuk dihet ende pse guvernatori shqiptar ka “vrapuar” të pranojë hyrjen në “klubin monetar” të sistemit ekonomik të stilit “NEP-leninist” të ekonomisë kineze, ndërkohë që Shqipëria tashmë ka hyrë ne klubet e botës së lirë: atë të Brukselit dhe atë të Uashingtonit.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë mbledhjes XXX të “Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Vendeve të Ballkanit”, që po zhvillon punimet në Yerevan, Armeni.
Transaksioni SWAP ofron një kanal, mes të cilit bankat qendrore mund të kenë akses në monedhën vendase të palës tjetër. Kjo marrëveshje synon nxitjen e tregtisë dypalëshe dhe të investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e stabilitetit financiar të dy vendeve në terma të monedhave përkatëse dhe nëse tregu mund ta kërkojnë një likuiditet të tillë.
Ky transaksion është i vlefshëm për një kohëzgjatje fillestare 3-vjeçare, por afati mund të shtyhet me pëlqimin e të dy palëve.

 

Kartëmonedhat

Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se nga dita e djeshme janë hidhur në qarkullim kartëmonedhat shqiptare me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2012.

Rishtypja e kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë është miratuar me vendimin nr. 25, datë 25.4.2012 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kartëmonedha e re, me vlerë nominale 2000 lekë, emetim i vitit 2012, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 2000 lekë, emetim i vitit 2007, hedhur në qarkullim më 29.12.2008. Ndryshimet në emetimin e fundit qëndrojnë në trashësinë e fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm në 3 mm, në vitin e emetimit në trupin e kartëmonedhës, që do të jetë “2012”, dhe në firmën e drejtorit të Departamentit të Emisionit.

Kartëmonedha e re, me vlerë nominale 200 lekë, emetim i vitit 2012, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 200 lekë, emetim i vitit 1996, hedhur në qarkullim më 14.7.1997, dhe rishtypjeve të saj në vitin 2001, hedhur në qarkullim më 8.4.2002 dhe në vitin 2007, hedhur në qarkullim më 20.7.2009. Ndryshimet në emetimin e fundit qëndrojnë në trashësinë e fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm në 2 mm, në vitin e emetimit në trupin e kartëmonedhës, që do të jetë “2012”, dhe në firmën e drejtorit të Departamentit të Emisionit.

Duke filluar nga data 12 shtator 2013, kartëmonedhat me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2012, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të këtyre prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

 

 

 

Ulen me gjashtë për qind përdoruesit e telefonisë celulare

Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë së lëvizshme zbriti në 3.3 milionë në fund të gjashtëmujorit të parë 2013, në krahasim me 3.5 milionë përdorues aktivë që kishte në fund të vitit 2012.

Këto janë të dhënat paraprake që bëhen të ditura nga Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike (AKEP), ndërkohë që raporti i plotë i gjashtë mujorit të parë pritet që të publikohet javën e ardhshme.

Sipas ekspertëve të AKEP, arsyeja kryesore e rënies së numrit të përdoruesve është portabiliteti i numrit, i cili ka bërë që përdoruesit të mos mbajnë më nga shumë numra, por t’i reduktojnë ato.

Të ndara sipas kompanive, Vodafone zotëron rreth 47% të tregut, i ndjekur nga AMC me 36%, Eagle me 10% dhe Plus me 7%.

Ndërkohë, të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë 2013 bënë të ditur se shifra e afarizimit në vlerë në tregun e telekomunikacioneve është rritur me 0.5% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes në raport me dy tremujorët e mëparshëm, kur u panë norma dyshifrore zgjerimi. Pas një rënieje të vazhdueshme që nga 2010-a, tregu përmirësoi ritmet e rritjes në 2012-ën, por që erdhi në pjesën më të madhe si rrjedhojë e ndryshimit të çmimit të “terminimit” të thirrjeve ndërkombëtare, i cili mbahet në nivele rreth 20 cent për minutë nga rreth 6 cent për minutë që ishte përpara liberalizimit (mars 2012). Tashmë ai duket se po i rikthehet ritmeve normale të rritjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency