Forumi Ekonomik i Vjenës/ Shkrihen akujt në Ballkan, 6 kryeministra thirrje BE-së: Na jepni para për projektet!

0
162

Gëzim Saliu

mustafa vucicRama: Evropa, nëse brenda saj ka lodhje zgjerimi, duhet të përballojë nga ana tjetër rrezikun e lodhjes nga durimi. Vuçiç: Bashkë t’i kërkojmë ndihmë BE-së. Mustafa: Konfliktet do t’i shndërrojmë në bashkëpunim

Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor ishin dje në një mëndje, si rrallëherë ndodh, sa i përket të ardhmes së vendeve që drejtojnë në Bashkimin Evropian. Të mbledhur në Tiranë në “Forumin Ekonomik të Vjenës”, 6 kryeministra të Ballkanit në një zë i kërkuan BE-së të hapë dyert për Ballkanin dhe të ndihmojë me fonde në realizimin e projekteve të përbashkëta. Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, ai serb Aleksandar Vuçiç, ai i Kosovës Isa Mustafa, Nikolla Gruevski i Maqedonisë, Millo Gjukanovciç i Malit të Zi dhe Denis Zvizdiç i Bosnje-Hercegovinës theksuan se marrëdhënia e fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore do ta përshpejtojnë integrimin. Por ajo që ra në sy në takimin e djeshëm ishte shtrëngimi i duarve mes Kryeministrit serb dhe atij kosovar në nisje të punimeve të forumit, duke dhënë kështu një shenjë të vijimit të bisedimeve dhe përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Beogradit dhe Prishtinës. “Është mirë të shtrëngojmë duart, është gjithmonë e mirë të përmirësojmë marrëdhëniet me njëri tjetrin”, – tha Vuçiç lidhur me këtë akt. Në të njëjtën linjë me të, kreu i qeverisë kosovare tha: “Mosmarrëveshjet dhe konfliktet do t’i shndërrojmë në urat e bashkëpunimit që të gjithë së bashku të jemi në familjen e BE-së. Ky është synimi ynë”.

 

Mesazhet e kryeministrave

Në hapje të punimeve të forumit, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, si kryesues i vendit mikpritës të takimit, tha se të gjithë ishin bashkuar në kuadër të ëndrrës evropiane. “Jemi këtu jo vetëm se jemi engjëj dhe paraardhësit tanë kanë qenë djaj, por për faktin se të gjithë njerëzit në rajon lidhen me një ëndërr të përbashkët që është Evropa dhe me një perspektivë të përbashkët që është Evropa dhe duam që Evropa ta kuptojë se nëse brenda bashkimit ka një lodhje nga zgjerimi që duhet përballuar këtu në Evropën Juglindore, na duhet të përballojmë rrezikun e një lodhjeje nga durimi”, – tha ai. Nga ana e tij, Kryeministri serb tha se vendet e Ballkanit kanë nevojë për BE-në për të bërë të mundur realizimin e projekteve të përbashkëta. “Jemi vonë për sa i përket mbështetjes ekonomike që do të na japë BE. Ne kemi nevojë për para për të bërë realitet projektet tona dhe ne duam ta dimë, nëse do na ndihmoni apo jo. Nëse jo, ne do t’i gjejmë paratë nga fondet tona, por këtë duhet ta dimë”, – tha ai. Duke plotësuar më tej homologun serb, kreu i qeverisë shqiptare tha se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duan para, por financim të projekteve. “Nuk po themi që Evropa duhet të na japë para, ajo që po themi është që Evropa duhet të financojë këtë proces për ta bërë paqen, një paqe që ia vlen të jetohet. Në të kundërt situata do të jetë e tmerrshme jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën”. Ndërkohë, Kryeministri kosovar tha se është e rëndësishme që palët të punojnë bashkë për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin. “Për ne është me rëndësi që të punojmë bashkë për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin përmes bashkëpunimit ekonomik dhe luftës për të krijuar kushte që njerëzimi ta ketë më mirë në të gjithë këto vendet tona. Jemi në një fazë ku mosmarrëveshjet dhe konfliktet do t’i shndërrojmë në urat e bashkëpunimit”. Ndërkohë, kreu i qeverisë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se vendi i tij ndihet i shqetësuar për Maqedoninë. “Na është dashur shumë kohë që të merret një hap dhe falë kurajos e vizionit të kryeministrave procesi i dialogut ka nisur dhe është në rrugën e tij të mbarë. Ka nevojë për përpjekje të tjera për t’i ardhur në ndihmë Maqedonisë për të kapërcyer paralizën që ndodhet në kuadër të procesit të integrimit evropian, por edhe pas ngjarjeve në Kumanovë”.

 

Qëndrimet e kryeministrave në Forum 

  1. Edi Rama: “Nuk po themi që Evropa duhet të na japë para, ajo që po themi është që Evropa duhet të financojë këtë proces për ta bërë paqen, një paqe qe ja vlen te jetohet. Financimi i këtij procesi dhe projekteve që do ta transformojnë atë në një proces të ndërtimit të rajonit evropianë është të financosh të ardhmen e Evropës. Sot Evropa ka aq nevojë për Ballkanin sa ky i fundit ka nevojë nga Evropën dhe kjo është e qartë. Kemi nevojë për ta shndërruar procesin e Berlinit në proces jetësimi. Së bashku të kontribuojmë dhe kështu te kenë rezultate”.

 

  1. Aleksandër Vuçiç: “Më në fund ramë dakord për dy çështje të rëndësishme që është rruga evropiane dhe statusi i anëtarësimit të plotë në BE. Sigurisht që nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Mund t’ju them sinqerisht që në vendin tonë ka rënë popullariteti për integrimin në BE, pikërisht nga kjo lodhje, jemi lodhur duke pritur. Duhet të jemi bashkë dhe të kërkojmë ato që na duhen. Nëse nuk mund të ndërmarrim mbështetje të përpiqemi të bëjmë maksimumin vetë”.

 

  1. Isa Mustafa: “Ne po bëjmë përpjekje që shumë çështje që i kemi të hapura me fqinjët tanë, sidomos me Serbinë, t’i zgjidhim me dialog në interes të stabilitetit dhe paqes në këtë pjesë të Evropës dhe do të vazhdojmë edhe më tutje të ndërtojmë baza të tilla të bashkëpunimit. Për ne është me rëndësi që të punojmë bashkë për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin përmes bashkëpunimit ekonomik dhe luftës për të krijuar kushte që njerëzimi ta ketë më mirë”.

 

  1. Milo Gjukanoviç: “Jemi të shqetësuar për ngjarjet në Maqedoni. Ka nevojë për përpjekje të tjera për ti ardhur në ndihmë Maqedonisë për të kapërcyer paralizën që ndodhet në kuadër të procesit të integrimit evropian, por dhe pas ngjarjeve në Kumanovë. Është e qartë se asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund ta zgjidhë e vetme. Edhe Kroacia ka ngecur në ndërtimin e korridorit të Adriatikut. Burimi i mungesës së stabilitetit ka të bëjë se ne nuk njihemi mirë”.

 

  1. Nikolla Gruevski: “Me bashkëpunim të mirë, projekte të përbashkëta ekonomike mund të ecim përpara dhe të ndihmojmë njëri tjetrin. Maqedonia jo vetëm do kishte qenë anëtar i NATO-s dhe do kishte nisur negociatat e anëtarësimit në BE, por ato që ndodhën (ngjarjet në Kumanovë) do të kishin pasur një rrjedhë tjetër. Megjithatë, ne po punojmë me reformat që të ecim përpara dhe është pozitive që vendet e rajonit po bëjnë të njëjtën gjë”.

 

  1. Denis Zvizdiç: “Këto takime po kalojnë ata stereotipa që kemi prodhuar prej vitesh që tregonin se nuk ishim as në gjendje apo të gatshëm në këtë rajon për të bashkëpunuar. Këto takime dëshmojnë krejt të kundërtën. Ky është një takim i radhës që tregon vullnetin tonë për të zhvilluar jo vetëm infrastrukturën por dhe bashkimin tonë politik dhe ekonomik”.

 

 

Deklarata e Ramës për NATO-n/ Gruevski: Liderët e vendeve të Ballkanit të jenë të kujdesshëm me mesazhet që japin

Një ndër pjesëmarrësit e “Forumit Ekonomik të Vjenës” ishte edhe Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili u bë pjesë e takimit në një moment delikat për raportet mes Tiranës e Shkupit pas ngjarjeve në Kumanovë. Lidhur me këto të fundit, Kryeministri Edi Rama u kujtoi autoriteteve maqedonase mbështetjen që duhet te kenë edhe nga Shqipëria për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Duke iu përgjigjur indirekt kësaj deklarate të kreut të qeverisë shqiptare, Gruevski tha dje në takim se liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të kujdesshëm në mesazhet që japin. “Bashkëpunimi rajonal mbledh të gjithë udhëheqësit e vendeve të Evropës Juglindore dhe duhet të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në deklaratat në mesazhet që dërgojnë sepse pjesa më e madhe e qytetarëve tanë i ndjekin këto mesazhe dhe çdo mesazh i thënë në mënyrë jo të përshtatshme në mënyrën jo të duhur mund të krijojë një ndjesi negative tek qytetarët dhe nuk do të ishte e mirë dhe do ishte e vështirë më pas të zgjidhnim këtë ndjesi”, – theksoi ai.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here