Flet Mhill Fufi/ “S’jam informuar për skenar ndaj meje, përfshirja e njerëzve të Berishës, shpifje e ulët”

0
126

mhill fufi fotoFufi: Hedh poshtë trillimet nga deputetë të caktuar dhe nga Meta, sipas të cilëve më është ofruar mbrojtje fizike

 “Ngjarja është shumë e rëndë, do hetim objektiv dhe të painfluencuar nga klanet e pushtetit”

Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar një ditë më parë, deputeti demokrat i Lezhës, Mhill Fufi, foli dje për herë të parë për tentativën për vrasje. Reagimi i tij erdhi tri ditë pasi deputeti socialist, Tom Doshi, deklaroi se ndaj tij dhe deputetit demokrat ishte organizuar një tentativë vrasjeje me pagesë. I dyshuari për tentativën, Durim Bami, ndodhet në qelitë e paraburgimit, duke u marrë intensivisht në pyetje për të zbardhur ngjarjen. Deputeti demokrat deklaron se ai nuk është vënë në dijeni nga asnjë njeri dhe asnjë institucion se ndaj tij ishte planifikuar ngjarja e rëndë. Ai në reagimin e tij në formë të shkruar, u shpreh se nuk kishte dijeni për skenarë eliminimi fizik dhe mohon deklaratat e deputetëve dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, se i ishte ofruar mbrojtje fizike. Deputeti i Lezhës, Fufi, edhe pse u shpreh se nuk kishte asnjë informacion për eliminimin e tij fizik, me bindje shprehet se në këtë skenar nuk janë përfshirë njerëz të afërm (i përmendur është kunati i ish-kryeministrit Berisha, Agim Rama) në këtë ngjarje. Ai i cilësoi aludime të ulëta dhe shpifje pretendimet se në këtë skenar për eliminimin e dy deputetëve të dy palëve politike është përfshirë një i afërm i ish-kryeministrit Berisha. Në përfundim, deputeti deklaroi se është i nevojshëm një hetim “i thellë dhe i painfluencuar nga klanet e pushtetit”.

 

Reagimi i plotë

Pas disa ditësh heshtje, deputeti demokrat vendosi dje të fliste për deklaratën e fortë të deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste, Tom Doshi, për eliminimin fizik. Fufi nuk doli para kamerave, por nëpërmjet selisë blu, ai shpërndau reagimin e tij në formë të shkruar. “Edhe pse rezulton se Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe ministri i Brendshëm paskan pasur informacion prej 6 muajsh për një plan të eliminimit tim fizik, unë nuk jam thirrur dhe as nuk jam informuar nga asnjë organ apo institucion për këtë skenar”, – shkruante Fufi në reagimin e tij. “Në këto kushte, hedh poshtë trillimet e bëra nga deputetë të caktuar dhe nga Kryetari i Kuvendit, sipas të cilëve më është ofruar mbrojtje fizike”, – vijon ai ne reagimin e tij. “Është shpifje e ulët edhe aludimi sikur në këtë skenar qenkan përfshirë njerëz të afërt me ish-kryetarin e Partisë Demokratike”, – shkruan Fufi. Në këtë kontekst, Fufi i bëri thirrje drejtësisë të hetojë ngjarjen dhe në mënyrë të pavarur, pa u influencuar nga “klanet e pushtetit”. “I bëj thirrje drejtësisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para ligjit përgjegjësit. Ngjarja është shumë e rëndë dhe kërkon një hetim të thellë, objektiv dhe të painfluencuar nga klanet e pushtetit”, – mbyll reagimin deputeti demokrat, Mhill Fufi.

 

 Mocioni për shkarkimin e Metës/ Paloka: Votimi është i fshehtë, mund të ketë surpriza

 Demokratët zyrtarizuan ditën e djeshme mocionin për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta nga kryesimi i Parlamentit, institucioni më i lartë kushtetues i një shteti demokrat. Edhe pse me dyshime, demokratët shprehen se mund të ketë edhe surpriza në votimin për përmbushjen e kërkesës së tyre për shkarkimin e Metës nga kryesimi i Kuvendit. Arsyetimin e surprizave kreu i grupit parlamentar demokrat e bazon në faktin se votimi do të jetë i fshehtë. “Sigurisht që votimi i fshehtë ka dhe surpriza, aq më tepër në raste të tilla”, – u shpreh dje Paloka. Sa i përket ngjarjes ku është përfshirë emri i Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, nënkryetari i PD-së tha se janë të nevojshme veprime urgjente, me arsyetimin se ngjarje të tilla, ku akuzohen zyrtarë të lartë të shtetit për porosi vrasjeje, mund ta çojnë vendin në destabilitet. “Absolutisht ka nevojë për akte urgjente, nuk mund të hyjmë në procedura të stërgjata për një ngjarje që do të precipitojë për ditë e më shumë dhe që, le ta themi, rrezikon dhe stabilitetin e vendit, nuk është ngjarje e lehtë”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar, Paloka.

 

“Tom Doshi”/ Berisha, thirrje për protesta: Të çojmë para drejtësisë kriminelët në krye të mazhorancës

 Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh dje përmes rrjetit social “Facebook” se krerët e mazhorancës largohen nga pushteti vetëm nëpërmjet protestave. Thirrja u bë në kontekstin e çështjes “Doshi”, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit në porosi eliminimi fizik të deputetëve. “Ju bëj thirrje të ngrihemi dhe me protesta mbarë popullore të shpëtojmë vendin nga kthetrat e krimit në pushtet e të çojmë para drejtësisë dhe ligjit kriminelët në krye të mazhorancës së qelbësirave”, – shkroi Berisha. Ai tha se rruga e shpëtimit që kanë zgjedhur personat e përfshirë është manipulimi i dëshmisë. “Këshilli i vrasjeve ka zgjedhur si rrugë shpëtimi manipulimin e dëshmive dhe të famshmen “fajin e ka Saliu””, – tha Berisha. “Ilir Meta pranoi dje se është projektuar eliminimi i Doshit. Por ndonëse Doshi akuzon vetë Metën dhe doresi ka akuzuar në dëshminë e Doshit, por dhe tek Saimir Tahiri vet Metën, ky i fundit se bashku me Ramën mendojnë se do ta kalojnë me moton e tyre qesharake “fajin e ka Saliu”, duke faktuar edhe më shumë autorësinë e projektit kriminal të eliminimit të dy deputetëve të Parlamentit Shqiptar”, – u shpreh ish-kryeministri.

 

Shkëlzen Berisha: Pse Tahiri e la të lirë vrasësin me pagesë që u rrëfye në zyrën e tij?

Djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ngre disa pikëpyetje lidhur me ngjarjen që ka përfshirë skenën politike prej më shumë se një javë. Ai ngre pyetjen se pse i porosituri për eliminimin e dy deputetëve nuk u arrestua pas rrëfimit të ngjarjes në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai u shpreh se si është e mundur që qytetarët futen në burg se nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e energjisë dhe nuk merret asnjë masë për një person, i cili ka shkuar dhe vetë ka treguar se ishte porositur për të kryer dy vrasje. “Një “vrasës profesionist” shkon dhe rrëfehet në zyrën e ministrit të Brendshëm për vrasjen e një deputeti, para tij dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, por ministri dhe drejtori e lënë të lirë të largohet, sepse nuk ka pranuar të hedhë firmën. Përse nuk e kanë arrestuar ndërkohë që personi ka pranuar gojarisht para tyre që është përfshirë në një vrasje të mbetur në tentativë? Policia ka ndaluar dhe arrestuar njerëz për faturën e dritave, por ministri dhe drejtori i Policisë paskan organizuar “rendezvous” në dritën e qiririt, jo një, por disa herë me një vrasës të kontraktuar pa e ndaluar kurrë atë! Me çfarë baze ligjore e kanë lënë të lirë dje dhe e kanë arrestuar sot?”, – shkroi dje Shkëlzen Berisha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency