Faktoringu, si hyri në treg dhe çfarë vështirësish ndesh…

0
1142

Ervin Kaduku

 –  Sot tregu i faktoringut qarkullon rreth 10 milionë euro në vit. Por tregu potencial i faktoringut në Shqipëri mund të vlerësohet të jetë në shifrat rreth 200 milionë euro

 

Comparing CalculationsTregu i faktoringut ka ngadalësuar rritjen, teksa po pasqyron performancën e dobët të bizneseve, të cilat financohen nga ky shërbim. Në përpjekje për të tejkaluar krizën kompanitë kanë shtuar shërbimet dhe kanë zgjeruar financimet në sektorë të rinj. Problem për sektorin, mbetet ekonomia informale. Biznesi i faktoringut, që financon faturat e bizneseve kryesisht të vogla dhe të mesme, nuk ka mundur të qëndrojë jashtë efekteve të krizës ekonomike. Të dhënat e fundit nga operatorët kryesorë në këtë treg konfirmojnë se sektori ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes.

Tregu i faktoringut ka pasur rënie gjatë vitit 2013 dhe kjo ka ardhur për arsye se ecuria e faktoringut është e lidhur ngushtë me performancën e bizneseve, të cilat financohen nga ky shërbim. Kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë edhe portofolin kryesor të financimeve faktoring, kanë hasur vështirësi ekonomike për shkak edhe të krizës ekomomike/financiare, e cila preku shumë tregje të Ballkanit dhe Europës gjatë vitit të kaluar. Sidoqoftë, gjatë vitit 2013, kompanitë kryesore në treg forcuan bazën e tyre të teknikave dhe njohurive know-how si dhe potencialisht kapacitetet në metodat dhe praktikat e marketingut për të mundësuar zhvillim pozitiv në periudhën e ardhshme afatmesme.

Sektori

Futja e faktoringut në shumicën e vendeve të ngjashme me ne shpesh ka kërkuar shumë kohë dhe është ndeshur me një numër të konsiderueshëm sfidash. E njëjta gjë ndodh edhe me Shqipërinë. Kultura e biznesit si ndërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu dhe për disa kompani të mëdha është shpesh e lidhur me transaksione të kryera me para në dorë. Megjithatë, vendi ynë renditet sot ndër të fundit në rajon për sa i përket zhvillimit të këtij sektori. Kjo ka ardhur jo si pasojë e mosnjohjes së këtij shërbimi, por edhe për shkak të informalitetit të lartë, pasi kompanitë duhet të deklarojnë çdo faturë nëse do të kërkojnë të përdorin faktoringun.

Praktikat e deritanishme në administrimin e taksave kanë “shtrënguar” shumë kompani që të operojnë në mënyrë të tillë që të minimizojnë kontrollin nga zyrat e taksave në vend. Si rrjedhim, përdorimi i faturave dhe krijimi i llogarive të arkëtueshme ka qenë i kufizuar në mënyrë që të minimizohej aksesi i autoriteteve fiskale në informacione të tilla, nga ku mund të kuptohej deklarimi jo i saktë i taksave.

 

Tregu potencial, 200 milionë euro

 

Sot tregu i faktoringut qarkullon rreth 10 milionë euro në vit, sipas aktorëve të tregut. Por, ata llogarisin se bazuar në madhësinë e tregut të faktoringut në vende të ngjashme për nga madhësia me Shqipërinë, përqindjen që zë faktoringu në PBB dhe situatën aktuale të zhvillimit ekonomik në vend, tregu potencial i faktoringut në Shqipëri mund të vlerësohet të jetë në shifrat rreth 200 milionë euro.

Për faktoring në Shqipëri ka rritje të kërkesës për shkak të rritjes së vazhdueshme të sektorit privat që nga viti 1991 dhe rritjet natyrale pozitive të ekonomisë. Praktikat e huadhënies bankare në Shqipëri tradicionalisht janë fokusuar në nevojën për pasuri të paluajtshme si kolateral dhe përdorimi i formave të tjera të kolateralit ka qenë i kufizuar. Kjo praktikë, ndonëse jo e pazakontë në vendet në zhvillim, krijon një vakum likuiditeti për bizneset që kanë nevojë për kapital punues dhe që duan të përdorin format e tjera të kolateralit që nuk janë pasuri të paluajtshme. Kërkesa është rritur edhe më tej në kushtet kur bankat kanë forcuar ndjeshëm kriteret për kreditim ndaj bizneseve që janë forcuar ndjeshëm. Sipërmarrësit e kanë pasur dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë financime për aktivitetet e tyre, qoftë edhe për shpenzimet operative.

Është e vështirë të parashikohet niveli i kërkesës për produkte të reja si faktoringu edhe pas një analize të thellë të tregut sepse ka shumë variabla që ndikojnë. Një variabël i rëndësishëm është nevoja për të përcaktuar madhësinë e çmimit për shërbimet e faktoringut.

Biznesi

Faktoring, një nga shërbimet më të reja financiare jobankare në vend, nisi të operojë vetëm tre-pesë vite më parë. Deri në 2012-ën kanë operuar dy kompani, por numri i tyre është rritur edhe më shumë gjatë 2013-2014. Hyrja e operatorëve të rinj ndodh në një kohë kur tregu është rritur me shpejtësi si pasojë e shtimit të interesit dhe kërkesave nga bizneset. Interesi i sipërmarrjeve ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Shtyrja e afateve të pagesave, vështirësimi i kreditimit nga bankat kanë afruar edhe më shumë bizneset private drejt këtij shërbimi. Kur një kompani do të shesë një produkt dhe pritet të paguhet më vonë, mund të zgjedhë shumë mirë faktoringun, duke shmangur marrjen e një kredie në bankë për të mos krijuar një tjetër borxh. Ndryshe nga banka, faktoringu e mbështet funksionin te njohuritë dhe përvoja në natyrën e kontratës së shitjes dhe shikon flukset e shitjeve.

Në varësi të nevojave, një shoqëri faktoringu mund të ofrojë shërbimet: faktoring i brendshëm me garanci, pa garanci, faktoring për eksport-import, me sasi apo me agjent, arkëtim apo shlyerje faturash. Ky shërbim financiar mund të ofrohet nga bankat, por edhe nga institucione të tjera financiare dhe nënkupton blerjen e llogarive të arkëtueshme të një kompanie dhe administrimin e ndjekjen e tyre. Megjithatë, bankat vendase ende nuk janë përfshirë në këtë treg, por në kushtet kur kreditimi nuk po rritet, kreditë e këqija po ecim me ritme të larta, ofrimi i këtij shërbimi nuk duket i largët.

Përparësia e faktoringut është se shitësit i bëhet pagesa në kohë. Në rastin kur janë përcaktuar mirë kushtet e shitjes, produkti dhe kushtet e pagesës, të tria palët janë të fituara. Shitësi paguhet menjëherë, faktori merr pjesën e tij të fitimit, duke arkëtuar të ardhurat në një kohë më të vonë, të përcaktuar në kontratë.

Sot shërbimi faktoring po kërkohet gjithnjë e më shumë nga biznesi, që në 95% të rasteve nuk paguhet më cash. Periudhat e pagesave janë zgjatur në kohë, duke u luhatur nga 45-180 ditë dhe bizneset nga ana tjetër, kanë nevoja emergjente për para për të shlyer detyrimet mujore. Faktoringu financon pikërisht këtë periudhë. Në këtë aspekt, kriza po ndihmon në rritjen e shpejtë të sektorit të faktoring, por nga ana tjetër, ka rritur vigjilencën e kompanive që ofrojnë këtë shërbim.

Sfidat

Aktualisht, në tregun shqiptar ofrohen shërbimet e faktoringut pa garanci, çka nënkupton se në rastin më të keq, detyrimi bie mbi kompaninë shitëse e jo te kompania e faktoringut. Sfidë e rëndësishme gjatë vitit 2013 ishte ajo e futjes në fazën e rritjes dhe të zgjerimit nëpërmjet rritjes së burimeve me kapital dhe me linja kreditimi, si dhe krijimi i sinergjive në rajon me partnerë strategjikë sidomos ndërkombëtarë, të cilët do të krijojnë mundësi për operimin të shoqërive faktoring në sektorin e eksport-importit.

Klientët

SME-të janë vazhdimisht bizneset që synohen. Sektori industrial që përdor më shumë faktoringun edhe në botë është ai i tekstileve. Tekstilet përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të faktoringut edhe në tregjet e maturuara. Tekstilet dhe këpucët përbëjnë pjesën kryesore të eksportit shqiptar, duke zënë rreth dy të tretat e eksportit total të Shqipërisë. Vendet e rajonit përbënin më pak se 5% të eksporteve të Shqipërisë. Përmirësimi i situatës ekonomike në rajon, nëse është i qëndrueshëm, do të jetë pozitiv për të ardhmen e biznesit të eksportit dhe atij vendas. Bujqësia dhe shërbimet përbëjnë rreth dy të tretat e aktivitetit vendas. Megjithëse sektori i shërbimit është një nga sektorët ku faktoringu përdoret shumë në Evropë, sektori i prodhimit është targeti kryesor, meqenëse Shqipëria është një vend në zhvillim. Prodhuesit kanë mjete të prekshme, që të paktën në fillim, u japin kompanive të faktoringut mbështetje më të madhe në kolateral sesa ç’mund të ofronte një kompani shërbimi.

Një sektor që nuk është “prekur” është ndërtimi dhe aktivitetet që lidhen me ndërtimin, ku sistemi i kleringut po e gërryen atë, duke i mbajtur larg dhe kompanitë e faktoring. Gjithsesi dy sektorët më të financuar kanë qenë tregtia me pakicë dhe shërbimet, duke ndihmuar kryesisht prodhuesit të cilët furnizojnë kompanitë e retail-it në vend.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency