Euroja përballë rrezikut të shkatërrimit

0
146

euro ne dore–  Nëse Gjermania, Franca dhe Italia nuk janë në gjendje të gjejnë një mënyrë për të rigjallëruar ekonominë e Evropës, euroja mund të shkatërrohet

Vetëm disa muaj më parë, udhëheqësit e Eurozonës besuan se, meqë kaluan “stuhinë”, më në fund po stabilizoheshin. Nxitur nga premtimi i Mario Draghi-t, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, për të bërë “gjithçka që do të jetë e nevojshme” në mbështetje të monedhës, kontinentit iu rikthye besimi. Gjasat janë se rritja është kthyer, edhe pse me një ritëm të ngadaltë.

Vendet problematike periferike po rimëkëmbeshin, pas paketave të shpëtimit dhe masave të dhimbshme për të reduktuar deficitet buxhetore dhe për të përmirësuar aftësinë konkurruese. Papunësia, sidomos në mesin e të rinjve, ishte ende e lartë, por të paktën në shumicën e vendeve po shënonte rënie. Dhe diferencat e obligacioneve ishin ngushtuar ndjeshëm, teksa tregjet financiare u dhanë fund parashikimeve rreth shkatërrimit të euros.

Gjithçka ishte një iluzion, komenton “The Economist”. Gjatë javëve të fundit, vendet e Eurozonës kanë filluar të ‘fundosen’ edhe një herë. PBB-të e tyre kolektive ranë në staniacion në tremujorin e dytë. Italia ra përsëri në recesion të plotë, PBB-ja franceze ishte “e sheshtë” dhe madje edhe Gjermania e fuqishme u përball me një rënie të papritur të madhe në prodhim.

Tremujori i tretë shfaqet mjaft problematik, pjesërisht për shkak se Eurozona do të vuajë një tjetër tërheqje të shkaktuar nga sanksionet perëndimore në Rusi.

Ndërkohë, inflacioni ka rënë në një nivel të ulët, në rreth 0.4%, shumë më poshtë objektivit prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane, duke ushqyer frikën se zona si një e tërë mund të bjerë pre e një deflacioni të rrënjosur. Yield-et e obligacioneve gjermane po “vërtiten” nën 1%, një tjetër shenjë paralajmëruese e rënies së çmimeve. Eurozona qëndron (ose “vibron”) në kontrast të plotë me Amerikën dhe Britaninë, ekonomitë e të cilave po gëzojnë rritje të qëndrueshme.

Ajo që filloi më shumë se katër vjet më parë si një krizë bankare dhe e borxhit kombëtar është ‘dekompozuar’ në një krizë të rritjes që tanimë po rrethonte ekonomitë më të mëdha. Gjermania po shkon në prag të recesionit. Franca është zhytur në staniacion. PBB-ja e Italisë qëndron me vështirësi mbi nivelin e saj, kur filloi aplikimi i monedhës së përbashkët 15 vjet më parë. Derisa këto tre vende përbëjnë dy të tretat e PBB-së së Eurozonës, rritja në vende si Spanja dhe Holanda nuk mund të kompensojë ‘apatinë’ e tyre.

Shkaqet e sëmundjeve të reja të Evropës janë tre probleme shumë të njohura dhe të ndërlidhura. Së pari, ka një mungesë të udhëheqësve politikë me guximin dhe bindjen për të aplikuar reformat strukturore me qëllim përmirësimin e konkurrencës dhe, përfundimisht, rigjallërimin e rritjes: vendet e mëdha kanë humbur dy vitet e siguruar nga angazhimi i z. Draghi për të bërë “gjithçka që do të jetë e nevojshme”.

Së dyti, opinioni publik nuk është i bindur se ka një nevojë urgjente për ndryshime të thella dhe radikale.

Dhe së treti, pavarësisht nga përpjekjet e z. Draghi, korniza monetare dhe fiskale është shumë e rreptë, duke e mbytur rritjen – që i bën reformat strukturore më të vështira.

Zymtësia

Manifestimet e ndryshme të këtyre problemeve mund të vihen re në të gjithë Eurozonën. Por vendi që ‘mishëron’ në mënyrën më dramatike të tre vendet është Franca.

Së fundmi, Presidenti i saj aq i sulmuar socialist, François Hollande, u detyrua të riorganizojë qeverinë e tij për të shkarkuar Arnaud Montebourg i cili, pavarësisht se ishte ministri i Ekonomisë, ishte kritiku më këmbëngulës nga pala e tij e majtë. Z. Hollande, i cili mori postin në vitin 2012 duke premtuar një të ardhme pa “dhimbje”, vështirë të konsiderohet një reformator i Thatcherit. Por që kur emëroi Manuel Valls si Kryeministër në mars, ai të paktën ka përqafuar parimin e shkurtimeve të shpenzimeve publike, taksa më të ulëta dhe reforma strukturore.

Teorikisht një qeveri e re dhe më kohezive e reformimit mund të sjellë progres, por opinioni publik nuk është i përgatitur për këtë. Z. Hollande nuk është vetëm thellësisht aspak popullor; ndryshe nga Matteo Renzi i Italisë, i cili ka shtruar me guxim çështjen për reforma të vështira (që ende nuk janë shpalosur), Presidenti francez nuk ka arritur të bindë votuesit se ndryshimi i dhimbshëm, duke përfshirë reduktimin në madhësinë e shtetit, është i pashmangshëm.

Në vend të kësaj, z. Montebourg dhe shokët e tij ofrojnë idenë çorientuese se, vetëm në qoftë se Eurozona eliminon rregullat e saj dhe lejon deficite më të mëdha buxhetore dhe shpenzime mjaft bujare publike, nuk do të jenë më të nevojshme reformat e dhimbshme, sepse ekonomia do ta nxjerrë mrekullisht veten jashtë rrezikut me forcat e veta.

Argumenti i z. Montebourg është edhe më joshës, sepse ai ka të drejtë në lidhje me problemin e tretë të Evropës: masa të ashpra të tepruara, kryesisht të imponuara në kontinent nga Gjermania.

  1. Draghi ka pranuar në mënyrë implicite se politika fiskale dhe monetare në Eurozonë është shumë e ashpër në celebrimin ekonomik vjetor në Jackson Hole. Ai la të kuptohej se ishte në favor të lehtësimit sasior (QE), që është aplikuar si në Amerikë ashtu dhe në Britani, dhe ai bëri thirrje që politikat fiskale të bëjnë diçka më shumë për të inkurajuar rritjen, një mesazh që synon drejtpërsëdrejti Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Ajo është liderja që këmbëngul më fort që Eurozona t’u përmbahet rregullave të disiplinës fiskale, ashtu sikundër është edhe Bundesbanku gjerman, i cili është kundërshtar i fortë ndaj QE.

Pavarësisht “errësirës”, duhet të ketë një qëllim për ujdi këtu. Nëse z. Hollande dhe z. Renzi mund të tregojnë se ata janë të sinqertë në lidhje me reformat strukturore, zonja Merkel duhet të jetë e gatshme të tolerojë një qëndrim më të lehtë fiskal (duke përfshirë investime më të larta publike në Gjermani) dhe një politikë më të lirshme monetare.

Mbyllni sytë dhe mund të imagjinoni tre udhëheqësit që punojnë me Komisionin Evropian për të përfunduar tregun e vetëm dhe të ecin përpara drejt një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara. Mjerisht, në botën e vërtetë, zonja Merkel ka pak arsye për t’i besuar Francës apo Italisë: sa herë që është ‘zbehur’ presioni i jashtëm mbi to, ato menjëherë janë tërhequr nga premtimet e reformës. Dhe ajo sapo ka emëruar Jean-Claude Juncker, kandidatin që nuk bën asgjë, si president të Komisionit Evropian.

Pra, kjo do të jetë e vështirë. Por, pa një shtytje të re nga udhëheqësit e kontinentit, rritja nuk do të rigjallërohet dhe ka gjasa të shfaqet deflacioni. Japonia u përball me një dekadë rënie në vitet 1990, dhe ende po lufton me problemet e saj. Por, ndryshe nga Japonia, Evropa nuk është një vend i vetëm koheziv. Nëse bashkimi i monedhës nuk sjell asgjë, përveç staniacionit, papunësisë dhe deflacionit, atëherë disa njerëz në fund do të votojnë për t’u larguar nga euro. Falë premtimit të z. Draghi për të rritur kufirin e borxhit të qeverisë, rreziku i tregut që presionet financiare të shkaktojnë një ndarje është “zbehur”. Por gjatë gjithë kohës po rritet rreziku politik që një apo më shumë vende të vendosin për t’u larguar nga monedha e vetme. Kriza e euros nuk ka përfunduar; ajo thjesht po pret në horizont.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency