Euro 2016 / Kuqezinjtë mblidhen në Itali, stërvitje me dyer të hapura

0
135

 

Napoli vs Roma - Serie A Tim 2012/2013

Disa nga lojtarët kryesorë kanë mbërritur për të zhvilluar seancën e parë stërvitore me De Biasin, ndërkohë që pjesa tjetër pritet të vijë sot

 

 

Kuqezinjtë kanë filluar zyrtarisht përgatitet për ndeshjet e Euro 2016-ës. Grupit prej 11 futbollistësh që ishin të pranishëm të dielën pasdite, i janë bashkuar gjatë paradites së të hënës Balaj dhe Roshi, të cilët kanë udhëtuar për rreth 3 orë me makina nga Rijeka, duke mos e humbur seancën stërvitore të paradites. Shkodranit i është dashur të bëjë stërvitje të lehtë për të shkrydhur muskujt pas ndeshjes në të cilën shënoi dy gola, çka është pritur mjaft mirë nga trajneri De Biasi. Pas impenjimeve me klubet përkatëse ka mbërritur edhe grupi i lojtarëve që luajnë në Zvicër. Xhaka dhe Gashi nga Bazeli, Xhimshiti, Sadiku dhe Kukeli të Zyrihut. Bashkë me ta ka udhëtuar edhe Lenjani i Nantës. Nga Roma rreth orës 15:00 kanë mbërritur Berisha, Hysaj i Napolit, Lila dhe Kaçe nga Tirana, të cilët janë pritur përzemërsisht, me humor dhe batuta nga De Biasi. Nuk kishte si të mungonte Lorik Cana, i cili vetëm në orët e fundit ka zgjidhur të ardhmen e tij, pas një odiseje të gjatë verore, duke firmosur për francezët e Nantës, ku do të gjejë Lenjanin. Për sa i takon Elseid Hysajt, i cili ka pasur një kontraktim gjatë ndeshjes së Napolit me Sampdorian, diçka që e konfirmon vetë futbollisti, stafi mjekësor kuqezi do të verifikojë me shumë kujdes gjendjen e tij, për t’u paraprirë surprizave të pakëndshme. Gjithashtu, në hotelin ku është grumbulluar ekipi kombëtar në kodrinat e Trevizos, ka mbërritur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armando Duka.

 

Ajeti: Kundërshtarët të vështirë, por luajmë me zemër

 

Në pritje të një skuadre të re, Arlind Ajeti ishte ndër të parët që iu bashkua grumbullimit të kombëtares në kodrat e Trevizos në Itali. Mungesat e Mavrajt dhe Currit në qendër të mbrojtjes bëjnë që 21-vjeçari të jetë alternativë e parë për të luajtur përkrah kapitenit Cana më 4 shtator në Kopenhagen. Trajneri De Biasi dhe stafi teknik do të vijojnë ta vlerësojnë gjendjen fizike të lojtarit, që nga ana e tij shprehet gati. “Kur mbylla kontratën me Bazelin, gjatë pushimeve nisa të stërvitesha me një trajner personal. Besoj që më ka ndihmuar shumë. Më pas nisa të stërvitesha me skuadrën e Naser Alijit, Vaduzin, në Superligë. U përgatita atje për dy-tri javë dhe besoj se jam gati për ndeshjen e parë me Danimarkën”. Në fitoren historike 1-0 përballë Francës në “Elbasan Arena”, Arlind Ajeti ishte titullar, duke dhënë garanci në qendër të mbrojtjes. Pas tri ndeshjeve me fanellën kuqezi në miqësore, 21-vjeçari tani pret debutimin edhe në sfidat zyrtare. Ai vlerëson kundërshtarët e radhës të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2016-ës. “E dimë që Danimarka dhe Portugalia kanë kualitete shumë të mëdha dhe besoj se do të jenë ndeshje shumë të vështira. Ne nuk luajmë vetëm me këmbë, por edhe me zemër e me kokë dhe kjo na bën të fortë”. Gjatë merkatos së verës, Ajeti refuzoi ofertën e Luzernës në Superligën Zvicerane, pasi kërkonte një eksperiencë të re, në një tjetër kampionat evropian. Ofertat nuk kanë munguar nga Liga e Dytë spanjolle dhe Gjermania.

 

Box

Lorik Cana nënshkruan me Nantën

 

Lorik Cana kthehet në Ligue 1. Sipas mediave franceze, mbrojtësi kuqezi gjeti marrëveshjen për transferimin te Nanta. “Sports.fr” theksonte se 32-vjeçari mbylli gjithçka për sa i takon kalimit te skuadra e re dhe, sipas akordit, do të mbrojë ngjyrat verdhejeshile për dy sezonet e ardhshme. Gjatë mesditës së të hënës, kapiteni i kombëtares udhëtoi me urgjencë drejt Francës. Marrëveshja cilësohej praktikisht e mbyllur, ndërsa pengesa e fundit ishte Lacio. Edhe pse i prishën kontratën më 1 korrik, pasi Cana nuk ishte në planet e teknikut Pioli, klubi italian krijoi jo pak probleme, duke rrezikuar transferimin e futbollistit. Nxitimi i kuqeziut dhe klubit të Nantës për të mbyllur marrëveshjen erdhën prej kohës së pakët në dispozicion, përpara mbylljes së merkatos. Palët kanë përcaktuar gjithçka për sa i takon kontratës. Shqiptari vlerësohet si një goditje mjaft e rëndësishme në merkato, ku do të zëvendësojë mbrojtësin Papy Djilobodji, të transferuar te Çelsi në Angli. Lorik Cana kthehet në Ligue 1 Franceze pas 6 sezoneve. Një kampionat që e njeh mjaft mirë, prej aktivizimit me Paris Sent Zhermenin dhe Marsejën, përpara se të largohej drejt Sanderlendit në vitin 2009. Te Nanta kapiteni kuqezi do t’i bashkohet një tjetër lojtari të kombëtares, mesfushorit Ermir Lenjani.

 

Box

4 mijë shqiptarë rrezikojnë hyrjen në stadium

 

Rreth 4 mijë tifozë shqiptarë rrezikojnë të mos lejohen të hyjnë në stadiumin “Telia Parken” për sfidën kualifikuese ndërmjet Danimarkës dhe Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga media daneze, të cilat theksojnë se, sipas shifrave zyrtare, të paktën 6 mijë mbështetës të kombëtares kuqezi kanë siguruar bileta për ndeshjen e mbrëmjes së të premtes. Federata e Futbollit në Danimarkë njoftoi rreth një javë më parë se mbështetësit shqiptarë, të cilët nuk kanë bileta në sektorin e caktuar sipas rregullave të UEFA-s për 2150 tifozë, do të refuzohen në hyrjet e stadiumit. Shqiptarët rezidentë në Danimarkë, por edhe ata që nuk jetojnë në këtë vend, nuk do të lejohet të hyjnë në tribunat e tjera të impiantit. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të emrave me të cilët janë blerë biletat. “Nëpërmjet emrave jemi munduar të evidentojmë tifozët shqiptarë. Nëse ke një emër që tingëllon si shqiptar, do të refuzohet hyrja në ato pjesë të stadiumit ku janë tifozët e Danimarkës”. Ky ishte shpjegimi i Jakob Hoyerit nga zyra e shtypit në Federatën Daneze. Por, mediat e vendit nordik saktësonin se ky vendim i DFB-së rrezikon të jetë i kundërligjshëm. Sipas Institutit për të Drejtat e Njeriut në Danimarkë, politika e moslejimit të tifozëve kuqezinj mund të jetë në kufijtë e shkeljes së ligjit për diskriminimin. Alarmi është dhënë nga këshilltari ligjor Nanna Krusaa, sipas të cilit “gjithçka varet nga specifika e situatës”. Por, “në momentin kur përzgjedhja e tifozëve që do të hyjnë në stadium realizohet nëpërmjet emrave, atëherë problemi është serioz”. Këshilltari ligjor rikthen në vëmendje një rast të ngjashëm të vitit 2013, kur në ndeshjen ndërmjet FC Kopenhagenit dhe Gallatasarajit, anulimi i biletave për tifozët turq u cilësua i jashtëligjshëm. Sipas Krussa-s, konkluzioni i asaj çështje ishte se “të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa dallim etnie”, siç është rasti i seleksionimit të tifozëve bazuar te emrat. Nga ana e saj, Federata daneze e argumenton refuzimin e shqiptarëve me faktin se mund të shkaktohet konfuzion në stadium dhe ekziston rreziku i incidenteve. Kjo mbështetet edhe nga policia e Kopenhagenit, që është përgatitur për më të keqen. Forcat e rendit në kryeqytetin e Danimarkës, e kanë cilësuar ndeshjen me rrezikshmëri të lart dhe do të marrin masa të forta, ashtu siç ndodh në derbin ndërmjet FC Kopenhagen dhe Brondbi.

 

Box

Projektor te Kryeministria për të ndjekur sfidën

 

Kryeministri i vendit, Edi Rama, në mbështetje të kombëtares shqiptare. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri bëri të ditur se do të vendosë në dispozicion parkun te Kryeministria. Në status shkruhej: “Kuqezinjtë në fushën e parkut të Kryeministrisë mbrëmjen e 4 shtatorit me synimin për të hedhur një hap vendimtar drejt Francës 2016; një moment historik për kombëtaren që është me afër se kurrë në realizimin e një misioni gjithnjë të pamundur deri më sot. Dhe kjo me Danimarkën është sprova e parë e katër ndeshjeve vendimtare për ta kurorëzuar me sukses këtë moment të jashtëzakonshëm. Prandaj kush dëshiron t’ua japë mbështetjen e vet kuqezinjve nga fusha e blertë e parkut të Kryeministrisë është i mirëseardhur” #ForcaShqiperia.

 

 

 

Shkurte

 

Sampdoria bllokon transferimin e Ederit

 

Presidenti i Sampdorias, Massimo Ferrero, e konfirmoi se ka hedhur poshtë ofertën e Interit për Ederin. Sulmuesi italian ishte objektiv kryesor i zikaltërve, pasi ka qenë në formë të shkëlqyer sezonin e kaluar e duke vazhduar edhe këtë vit dhe deri më tani ka shënuar katër gola në dy ndeshjet e para këtë sezon. “Ne e kemi refuzuar një ofertë të Interit për Ederin”, – ka thënë Ferrero. Presidenti italian foli gjithashtu edhe për të ardhmen e Roberto Sorianos dhe interesimin e Milanit dhe Napolit. “Soriano kërkohet nga shumë klube, ne do të shohim nëse zemra e tij do e bëjë të largohet ose të qëndrojë. Zuniga? Shumë i fortë”, – ka thënë për fund presidenti i Sampdorias.

 

 

Adnan Januzaj transferohet te Dortmundi

 

Adnan Januzaj është bërë me skuadër të re dhe ajo do të jetë Borusia e Dortmundit. E përditshmja gjermane “Bild” e ka konfirmuar një gjë të tillë, ndërsa detajet do të mësohen më vonë. Mesfushori i talentuar kosovar ka bërë edhe fotot e tij të para si lojtar i Dortmundit, ku ka zgjedhur numrin 9. Vetë lojtari u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për transferimin e tij te Dortmundi. Futbollisti me prejardhje shqiptare ka kaluar në “Signal Iduna Park” në formë huazimi njëvjeçar. Ai te “United” nuk arriti të zë vend në formacionin bazë deri në fillim të këtij sezoni, por oferta e Dortmundit duket se joshi lojtarin dhe vet klubin e United-it. Edhe vet lojtari u shpreh i ngazëllyer dhe thotë se dëshiron të arrijë shumë me Dortmundin. “Dortmundi është klub shumë i madh, ka tifozë që janë të pabesueshëm. Unë dua të arrij shumë, të fitoj trofe me klubin”, – u shpreh Adnani i cili zgjodhi numrin 9 te klubi gjerman. Drejtori i Dortmundit, Michael Zorc, ka folur me nota të larta për anësorin belg, Adnan Januzajn. Anësori me prejardhje shqiptare kaloi te Dortmundi në ditën e fundit të afatit kalimtar dhe me plot befasi. Januzaj u duk i lumtur, por edhe më i lumtur u shpreh drejtori, i cili u shpreh se tashmë sulmi i BVB është kompletuar. “Adnani është një lojtar shumë i talentuar, shumë i mirë teknikisht, i cili definitivisht e kompleton fazën tonë të sulmit”, – u shpreh drejtori Zorc.

 

 

Shalke rrëmben Draxlerin

 

Shalke ka konfirmuar në faqen zyrtare se mesfushori sulmues, Julian Draxler, ka nënshkruar për Volfsburgun. Klubi i Volfsburgut në dy ditët e fundit shiti Kevin de Bruynen dhe Ivan Persicin. E tashmë këtë humbje e ka mbuluar me transferimin e Draxlerit, për një shumë prej 30 milionë eurosh. Dante ishte edhe përforcimi tjetër i skuadrës që pritet të jetë përsëri kompetitive ndaj Bajernit.

 

 

Xhemaili shkon te Xhenoa

 

Pas aventurës së shkurt te Gallatasaraji, Blerim Xhemaili rikthehet në Itali, por këtë herë te Xhenoa. Pas një sezoni të kaluar te Gallatasaraji në Superligën Turke, Blerim Xhemaili kthehet në Serinë A. Mesfushori 29-vjeçar në të kaluarën ka qenë pjesë e Torinos, Parmës dhe Napolit. Mesfushori shqiptar i përfaqësueses së Zvicrës nuk arriti të gjente vend te kampionët turq dhe kjo ishte arsyeja kryesore përse ai u largua.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here