Euro 2016/ Duka: Fitorja ndaj Armenisë, detyrë

0
152

Fitorja ndaj Armenisë, detyrëPresidenti i FSHF-së është shprehur se është një kundërshtar që duhet mundur, duke pasur parasysh faktin që luhet në “Elbasan Arena”

Ethet e pritjes rriten me ndeshjen e së dielës me Armeninë që qëndron në fokusin e të gjithëve. Gjithçka tjetër në aspektin sportiv kalon në plan të dytë për të gjithë dhe këtu nuk bën përjashtim as presidenti i FSHF, Armand Duka. Kështu edhe pse ndodhej në Gjirokastër për inaugurimin e një fushe të re sportive në qytetin jugor numri një i futbollit shqiptar vuri theksin te rëndësia madhore e sfidës që luhet këtë të diel në Elbasan Arena. “Ndeshja me Armeninë është ndeshja më e rëndësishme e këtij edicioni. Jo vetëm për faktin se i tillë është pozicioni në klasifikim por edhe për faktin se Armenia është një kundërshtar shumë i rrezikshëm, një kundërshtar i cili ka zhvilluar ndeshje të mira jo vetëm në këtë edicion por edhe në të kaluarën. Pra, është një kundërshtar për t’u respektuar, por gjithsesi për t’u mundur”. Thënë kështu, fitorja duket pothuajse një detyrim, Duka këtë herë është i drejtpërdrejtë, pasi diplomacia duhet kursyer, Shqipëria ka vetëm një rrugë drejt Francë 2016. “Kombëtarja jonë nuk ka alternativë tjetër. Duhet ta fitojë këtë ndeshje. Duhet të bëjë maksimumin. Se si bëhet ky maksimum dhe si arrihet te rezultati, të gjithë futbollistët janë profesionistë po ashtu dhe trajneri i tyre dhe gjithë stafi dhe duhet të na dhurojnë një trepikësh që pa dyshim na jep shpresë për Francë 2016”. Presidenti Duka inauguroi në Gjirokastër një fushë të re sportive që është ndërtuar falë bashkëpunimit të FSHF-së me Bashkinë e qytetit. Në ceremoninë e rastit nuk munguan edhe batutat në shkëmbimin e fanellave me kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Bime, që i dhuroi kreut të FSHF-së fanellën e Luftëtarit me numrin 2, duke marrë në shkëmbim nga Duka fanellën kuqezi me numrin 10. Presidenti i FSHF-së deklaroi se projekti për ndërtimin e kësaj fushe nuk është as i pari dhe as i fundit nga institucioni i futbollit shqiptar për të përmirësuar infrastrukturën sportive në vend, veçanërisht në funksion të brezit të ri. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime, vlerësoi si të shkëlqyer bashkëpunimin me FSHF-në, duke garantuar impenjimin për të krijuar të gjitha kushtet për aktivitetin sportiv në qytetin e tij duke shpallur dhe synimin për ngritjen e një akademie futbolli për të rinjtë. Ndërsa në kampin armen, trajneri Bernard Shaland mund të mbështetet te të gjithë futbollistët, pasi nuk ka probleme me dëmtimet. Kombëtarja armene do të mbërrijë në Tiranë këtë të premte me një fluturim “charter” dhe seancat stërvitore që ka në program deri në ditën e ndeshjes do t’i zhvillojë pikërisht në Shqipëri. Ndërkohë, nga vendgrumbullimi i përfaqësues armene foli për mediat mesfushori Gevorg Ghazarian, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Korfuzit në Superligën Greke, ndërsa më parë ka mbajtur veshur edhe fanellën e Olimpiakosit. Sipas Ghazarianit, situata në të cilën ndodhet Armenia në grupin I kualifikues nuk është e mirë dhe skuadra e drejtuar nga Shaland në ndeshjet e mbetura do të zbresë në fushë vetëm për fitore. Edhe pse e pranoi se Shqipëria është një skuadër shumë e fortë, mesfushori 26-vjeçar theksoi se në “Elbasan Arena”, armenët do të kërkojnë vetëm tri pikët. “Shqipëria është një kundërshtare e rrezikshme edhe për kombëtare më cilësore se ne, prandaj nuk do ta kemi aspak të thjeshtë përballë tyre. Megjithatë, në tri ndeshjet e para të grupit I kemi grumbulluar vetëm një pikë dhe nuk na lejohen më hapa falsë, nëse duam të synojmë kualifikimin në Kampionatin Evropian. Nuk kemi rrugë tjetër veçse të fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”. Në vijim, Ghazarian shtoi se Armenia fillimisht duhet të fokusohet vetëm te ndeshja me Shqipërinë. Në aspektin personal, ai theksoi se është në 100% të formës së tij dhe do të japë maksimumin në takimin e kësaj të diele. Për mediat armene foli edhe kapiteni i skuadrës si dhe futbollisti me më shumë përvojë në kombëtaren e drejtuar nga Shaland, portieri i Dinamos së Moskës, Roman Berezovski. Ashtu si Ghazarian edhe 40-vjeçari e cilësoi thelbësore për ecurinë e Armenisë sfidën ndaj përfaqësues kuqezi. “Rruga jonë për të mbërritur në Evropianin francez kalon nga Shqipëria”, – theksoi në përfundim Berezovski.

 

Borbalan arbitron Shqipëri-Armeni

David Fernandez Borbalan. Ky do të jetë ai që do të vendosë drejtësi në takimin Shqipëri-Armeni. Një përballje e nxehtë, të cilën UEFA ka vendosur t’ia besojë një ndër gjyqtarëve më të mirë spanjollë. Borbalan vlerësohet shumë në vendin e tij për aftësitë që disponon në drejtimin e një ndeshjeje. 41-vjeçari ka debutuar në La Ligën spanjolle më 12 shtator të vitit 2004 në një sfidë mes Levantes dhe Racing Santander, ndërkohë që në vitin 2011 iu besua Superkupa e Spanjës mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, e cila përfundoi me fitoren e katalanasve me rezultatin 3-1, ndërsa një vit më vonë Borbalan gjykoi finalen e Kupës së Mbretit mes Bilbaos dhe Barcelonës, me këtë të fundit sërish triumfuese. Në vitin 2010 mori edhe stemën e gjyqtarit ndërkombëtar, kurse takimi më i rëndësishëm i gjykuar së fundmi ka qenë finalja e vajtjes në Superkupën e Spanjës vitin e shkuar mes Atletikos së Madridit dhe Realit, kurse në La Liga këtë sezon ka vendosur drejtësi, ndër të tjera, edhe në përballjen mes Bilbaos dhe Barcelonës. Në Ligën e Kampioneve Gallatasaraji-Arsenal u gjykua pikërisht nga spanjolli. Pra, duke parë kurrikulumin e 41-vjeçarit nga Almeria, kuptohet qartë që UEFA i ka kushtuar një rëndësi të veçantë kësaj sfide, duke dërguar në Shqipëri një nga gjyqtarët më të mirë që aktualisht është pjesë e këtij institucioni. Paketa e arbitrave sigurisht është e gjitha spanjolle me anësor Kabanero Martinezin dhe Roberto del Palomarin, në linjën e portës do të vendosen Karlos Gomez dhe Pedro Montero, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Horge Kanelo Preto.

 

Serbia nuk mund ta ndalojë Kosovën në FIFA

Tashmë po vjen koha edhe e Kosovës për t’u pranuar ne FIFA. Në njëfarë mënyre e pohon presidenti i Federatës Serbe te Futbollit, Tomislav Karaxhiç, i cili pranon në njëfarë mënyre se pengimit të Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA po i vjen fundi. Sipas tij, tashmë Federatës së Futbollit të Serbisë iu ka zvogëluar dukshëm hapësira manovruese sa i përket Kosovës. Pas kthimit nga kongresi i UEFA-s në Vjenë, ai theksoi: “Situata është komplikuar, ngase federatat e tjera dhe Komiteti Olimpik janë pranuar. Askush me marrëveshjen e Brukselit nuk guxon të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, edhe pse Federata e Futbollit që dy vjet e gjysmë u ka rezistuar presioneve dhe në këtë na ka mbështetur edhe UEFA, kurse kemi pasur mirëkuptim edhe nga njeriu i parë i FIFA-s, Sep Blater. Këto presione vijnë kryesisht nga shtetet që e kanë pranuar Kosovën. Nuk e ka lehtë as Blateri, pasi janë vende të mëdha, aleatë të mëdhenj”, – ka shtuar Karaxhiç. Sipas Karaxhiçit të Serbisë, Federata e Futbollit e Kosovës po punon me të gjitha forcat për t’u pranuar, e për këtë dhe për disa çështje tjera ai ka biseduar me Blaterin. “Do të takohem sërish me Blaterin në mesin e muajit prill rreth Kosovës, por edhe për disa çështje tjera”, – u ka thënë Karaxhiç mediave serbe pas kthimit nga Kongresi i UEFA-s, edhe pse në heshtje po shikon humbjen e kontrollit dhe lobimit çdo ditë e më shumë për të penguar anëtarësimin e Federatës së Kosovës në FIFA e UEFA.

 

PSG, gati 100 milionë euro për Pogbanë

PSG është gati të bëjë marrëzira për të afruar Pol Pogbanë. Mediat italiane raportojnë se francezët janë gati t’u ofrojnë bardhezinjve kartonin e Edinson Kavanit, Marko Verratit dhe 20 milionë euro për të drejtat e mesfushorit juventin. Nëse llogaritet çmimi i dy lojtarëve të PSG në treg, ku Kavani kushton 50 milionë euro dhe Verrati 30, atëherë oferta e klubit kryeqytetas kap shifrën e 100 milionë eurove në tërësi. Sigurisht, dy futbollistët kanë pëlqimin e Alegrit, por ajo që e pengon në njëfarë mënyre nisjen e bisedimeve është paga e lartë e uruguajanit. Kavani aktualisht përfiton 10 milionë euro në sezon dhe nëse dëshiron të kalojë në Torino, duhet të pranojë një ulje deri në 40%, kështu që përsa i përket sulmit, “Zonja e Vjetër” duket më e fokusuar tek talenti i Palermos Diabala.

 

 Alonso: Aksidenti erdhi nga defekti në makinë

Fernando Alonso hedh dritë mbi aksidentin që ndezi spekulime të shumta, ku u përfol edhe për një arrest kardiak të pilotit. Spanjolli u shpreh në konferencën për shtyp, që i paraprin garës së dytë në Malajzi, se është e sigurt që ka qenë një problem i makinës dhe se ai e mban mend momentin e aksidentit. 33-vjeçari u përplas me muret mbrojtëse në pistën e Montmelosë në Barcelonë, teksa po kryente testime me njëvendëshen e tij, muajin e kaluar. “I mbaj mend të gjitha, nuk është e vërtetë që kur jam zgjuar në spital kam folur për ngjarje të vitit 95 apo në gjuhën italiane. Për shkak të medikamenteve kam humbur vetëdijen për rreth 4 orë, por, kjo sipas mjekëve, është normale pas injektimit të medikamenteve. Është e sigurt që ka pasur një defekt në makinën time, megjithëse duke analizuar të dhënat, akoma nuk po e gjejmë se çfarë ka ndodhur”. Më pas piloti nga Oviedo foli për garën e së dielës. “Më pëlqen pista e Malajzisë. Këtu kam fituar për herë të parë ‘pole position’-in në vitin 2003, ndërsa kam triumfuar me 3 skuderi të ndryshme. Makina ende nuk është aty ku e prisnim, por shpresoj të bëjmë mirë”. Fernando Alonso u rikthye këtë sezon tek McLaren, pasi përfaqësoi Ferrarin për 4 vite.

 

 Bufon: Me Konten, suksesi, i sigurt

Portieri italian, Xhanluixhgi Bufon, ka lavdëruar trajnerin e Italisë, Antonio Konte. Sipas numrit një të Juventusit dhe kombëtares italiane, Konte po i trajton të gjithë lojtarët si të barabartë dhe kjo është e suksesshme për Italinë. “Konte ka dashur të lërë menjëherë shenjë në skuadër si nga pikëpamja taktike ashtu për sa i përket impenjimit. Të gjithë lojtarët e kombëtares i trajton në të njëjtën mënyrë dhe kjo po i jep frytet. Konte të mëson të djersitësh dhe se si t’i kalosh vështirësitë psikologjike. Ndikimin e tij u pa qartë te Juventusi dhe unë besoj kështu do të jetë edhe në kombëtare. Të luash me ekipet e Lindjes është gjithmonë e vështirë, sepse këto skuadra japin 120% kur kanë përballë Italinë. Në takime të tilla futbollistët lindorë kërkojnë të bien në sy, që të transferohen në kampionate më të rëndësishme. Bullgaria do të jetë një pengesë serioze, por nëse zbresim në fushë me sjelljen e duhur, mund të mposhtim çdo kundërshtar”, – tha Bufon.

 

Siti synon Koken

Mançester Siti po përpiqet për transferimin e futbollistëve, të cilët do të forconin edhe më shumë skuadrën për sezonin tjetër. Siç kanë raportuar mediet në Angli, drejtuesit e Sitit janë të interesuar për mesfushorin e Atletiko Madridit, Koke. Mirëpo 23-vjeçari ka kontratë më skuadrën spanjolle deri në vitin 2019 dhe ende nuk ka dhënë shenja për dëshirën që të largohet nga ky klub. Kjo ka ndikuar që Mançester Siti ta fus në listë edhe mesfushorin tjetër në top-formë, Pol Pogba. Ky i fundit ka oferta edhe nga disa klube tjera përfshi Realin e Madridit dhe Barcelonën.

 

Kovaçiç mendon opsionin Liverpul

Pozicioni pothuajse i dështuar në kampionatin italian dhe në Evropë mund t’i kushtojë shumë Interit me ikjen e lojtarëve më të mirë. Njëri nga lojtarët më të mirë të zikaltërve viteve të fundit, Mateo Kovaçiç, është pranë lamtumirës nga klubi zikaltër për t’u transferuar në Angli. Sipas mediave britanike, bisedimet mes klubeve kanë avancuar dhe Interi është afër ta pranojë ofertën e Liverpulit për mesfushorin kroat. Gjiganti anglez ka ofruar 30 milionë euro për kroatin dhe kjo shumë si duket e ka kënaqur Interin që po mendon shitjen e talentit të saj. Në “Anfield”, Kovaçiç do t’i bashkohet bashkëkombësit të tij Dejan Lovren.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency