Ekspert apo…?

0
173

Nga Artan FUGAArtan Fuga

 Shoqëria jonë ka nevojë për ekspertë.

Sikurse çdo shoqëri që futet në rrugën e një farë demokratizimi sado të ngadaltë, sikurse edhe shoqëritë e konsoliduara demokratike. Demokracia ka nevojë për një operator aspak demokratik sikurse është eksperti.

Nuk duhet luajtur me ekspertin dhe rolin e tij në jetën shoqërore.

Por, zakonisht me të luajnë.

Eksperti është shpesh armiku i vendimeve të nxituara dhe false. Në shoqëritë diktatoriale zëri i ekspertit është inekzistent ose fare i dobët dhe kjo, për dy arsye.

Arsyeja e parë lidhet me faktin se diktatorit i duket se i di të gjitha gjërat. Sigurisht që është një iluzion i tij dhe i nëpunësve dhe i turmave që e brohorasin, por edhe njëfarë të drejte kanë këto, meqë e gjithë shoqëria plastelohet nga diktatori, në fund të fundit e di ai se çfarë dëshiron dhe çfarë e bën të mërzitur.

Arsyeja e dytë lidhet me faktin se diktatori nuk mund të pranojë zëra të pavarur nga ai në shoqëri, prandaj mjerë ekspertët nëse hapin gojën, jo më që të mundin të japin mendime. Deri në një farë mase ka pasur raste kur ekspertë apo inxhinierë edhe në diktaturë kanë mundur të bëjnë ndonjë studim, por thjesht në aspektin teknik dhe brenda një kuadri ideologjik të përcaktuar nga pushteti autoritar. Sigurisht se si duhej bërë një rrugë këtë e dinin inxhinierët, si duhej bërë një hidrocentral, si duhej ndërtuar një uzinë, ndërtuar një hekurudhë, por jo strategjitë e ndërtimit të politikave, si edhe jo për çështje të debatueshme kur sigurisht fjalën e fundit e kishte autoriteti politik shtypës.

Mirëpo problemi është se edhe në shoqëritë në demokratizim e sipër sikurse është kjo e vendit tonë, eksperti e ka vështirë që ta gjejë vendin e vet, sado që flitet për ekspertizë, për ekspertë etj. Ata mbesin në hije ose nuk pyeten fare.

Prej vitesh pres me padurim që për një ligj të dalin ekspertë të pavarur dhe që kanë rol në konceptimin e tij deri në atë pikë sa ata të bëhen publikë, t’u njihet emri, të debatojnë. Por, nuk është e mundur. Bëhen dhe janë bërë tryeza partish, për ekonominë, mjekinë, artin, ushqimin, por në ekranet televizive nuk sheh të marrin pjesë dhe të flasin veçse politikanë ose persona që dikur janë marrë me politikë, kanë dalë jashtë loje dhe tani marrin rolin e ekspertit, por gjithmonë pranë një partie politike. Në fakt nuk janë ekspertë, por janë militantë. Pritet që edhe analistët në media të jenë ekspertë të fushave të tyre, por ja që nuk është e thënë. Ata jo vetëm flasin për të gjitha gjërat, pra duke qenë ekspertë për gjithçka s’janë ekspertë për asgjë, por edhe mbajnë gjithmonë qëndrime politike të varura, në atë shkallë sa që sapo i sheh e di se çfarë ane do të mbajnë. Aq banale është bërë kjo saqë edhe në studio ulen në krahë të ndryshme, analistët dihet se çfarë qëndrimesh do të mbajnë, me cilët do të jenë aleatë apo kundërshtarë.

Si është e mundur që edhe në shoqëritë demokratike eksperti gjen kaq shumë vështirësi për t’u shprehur dhe për të bërë punën e tij?

Demokracia dhe ekspertiza ndonjëherë, veç anëve aleate, janë edhe koncepte kontradiktore. Demokracia, pra, demokracia elektorale, shpesh shkon andej nga duhet shkuar për të marrë vota. Por, t’i krehësh bishtin elektoratit dhe të ndërtosh politika racionale, pra me ekspertizë nuk është e njëjta gjë. Fatkeqësisht, nuk është e njëjta gjë. Humoret e elektoratit shpesh shkojnë kundër zgjidhjeve racionale dhe për të marrë vota vendimmarrësit nuk ngurrojnë ndonjëherë, ndonëse e dinë përfundimin e ekspertizës, të shkelin me këmbë diagnostikime të sakta, për t’ia lënë vendin voluntarizmit.

Ne shohim prej vitesh që sidomos në fushën e vendimmarrjes ekonomike nuk ka strategji afatgjata që të shohin përpara për disa dekada.

Nuk dinë? Jo, nuk është puna aty, puna është se partitë politike mendojnë deri në katër vite përpara, sepse aty mbyllet cikli elektoral, dhe jo më shumë. Kurse ekspertiza është afatgjatë.

Arsyeja tjetër te ne se përse ekspertiza është kaq e mbyllur në vetvete, kaq e trembur, kaq e tronditur dhe e zbehtë, kjo lidhet me politizimin e jetës sociale dhe praktikave administrative. Administrata mbushet me militantë dhe ata ekspertë të pakët që mbeten atje e kanë shumë të vështirë që të shprehen në mënyrë të pavarur meqë u kanoset largimi nga puna ose parja me sy jo të mirë nga shefat, që shpesh duan thjesht të sigurohen se mendimi i tyre gjen mbështetje edhe nga ata që quhen ekspertë, meqë kanë një imazh të tillë ose thjesht sepse kanë mbaruar studimet në një fushë, por vetëm ekspertë nuk janë.

Demokratizimi i politizuar e mbyt kështu zërin e ekspertizës, por nuk është demokracia e zhvilluar ajo që e mënjanon ekspertin nga roli i tij.

Shumë studiues sot kanë vendosur në dukje se mjaft kriza ekonomike dhe sociale, sikurse është edhe kriza e fundit financiare, kanë ardhur pikërisht sepse eksperti nuk kanë qenë dot në rolin e tij të diagnostikuesit të problemeve, të parashikimit të ngjarjeve, të dhënies të zgjidhjeve me kohë. Eksperti është konformuar në këto raste me mendimin e përgjithshëm, me opinionet e turmave, me vendimet e partive politike, me humoret e mediave, me interesat e ngushta të grupeve të interesit privat, dhe nuk ka folur, nuk ka qenë kritik ndaj fenomeneve negative. Shoqëria është ndodhur në këtë rast e papërgatitur dhe shpesh ka mbërritur pranë katastrofave. Ku ishte eksperti për ligjin për Tokën, ku ndodhej eksperti për format e urbanizimit, ku ishte eksperti për firmat piramidale, çfarë bëri eksperti për një sërë fushash ku pritej gjithashtu mendimi i tij?

Aq qesharake është bërë gjendja e ekspertizës te ne saqë kohët e fundit kam lexuar një raport ekspertize ku gjoja ekspertët, goxha profesorë, në fund kishin mbërritur në përfundimin se zgjidhja e problemit që kishin marrë përsipër të trajtonin kishte qënë të ktheheshim pas nja dyzet vjet në një model që të gjithë e dinim.

Kjo është ekspertiza? Të japë zgjidhje që të gjithë i dinë pa marrë mundimin të tregojnë me argumente se përse duhej kthyer në atë gjendej, pa analizuar edhe njëherë ato të meta me të cilat ishte shoqëruar ai model arkaik që na ofrohej si zgjidhje?

Sepse në këtë rast nuk bëhej fjalë për një model të panjohur me plot të papritura për të cilat duhet kohë me e thënë fjalën, por për një model që kishte pas ekzistuar.

Kam parasysh një raport ekspertize të ngarkuar për të bërë analizën dhe dhënë zgjidhje në një fushë prioritare të zhvillimit kulturor dhe shkencor të vendit.

Andej edhe nga lindën këto refleksione për statusin dhe rolin e ekspertit në shoqërinë tonë.

A mund të jetë një drejtues partie edhe drejtues i një grupi ekspertize për një çështje me natyrë të theksuar politike?

Sigurisht që jo. Ai është i pabesueshëm. Sepse një ekspert nuk mjafton të jetë thjesht një profesionist i fushës, por duhet të jetë edhe i besueshëm nga shoqëria? Si mund të besohet ai nga shoqëria kur dihet se hapur dhe me vullnetin e tij është në drejtim të një partie politike? Mund të jetë edhe një studiues i mirë. Nuk ka pikë rëndësie sepse identiteti i tij edhe si partiak e pengon që të dalë jashtë këndvështrimit të pikëpamjeve të tij ideologjike.

A mund të jetë drejtuesi i një institucioni edhe ekspert për të analizuar funksionimin e modelit të institucionit që ai drejton?

Sigurisht që jo. Patjetër që drejtuesit të një institucioni i duhet marrë mendimi për organizimin e institucionit që ai drejton. Por, nga ana tjetër është e tepërt ta quash edhe ekspert për diagnostikimin e punës së tij. Tjetër është një raport vetëvlerësimi dhe krejt tjetër një raport ekspertize. Meqë vendosen në analizë edhe rezultatet e punës që ai ka drejtuar, si mund të jetë ky drejtues objektiv edhe sikur të ketë aftësi profesionale krejt të veçanta.

Mbi të gjitha një komision ekspertësh nuk mund t’i ngjajë një komisioni ad hoc ose një gjykate të jashtëzakonshme.

Çfarë dua të them me këtë? Eksperti ka nevojë të jetë i pavarur, pra ta ketë ekspertizën si një veprimtari profesionale afatgjatë. Eksperti duhet të jetë i licencuar dhe jo kushdo që thërritet për t’u vetëquajtur i tillë. Duke qenë ekspert prej kohe, vetëm kështu ai do të ketë pavarësinë e duhur nga interesat e çështjes që është thirrur për të gjykuar dhe zgjidhur. Sepse përndryshe rrezikon që të thirren ekspertë njerëz të mbledhur rastësisht në një grup sipas faktit që njihen pikëpamjet e tyre rreth problemit.

Si është e mundur që në disa raporte ekspertize nuk ka “pro” dhe “kundra”, si ide, si tipologji vlerësimesh, si pozicione personale të ekspertëve të ndryshëm?

Si është e mundur që ata të jenë unanimisht dakord për çdo gjë. Si është e mundur që ata nuk veprojnë me hipoteza kontradiktore pune, si nuk paraqesin disa alternativa kontradiktore për të zgjedhur më pas, por edhe kur paraqesin, bën ferk se ato në thelb janë e njëjta gjë ose njëra prej tyre është kaq absurde saqë duket se është stisur thjesht për të hedhur hi syve opinionit publik se gjoja ekspertët kanë dhënë disa alternativa.

Eksperti ka nevojë të bëjë përqasje sasiore dhe cilësore mbështetur në një gamë të gjerë të dhënash. Shohim disa raporte ekspertize që kanë brenda tyre vetëm opinione subjektive, por jo baza faktologjike, baza të dhënash, përqasje sasiore, e kështu me radhë.

Duket se grupe ekspertësh, në kushtet kur mungojnë krejtësisht agjencitë profesionale të ekspertizës të pavarur, janë thjesht të thirrur për të veshur me emrat e tyre zgjidhje që tashmë janë dhënë nga politika apo partitë politike, apo pushteti.

Në këtë mënyrë ne kalojmë nga zgjidhje që nuk dihet sesa të sakta janë. Jemi përpara rriskut që të kemi edhe zgjidhje të gabuara ose me gabime pikërisht sepse eksperti është i zëvendësuar nga militanti, nga drejtuesi i institucionit, nga këshilltari politik, nga intelektuali servil që është gati të nënshkruajë çdo lloj letre që i vendosin përpara, nga konkurrenti.

Po, po, nga konkurrenti, sepse ka ndodhur që ekspertizën për një agjenci e ka bërë edhe një person që i takon një agjencie konkurrente me të. Konkurrenti që do të më hajë të gjallë, të jetë edhe aq objektiv saqë të dijë të analizojë saktësisht problemet e mia? Ose edhe më keq nga persona të interesuar lidhur me institucionin sepse janë nga ajo fushë.

A mundet që shitësi i byreqeve t’i bëjë ekspertizën shitësit të bukës së misrit kur dihet se sa më pak të shitet bukë misri aq më shumë do të shiten byreqe?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here