Eksodi i 99-ës/ Rama fjalim dedikues: Mirënjohje Sali Berishës e PD-së për çështjen e Kosovës

0
138

 Gëzim Saliu

 

 

rama dhe thaci, fotoRama: Kombi i bashkuar në Evropë. Thaçi: Lufta e UÇK-së, legjitime, askush s’mund ta njollosë

 Detajet, nga dokumentari i eksodit tek marshimi i 100 burrave në këmbë nga Kosova në Kukës

 Rama: S’është koha e teatrit nacionalist. Thaçi: Asnjë armik s’do të rrezikojë më shqiptarët

 

 

Në qytetin simbol të eksodit të vitit 1999, Shqipëria e Kosova janë bashkuar sërish dje në Kukës për të përkujtuar një ndër ngjarjet më tragjike të kombit, që lidhet me gjenocidin serb ndaj qytetarëve kosovarë. Në mënyrë simbolike, dje është ripërsëritur itinerari i rrugëtimit të 16 marsit të atij viti, ku rreth 100 të moshuar nga Kosova kanë udhëtuar në këmbë drejt Kukësit, ku janë pritur nga qeveritë përkatëse dhe kryeministrat Rama dhe Thaçi. Emocione e jo në pak raste edhe lot kanë sjellë në një kohë tjetër pas 15 vitesh dhimbjesh matanë kufirit dhe solidariteti të pashoq këtej kufirit të eksodit të vitit ‘99. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, që vendosën të mblidheshin sërish bashkë, pas takimit të Prizrenit, shprehën përmes përfaqësuesve të lartë të tyre mirënjohjen për pritjen dhe hapjen e dyerve nga ana e qytetarëve të Kukësit e mbarë vendit për bashkëkombësit e tyre. Në fjalën e tij në konferencën “Nga eksodi tek partneriteti strategjik”, Kryeministri Rama theksoi se kjo ditë bashkoi një herë e përgjithmonë Shqipërinë me Kosovën në udhëtimin e përbashkët me destinacion final integrimin evropian. “Dhe përgjegjësia e jashtëzakonshme jona, – imja, e Hashim Thaçit në radhë të parë, pastaj me siguri e të gjithë ministrave dhe ministreve, por pa diskutim edhe e të gjithë deputetëve e deputeteve, jo vetëm të shumicës, por edhe të opozitës, – është që të japim më të mirën që ëndrra që Adem Jasharin e çoi në atë flijim prej legjendash të bëhet realitet. Të bëhet realitet jo më duke marrë pushkën, sepse askush nuk ia kërkon askujt jetën sot, por duke bërë me jetën tonë diçka të vlefshme për jetën e kombit tonë dhe duke e bërë jetën tonë një kontribut të vyer për ndriçimin e mendjes dhe të rrugës së kombit tonë, sepse jemi një komb dhe ëndrra jonë është “të jemi një komb i bashkuar, në Evropën e bashkuar”, – tha Rama.

 

Konferenca

Në nisje të konferencës, ku merrnin pjesë dy kabinetet qeveritare, u transmetuan pamjet e eksodit të qytetarëve kosovarë në vitin ‘99, të cilat rikthyen në vëmendje edhe një herë ditët tragjike të luftës. Në fjalën e tij, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu një falënderim të madh për Shqipërinë, SHBA-në, NATO-n, BE-në e të gjithë miqtë që iu gjenden Kosovës në ato ditë të vështira. “Falënderojmë dhe kujtoj personalisht gjithë atë angazhim të madh të qytetarëve të Kukësit, Hasit, Bajram Currit, por në të njëjtën kohë më lejoni të falënderoj dhe përshëndes edhe njeriun që në atë kohë udhëhoqi qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Kryeministrin e prapavijës së luftës së Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë në atë kohë, zotin Pandeli Majko. Natyrisht pa prapavijën e shtetit shqiptar as ne nuk do të mund të qëndronim në ballë të luftës në Kosovë dhe të fitonim atë mbështetje të madhe ndërkombëtare. Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë, se populli ynë ka qenë në rrugën e duhur dhe të drejtë, se lufta jonë ishte e drejtë, e ndershme dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë”, – tha kryeministri Thaçi. Ndërkohë në adresën e tij në rrjetin social, kreu i qeverisë së Kosovës bëri të ditur edhe premtimin e përjetshëm sipas tij që kanë dhënë dy ekzekutivët e vendeve respektive. “Kurrë më dhe asnjë armik i popullit tonë nuk do të ketë mundësinë të rrezikojë qytetarët tonë. Ky është premtimi i përjetshëm i dy qeverive tona”, shkruante ai. Nga ana e tij, duke vënë theksin tek realiteti i ri në rajon, Rama tha se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka njohur një impuls tjetër. “Të bindur se siç e kemi deklaruar kjo kohë e re nuk është koha e teatrit nacionalist, as e skeceve propagandistike me abetaren e përbashkët në dorë sa herë hapet viti shkollor, por është koha e një pune intensive në të gjitha planet, punë që ka filluar dhe punë që po ndërtohet dhe po ndërton hap pas hapi urat e bashkimit të shqiptarëve të gjeneratës tjetër”, – deklaroi Kryeministri i Shqipërisë.

 

 

Deklarata/ Rama: Mirënjohje Sali Berishës e PD-së për çështjen e Kosovës

 Në aktivitetin e organizuar në Kukës, në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohje edhe për Partinë Demokratike e paraardhësin e tij, Sali Berisha. Duke bërë të ditur ndasitë mes tyre, Rama tha se shqiptarët janë të unifikuar kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës Në këtë kontekst, kreu i qeverisë vlerësoi Berishën e qeverisjen e PD-së për kontributin e dhënë për pavarësinë e Kosovës. “E di që po të ishte paraardhësi im këtu do të thoshte harrove Xhorxh W. Bush. Dhe unë, meqenëse jemi këtu në 15-vjetorin e eksodit, por gjithsesi jemi këtu me dy qeveri, me dy shtete, me një realitet tërësisht të transformuar, sigurisht që nuk do ta lë pa e shprehur dhe mirënjohjen, jo vetëm për Presidentin tjetër që ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrugën e pavarësimit të Kosovës, Presidentin Bush apo në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por, madje, unë këtu dua të shpreh mirënjohjen edhe për Sali Berishën, edhe për Partinë Demokratike në qeveri, si pjesë e përpjekjes së përbashkët shqiptare për pavarësimin e Kosovës dhe për të arritur në këtë ditë ku ne shqiptarët të kemi mundësinë t’i themi vetes, dakord, ne ndahemi thuajse për të gjitha. Ne mund të ndahemi për shumë gjëra, në qoftë se e kthejmë në çështje politike, ne mund të ndahemi edhe për sa është ora; a është drekë apo është darkë; është mars apo është prill; edhe çfarë viti është. Por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin “çështja e Kosovës”, por që sot, natyrshëm ka emrin “çështja e shqiptarëve”, – tha Rama. Sipas kreut të qeverisë, Kosova ka vlejtur si burim i një fryme që ka arritur t’i unifikojë shqiptarët e Shqipërisë, edhe atëherë kur janë dukur krejtësisht të paunifikueshëm. “Ka arritur t’i bëjë shqiptarët e Shqipërisë të vetëdijshëm, për faktin sesa më të fortë të jenë shqiptarët, kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi ynë dhe aq më fortë ne mund të mbështesim njëri-tjetrin, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e secilit, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në Preshevë, Mal të Zi dhe padyshim Maqedoni e kudo qoftë”. Në mesazhet e tij të falënderimet në këtë ditë, Rama nuk nguroi të përmendte ish-kryeministrin e asaj kohe të Shqipërisë, Pandeli Majko, për kontributin e dhënë në mbështetjen e qytetarëve kosovarë. “Shqipëria e asaj kohe, kur në krye të qeverisë ishte Pandeli Majko, tregoi se edhe 500 mijë njerëz mund të qëndronin në një vend të varfër dhe të vogël dhe nuk tronditën asnjë ekuilibër, siç tremben nga tronditjet e emigracionit vende shumë më të mëdha dhe shumë më të pasura, edhe ne mund të tregojmë se shumë më shpejt dhe shumë më bindshëm mund të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, pa tronditur asnjë ekuilibër, por, përkundrazi, duke provuar se sa ç’kemi ne nevojë për Evropën, ka nevojë Evropa për ne; Sa ç’ka nevojë Shqipëria për Evropën, sa ç’ka Kosova nevojë për Evropën, sa ç’kanë shqiptarët nevojë për Evropën, ka nevojë Evropa për shqiptarët brenda saj, në Bashkimin Evropian”.

 

 

Konferenca, mungon fjala e Majkos

 Në foltoren ceremoniale të përkujtimit të eksodit të vitit ‘99 kanë parakaluar pothuajse gjithë Ministrat deri edhe tek ish-prefektë e bashkiakë të periudhës së eksodit, të cilët kanë nënvizuar në fjalën e tyre mirënjohjen për mikpritjen e qytetarëve të këtij qyteti si edhe kanë shprehur aspiratat e një bashkëpunimin të ngushtë midis dy vendeve në të ardhmen. Por në këtë konferencë, mungoi fjala dhe njëkohësisht përjetimi i Kryeministrit simbol të luftës Pandeli Majko, që gjithsesi mori më shumë se askush mirënjohjen brohoritëse të sallës. Ndërkohë në fjalën e tij për mediat pas mbylljes së ceremonisë, Majko deklaroi se sot është koha t’i kthehet borxhi Kukësit. “Ka ardhur koha që të kthejmë borxhin e Kukësit. Kukësi ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Vështirë gjen njerëz që nuk kanë dhënë kontribut”, tha ai. Në këtë kontekst, Majko theksoi se për të personalisht, Shqipëria dhe Kosova janë një e vetme. “Viti ‘99 kujtohet si dramë e madhe. Kukësi mbetet simbol, këtu ishte stacioni i parë. Shqipëria bëri të vetën. Për mua Shqipëria dhe Kosova janë një e vetme”.

 

 

Zv.kryeministri i Kosovës/ Pacolli: Të hiqen doganat mes dy vendeve. Qeveria shqiptare të hapë aeroportin e Kukësit

 Zv.kryeministri i Kosovës, Bexhet Pacolli, propozoi dje heqjen e doganave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për të unifikuar tregjet mes dy vendeve. Ai kërkoi heqjen e barrierave doganore për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, pasi sipas tij, nuk mund të ketë kufij mes dy vendeve, së pari në bashkëpunimin ekonomik, pasi do të jetë ky që do të çojë më pas në bashkimin kombëtar të dy vendeve. “Perspektiva ekonomike ngrit vetëdijen tonë, përmirëson standardin tonë dhe përmes këtyre dy elementëve do të shkohet në bashkim të vërtetë kombëtar, i cili do të ndodhë”, – deklaroi Pacolli. Po ashtu zv.kryeministri kërkoi ndërmarrjen e nismave për heqjen e çmimeve të referencës. Ai informoi se qeveria e Kosovës ka miratuar dy zona të lira ekonomike, në Gjakovë dhe Prizren, që sipas tij, janë bërë me qëllimin e mirë për t’u shërbyer dy vendeve, jo vetëm Kosovës, por edhe pjesës veriore të Shqipërisë, që me krijimin e këtyre dy zonave do t’a kenë më të lehtë tregtinë me Kosovën për shkak të afërsisë fizike. Për këtë, Pacolli i kërkoi qeverisë shqiptare bërjen funksionale të aeroportit të Kukësit. Propozimi i Pacollit për heqjen e doganave u mbështet nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili tha se është e pakuptimtë të ketë kufij tregtarë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

 

 

Marrëveshjet / Themelohet Dhoma Kombëtare e Tregtisë. Memorandum i bashkëpunimit 5-vjeçar

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës është themeluar dje në Kukës, Dhoma Kombëtare e Tregtisë. Të pranishëm në këtë ceremoni përveç Kryeministrit Rama ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova Lindore. Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, Luan Bregasi, president i ‘Biznes Albania’ dhe themeluesit tjerë. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se ky akt mirëkuptimi për themelimin e Dhomës Kombëtare e Tregtare Kosovë-Shqipëri-Maqedoni-Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës do të fuqizojë edhe më shumë bizneset shqiptare në të gjitha trevat. Ndërkohë Bregasi pohoi se me ketë akt themelimi, qëllimi është rritja e bashkëpunimit të bizneseve shqiptare si fuqi e re konsumuese dhe prodhuese, të bashkojnë qëllimet e përbashkëta dhe kapitalin si një treg i fuqishëm i së ardhmes ballkanike. Institucionet nënshkrues të këtij këshilli themelues, do të kenë fillimisht 11 anëtarë që do të punojnë në komisione për t’i dhënë formë juridike statutit dhe qëllimit të kësaj iniciative të përbashkët për themelimin dhe jetësimin deri në Kuvendin e përgjithshëm për zgjedhjen e organeve udhëheqëse. Kuvendi duhet të mblidhet sapo të përgatitet statuti dhe detyrat e dala nga komisionet e përbashkëta brenda 90 ditësh nga dita e nënshkrimit. Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen nga katër anëtarë themelues. Maqedonia, Mali i Zi dhe Luginën e Preshevës do të përfaqësohen nga një përfaqësues në këshillin themelues të Dhomës Ekonomike Kombëtare. Po ashtu ditën e djeshme Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit 5 vjeçar në fushën e turizmit, planifikimit hapësinor, strehimit dhe ndërtimit dhe integrimin e zonave informale. Për Shqipërinë marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, ndërsa për Kosovën nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës Dardan Gashi. Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit mes dy Ministrive dhe qeverive, përmes shkëmbimit të përvojave në fushën e planifikimit hapësinor, strehimit dhe ndërtimit dhe integrimin e zonave informale. Po ashtu të dy Ministrat ranë dakord për një axhendë të përbashkët pune rreth projektit ndërkufitar të Alpeve.

 

 

Mediat kosovare / Thaçi vonohet 20 minuta, Rama e pret në Vërmicë mes borës e shiut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në pikën kufitare në Vërmicë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u nisur pastaj së bashku për në qytetin e Kukësit. Por sipas gazetës “Zëri”, Kryeministri Thaçi ka shkuar me vonesë në takim, duke lënë të presë për gati 20 minuta Kryeministrin Rama jashtë, ndërsa vazhdimisht binte shi i përzier me borë. Vonesa e shefit të qeverisë së Kosovës, siç duket, është arsyeja pse as Garda e Republikës së Shqipërisë, e cila sipas axhendës ishte paraparë të kryente nderimet në pikën kufitare të Morinit, nuk doli fare.

 

 

Ish-kryeministri / Berisha: Datë e ngadhënjimit të shqiptarëve mbi barbarizmin dhe spastrimin etnik

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka cilësuar 16 prillin si datën e ngadhënjimit të shqiptarëve mbi barbarizmin, spastrimin etnik dhe gjenocidin serb. Në një postim në rrjetin social “Facebook” lidhur me 15-vjetorin e eksodit të qytetarëve kosovarë, Berisha theksoi se shqiptarët nga veriu në jug hapën zemrat dhe vatrat e tyre për vëllezërit e ndarë prej 50 vitesh. “Shqiptarët sot nderojnë një ndër datat më të dhimbshme të historisë së tyre, por njëkohësisht dhe një datë të ngadhënjimit të tyre mbi barbaritë, spastrimin etnik dhe gjenocidin serb. 15 vjet më parë, ish-kasapi i Ballkanit ndërmori spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës. Drejt Shqipërisë u nisën rreth 1 milion shqiptarë. Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi i Kalit”, synonte të realizonte jo vetëm spastrimin etnik të Kosovës, pra ëndrrën e tij të vjetër, por edhe përhapjen jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë në Shqipëri të dramës së madhe njerëzore që kishte krijuar në Kosovë. Projekti i tij dështoi. Vetëm Kukësi, Hasi dhe Tropoja strehuan rreth çerek milion vëllezër kosovarë dhe po kështu mbarë Shqipëria”, shkruante ish-kreu i qeverisë shqiptare. Sipas Berishës, shqiptarët me mikpritjen dhe bujarinë e tyre bënë të dështojë projekti ogurzi i Beogradit për të krijuar një tragjedi tjetër njerëzore në Shqipëri. “Por kjo sagë vuajtje biblike e shqiptarëve të Kosovës pati dhe mrekullinë e saj: kthimin e tyre brenda një jave në vatrat e tyre pas kapitullimit të Millosheviçit si dëshmi e ngadhënjimit të tyre mbi barbaritë, vuajtjen, dhimbjen dhe gjenocidin”, – theksoi ai. Në këtë kontekst Berisha shprehu nderimin më të madh për kalvarin e të gjithë atyre që 15 vite më parë u detyruan të lënë me dhunë e terror shtëpitë e tyre: “Por që u kthyen në ditët më të para të mundshme në vatrat e tyre dhe i rindërtuan ato nga shkrumb i dhe hiri si dhe për mikpritësit e tyre bujarë e fisnikë në Shqipëri!”.

 

 

Ceremonia / Basha: S’kisha ftesë, u përsërit rasti i Vlorës. Kryeministria: I kemi dërguar të gjitha nominalisht

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje se nuk ka pasur asnjë ftesë për të qenë pjesë e festimeve që u organizuan në Kukës me rastin e ditës së përkujtimit të 15-vjetorit të eksodit të kosovarëve. “Nuk kam asnjë ftesë. Ndoshta mund ta kenë dërguar sot në mëngjes, megjithëse po spekuloj dhe për këtë, deri në këtë moment që më pyesni ju nuk kam pasur asnjë ftesë për këtë aktivitet. Natyrisht, po të kisha ftesë, do ta shqyrtoja në raport me çfarë isha ftuar dhe angazhimet e mia të tjera. Por është rasti i dytë që, me sa duket, ftesa bëhet sa për të larë gojën, siç ishte rasti i Vlorës”, – tha Basha në prononcimin për mediat pas përfundimit të takimit të tij me ambasadorët e BE-së në Tiranë. Ndaj deklaratave të kreut të opozitës, ka reaguar Departamenti i Komunikimit me Mediat dhe Qytetarët në Kryeministri, ku përmes një deklarate të shkurtër theksohet se opozita është ftuar në takimin e Kukësit. “Është për të ardhur keq që në një ditë përkujtimore kaq të rëndësishme, flitet për detaje protokollare të paqena. E vërteta është se opozita është ftuar në takimin e Kukësit, nominalisht, ashtu siç janë ftuar në aktivitete edhe të gjithë deputetët e Kuvendit, përfshirë deputetët e opozitës!”, – thuhej në deklaratë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency