EKSKLUZIVE/ FMN i kërkon qeverisë, si do të ndryshojë skema e taksimit mbi pagat

0
157

Ervin Kaduku

FMN 2 –  Më 15 shtator pritej kësti i tretë i kredisë, por u anulua

–  FMN pritet të godasë xhepat e boshatisur të shqiptarëve

–  Më parë u mësua për kërkesën e rritjes së akcizave, tani goditen edhe pagat

FMN kërkon nga qeveria shqiptare që të ndryshojë në rritje skema e taksimit mbi pagat. Kjo është masa e dytë, që mësohet deri tani, të ketë kërkuar misioni i Fondit Monetar nga Ministria e Financave, gjatë bisedimeve, të cilat u ndërprenë, si asnjëherë tjetër më parë, pa dalë me konkluzionet e përbashkëta lidhur me negociatat. Kërcënimi është mosdisbursimi i këstit të tretë prej 24 milionë eurosh nga ndërkombëtarët. Në fakt, kjo duhej të ishte menduar më parë nga qeveria shqiptare, e cila u ngut të hidhte me nxitin firmën e saj në marrëveshjen e përbashkët me FMN, por tani po provon “frytet e hidhura” të saj.

 

15 shtatori

Sipas marrëveshjes së rënë dakord midis Shqipërisë dhe FMN-së, data 15 shtator duhej të ishte ajo e disbursimit të transhit të tretë të huasë, në masën prej 23.55 milionë SDR, rreth 26 milionë euro. Dy të tjerat janë marrë tashmë nga qeveria shqiptare. Por FMN nuk ka bërë publik rishikimin e kritereve të performancës për periudhën tremujore deri në fund të qershorit, mbi bazën e të cilit Fondi merr vendimin nëse do të lëvrojë apo jo këstin e radhës, kështu që ky këst deklarohet tashmë zyrtarisht i shtyrë. Në fakt, lënia përgjysmë e negociatave shtyn automatikisht dhe disbursimin e transhit të tretë të kredisë, sepse disbursimi bëhet vetëm pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

Taksa mbi pagat

Kështu, qytetarët pritet të paguajnë më shumë taksa për pagat që marrin nga fillimi i vitit që vjen. Ministria e Financave, e këshilluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritet t’i propozojë Qeverisë dhe Kuvendit, ndryshime në mënyrën e këtij taksimi.

Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se bisedimet me FMN nuk kanë përfunduar ende dhe nuk është e qartë nëse do të ketë ndryshim skeme, apo rritje të nivelit të kësaj takse. Me ndryshimin e qeverisjes, një vit më parë u ndryshua dhe mënyra e përllogaritjes së kësaj takse. Kështu, tatimi mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, kaloi nga tatimi i sheshtë 10 për qind, në tatim progresiv. Ky ndryshim u bë në përputhje me logjikën e qeverisjes aktuale, që ata, të cilët marrin të ardhura më të larta nga puna e tyre, të paguajnë më tepër.

Aktualisht formula e tatimit progresiv mbi pagën konsiston tani në tri shkallë:

1—Të ardhurat nga pagat nga 0 deri në 30 mijë lekë në muaj, tatohen me zero përqind, pra mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale

2—Të ardhurat pagat nga 30 mijë lekë/muaji deri në 130 mijë lekë/muaji, tatohen me 13% të diferencës midis pagës me pragun 30 mijë lekë/muaji

3—Të ardhurat nga paga mbi 130 mijë lekë/muaji tatohen me 13,000 lekë plus 23% e diferencës së pagës me 130 mijë lekë.

Gjithsesi, në fund të 7-mujorit rezultatet e këtyre ndryshimeve nuk kanë qenë të kënaqshme dhe krahasuar me një vit më parë të ardhurat në buxhet janë rreth 800 milionë lekë më pak. Deri një vit më parë tatimi mbi të ardhurat personale ka qenë një nga taksat me të goditura nga evazioni fiskal në Shqipëri. Reforma fiskale e vitit 2007 ndryshoi në thelb strukturën e kësaj takse, duke zëvendësuar shkallët progresive të taksimit me një shkallë unike për të gjitha llojet e të ardhurave personale.

 

Akcizat

Një ditë më parë u mësua se akciza duhet të jetë taksa e parë që pritet të rritet, në rast se qeveria shqiptare do të pranojë sugjerimin e Fondit Monetar për ndryshim në rritje të disa taksave. Siç është bërë tashmë e ditur, ekspertët e FMN-së u larguan nga vendi ynë pa realizuar, për herë të parë, konferencën konkluduese për shtyp, për shkak se shumë çështje kanë mbetur të pambyllura. Ndër to përfshihet edhe rezultati zhgënjyes në grumbullimin e akcizës nga administrata fiskale (Dogana). Për periudhën 7-mujore, të ardhurat nga akciza rezultojnë të jenë me 4 miliardë lekë më pak se planifikimi, ndërkohë që si 8-mujor janë siguruar vetëm 51% e të ardhurave të planifikuara për gjithë vitin 2014, megjithëse kaluan 2/3 e vitit.

Në fillim të vitit ka hyrë në fuqi një rritje e akcizës, por më pas u vu re se nga muaji në muaj, rezultatet nuk ishin ato që priteshin. Nga 1 janari, akciza e pijeve alkoolike, birrës, cigareve dhe pijeve energjike (taksim i ri), pësoi një rritje të ndjeshme. Akciza e birrës vendëse pati një rritje prej në 360 lekë për gradë alkooli. Nga 1 janari u rrit me 19% akciza për birrën e importit dhe me rreth 35% ajo për birrën vendese dhe efekti i përllogaritur arrinte në 3.5 milionë USD kosto shtesë vetëm për këtë industri.

Ndërkohë, akciza për duhanet u rrit me 20 lekë për paketë cigaresh dhe do të vazhdojë të rritet me nga 10 lekë për tri vitet në vazhdim, që do të pasqyrohet direkt në çmimet në treg. Qeveria parashikoi të mbledhë rreth 33 milionë dollarë më shumë nga akciza e duhanit. Rritje kanë akcizat e të gjitha pijeve alkoolike, me një efekt deri në 30%. Gjithë efekti financiar që do të kishte paketa fiskale në buxhetin e shtetit për këtë vit u parashikua të jetë në rreth 20 miliardë lekë.

Kështu, në rast se kërkon të mos i shpëtojë nga dora mundësia e një kësti të tretë të huasë nga FMN, qeveria Rama duhet të miratojë një rritje të akcizës. Që mund të jetë vetëm një nga ndryshimet fiskale, që do të pasqyrohen në pakekëtn përkatëse për vitin e ardhshëm. Administrata doganore, që është e ngarkuar sipas ligjit me grumbullimin e akcizës, ka shënuar shifra jo vetëm më të ulta se plani për 2014-ën, por ato kanë qenë shumë pak më të larta se shifrat e vitit të kaluar.

 

Buxheti në hall

Shpenzimet si 8-mujor rezultojnë tashmë në rritje, nga 265.2 miliardë gjatë 2013-ës, në 267 miliardë më janar-gusht 2014. Por, në këto shpenzime nuk “shkëlqejnë” aspak investimet me fonde publike, të cilat janë 26.9 miliardë lekë sivjet, shumë larg nivelit prej 48.2 miliardësh një vit më parë. Kjo politikë është ndjekur gjatë gjithë vitit fiskal në vijim, në radhë të parë për të ulur sa më shpejt që të jetë e mundur deficitin buxhetore dhe borxhin total të vendit, por duke krijuar edhe problem në strukturën e shpërndarjes së fondeve në buxhet, pasi investimet sjellin më shumë vende pune dhe leverdi konkrete për ekonominë reale

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency