Ekskluzive / Financat: Draft i ri për TVSH-në, ja kush përjashtohet

0
350

Ervin Kaduku

 

tvsh-300x225Ministria e Financave në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kanë përgatitur projektligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”. Ky projekt-ligj është hartuar me financim të Bashkimit Europian dhe me asistencën e Administratës Tatimore Franceze. Ky mendohet se siguron përputhshmërinë e rregullave të aplikimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Shqipëri me vendet anëtare të BE-së, me qëllim mosshtrembërimin e kushteve të konkurrencës dhe mospengimin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe të shërbimeve, duke eleminuar sa më shumë faktorët që cënojnë këto kushte, jo vetëm në rrafshin kombëtar, por për t’i paraprirë edhe atij ndërkomunitar.

Projektligji ndryshon krejtësisht ligjin për TVSH-në aktualisht në fuqi. Duke qenë një dokument tepër voluminoz, më poshtë do të pasqyrohet vetëm pjesa që lidhet me përjashtimet nga pagesa e TVSH-së.

 

FURNIZIMET E PËRJASHTUARA

Neni 51

Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm

Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH, operacionet me interes te pergjithshem, si më poshtë:

a. Furnizimi i shërbimit postar dhe i mallrave aksesore në furnizimin e këtij shërbimi, që janë në përputhje me shërbimin universal postar të kryer nga shërbimi publik postar në Shqipëri, përveç transportit të personave dhe telekomunikacionet;

b. Furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetësore dhe operacioneve të lidhura ngushte me to, me karakter terapeutik si dhe të domosdoshme për arritjen e qëllimeve terapeutike të synuara nga hospitalizimi dhe kujdesi mjekësor ndaj shtetasve, të kryera nga institucionet shëndetësore publike ose private të njohura si të tilla nga Autoriteti kompetent shëndetësor, ku përfshihen: furnizimi i shërbimeve të kujdesit spitalor; kujdesit shëndetësor parësor, shërbimi i urgjencës mjekësore, ekzaminimet mjekësore terapeutike të siguruara nga ana e institucioneve spitalore, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe diagnostikimit; shërbimet e analizave mjekësore, kimike për diagnostikim, analizat mjekësore parandaluese në kuadër të kujdesit mjekësor.

c. Furnizimet e shërbimeve shëndetësore të ofruara për qëllime të kujdesit për shëndetin, në kuadër të ushtrimit të profesionit mjekësor ose paramjekësor të njohur si të tille dhe të licencuara nga autoriteti kompetent shëndetësor i Republikës së Shqipërisë.

d. Furnizimi i organeve, gjakut dhe të qumështit njerëzor.

e. Furnizimet e shërbimeve shëndetësore të kryera në kuadrin e profesionit të tyre nga stomatologët, mjek ose ndihmësmjek, përfshirë dhe furnizimet me proteza, si pjesë e furnizimit të shërbimit stomatologjik ndaj shtetasve, vetëm për qëllime të kujdesit shëndetësor si dhe furnizimin e protezave dentare nga laborantet dentar.

f. Furnizimi i shërbimeve të kryera nga grupime autonome të personave që ushtrojnë një veprimtari të përjashtuar nga TVSH ose për të cilën nuk kanë cilësinë e një personi të tatueshëm, me qëllimin për t’u dhënë anëtarëve të tyre shërbime drejtpërdrejt të nevojshme për ushtrimin e asaj veprimtarie, kur grupime të tilla u kërkojnë anëtarëve të tyre vetëm rimbursimin e shumës së saktë të pjesës së shpenzimeve të përbashkëta që u takon atyre, me kusht që ky përjashtim të mos sjellë shtrembërime të konkurrencës.

g. Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me ndihmën dhe asistencën sociale, përfshirë operacionet që kryejnë shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, të kryera nga institucione publike apo nga organizma pa qëllim fitimi me karakter social të njohura nga autoriteti kompetent në Shqipëri dhe me çmime të aprovuara nga ky autoritet ose kur këto çmime nuk janë të aprovuara, ato duhet të jene 50 % më të ulëta se çmimet e operacioneve të ngjashme të ofruara nga subjekte tregtare të tatueshme me TVSH.

h. Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve të kryera nga institucione publike apo nga organizma pa qellim fitimi, me karakter social të njohura nga autoriteti kompetent në Shqipëri dhe me çmime të aprovuara nga ky autoritet ose kur këto çmime nuk janë të aprovuara ato duhet të jene 50% me të ulëta se çmimet e shërbimeve të ngjashme të ofruara nga subjekte tregtare të tatueshme me TVSH.
i. Furnizimi i shërbimeve, te edukimit te femijve dhe te rinjve, të mësimdhënies shkollore apo universitare, formimit profesional dhe rikualifikimit, përfshire furnizimin e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to, nga institucionet arsimore publike dhe private të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shteteror në përputhje me legjislacionin perkates të fushës;

j. Furnizimi i shërbimeve të mësimdhënies shkollore apo universitare të kryera privatisht nga mesuesit.

k. Furnizimi i shërbimit të vënies në dispozicion të personelit nga institucionet fetare apo filozofike për qëllim të veprimtarive të parashikuara në shkronjat b), g), h) dhe i), dhe në kuadër të mirëqënies shpirtërore;

l. furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to, të kryera për anëtarët e vet në interesin e tyre kolektiv, me pagimin e kuotave të caktuara në përputhje me statutin, nga ana e organizatave jo fitimprurëse, që kanë objektiva të natyrës politike, sindikaliste, fetare, patriotike, filozofike, filantropike apo qytetare, të krijuara në përputhje me ligjet specifike që rregullojnë veprimtarinë e tyre, me kusht që ky përjashtim të mos shkaktojë shtrembërime të konkurrencës;

m. Furnizimi i shërbimeve të caktuara të lidhura ngushtë me ushtrimin e sportit ose të edukimit fizik, që u ofrohen personave që marrin pjesë në ushtrimin e sportit apo të edukimit fizik nga organizatat jo ftimiprurëse sipas Ligjit Nr.9376, datë 21.4.2005, “Për Sportin”, i ndryshuar, të regjistruara sipas ligjit Nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar.
Këto organizata sportive duhet të jene të njohura nga autoriteti kompetent në Shqipëri dhe të kenë çmime të aprovuara nga ky autoritet ose kur këto çmime nuk janë të aprovuara ato duhet të jene 50% me të ulëta se çmimet e shërbimeve të ngjashme të ofruara nga subjekte tregtare të tatueshme me TVSH.

n. Furnizimi i shërbimeve të caktuara kulturore dhe mallrave që lidhen ngushtësisht me to, të kryera nga ana e institucioneve publike apo nga organizma të tjera kulturore pa qellim fitimi të regjistruara sipas Ligjit Nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse” me karakter social të njohura nga autoriteti kompetent në Shqipëri dhe me çmime të aprovuara nga ky autoritet ose kur këto çmime nuk janë të aprovuara ato duhet të jene 50% me të ulëta se çmimet e shërbimeve të ngjashme të ofruara nga subjekte tregtare të tatueshme me TVSH.

o. Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave të kryera nga organizata veprimtaria e të cilave përjashtohet nga tatimi mbi bazën e shkronjave b), g), h), i), l), m) dhe n), në lidhje me organizime për mbledhje fondesh ekskluzivisht për përfitimin e tyre, me kusht që përjashtimi të mos jetë i atillë sa të sjellë shtrembërime të konkurrencës;
Në funksion të paragrafit (o), Këshilli i Ministrave përcakton kufizimet e nevojshme përsa i përket numrit të shfaqjeve apo shumës së të ardhurave, për të përfituar të drejtën e përjashtimit.

p. Furnizimi i transportit të të sëmurëve apo të plagosurve me automjete të krijuara apostafat për këtë qëllim nga ana e organizmave të autorizuara posaçërisht.
q. Veprimtaritë e kryera nga RadioTelevizionet Publike Shqiptare, përveç veprimtarive me natyrë tregtare.

 

Neni 52

Kufizime të së drejtës së përjashtimit

 

1. Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve nuk përjashtohen nga TVSH-ja sic parashikohet në shkronjat b), g), h), i), l), m) dhe n) të nenit 51 të këtij ligji, nëse ato furnizime nuk janë të domosdoshme për kryerjen e furnizimeve të përjashtuara.

 

2. Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të parashikuara në shkronjat b), g), h), i), l), m) dhe n) të nenit 51 të këtij ligji nuk përjashtohen nga TVSH-ja, nëse nëpërmjet furnizimit të tyre realizohen të ardhura shtesë duke konkurruar drejtpërdrejt me operacionet e kryera nga ndërmarrjet tregtare, subjekte të TVSH-së.

 

Neni 53

Përjashtimi i disa veprimtarive të tjera

 

Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH, transaksionet e mëposhtme:

a. Shërbimet e sigurimit dhe të risigurimit të jetës, përfshirë kryerjen e shërbimeve të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime nga agjentët dhe brokerat e sigurimit.

b. Dhënia dhe negocimi i kredive si edhe menaxhimi i kredive nga ana e kredidhënësit;

c. Negocimi ose cdo marrëveshje tjetër në garantimin e kredive ose çdo sigurim tjetër për paratë si edhe menaxhimi i garancive të kredive nga ana e kredidhënësit.

d. Transaksionet, përfshirë negocimin, lidhur me operacionet e këmbimit, llogaritë e depozitave, llogaritë rrjedhëse, furnizimin e likuiditeteve nëpërmjet pagesave, transfertave, marrje-dhëniet e borxhit, çeqet dhe instrumentat e tjerë të negociueshëm, përveç shërbimit të mbledhjes së borxhit;

e. Transaksionet, përfshirë negocimin, lidhur me valutën, kartëmonedhat apo monedhat e përdorura si mjete ligjore pagese, me përjashtim të monedhave dhe të kartëmonedhave për koleksion, që do të thotë monedha ari, argjendi apo monedha të tjera metali ose kartëmonedha që nuk përdoren normalisht si mjet ligjor pagese ose monedha që paraqesin interes numizmatike;

f. Transaksionet, përfshirë, negocimin, por jo menaxhimin apo ruajtjen, në aksione kuota, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, përveç dokumentave që vendosin titull mbi mallrat dhe të drejtave apo titujve të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji;

g. Menaxhimi i fondeve të investimeve në kuptim të Ligjit Nr.10 198, datë 10.12.2009 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”.

h. Furnizimi me vlerën e parashtypur i pullave postare për përdorim për shërbime postare në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe pullave të tjera të ngjashme;

i. Furnizimi i basteve, llotarive dhe lojrave të tjera të fatit në kuptim të Ligjit Nr.10 033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”.

j. Furnizimi i ndërtesave apo të pjesëve të një ndërtese si edhe furnizimi i tokës në të cilin qëndron ndërtesa, përveç furnizimit të procesit të ndërtimit.
Në kuptim të këtij paragrafi me “ndërtesë” kuptohet çdo lloj strukture e fiksuar në tokë;

k. Furnizimi i tokës.
Në kuptim të këtij paragrafi me “tokë” kuptohet çdo zonë e papunuar, papërpunuar, pazhvilluar dhe e pandërtuar e tokës.

l. Dhënia me qera e pasurive të paluajtshme, përveç,

i. dhënies me qera të ndërtesave për një periudhë deri në dy muaj;

ii. strehimit në hotele ose vende pushimi, të kryera në sektorin e hotelerisë ose në sektorë që kanë funksione të njëjta, përfshirë qeradhënien e kampeve të pushimit apo të terreneve të pajisura për kampingje;

iii. dhënien me qera të zonave të destinuara për parkimin dhe magazinimin e automjeteve dhe mjeteve të tjera lëvizëse;

iv. dhënien me qera të pajisjeve dhe makinerive të fiksuara në mënyrë të qëndrueshme;

v. dhënien me qera të kasafortave;

m. Furnizimi i shërbimeve të destinuara vetëm për realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e kësaj faze. Furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre, të importuara sipas pikës 36 të nenit 56 të këtij ligji.
Ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për energjetikën përcaktojnë me udhëzim të përbashkët listën e mallrave dhe shërbimeve të lidhura me fazën e kërkimit, si dhe procedurën e përjashtimit.
Në kuptim të paragrafit të parë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore vërteton se kontraktorët dhe nënkontraktorët, kryejnë furnizime të destinuara vetëm për realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure.

n. Furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave për gazetat, furnizimi i gazetave, i revistave dhe i librave të çdo lloji.

o. Furnizimi falas, si ndihmë për situatat e përcaktuara, sipas ligjit Nr. 8756 datë 26.03.2001 “Për emergjencat civile”. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë rregullat për rastet e përjashtimit të ndihmave që jepen në rastin e emergjencave civile.

p. Furnizimi i kartave të identitetit për shtetasit.

q. Furnizimi i ambalazheve dhe i materialeve, që përdoren për prodhimin dhe konfeksionimin e barnave.

r. Furnizimi i mallrave dhe sherbimeve te cilat jane të përjashtuara me ligj të veçantë

 

Neni 54

Të tjera përjashtime nga TVSH-ja

 

Trajtohen si furnizime të përjashtuara nga TVSH operacionet si më poshtë:

a. Furnizimet e mallrave që përdoren vetëm për një veprimtari të përjashtuar sipas neneve 51 dhe 53 të këtij ligji, në rastin kur këto mallra nuk kanë qenë objekt i së drejtës së zbritjes së TVSH-së;

b. Furnizimet e mallrave, për të cilat TVSH-ja nuk ishte e zbritshme në blerjen ose përdorimin e tyre, në përputhje me nenin 74 të këtij ligji.

 

 

Neni 56

Përjashtime të veçanta në import

 

Janë furnizime të përjashtuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import, operacionet e mëposhtme:

1. Importimi përfundimtar i të gjitha mallrave prej një personi të tatueshëm, furnizimi i të cilave në të gjitha rrethanat brenda vendit do të ishte furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar;

2. Importet e dërgesave, mallrave me karakter jotregtar dhe me vlera jo të rëndësishme, ne perputhje me vleren limit te pataksueshme sipas legjislacionit doganor ne fuqi.

3. Importimi i mallrave personale të përdorura, prone individuale e personave të cilët ndryshojnë vendqëndrimin e tyre të zakonshëm nga një vend tjetër në Republikën e Shqipërisë, sic percaktohet ne legjislacionin doganor ne fuqi. Përjashtimi nuk do të jepet në lidhje me produktet alkoolike, duhanin apo produktet e duhanit, automjeteve dhe pajisjeve për kryerjen e një aktiviteti ekonomik, përveç instrumenteve portative të arteve të aplikuara apo te lira.

4. Sende të përfituara nga trashëgimia nga një individ që jeton

në Shqipëri sic percaktohet ne legjislacionin doganor ne fuqi;

5. Sende të importuara në raste martese me karakter jotregtar, sic percaktohet ne legjislacionin doganor ne fuqi. Asnjë përjashtim nuk jepet për produktet alkoolike, duhanin ose produktet e duhanit.

6. Uniforma, pajisje e sende shkollore dhe sende të tjera me karakter jotregtar të nevojshme për studime sipas kërkesave personale, për përdorim nga nxënës e student, sic percaktohet ne legjislacionin doganor ne fuqi;

7. Mallra që gjenden në bagazhin personal të udhëtarit, me karakter jo tregtar dhe të cilat janë të përjashtuara nga pagesa e detyrimet doganore në perputhje me legjislacionin doganor ne fuqi;

8. Pako të vogla mallrash me karakter jo tregtar të dërguara falas nga një individ jashtë Shqipërisë për një individ në territorin e Republikës së Shqipërisë sic percaktohet ne legjislacionin doganor ne fuqi;

9. Dekorime dhe shpërblime për tituj nderi nëse natyra e tyre ose vlera individuale tregon se nuk janë importuar për qëllime tregtare;

10. Dhuratat e rastit të pranuara brenda kuadrit të marrëdhënieve ndërkombëtare, me kusht që të mos jenë me karakter tregtar. Asnjë përjashtim nuk akordohet për produktet alkoolike, duhanin ose për produktet e duhanit.

11. Sendet e destinuara për nevojat e drejtuesve të shteteve të huaja ose përfaqësuesit e tyre, gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri;

12. Mallrat e importuara të tilla si karburant dhe vajra lubrifikues në depozitën e automjetit të domosdoshme për realizimin e transportit me këtë automjet.

13. Sende të importuara për qëllime funerale të tilla si arkivole që përmbajnë mbetje të eshtrave, urna dhe zbukurime e pajisje funerali që shoqërojnë ato;

14. Materiale që shërbejnë për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe zbukurimin e monumenteve ose varrezave të viktimave të luftës nga vendet tjera;

15. Substancat terapeutike me origjinë njerëzore dhe reagentët për përcaktimin e grupeve të gjakut dhe llojeve indore që shfrytëzohen për qëllime kërkimesh mjekësore apo shkencore, jo me karakter tregtar;

16. Produktet farmaceutike për kujdesin mjekësor ose veterinar të shfrytëzuara në ngjarjet ndërkombëtare sportive;

17. Kafshe laboratorike, lende shtazore, biologjike dhe kimike me destinim për hulumtime shkencore;

18. Lëndë referuese me destinim për kontroll të cilësisë së prodhimeve mjekësore të aprovuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

19. Mallrat e destinuara për ekzaminime, analiza dhe testime, të cilat shfrytëzohen plotësisht ose shkatërrohen për të përcaktuar përbërjen, cilësinë ose karakteristika të tjera teknike me qëllime informuese dhe kërkimore tregtare apo industriale. Përjashtimi nuk zbatohet për mallrat e shfrytëzuara në ekzaminimin, analizat ose testimin në funksion të promovimit të shitjet;

20. Materiale të ndryshme për paketimin dhe ruajtjen e mallrave gjatë transportimit të tyre;

21. Ushqime kafshësh dhe pajisje që nevojiten gjatë transportit të kafshëve;

22. Dokumentacione të ndryshme, siç detajohet në aktet nënligjore në zbatim të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;

23. Botime turistike informative me destinim për shpërndarje falas dhe ku qëllimi i tyre kryesor është që të përfaqësojnë produktet dhe shërbimet e huaja turistike;

24. Mallrat dhe materialet e shtypura reklamuese jo për t’u tregtuar ose per t’u perdorur ne funksion te veprimtarise ekonomike, por të destinuara vetëm për shfrytëzim në panair, ekspozitë ose ngjarje të ngjashme si dhe mostrat e mallrave me vlerë të pa përfillshme, të cilat nga pamja dhe sasia nuk janë të shfrytëzueshme për qëllime të ndryshme nga ato që lidhen me nxitjen dhe promovimin e mallrave të të njëjtit lloj. Përjashtimi nuk do të akordohet për produktet alkoolike, duhanin apo produktet e duhanit dhe karburantet, qofshin këto të ngurta, të lëngshme apo të gazta.

25. Ndihma humanitare të ardhura në adresë e për llogari të organizatave bamirëse humanitare, të institucioneve të kultit, të enteve publike, si dhe të institucioneve shtetërore buxhetore me destinim për shpërndarje falas për ndihme të personave në nevojë, ose për qëllim të shfrytëzimit ekskluzivisht për të plotësuar nevojat e tyre të punës ose për zhvillimin e detyrave të tyre në funksion të veprimtarisë bamirëse humanitare. Përjashtim nuk do të akordohet në lidhje me produktet alkoolike, duhanin apo produktet e duhanit, kafen dhe çajin, automjetet motorike, përveç ambulancave.

26. Mjete të posaçme që përdoren për edukimin, trajnimin, punësimin ose per nevoja te personave të verbër dhe të shurdhër ose personave tjerë me aftësi të kufizuara fizike ose mendore nëse janë siguruar falas dhe importohen nga institucionet apo organizatat, aktiviteti i të cilave është edukimi dhe asistenca për këta persona, të kryera për qëllime jotregtare nga donatoret; importimi i mjeteve, të cilat ndihmojnë në integrimin në jetë të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, përfshirë këtu dhe autovetura të përshtatura për përdorim prej tyre;

27. Mallrat e importuara nga organet dhe organizatat shtetërore, organizatat bamirëse dhe filantropike me destinim për shpërndarje falas për njerëzit e dëmtuar prej fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera apo nga luftërat. Asnjë përjashtim nuk do të akordohet për materialet dhe pajisjet e destinuara për rindërtimin e zonave të fatkeqësive.

28. Sendet dhe dokumentet shoqëruese në funksion të mospërvetësimit apo mbrojtjes së markës tregtare, patentave, të së drejtës së autorit të destinuara për organizatat për mbrojtjen e të drejtave të pasurisë intelektuale;

29. Furnizimet e bordit të mjeteve të transportit dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin normal të tyre.

30. Importimi i kafshëve të gjalla të racës, të dhuruara nga donatore të ndryshëm.

31. Ri-importimet e mallrave në gjendjen në të cilën ishin eksportuar, nga ana e atij që i ka eksportuar, të cilat përfitojnë përjashtim nga taksat doganore;

32. Importimet e mallrave të kryera në kuadrin e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore, të cilat përfitojnë përjashtim nga taksat doganore, mbi bazën e reciprocitetit si dhe importimet e mallrave të kryera nga organizatat ndërkombëtare të njohura si të tilla prej autoriteteve publike të Republikës së Shqipërisë si dhe nga anëtarët e këtyre organizatave, brenda limiteve dhe sipas kushteve te marrëveshjeve ndërkombëtare mbi te cilat jane themeluar.

33. Importimet e mallrave nga forcat e armatosura të Shteteve te tjera anëtare të NATO-s, për t’u përdorur nga këto forca apo personeli civil që i shoqëron ato si dhe për te furnizuar mensat përkatëse, për qëllimin e përbashkët të mbrojtjes;

34. Produktet e peshkimit dhe produkte të tjera në gjendje natyrore, të nxjerra nga ujërat territoriale të një vendi tjetër prej anijeve të regjistruara ose të matrikulluara në Republikën e Shqipërisë që mbajnë flamur shqiptar si dhe produkte të përftuara në anije- fabrikë nga produktet e përmendura më sipër në këtë pikë, por para se të kryhet ndonjë shitje;

35. Importimet e arit të kryera nga Banka e Shqipërisë;

36. Shërbimet e lidhura me importimet e mallrave, vlera e të cilave është e përfshirë në bazën e tatueshme, në përputhje me shkronjën b), pika 2 e nenit 44 të këtij ligji.

 

37. Importimi i makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50 milionë lekë, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Lista e makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

38. Importimi i makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve, pavarësisht nga vlera e investimit, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Kategoritë e operatorëve ekonomikë, që përfshihen në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Lista e makinerive dhe pajisjeve, që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

39. Importimi i makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, në funksion të realizimit të aktivitetit të tyre prodhues, është furnizim i përjashtuar. Lista e makinerive prodhuese që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

40. Importimi i mallrave dhe i shërbimeve, që lidhen me realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për këto operacione. Kontraktorët dhe nënkontraktorët vërtetohen si të tillë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.Ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për energjetikën përcaktojnë me udhëzim të përbashkët listën e mallrave dhe shërbimeve të lidhura me fazën e kërkimit, si dhe procedurën e përjashtimit.

41. Për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht nga lloji i saj, me përjashtim të makinerive dhe pajisjeve të përcaktuara në pikën 37, 38 dhe 39 të këtij neni, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj. Për rastet kur cikli i zhvillimit të investimeve dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më i gjatë se 12 muaj, Ministri i Financave ka autoritetin ta zgjasë afatin e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, në varësi të ciklit të zhvillimit të investimit të parashikuar në marrëveshje apo kontratë. Sipas kësaj skeme, TVSH-ja nuk paguhet në doganë, në çastin e importit. Skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret dhe procedurat, që të ndiqen për shtyrjen e TVSH-së, në rastin kur zgjatja e ciklit të investimit dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më e gjatë se 12 muaj, përcaktohen me Venim të Këshillit të Ministrave.

42. Për importimin e energjisë elektrike nga KESH sh.a. zbatohet sistemi i shtyrjes së pagesës të TVSH-së, sipas skemës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency