Edhe një puthje në buzët e tua si trëndafil

0
227

Gustave Flaubert

 

Standing Nude with Garden Background Amedeo ModiglianiE premte mbrëma, mesnatë, 4-5 shtator 1846

…Gratë nuk e kuptojnë se mund të dashurosh në shkallë të ndryshme; ato flasin shumë për shpirtin, por trupi nuk u ndahet nga zemra, sepse ato e shohin gjithë dashurinë në aktin trupor. Mund të adhurosh një grua dhe të bësh dashuri çdo mbrëmje me vajza ose të kesh një tjetër të dashur, që gjithashtu e dashuron. Më duket e çuditshme, por megjithatë është e vërtetë. Hajde mos u ngrys; nuk e kam fjalën për veten time; unë jetoj si një murg. Ama gjer të mërkurën!

 

E diel, ora 11 e mbrëmjes, 6 shtator 1846

…Hajde, qesh, pra, siç thotë Fidiasi. Nesër është dashuria e madhe, dehja, ti dhe unë. Do të shoh nesër sytë e tu të digjen nga një zjarr i ëmbël, gojën tënde të purpurt, ku do të ve timen dhe prej nga do të marr psherëtimat e gjoksit tënd, supet e tua lakuriq, erëmimin e të cilëve gjithë afsh do ta thith.

Më ngjan se me siguri do të bëjë kohë e bukur dhe dielli do të jetë i fortë. Mendimi për ty është një dritarez prej nga më vjen pakëz dritë dhe ajër, ndërsa ti beson se kur më jepet rasti, unë nuk vërsulem përpara për të marrë frymë dhe jetuar! Rreth meje gjithçka është e errët dhe e trishtuar; nëna ime është ne gjendje tejet të keqe, çka ia vesh bustit të mikut tonë që e ka tronditur. Kurrë s’e kam parë kaq të dëshpëruar! Jo, ti s’ke parë të tilla dhembje, mikja ime, jo, kurrë. Zoti të ruajt! Dhe nëse duhet të provosh dhimbje, Zoti t’i dhëntë ndryshe nga këto.

 

E shtunë mbrëma, 12 shtator 1846

.. .Po, që prej së mërkurës të dua në një mënyrë tjetër; më duket sikur jemi më të lidhur, më të afërt, sikur më pak gjëra nga bota e jashtme mund të ndikojnë në lidhjen tonë; që, edhe sikur të mos piqemi për një kohë të gjatë, kjo s’do të thotë gjë dhe së fundmi

(a mendon edhe ti kështu?) dashuria jonë është bërë më serioze, duke humbur pamjen e jashtme. A do ta dish shkakun? Se mbi të gjitha kemi qenë të vërtetë; se i jemi dhënë natyrës pa art, pa u turbulluar, si fëmijët e gjorë të padjallëzuar që e kanë sefte. Po kështu, prej saj unë s’mora hidhërim, por një ngrohtësi shumë të këndshme që më mban në një ëndërrim epshndjellës… Megjithatë, këtë mbrëmje iu vura punës, ama me shumë mundim… të punojmë sa më mirë, pastaj do të piqemi hera-herës, kur të mundemi; do t’i japim njëri-tjetrit një vrullimë të mirë ajri, do të ngihemi sa të vdesim; pastaj do t’i kthehemi agjërimit. Kush e di? Ndoshta është mënyra më e mirë për të shkruar si duhet e për t’u dashur shumë. Kush mund të na sigurojë se, duke jetuar gjithnjë së toku, nuk do të lodhemi nga njëri-tjetri? Do të ketë dyshime, mbase edhe xhelozi; prej këtej zemërime, zënka. Do të vazhdojmë të takohemi nga kokëfortësia apo zakoni dhe jo nga dëshira, si tani. Megjithatë s’e besoj këtë. Ti je tejet e mirë, ëmbëlake, tejet e përkushtuar, ndryshe nga gratë e tjera që janë aq egoiste, aq të ashpra me burrin që dashurojnë.

 

 

E diel mbrëma, 13 shtator 1846

…Ndihem i trishtuar, i mërzitur, tejet i tendosur. Po më mbërthen, si para dy vjetësh, një ndjeshmëri therëse. Gjithçka më bën keq dhe më copëton zemrën, e cila më rrahu fort prej dy letrave të tua të fundit. Sa mallëngjehem prej tyre, kur teksa i hap erzina e letrës, më vjen në hundë, ndërsa erëmimi i frazave të tua ledhatuese më depërton në zemër.

Kursemë; ndiej marramenth prej dashurisë tënde! Duhet të jemi të bindur se nuk mund të jetojmë tok. Duhet t’i jepesh një jete më pak të spikatshme, më të j cekët. Do të doja të të takoja, ta bëja zakon këtë, në mënyrë që shëmbëlltyra ime të mos të të djegë e ngushëllojë, por të ngrohë dhe dëshpërojë.

Dje, nëna ime ishte në dhomën time kur unë po pastrohesha. Mbante mbesën në krahë. Më sollën letrën tënde; e mori, pa shkrimin dhe tha si me gjysmë tallje, sikur i drejtohej fëmijës, si gjysmë seriozisht: “Do të doja të dija, se çka aty brenda!” Ia ktheva me një të buzëqeshje prej budallai, që doja ta ktheja në qesharake, për t’i hequr idenë e çdo hamendjeje serioze. Nuk e di nëse ajo dyshon për diçka; ndoshta po. Rregullsia e postierit është diçka e mrekullueshme.

Duhet të të qortoj për diçka që më lëndon dhe skandalizon, për merakun tënd të pakët në lidhje me Artin. Mirë për lavdinë, s’kam kundërshtim që nuk merakosesh; por jo për Artin, që është e vetmja gjë e vërtetë dhe e mirë në jetë! A mund ta krahasosh atë me një dashuri tokësore? A mund të parapëlqesh adhurimin e një bukurie të përkohshme ndaj kultit të së vërtetës?

Po mirë, po e them, vetëm këtë gjë kam të mirë! (vetëm këtë çmoj te vetja): admirimin. Ti përzien te Bukuria një sërë gjërash të huaja, të dobishmen, të këndshmen, e ku e di unë se çfarë. Thuaji Filozofit të të shpjegojë idenë mbi të Bukurën teorike, siç e ka thënë në veprën e tij të 1819-s dhe ashtu siç e ndiej unë; do të kuvendojmë prapë për këtë herën tjetër. Tani po lexoj një dramë indiane Sakuntala dhe po mësoj greqisht; s’po ecën shumë greqishtja ime e gjorë, fytyra jote vjen gjithnjë e rri midis librit dhe syve të mi…

 

Natën e së martës për të mërkurë, 15 shtator 1846

Bëhu e arsyeshme, puno, shkruaj diçka të madhe, të bukur, të përkorë, të ashpër, diçka që të jetë e ngrohtë përbrenda dhe madhështore në sipërfaqe, me të cilën të krenohem, dhe unë, nga thellësia e folezës sime, kur ta marr vesh se ata aty do të të duartrokasin, do të them me vete: “E ka shkruar duke menduar për mua!”

Përse e largon aq ashpër të mirin Filozof, i cili e ka kuptuar dhe të qorton për këtë? Ç’të ka bërë i gjori që e trajton keq? Mos i harro miqtë; dil me ta si më parë. S’dua të heq asgjë, më kupton? Përkundrazi dua të të shtoj diçka. O sa qesha me përshkrimin e hyrjes së Berangesë së Dymasë, kur ai pa zonjën në këmishë. Sa simpatik ky Dyma! Dhe çfarë zakonesh të bukura! A e di se atij njeriu, nëse i mungon stili në shkrimet e tij, e ka mërishëm brenda vetes? Ai vetë do të jepte një karakter tejet të bukur, por sa keq që një organizim kaq i shkëlqyer të bjerë kaq poshtë! mekanika! mekanika! bëj me çmim sa më të lirë, për një numër sa më të madh konsumatorësh. Nuk lexohej aq kur shkruante Anxhelën. Të gjithë e lexojnë tani, për arsye se pinë më shpesh Medok të zakonshëm, se Lafit. Le të themi sa të duam, popullorësia e turpshme vete gjer te Arti; ajo popullorësi te vepra e tij është si numër.

Po punoj mjaft; gjithë ditën greqisht dhe latinisht, në mbrëmje Lindjen! Megjithëse po merrem, nuk përparoj fare. Nuk e kam mendjen të lirë; ajo ngjitet gjithnjë në katin tënd dhe varet në dritare për të parë nga xhami se ç’ndodh aty; nesër do të më vijë një kolltuk nga Parisi; do të ulem për herë të parë duke të shkruar ty. Kjo do t’i sjellë fat gjithçkaje që do të shkruaj më pas. Lamtumirë e dashur, kokën në gjoksin tënd e vë dhe gjumi më zë.

 

 

Kruase, 26 korrik 1851

Po ju shkruaj, sepse “zemra më shtyn t’ju them ndonjë fjalë të mire”, mikja ime e dashur. Po të mundja t’ju bëja të lumtur, do ta bëja me kënaqësi; do të ishte më se e udhës…

Lexoni dhe mos ëndërroni. Kridhuni në studime të gjata; s’ka më mirë se të mësohesh vazhdimisht me punë ngulmuese. Prej saj del një opium topitës për shpirtin. Nëpër telashe mizore kalova, në zbrazëti rrotull u solla, i trallisur prej mërzitjes. Prej kësaj shpëton falë durimit dhe krenarisë; provojeni.

Do të doja të ishit në gjendje sa për t’u takuar prapë me qetësi. Më pëlqen shoqëria juaj kur nuk është e stuhishme. Stuhitë që të pëlqejnë aq shumë në rini, të mërziten në moshën e pjekurisë…

Ju s’po më thoni asgjë për ato që më interesojnë më shumë; planet tuaja. Ende s’jeni e përqendruar në diçka; e ndiej…

Së shpejti do t’ju takoj në Paris, po të jesh (do të qëndronit në Angli një muaj, apo jo?). Them se do të jem në Paris nga fundi i javës që vjen. Rreth fundit të gushtit do të shkoj në Angli: ime më dëshiron ta shoqëroj. Më mërzit kjo shkëputje. Së fundmi!… Po të jeni ende aty, do t’ju bëj një vizitë. Do të përpiqemi të jemi të kënaqur prej njëri-tjetrit. Në Paris do t’ju kthej dy dorëshkrimet që më patët besuar. Do t’ua kthej, por vetëm juve në dorë, medaljen prej bronzi që e pranova një herë e një kohë nga dobësia, por që s’duhet ta mbaj. Është e fëmijës suaj…

 

 

Kruase, natën e së enjtes, ora l, fund tetori 1851

…Sa më shumë jeton, aq më shumë vuan. Për të ndrequr jetën a nuk u shpikën, që me krijimin e botës, botë imagjinare, opiumi, duhani, likeret e fortë dhe eteri? Mjekët nxjerrin si shkak se prej tyre mund të vdesësh. Tamam për këtë është fjala. Ju nuk ndjeni urrejtjen e mjaftueshme për jetën dhe gjithçka lidhur me të. Do të më kuptonit më mirë nëse viheni në vendin tim dhe, në vend të ashpërsisë pa arsye, do të shikonit një përdëllim mallëngjyes, prekës dhe bujar.

Do të mendoni se jam i keq apo egoist, se mendoj dhe dua vetëm veten time. Por s’jam më shumë se të tjerët; ndoshta më pak nëse më lejohet të lavdëroj veten.

Gjithsesi ju do të më jepni meritën e të qenit të vërtetë. Më shumë e ndiej se e shpreh, sepse çdo lloj patosi në stilin tim e kam vënë në plan të dytë; ai rri aty pa bërë zë. Secili sipas aftësisë së tij. Një njeri i plakur si puna ime, shumë vetmitar, nervoz sa më bie të fikët, i turbulluar prej pasionesh të përmbajtura, plot dyshime nga brenda dhe jashtë, nuk është ai që duhet të dashurosh. Unë ju dua siç mundem, keq, jo aq, e di, e di për atë Zot!…

Megjithatë ka ditë te mira, çaste të ëmbla. Më pëlqen shoqëria juaj, trupi juaj, po e dashur Luizë, trupi yt kur mbështetur në krahun tim, ti bën kokën pak prapa dhe unë gushën ta puth. Mos qaj më, mos mendo as për të shkuarën, as për të ardhmen, por për të sotmen. “Cila është detyra jote? Kërkesa e çdo dite,” ka thënë Gëte. Plotësoje këtë kërkesë dhe do ta kesh zemrën e qetë.

Shihe jetën nga sipër, ngjitu në një kullë (gjithsesi themeli do të kërcasë, zëre se është i qëndrueshëm); atëherë ti s’do të shikosh gjë përreth teje veçse hapësirë të kaltër qiellore. Kur s’do të jetë e kaltër, do të jetë mjegull; ç’rëndësi ka, nëse gjithçka zhduket e mbytur aty nëpër tisin e qetë. Duhet ta çmosh një grua pa t’i shkruash të këtilla gjëra.

Ndihem i brengosur, i zemëruar. Romani im mezi ka filluar; Stili është i thatë ndërsa fraza s’ia del dot në krye. Çfarë rremi i rëndë na qenkësh kjo penë, sa rrjedhë e vrullshme uji na qenkësh mendimi për ta çarë me këtë penë. Dëshpërohem shumë qe kjo po më zbavit pa masë. Kalova kështu sot një ditë të mbarë, me dritaren hapur, diellin që binte mbi lumë dhe me qetësinë më të madhe. Shkrova një faqe, nisa dhe tri të tjera. Shpresoj të ngec, pas nja dy javësh; por ngjyrimi ku po futem është aq i ri për mua, sa po më lë pa mend.

 

Kruase, fillim nëntori 1851. E hënë mbrëma

Sekreti i gjithçkaje që ju habit tek unë, e dashur Luizë, qëndron në të shkuarën e jetës sime të brendshme, të cilën askush nuk e njeh. I vetmi njeri besnik që kam pasur, gjendet prej katër vjetësh në varrezat e fshatit…

Pyes veten se përse e shtoj numrin e njerëzve të paaftë (apo njerëzve të talentuar; është sinonimi) dhe torturohem në një mori çështjesh të vogla, për të cilat, që më parë, ngre supet nga mëshira. Është gjë e bukur të jesh shkrimtar i madh, t’i vesh njerëzit në tigan, t’i pjekësh me frazën tënde dhe t’i kthesh si gështenjat. Aty duhet të kesh krenari të shfrenuar për të ndjerë se rëndon mbi njerëzimin me tërë peshën e mendimit. Por për ta bërë këtë duhet të kesh diçka për të thënë. Ndërsa unë do t’ju pohoj se më duket se s’kam ndonjë gjë të pathënë prej të tjerëve apo për ta thënë më mirë. Në këtë jetë që ju më predikoni, do të humbisja atë pak që kam; për t’i pëlqyer popullit do të merrja pasionet e tij dhe do të zbrisja në shkallaren e tij. Më mirë të rrish pranë zjarrit të tij, të

bësh Art vetëm për vete, siç luajmë me kunja druri. Tek e fundit, Arti nuk është më serioz se kjo lojë. Ndoshta gjithçka është shaka pa fund. I trembem asaj dhe kur të kthejmë faqen do të çuditemi shumë kur të mësojmë se përgjigjja e gjëegjëzës qe aq e thjeshtë. Mes gjithë kësaj, libri im mezi ecën. Po bëj dëm goxha letër. Sa korrigjime! Fraza vjen shumë ngadalë. Ç’dreq stili paskam zgjedhur! Mallkuar qofshin subjektet e thjeshta! Sikur ta dini sa po torturohem, do të ndjenit mëshirë…Kur të jem në udhë të mbarë do të ndiej kënaqësi, por e kam të vështirë, kam nisur të mësoj nga pak greqisht dhe të lexoj Shekspirin.

 

Paris, dhjetor, 1851, mesditë

Urimet më te mira për trashëgiminë. Jam shumë i kënaqur. Sidomos kur të marrësh paratë, mos mendo të paguash borxhet dhe mos ia trego njeriu. Po të dërgoj Revistën dhe një letër nga Bujeja, që e mbaj ka nja pesë a gjashtë ditë. E kishte futur në zarfin tim dhe unë harroja gjithnjë ta merrja me vete…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency