Dyshime për dekonspirim/ Kush i njoftoi grabitësit për furgonin e Rinasit?

0
169

Operacioni që Policia e Tiranës po kryente disa ditë më parë për arrestimin e autorëve të grabitjes spektakolare në Aeroportin e Rinasit, ka dyshime se është dekonspiruar.

Në kohën që Policia ishte informuar për vendndodhjen e furgonit të bardhë, që ishte përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga vendngjarja, dikush ka informuar autorët dhe ata janë larguar para se Policia të mbërrinte në adresën ku ata ndodheshin.

Për këtë arsye ka nisur një tjetër hetim për mundësinë e dekonspirimit të operacionit të Policisë. Furgoni i përdorur nga grabitësit e 1 milion eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit është gjetur i braktisur në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”, në Tiranë.

Automjeti i bardhë, tip “Ford”, pa targa, ndodhet i sekuestruar prej afro 10 ditësh, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ekspertët po kryejnë ekzaminimet e nevojshme për administrimin e provave.

Burimet thanë se deri tani ende nuk është gjetur asnjë gjurmë gishtash apo ndonjë mbetje biologjike që të çojë në identifikimin e autorëve.

Furgoni është gjetur në Tiranë mbrëmjen e datës 12 korrik dhe ka të njëjtat karakteristika me mjetin e fiksuar nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës nga Rinasi në Laknas e deri në Kamzë.

Një automjet i ngjashëm, furgon mallrash i bardhë, është përdorur nga grabitësit e Rinasit për t’u larguar nga vendngjarja, pasi i vunë flakën makinës “Benz”, me të cilën u futën brenda pistës së avionëve.

Grupi hetimor dyshon se bëhet fjalë për të njëjtin automjet.

Furgoni po mbahet tashmë në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, si një provë mjaft e rëndësishme për hetimin e ngjarjes. Burimet thanë se në vëzhgim po mbahen 2 grupe kriminale, një në zonën e Burrelit dhe një grup tjetër me tendencë grabitjet, ku bëjnë pjesë edhe disa shtetas kosovarë me precedentë të mëparshëm penalë.

Mësohet se hetimet po vijojnë me intensitet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes.

Ndërsa dosja hetimore, që fillimisht ishte në Policinë e Durrësit, i ka kaluar Policisë së Tiranës, për shkak të dinamikës së ngjarjes, por edhe për mungesë të kapacitetit të nevojshëm për ta hetuar këtë ngjarje të rëndë nga Komisariati i Krujës, ku u referua fillimisht ngjarja.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here