Dështimet e Italisë në Kupën e Botës

0
143

Dështimet e Italisë në kampionatin boteror“Ellis Park” është arena e fundit e “turpit” të të kaltërve. Më poshtë do të shihni pesë paraqitjet më të dobëta të kombëtares italiane ndër vite

 Marrë nga Goal.com

Italianëve do t’u duhet shumë që të “përtypin” performancat e dobëta të bëra nga përfaqësuesja e tyre në botërorët e fundit. Në fakt, për ta nuk është hera e parë që largohen me turp nga një kompeticion kaq i rëndësishëm. Në disa raste kanë qenë emra si Pak Doo-Ik apo arbitri Byron Moreno, por kësaj radhe duket se emri i “fajtorit” është Marcello Lippi. Kështu, edhe pse rrallëherë e kaltra është kthyer në një ngjyrë turpi…

 

5 – 1974: Auf wiedersehen, Italia!

Në prag të Botërorit që u zhvillua në Gjermani më 1974 të shumta ishin ato përfaqësuese që shkuan si pretendente. Midis tyre ishte edhe Italia, që përfaqësohej me lojtarë si Zoff, Chinaglia e Mazzola. Si përfundoi? Keq, shumë keq. Zemrat e emigrantëve (italianë) që ishin në Gjermani (dhe që shpresonin tek kombëtarja e kaltër) u thyen, pasi kombëtarja italiane nuk shkoi në Botëror si grup solid dhe gjithashtu si të mos mungonin këto përçarje, një numër ri madh lojtarësh pësuan dëmtime të ndryshme. Në fund të atij botërori (ku fitorja llogaritej me dy pikë) Italia bëri një figurë të keqe, pasi mbeti në grup, pasi fitoi vetëm tre pikë: në grupin 4 ata mundën Haitin, barazuan me Argjentinën (që i mori vendin e dytë vetëm prej golavarazhit Italisë) dhe humbën me Poloninë.

 

4 – 2002: Favoritë, por të mundur

Për të gjithë italianët ai botëror mbetet një “plagë” që ende s’është mbyllur. Kombëtarja e Trapatonit përbëhej nga lojtarë të mëdhenj, si Vieri, Totti, Maldini dhe Del Piero. Dhe askush nuk do të kishte parashikuar që do të eliminohej që në 16-she përballë Koresë së Jugut. Për këtë dështim italianët fajësuan arbitrin nga Ekuadori, Byron Moreno. Ndërkohë që një tjetër faktor që solli dështimin e tyre në Botërorin e Koresë së Jugut dhe Japonisë, është edhe mendjemadhësia që kishte “prekur” atë kohë lojtarët e kësaj kombëtareje. Gjithashtu, edhe zgjedhjet e gabuara të Trapatonit, gabimet e Vierit me portë bosh dhe gabimet e Federatës Italiane nuk është se nuk influencuan pak në këtë kombëtare që u eliminua nga Koreja e Jugut. Dështimi i 2002-shit arriti që të fshihej me një fitore dhe një të tillë italianët e morën katër vite më vonë, në Gjermani 2006.

 

3 – 2010: Kampionët e “turpit”

Për italianët performanca në Botërorin e 2010-ës ishte më e keqja në kohërat moderne. Që përfaqësuesja e tyre nuk ishte për titull, ata e dinin shumë mirë, por mënyra se si u eliminuan për ta është e papranueshme: ata përsëritën ‘74-ën, ngelën në grup. Në tri takime morën vetëm dy pikë dhe kjo sfidë s’është asgjë, kur sheh se me cilat ekipe kanë luajtur. Në takimin e parë morën një barazim 1-1 me Paraguain, më pas në 90-minutëshin e dytë italianët shtangën të gjithë botën, pasi barazuan po 1-1 me Zelandën e Re dhe më tej në takimin e tretë, pësuan disfatën që askush nuk e priste, u mundën nga Sllovakia 3-2. Kështu, nga grupi më i lehtë i Botërorit ata dolën me vetëm dy pikë.

 

2 – 1966: Hakmarrja e “qesharakëve”

Në Botërorin e ‘66-s, Italia u paraqit si një nga ekipet favorite. Komisari teknik Mondino Fabbri kishte vendosur që të linte parapa filozofinë mbrojtëse dhe kërkoi që të përshtaste skema më sulmuese për ekipin e tij. Por ja që në Angli asgjë nuk shkoi ashtu siç duhej. Komisari teknik u eliminua që në fazën e grupeve pas një humbjeje të turpshme ndaj Koresë së Veriut. Ai disa ditë para takimit e kishte etiketuar skuadrën aziatike si “qesharake”, por në fund për të qeshur u bënë italianët: në grupin 4 ata mundën Kilin dhe më pas u mposhtën nga Bashkimi Sovjetik dhe Koreja e Veriut, duke mbyllur kështu aventurën në Botëror që në fazën e parë me vetëm dy pikë.

 

1 – 1958: Drama e Belfastit

Asnjëri prej dështimeve të lartpërmendura nuk i afrohet atij të 1958-s. Italia nuk mundi që të kualifikohej për në atë Botëror. Në atë kohë, ata e kishin ngritur dy herë këtë kupë, por ja që nuk i mjaftoi emri për të kaluar fazën e eliminatoreve. Për italianët moskualifikimi për në fazën finale të Botërorit që u zhvillua në Suedi, ishte një tragjedi popullore. Në fazën e eliminatoreve ata ishin pjesë e grupit 8 bashkë me Portugalinë dhe Irlandën e Veriut. Dhe pas katër takimeve, ata morën vetëm katër pikë. Në ndeshjen e parë mundën Irlandën e Veriut 1-0, më pas u mundën nga Portugalia 3-0 dhe në takimin e tretë mundën me po të njëjtin rezultat luzitanët. Ndërkohë, teksa shkonin drejt ndeshjes së fundit, që do ta luanin në Belfast, italianët kishin shumë besim në vetvete dhe as që do t’u shkonte ndërmend që të mundeshin në Belfast nga Irlanda e Veriut 2-1. Kështu, në Botëror shkuan irlandezo-veriorët, ndërkohë që italianët panë nga TV-ja mrekullitë e Édson Arantes do Nascimento (që “emrin e artit” e kishte Pelé).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency