Dekriminalizimi/ Zbardhet propozimi i PD-së për ndërprerjen e mandatit të deputetëve. Debatet në komision

0
106

Gëzim Saliu

 komisioni i dekriminalizimitBalla: Vini me copa letrash si shkak për bojkotin e radhës. Bylykbashi: Propozimet e PD-së, me ekspertizën ndërkombëtare

Partia Demokratike propozon amendament kushtetues që ndërpret mandatin e çdo deputeti i cili ka rekord kriminale. Në mbledhjen e komisionit për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit, demokratët bënë të ditur mendimin e tyre, sipas së cilit, deputetit i hiqet mandati, kur konstatohet se ai është dënuar me të paktën 1 vit për një krim të kryer me dashje gjatë periudhës 20-vjeçare deri në bërjen e betimit në vitin 2013. “Kjo dispozitë i shtrin efektet e saj vetëm mbi deputetët e legjislaturës, gjatë së cilës dispozita hyn në fuqi dhe i përfundon efektet e saj me mbarimin e kësaj legjislature. Me hyrjen në fuqi të kësaj dispozite, deputetët vetëdeklarojnë nën betim para Kuvendit nëse janë dënuar me vendim përfundimtar të formës së prerë për një krim të kryer me dashje apo për shkelje të nenit 70 pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, para bërjes së betimit sipas nenit 72 të Kushtetutës”, – thuhej në amendamentin e PD-së të firmosur nga deputetët Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Gent Strazimiri. Në Kushtetutë, neni 72 dhe dy pikat e tij kanë të bëjnë me konfliktin e interesit, ku thuhet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.

 

Debatet

Amendimi i opozitës u cilësua nga mazhoranca si kapërcim i planit të punës, ku deputetët e majtë shprehën edhe një sërë akuzash ndaj kolegëve të tyre për largimin nga seanca parlamentare ku u votua kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Doshit dhe Frrokut. “Për herë të parë nuk votuat një kërkesë të Prokurorisë. Vini me copa letrash për të filluar bojkotin e radhës. Këta do thonë o votoni këtë copën e letrës këtu ose ne nuk vijmë më në Kuvend”, – tha Balla. Në kundërpërgjigje, kryetari i komisionit për dekriminalizimin, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, theksoi se platforma e PD-së është e mbështetur mbi ekspertizën ndërkombëtare. “Këtu bëhet fjalë për propozime me ekspertizën e partnerëve ndërkombëtare, dhe më pas do hyjmë në procedurën e njohur të komisioneve. Ky është propozimi ynë, besoj se po të thelloheni pak do të bini dakord me ne. Keni firmosur së bashku që personat me rekorde kriminale të ikin nga Parlamenti. Janë disa dispozita që kërkojnë një ndërhyrje imediat siç janë ato me kodin zgjedhor. Dispozitat në kod të miratohen tani dhe që në zgjedhjet e 21 qershorit mos kemi kandidatë me rekorde kriminale”, – u shpreh ai. Ndërkaq, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, theksoi se dokumenti i paraqitur nga PD-ja duhet ndryshuar. “Juve një paraqisni një material si platforma e PD-së për dekriminalizimin. Ne jemi komision, nuk jemi parti, duhet ta korrigjoni këtë. Kjo është protagonizëm hileqar. Keni marrë ca dekrete të Presidentit italian të vitit ‘67”, – tha ai. Kjo deklaratë e Brahos u mbështet nga Balla, i cili pohoi: “Kjo gjëja këtu në formën e paraqitur nuk është dokument parlamentar. Kjo është njësoj sikur kemi filluar fushatën e PD-së. Komisioni nuk do merret me ça thoni ju, sillni një dokument parlamentar. Mos bëjmë shou, të firmosim letrën dërguar komisionit dhe ambasadës së SHBA për të na sjellë ekspertizën”. Në reagimin e radhës, Bylykbashi sqaroi se propozimet e PD-së para se të paragjykohen, duhen shqyrtuar nga mazhoranca. Sa i përket kërkesës së deputetit Balla për ekspertizën, deputeti demokrat shprehur dakordësinë e opozitës. “Kemi propozimet tona, merrini shqyrtojini me qetësi. Sa përket kërkesës së ndërkombëtarëve, Kuvendi do të bëjë kërkesën. Çështja e ndëshkueshmërisë është çështje e reformës në drejtësi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency