Deficit tregtar/ Vijon tkurrja skandaloze e eksporteve, 10% më pak në prill

1
116

Ervin Kaduku

eksporte–  Rënie e shitjeve jashtë Shqipërisë për lëndët djegëse dhe energjinë elektrike krahasuar me një vit më parë, 28 për qind më pak

–  Deficiti tregtar, më i larti që nga viti 2012

Vijon rënia e pandalshme e shitjes së produkteve “Made in Albania” jashtë vendit. Qeveria “Rama” ka gjetur një situatë krejt ndryshe kur erdhi në pushtet, pas një kthese tepër pozitive, kur për herë të parë eksportet shqiptare patën një bum real. Por tani, sipas burimeve zyrtare të Institutit të Statistikave, eksportet në total shënuan një rënie prej 4.1% për periudhën janar-prill 2015, duke zbritur në 78.8 miliardë lekë. Madje, ritmet e rënies janë përshpejtuar, pas performancës së dobët të prillit, që në fakt ishte e pritshme, si rrjedhojë e pezullimit të pjesshëm të aktivitetit të Bankers Petroleum, pas shpërthimeve në një pus të tij dhe pezullimit të aktivitetit të Kurum për shkak të problemeve mjedisore. Për tremujorin e parë 2015, tkurrja kishte qenë vetëm 2.1%.

Ndikimin kryesor në këtë tendencë rënëse e kanë dhënë shitjet shumë të dobëta të mineraleve lëndëve djegëse e energjisë dhe performancë e dobët e tekstileve, ndërsa shpëtimtarët e eksporteve kanë qenë materialet e ndërtimit dhe makineritë e pajisjet.

Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 28% për tremujorin në 20.7 miliardë lekë. Ndikimin kryesor këtu e ka dhënë rënia e eksporteve nga Bankers Petroleum, si për shkak të çmimeve më të ulëta ashtu dhe të faktit që, gati 40% të prodhimit Bankers po e shet në tregun e brendshëm. Edhe energjia ka dhënë ndikimin e vet, për shkak të eksporteve më të ulëta si rrjedhojë e motit të pafavorshëm. E vetmja që raporton ecuri të mirë është kompania prodhuese dhe përpunuese e kromit AlbChrome, që po i gëzohet rritjes së dollarit, monedhë me të cilën i kryen eksportet.

Pas rritjes së dobët në tre muajt e parë të vitit (me vetëm 1.3%) eksportet e tekstileve e këpucëve kanë shënuar rënie për herë të parë dy vitet e fundit, duke u tkurrur me 2% në 28.3 miliardë lekë, ndryshe nga viti i kaluar kur kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n.

Sipas aktorëve të tregut, industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë. Vetëm në prill, kjo industri ra me 12%. Të dhënat e importeve të këtij grupi, që sinjalizojnë performancën e pritshme të kësaj industrie kanë shënuar një rritje të lehtë për katër mujorin, duke treguar për një rigjallërim të lehtë të saj në muajt që vijnë.

Grupi që ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e eksporteve është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, që është zgjeruar me 23%, në 13.2 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e performancës së mirë të gizës dhe çelikut.

Një tjetër grup që po shënon revolucion këtë vit është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 74% në 4.7 miliardë lekë.

Sipas burimeve nga Doganat, eksportuesi kryesor i këtij grupi është kompania turke FMT, e cila importon gjeneratorë nga Turqia në Shqipëri dhe më pas i eksporton jashtë vendit, kryesisht në Itali. Pra, fjala është më tepër për një rieksport dhe jo eksport të mirëfilltë, duke qenë se nuk bëhet fjalë për mallra e shërbime të prodhuara në Shqipëri.

Ecuri të mirë po shënojnë dhe kompanitë që punojnë me material porositësi industrial në prodhimin e bobinave apo pjesëve të tjera elektrike.

 

Në prill eksportet bien 10%

Sipas INSTAT-it, në muajin prill 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 20 mld lekë, duke u ulur me 10,0 % në krahasim me prill 2014 dhe 7,8 % në krahasim me mars 2015. Në muajin prill 2015 importet e mallrave arritën vlerën 43 mld lekë, duke u ulur me 2,0 % në krahasim me prill 2014 dhe 2,2 % në krahasim me mars 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 mld lekë, duke u rritur me 6,5 % krahasuar me prill 2014 dhe 3,3 % në krahasim me mars 2015.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64,7 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,0 %), Greqia (7,9 %), Turqia (6,6 %) dhe Kina (6,6 %).

Në prill 2015 eksportet drejt vendeve të BE-së janë ulur 25,3 %, krahasuar me një vit më parë, duke zënë 66,9 % të eksporteve gjithsej. Peshën më të madhe të eksporteve drejt vendeve të BE-së e zënë Italia me 67,9 %, Spanja me 6,3 % dhe Greqia me 5,6 % të eksporteve gjithsej. Vendet e BE-së me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me mars 2014 janë: Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania. Ndërsa, vendet me të cilët ka pasur ulje të eksporteve janë: Spanja, Kroacia dhe Italia.

Eksportet, drejt Kosovës dhe Kinës, në prill 2015 krahasuar me një vit më parë, janë rritur duke zënë respektivisht 13,4 % dhe 4,0 % të eksporteve gjithsej, ndërsa eksportet drejt Turqisë janë ulur duke zënë 2,7 % të eksporteve gjithsej.

Rënia vjetore në muajin prill 2015 është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kontribuuan me +1,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kontribuuan me +1,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” kontribuuan me +0,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kontribuuan me -8,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” kontribuuan me -3,8 pikë përqindje.

 

Deficit i lartë

Si rrjedhojë e rënies së eksporteve dhe rritjes së lehtë të importeve, deficiti tregtar është thelluar me 6% për janar-prill 2015, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2012. Importet janë rritur me vetëm 0.7% me bazë vjetore për katërmujorin (nga 0.9% që ishte rritja për janar-mars 2015), duke arritur në 161.9 miliardë lekë. Megjithatë makineritë pajisjet dhe pjesët e këmbimit, që janë një tregues i investimeve janë në rritje dyshifrore. Grupi që ka shënuar rënien më të madhe është ai i “Mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë” që u tkurr me 37% në 18 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin kryesor në performancën e dobët të importeve. Rënia e importeve të energjisë dhe sidomos të karburanteve, si rrjedhojë e zëvendësimit të importeve me prodhimin vendas, janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Përmbytjet, që ulën prodhimin vendas, kanë ndikuar dhe në rritjen e importeve të ushqimeve, pijeve e duhanit, duke u zgjeruar me 8.3% në 29 miliardë lekë.

Ecuri pozitive ka shënuar grupi i produkte kimik dhe plastike 12% në 23.4 miliardë lekë. Në rënie të letë kanë qenë dhe materialet e ndërtimeve dhe metaleve, së bashku me prodhimet e drurit dhe të letrës.

Importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi kanë shënuar një rritje të lartë prej 19% në 34 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e projekteve madhore në energjetikë (ndërtimi i hidrocentralit të Devollit).

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. me ramen e meten drejt e ne gremin.qfare tjeter te pritej nga hajni me ze dhe Figur sipas rames dhe bastardi i droguar rama sipas metes.keta keshtu quajten njeri tjetrin me 21 janare ku vran me bemat e tyre 4 vet dhe dogjen tiranen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here