Debati për diktatorin/ Nishani: S’ka dy Hoxha, përpjekjet për ta pudrosur, të papranueshme

0
122

Shfaqja e fotos së Hoxhës, provokim, mazhoranca të deklarojë publikisht distancimin nga figura e diktatorit. Hapja e dosjeve, sa më parë, por duhet edhe ligji i lustracionit

 nishani ke ilvaPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi dje lidhur me debatin për figurën e diktatorit Enver Hoxha, duke theksuar se në historinë e vendit njihet vetëm një i tillë. I ftuar në emisionin “Tonight” në “Ora News” të gazetares Ilva Tare, kreu i shtetit komentoi shfaqjen e fotos së diktatorit në ceremoninë zyrtare, hapjen e Bunk-Art-it, propozimet për hapjen e dosjeve të Sigurimit si edhe domosdoshmërinë, sipas tij, për ligjin e lustracionit.

 

Debati qëndron në figurën e Enver Hoxhës. Ka një pjesë që e mbron rolin e tij gjatë luftës, por më pas mendojnë se duhet parë vetëm periudha diktatoriale. Në një lloj mënyre dy Enver Hoxha, ju si e mendoni si vlerësim?

Nuk mendoj se ka dy Enver Hoxha. Ka një dhe vetëm një. Përmbajtja, portreti dhe memoria e një diktatori çnjerëzor veprimtaria e të cilit gjatë luftës duhet parë me realizëm. Edhe vetë ideologjia komuniste e ka pranuar se Shqipëria ka pasur një luftë guerile që është transformuar më pas. Nuk ka asnjë fakt shkencor që të ketë provuar se ka pasur një organizim të mirëfilltë.

 

Si President i Republikës, kur keni parë dhe deputetë të mazhorancës që me shallin e kuq të veteranëve janë paraqitur apo ministra që janë përkulur para Enver Hoxhës, si e keni pritur?

Ne jemi të orientuar kah Perëndimit. Nuk ka asnjë shembull të tillë ndër këto vende të modelit sovjet, nëse këto reminishenca kanë mbetur në Shqipëri janë anormale, por janë dhe provokative në raste të caktuara. Veçanërisht shfaqja e fotos së diktatorit është provokim.

 

A mban përgjegjësi mazhoranca e sotme për këtë që ju po e quani provokim?

Nuk dua të bëj gjykatësin e mazhorancës në aspektin politik, por më së shumti si qytetar i vendit dhe politikan, pse jo, do kërkoja që mazhoranca të deklaronte publikisht distancimin nga figura e diktatorit dhe të dënonte ashpërsisht krimet e bëra nga diktatura ku diktatori pa diskutim ka pasur rolin kryesor. Çdo tentativë për ta minimizuar, për ta pudrosur apo orientuar në kanale të tjera egërsinë e diktaturës, pasoja që në shumë drejtime i vuajmë edhe sot është e papranueshme jo vetëm për mazhorancën, por edhe për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.

 

Zoti President, të shtunën është hapur nga Kryeministri Rama një bunker antiatomik, për të cilin shqiptarët nuk kishin dëgjuar më herët. Ka një tentativë për ta kthyer në atraksion turizmi historinë diktatoriale të Shqipërisë. Ju si e keni parë?

Unë e njoh mirë atë vend dhe për shkak të detyrave që kam pasur në të shkuarën në Ministrinë e Mbrojtjes. Është një produkt i propagandës frenetike të regjimit të shkuar. Nuk ka pasur efekt për të mbrojtur qytetarët e thjeshtë. Ka qenë një tregues i forcës, e cila ishte bosh, të regjimit dhe sistemit. Kemi shumë nevojë të memorizojmë krimet e komunizmit, për shkak të pasojave që sollën për gjenerata të tëra. Do kisha preferuar që memorizimi i këtyre krimeve dhe pasojave të ishte pjesë e angazhimit dhe investimeve që bëhen nga çdo qeveri që merr pushtetin. Do mirëprisja shumë nëse kjo memorie historike e këtyre krimeve monstruoze të diktaturës do të orientohej nëpërmjet adresimit të kampeve famëkeqe në burgun e Spaçit, Burrelit, Lushnjës apo Tepelenës, ku kanë humbur jetë njerëzish, janë trajtuar njerëzit në standardet e skllevërve të shekujve të kaluar. Kjo do të ishte më dinjitoze për shtetin, qeverinë dhe gjithë ne si shoqëri. Shfaqja e fotove të diktatorit është përsëri një provokim i panevojshëm edhe në ato ambiente.

 

Pse nuk kanë qenë kështu të vendosura më përpara, ju i keni parë këta bunkerë më herët?

Unë i kam parë në fillim të viteve `92-`93, ku sapo ishte përmbysur sistemi diktatorial dhe natyrisht pamja e sotme është shumë ndryshe nga çfarë ka qenë në atë kohë. Një bunker, me pajisje ushtarake. Kjo është një ekspozitë që besoj se është e panevojshme. Dhoma ka ekzistuar, po pajisjet nuk më duken. Po s’ka rëndësi. Jam për memorizimin e krimeve dhe pasojave të krimeve të komunizmit

 

Ka një iniciativë të deklaruar ndër vite për ligjin e lustracionit, hapjen e dosjeve, jeni dakord dhe deri në çfarë niveli duhet shtrirë?

Jemi të vonuar. Ky nuk është një proces që duhet të konsiderohet si revansh, apo hakmarrje, apo fokusim i individëve të caktuar, por i frymës, ideologjisë dhe modelit. Hapja e dosjeve duhet të bëhet sa më parë dhe përtej tyre Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë tani për një ligj lustracioni që duhet të shkojë shumë thellë. Jo në margjinalizimin e individëve, por hetimin e asaj ideologjie të tmerrshme dhe pasojave të saj. Madje edhe hetimit të pasurive të ish-zyrtarëve të regjimit të kohës që nuk janë verifikuar asnjëherë për pasuritë e shtetit, të cilët nuk janë bërë transparente se ku kanë vajtur dhe a janë ende në duart e njerëzve të caktuar këto pasuri.

 

 Denoncimi i PD-së/ Paloka: Drejtori i OSHEE-së në Lushnjë s’paguan energjinë

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, denoncoi dje rastin e drejtorit të OSHEE-së në Lushnjë, i cili, sipas PD-së, nuk paguan energjinë që shpenzon me biznesin e tij në vlerën 1 milion e 600 mijë lekë. “Edi Rama ka caktuar në krye të operatorit shqiptar të energjisë hajdutë, përfitues dhe abuzues me pasurinë publike. Edi Rama nuk krijon asnjë vend pune për të varfrit që të kenë mundësi të shlyejnë pagesat e energjisë dhe nuk jep asnjë alternativë tjetër veç burgut, ndërkohë që në krye të OSHEE-së ka caktuar njerëz që vjedhin vetë energjinë. Drejtori i OSHEE-së së Edi Ramës në Lushnjë ka favorizuar biznesin e tij, duke mos i paguar faturat e energjisë. Ky drejtor i Edi Ramës ka vjedhur të paktën 1 milion e 600 mijë lekë. Ja ku është këtu fatura, që e nxjerr atë debitor”, – tha ai. Më tej, duke vazhduar denoncimin, Paloka pohoi se ndryshe nga shumë qytetarë të thjeshtë që kanë përfunduar pas hekurave të burgut, drejtori i OSHEE-së në Lushnjë vazhdon të mbajë postin e tij pa asnjë problem. “Problemi më i madh me energjinë sot, është vjedhja që bëjnë njerëzit e Edi Ramës. Humbjet më të mëdha vijnë nga korrupsioni qeveritar dhe favoret klienteliste me energjinë, ku vetëm me një tender vidhen 7 milionë euro”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency