Çmimet e naftës na çojnë në “Evropë”, Eurozona, ja vendet ku i gjen më lirë

0
165

Ervin Kaduku

 

 

KarburantetNënproduktet e naftës, gazoili dhe benzina për automjetet, do të vazhdojnë të shiten në Shqipëri edhe më shtrenjtë se në të gjitha vendet fqinje, pas vendimit të mazhorancës qeverisëse për rritjen e taksës së karbonit nga 7 në 14 lekë për litër. Ndërkohë, janë edhe një numër vendesh të pasura të Eurozonës, me nivel shumë herë më të lartë të ardhurash vjetore për frymë, që shesin me pakicë naftën apo benzinën me një çmim më të lirë se ai, me të cilin tregtohet në vendin tonë. Për të mos folur këtu për dallimin e cilësisë, që vihet re nga të gjithë për karburantet që hedh në serbator pasi kalon kufirin, kur duket se makina “nuk është mësuar” me karburant të mirë!

Në dhjetor 2013 çmimet e eurodieselit dhe benzinës me pakicë në Shqipëri ishin përkatësisht 187 dhe 199 lekë për një litër. Duke qenë se, sipas Bankës së Shqipërisë, kursi zyrtar i këmbimit me valutën evropiane ishte afërsisht 140 lekë për një euro, rezulton që një litër naftë shitet me 1.33 euro dhe një litër benzinë me 1.41 euro.

Çmimin më të lartë të shitjes së benzinës në 17 vendet e Eurozonës e gjen në Holandë, me 1.8 euro për litër, pasuar nga Italia me 1.74 dhe Greqia me 1.68 euro. Por, nën nivelin e çmimit të Shqipërisë, prej 1.41 eurosh për litër, paraqiten disa vende. Kështu, gati të njëjtë me ne, me vetëm 1 cent më shumë, gjen benzinë në Spanjë, ndërkohë që në distributorët e Austrisë benzina shitet me 1.38 euro për litër, në Qipro e blen me 1.37 euro, në Luksemburgun, me një nga nivelet më të larta të jetesës në botë, me 1.32 euro dhe në Estoni me 1.24 euro.

Ndërkohë, eurodieseli, që shitet në Shqipëri 1.33 euro për litër, mund të blihet më lirë në Spanjë (1.32 euro), Austri (po ashtu 1.32 euro), Estoni (1.23 euro) apo Luksemburg (1.20 euro).

 

Rajoni

Çmime më të ulëta se ne paraqesin në këtë treg vendet e tjera që na rrethojnë. Në Kosovë benzinën mund ta blesh në pikat e shitjes me pakicë edhe me 1.19 euro për litër, ndërkohë që tek ne shitet 22 cent më shtrenjtë. Në Maqedoni çmimi është 1.28 euro (diferenca 13 cent) dhe në Malin e Zi 1.38 cent.

Sa i përket eurodieselit, Maqedonia paraqet në rajon çmimin më të ulëta, me 1.08 euro për një litër, pasuar nga Kosova me 1.20 euro, aq sa edhe Luksemburgu i pasur. Ndërkohë, Mali i Zi e shet me 1.24 euro, gjithsesi 9 cent më pak sesa mund të blihet në Shqipëri.

 

Politikat

Sipas tregtarëve të hidrokarbureve, çmimi rritet shumë nga një mori taksash që krijojnë një piramidë të vërtetë mbi këtë mall, që shtrenjton pastaj të gjithë mallrat e tjerë. Kjo është e çuditshme në një vend që prodhon gjithnjë e më shumë naftë bruto, madje edhe e rafinon në vend. Gjithsesi, në këtë drejtim qeveria e re ka hapësirë për të vepruar për të ulur barrën e taksave.

 

Taksat

Çmimi rritet shumë nga taksat që krijojnë një piramidë të vërtetë mbi këtë mall, që shtrenjton pastaj të gjitha mallrat e tjerë. Këtu qeveria e re ka hapësirë për të vepruar, kryesisht duke lehtësuar akcizën

 

 

Shqipëria, vend me 1.018 pika karburanti

 

Në vendin tonë, sipas të dhënave të Tatimeve, ka 1.018 stacione shitjeje me pakicë karburanti. Vetëm në Durrës ka 83 të tilla, numër ky, që ia kalon Malit të Zi, në të cilin gjithsej numërohen 79 pika. Këto stacione janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit. Importuesit që zotërojnë tregun e shumicës, duan të dominojnë edhe atë të pakicës. Ndonëse hapja e një pike karburanti kërkon miliona euro investime, si dhe shumë procedura dokumentacioni, sërish bizneset e këtij sektori të ekonomisë orientohen drejt hapjes se tyre. Kjo tregon se fitimet janë të kënaqshme, pavarësisht taksave të larta, që ka vendosur shteti.

 

===================

 

 

 

Pse u harrua karburanti i gjelbër nga një qeveri “ekologjiste”?

 

– Fatkeqësisht, propozime të tilla kanë mbetur në sirtar nga një qeveri që e konsideron veten si ekologjiste, në atë masë sa që të guxojë të kundërshtojë planin e SHBA-së për të demontuar armët kimike siriane

 

 

 

 

Nuk ndotin mjedisin, nuk do të rëndohen me akcizë, të paktën deri në vitin 2018. Lëndët djegëse të rinovueshme, diçka tepër e bukur për të qenë e vërtetë, por nuk po “zbarkojnë” në Shqipëri.

Një nga zgjidhjet, ndoshta të detyruara, për njerëzimin, e shtrënguar në darën e një çmimi tashmë të pandalshëm të “arit të zi” në të gjitha tregjet botërore, si dhe të ndotjes së pashmangshme të mjedisit si rezultat i aktivitetit ekonomik të njeriut, mbetet njëra prej energjive alternative, që përbëjnë të ashtuquajturat bio-karburante. Kjo mendohet aktualisht të jetë, ndonëse me një përdorshmëri tepër të kufizuar tani për tani, njëra prej zgjidhjeve më të leverdishme të krizës energjetike. Kohët e fundit, në Botë janë bërë përpjekje për të zbuluar forma të reja të energjisë, për të përballuar problemet në rritje, me të cilat shoqërohet zhvillimi i ekonomisë globale, sidomos me hyrjen në lojë edhe të gjigantëve të tillë, si Kina apo India, me një ritëm zhvillimi vjetor prej 10 përqindësh, por me një shpenzim katastrofik të energjive të parinovueshme, si hidrokarburet. Që, nga ana tjetër, po sjellin shenjat e para të frikshme edhe të “efektit serrë”, apo fenomeneve që lidhen me ngritjen graduale të temperaturës globale. Deri pak dekada më parë, ishte thjesht një subjekt i letërsisë fantastiko-shkencore. Aktualisht, të gjitha qeveritë e Botës i kanë përqendruar përpjekjet e tyre në zbulimin e formave të energjive të pastra, të cilat të mos ndikojnë negativisht në mjedis, duke qenë, në të njëjtën kohë, edhe rentabël. Problemi më i madh mbetet konsumi i karburantit nga motorët me djegie të brendshme, të cilët, deri tani, me përjashtime të vogla (makinat ende jashtë standardeve me bateri) nuk mund të përdorin burime alternative energjie, si era, Dielli, apo uji, që mund të shfrytëzohen për ngrohje apo për qëllime të tjera. Por, në këtë mes, ka ende një rezervë, që përfaqësohet nga biomasa. Kohët e fundit, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po hyn në modë përdorimi i vajrave vegjetalë, jo për lubrifikimin e motorëve, por për djegie të brendshme, pra, për lëvizjen e tyre. Sipas shkencëtarëve, biomasa, që përfaqëson një burim energjie, i cili riciklohet pa ndërprerje për shkak të fotosintezës, është e përdorshme për ngrohje, për prodhimin e energjisë elektrike, por, kryesisht, nëpërmjet proceseve teknologjike, mund të përdoret edhe për prodhimin e bio-karburanteve, ndër të cilët produktet më të përhapura janë: bio-dieseli (me cilësi të ngjashme me dieselin), bio-etanoli (me cilësi të ngjashme me benzinën) dhe bio-gazi.

Aktualisht, përdorimi i biomasës, – jo thjesht për prodhimin e bio-karburanteve, që përbën lëndë të parë djegëse të përdorur nga njeriu, mbulon rreth 4% të energjisë totale, që konsumohet, p.sh. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 46% të të gjithë energjive të rinovueshme, të përdorura sot. Vlerat përkatëse të këtij përdorimi në Bashkimin Evropian janë 3% dhe 68%.

Fatkeqësisht, në Shqipëri përdorimi i biomasës për përftimin e energjisë është përqendruar te drutë e zjarrit. Por, nga 27% të totalit të energjisë, që konsumohej në vend në vitin 1990, aktualisht mendohet që ato të sigurojnë rreth 12% të konsumit vendas, kryesisht për ngrohje në zona të caktuara të vendit.
Projekti

Ka pasur një projekt nga qeveria Berisha që biomasa – jo drutë – të mund të futen gjerësisht në treg si karburant alternativ për të gjitha përdorimet energjetike, duke përfshirë këtu edhe furnizimin e motorëve me djegie të brendshme. Në mënyrë të veçantë, nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera në këtë fushë, propozohet kultivimi i një bime të veçantë, “brasica napus”, një lloj lakre vajore, nga e cila deri tani përfitohen edhe sasitë më të mëdha të vajit vegjetal, të përdorshëm pa probleme edhe në serbatorët e autoveturave e kamionëve. Ky vaj, nga i cili merret karburanti i mirëfilltë, bio-diesel, ka mundësi që të evoluojë si një prej prodhimeve bujqësore më të përhapura në vendin tonë, sipas një studimi. Në këtë mënyrë, nga ana tjetër, mund të përfitojë edhe popullsia fshatare, me kultivimin e një kulture të leverdishme. Por, kryesorja është përfitimi i gjithë ekonomisë, ose, ndoshta, i pjesës më të madhe të saj. Ndryshe nga nafta bruto, e cila, në pjesën më të madhe të kërkesës së brendshme, importohet nga jashtë, në rast se fillon një prodhim në shkallë të gjerë i biokarburanteve, situata mund të ndryshojë rrënjësisht, duke ndikuar në rritjen e shkallës së pavarësisë së ekonomisë së vendit për çështje energjetike. Pikërisht në këtë moment, kur problemet energjetike janë bërë tepër të mprehta edhe nga mungesat dhe rritjet e çmimit ndërkombëtar të energjisë elektrike.

 

Zgjidhje teknike

Ka edhe një mundësi tjetër për të bërë më të pranueshme të dy llojet e karburanteve. Propozohet që të lejohet përzierja e karburantit klasik me atë të prodhuar nga biomasa. Natyrisht, një gjë e tillë nuk është një proces mekanik, që mund ta bëjë një punonjës i thjeshtë i një pike karburanti. Kjo kërkon pajisje të posaçme, respektimin e raporteve të caktuara, pa të cilat të dy produktet e humbasin vlerën, madje, bëhen të dëmshme në të gjitha drejtimet. Këto mund të realizohen vetëm në impiante të posaçme të atyre kompanive që zotërojnë leje koncesioni për rafineri hidrokarburesh, apo leje tregtimi të tyre të shkallës më të lartë, të disponueshme në vendin tonë. Që presupozon edhe norma të larta sigurie dhe garanci për cilësinë e produktit.
Angazhimet

Shqipëria është një nga nënshkrueset e Protokollit të Kiotos, ku ka marrë një serë angazhimesh lidhur me kontributin në drejtim pozitiv mbi ndryshimet klimaterike. Njëkohësisht, ekzistojnë tashmë edhe direktiva të Bashkimit Evropian në këtë fushë, të tilla si direktiva 2003/30/EC e Kuvendit dhe e Komisionit Evropian, e datës 8 maj 2003, “Për nxitjen e përdorimit të biokarburanteve ose lëndëve të tjera djegëse të rinovueshme për transport”, botuar në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian L. 123, datë 17.5.2003 apo direktiva e Komisionit 2003/96/EC e datës 27 tetor 2003 “Ristrukturimi i kuadrit të Bashkimit për taksimin e produkteve energjetike dhe të elektricitetit”, botuar në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian L. 283, datë 31.10.2003, referuar kryesisht aspekteve fiskale të aktivitetit të prodhimit dhe tregtimit të biokarburanteve.

Në kuadrin e kërkesës së njohur të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, është e natyrshme që në hartimin e një projektligji të tillë do të merren parasysh edhe këto kërkesa evropiane.

Fatkeqësisht, propozime të tilla kanë mbetur në sirtar nga një qeveri që e konsideron veten si ekologjiste, në atë masë sa që të guxojë të kundërshtojë planin e SHBA për të demontuar armët kimike siriane.

 

 

 

poshtë

 

Qeveria zbret sërish në tregun e letrave me vlerë

 

 

– Premtimet e bëra nga qeveria për një administratë të vogël dhe eficente pritet që të shkurtojnë me thuajse 12 mijë njerëz personelin e administratës publike, si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal

 

 

Ervin Kaduku

 

 

Pasi nuk arriti të siguronte dje shumën prej 40 milionë eurosh në shitjen e obligacioneve dyvjeçare në monedhën e përbashkët, Financat i drejtohen sërish tregut të brendshëm. Ministria e Financave e ka rritur ndjeshëm numrin e ankandeve për shitjen e letrave me vlerë, që ajo zhvillon përmes Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që po përpiqet të diversifikojë maturitetin e tyre.

Nga një ankand në dy javë për shitjen e bonove të thesarit që zhvillohej mesatarisht deri pak kohë më parë, tashmë po zhvillohen disa ankande në javë, për bono dhe obligacione, si në lekë ashtu dhe në euro.

Pasi nuk arriti të siguronte dje shumën prej 40 milionë eurosh në shitjen e obligacioneve dy vjeçare në monedhën e përbashkët – nga ankandi mori vetëm 25 milionë euro – financat kanë njoftuar për një tjetër ankand për shitjen e obligacioneve 7 vjeçare, fiks dhe variabël, që do të zhvillohet në 26 dhjetor, me vlerë totale 3 miliardë lekë. Për obligacionet fikse, shuma e shpallur është 2 miliardë lekë, me kupon indikativ 7.45%. Për obligacionet variabël, shuma e shpallur për shitje është 1 miliard lekë.

Deri tani Financat i janë gëzuar një kostoje të ulët të shërbimit të borxhit, sidomos për maturitetin afatshkurtër, teksa interesi i bonove të thesarit ka zbritur në 3.62% në ankandin e fundit, për bonot 12-mujore, nga gati 7% që ishte një vit më parë.

Por, ankandi i fundit i obligacioneve në euro, ku interesi i kërkuar ishte më i lartë se kuponi indikativ, tregoi se qeveria mund të përballet me vështirësi në të ardhmen, për të siguruar paratë e nevojshme për borxh të ri apo rifinancim, çka mund të çojë në rritjen e kostos së shërbimit të borxhit.

Për vitin 2014, në projektbuxhetin 2014, Financat kanë parashikuar që financimi i borxhit nga burime të brendshme të ulet nga 65 miliardë lekë në 2013-ën, në 46 miliardë lekë në 2014-ën, pavarësisht rritjes së deficitit nga 83 miliardë lekë në 95.6 miliardë lekë, duke i pasur shpresat në financimin e borxhit ë jashtëm, përmes një mbështetjeje buxhetore, që në projektbuxhet parashikohet në vlerën e 39 miliardë lekëve (rreth 270 milionë euro).

Megjithatë, deri tani, Financat kanë siguruar një kredi me FMN-në prej 300 milionësh për tre vjet, çka mund të bëjë që pjesa e pambuluar me borxh të jashtëm të detyrohet të financohet nga ai i brendshëm, duke ushtruar presion mbi interesat.

 

 

Detaje të projektbuxhetit 2014

 

Nëse konsiderojmë problemet e shumta të vitit 2013, atëherë mund të themi se viti i ardhshëm nuk do të jetë i lehtë për Financat publike. Nëse krahasojmë treguesit për buxhetin fillestar të vitit 2013 me ata të vitit 2014, vëmë re se parashikimi për rritjen ekonomike është më realist për vitin që vjen.

Kjo do të thotë se ndryshe nga vitet e fundit, qeveria është parashikuese në të njëjtin nivel me institucionet financiare ndërkombëtare dhe rritja ekonomike e parashikuar 2% për vitin 2014 është më pranë rritjes ekonomike potenciale. Ndërkohë që të ardhurat janë parashikuar thuajse në të njëjtin nivel me ato të këtij viti, me një rritje modeste prej vetëm 3 miliardë lekësh, shpenzimet, janë parashikuar me rritje, afro 50 miliardë lekësh.

Në këtë drejtim qeveria shprehet se, “rivendosim stabilitetit makroekonomik e fiskal, nëpërmjet mbështetjes së vazhdueshme buxhetore ndaj sektorëve prioritarë, të tillë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura”, çka do të thotë se këtu do të përqendrohen dhe investimet kryesore. Referuar kësaj analize, vërehet një dyfishim të deficitit, që automatikisht sjell dhe rritje të stokut të borxhit me 95 mld lekë. Në anën tjetër niveli i investimeve publike është parashikuar që të fokusohet vetëm në përfundimin e projekteve të nisura, jo projekte të reja, ndërsa vërehet një rritje e kontigjencës dhe fondit rezervë, çka do të thotë se qeveria ka më tepër lekë në dispozicion për përdorim.

Për vitin 2014 ka ulje të fondit të kompensimit të pronarëve, ndërsa rritja e pagave dhe pensioneve është parashikuar 500 milion lekë më pak, fakt që shpjegon se nuk do të ketë rritje, por vetëm indeksim me inflacionin.

Premtimet e bëra nga qeveria për një administratë të vogël dhe eficente pritet që të shkurtojnë me thuajse 12 mijë njerëz personelin e administratës publike, si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal.

 

Viti 2014

 

1—Rritja ekonomike e parashikuar        2% e GDP
2—Te ardhurat               363.9 mld lekë
3—Shpenzimet               459.5 mld lekë
4—Deficiti                  95.6 mld lekë
5—Stoku i borxhit              965.8 mld lekë
6—Investimet                66.5 mld lekë
7—Kontigjenca dhe fondi Rezerve        4.5 mld lekë
8—Fondi per shpronësimin e ish pronarëve    1.6 mld lekë
9—Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve   2 mld lekë
10– Numri i përgjithshëm i të punësuarve     86 500 vetë

 

 

Viti 2013

1—Rritja ekonomike e parashikuar        4.3% e GDP

2—Te ardhurat               360.6 mld lekë

3—Shpenzimet               409.5 mld lekë

4—Deficiti                 48.9 mld lekë

5— Stoku i borxhit              860.7 mld lekë

6—Investimet                71.1 mld lekë

7—Kontigjenca dhe Fondi Rezerve       2.3 mld lekë

8—Fondi për shpronësimin e ish-pronarëve    1.8 mld lekë

9—Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve   2.5 mld lekë

10– Numri i përgjithshëm i të punësuarve     87 710 vetë

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency