BSH: Kredia afatmesme bankare shënoi rënien më të madhe historikisht më 2013!  

0
155

Ervin Kaduku

bsh 2–   Bizneset, individët dhe bankat kanë ndier direkt pasojat e ndryshimit të pushtetit ekzekutiv në vend, si dhe risqet që sjellin ndryshimet në ligjet fiskale dhe taksat

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, aktiviteti kreditues i sektorit bankar është tkurrur, pasi bankat kanë vijuar shitjen e kredive me probleme, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Rënia është ndikuar nga kredia për biznesin dhe ajo e dhënë në valutë. Megjithatë, kredia për biznesin ende përbën 69% të portofolit të kredisë.

Në fund të vitit 2013, stoku i kredisë së lëvruar nga sektori bankar vlerësohet në 567.1 miliardë lekë – në rënie referuar fundit të gjashtëmujorit të parë 2013 me 2%, dhe fundvitit 2012 me 1.8%. Në mënyrë të veçantë, kredia për biznesin, e cila zë 69% të totalit të kredisë, u tkurr me 3% në 2013, krahasuar me një rritje prej 1.5% gjatë 2012. Kredia për individët e zgjerua lehtësisht gjatë vitit (veçanërisht në gjashtëmujorin e parë) duke ruajtur terma pozitivë të rritjes vjetore, ndonëse në nivele të ulëta prej 0.1%. Ecuria e kredisë për individët është mbështetur kryesisht nga rritja e kredisë hipotekare.

Sipas afatit të maturimit, kredia afatgjate është rritur me 1% gjatë vitit, ndërsa kredia afatmesme ka shënuar rënien më të lartë historike, me rreth 12.2%. Sipas monedhës, kredia në valutë ra me 4.2% gjatë vitit, ndërsa ajo në monedhën vendase u rrit me 2.4% dhe pesha e saj në portofolin e kredisë u ngjit në 37%.

Referuar gjysmës së parë të vitit 2013, kredia në valutë ka rënë me rreth 16.5 miliardë lekë ose 4.4% dhe kredia në lekë u rrit me rreth 4.5 miliardë lekë ose 2.2%.

Sipas qëllimit të përdorimit, kredia në formën “Overdraft”, që mbizotëron në përdorim nga biznesi, dhe kredia për “Investime në blerje pajisjesh” kanë shënuar rritje në terma vjetorë përkatësisht me 2% dhe 8%, duke e zgjeruar peshën ndaj totalit të kredisë për këtë sektor. Gjatë vitit, financimi për “Kapital qarkullues” dhe për “Investime në pasuri të paluajtshme” ra me 3% dhe 12%, përkatësisht.

Për individët, rritja vjetore e kredisë është orientuar kryesisht në “Investime për pasuri të paluajtshme” me rreth 2% (mbizotëron totalin e kredisë dhënë këtij sektori në masën 72%) dhe në “Konsum të mallrave të qëndrueshëm” me rreth 4%.

Sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë, kreditimi është rritur për sektorë si “Bujqësia” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike”, ndërsa financimi për sektorët e tjerë është tkurrur.

Në gjysmën e dytë të vitit 2013, sektori bankar dha kredi të re në masën 119.7 miliardë lekë, në rënie me rreth 22.3 miliardë lekë (ose 16%) referuar të njëjtës periudhë një vit më parë. Për të njëjtën periudhë, sektori bankar mblodhi kredi në masën 128.4 miliardë lekë, nga 138.9 miliardë lekë të mbledhura gjatë të njëjtës periudhë një vit më parë. Raporti i kredisë së mbledhur me kredinë e dhënë përfaqëson treguesin e përdorimit të kredisë. Për gjysmën e dytë të vitit 2013, ky raport u llogarit në nivelin 107.2% nga 97.8% referuar një viti më parë, si rezultat i rënies më të lartë të kredisë së re krahasuar me kredinë e mbledhur.

Sipas grupeve të përdoruesve, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, sektori i biznesit ka përfituar 83% të kredisë se re ose rreth 99.7 miliardë lekë.

Kredia e re për sektorin e biznesit evidentohet në rënie për të gjitha kategoritë e përdorimit, ku rënien më të madhe e regjistroi kredia e dhënë si “Overdraft”. Nga ana tjetër, kredia e re për individët ra vetëm për kategorinë “Overdraft”, ndërkohë që për kategoritë e tjera u rrit, në terma vjetorë.

Sipas monedhave, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, evidentohet rritje me 37% për kredinë e dhënë në dollarë amerikanë dhe tkurrje për kredinë e re në lek e euro, përkatësisht me 19% dhe 20%.

Sipas sektorëve të ekonomisë, gjatë periudhës, niveli më i lartë i kredisë së re është marrë nga sektori i tregtisë. Kredia e re për sektorin e ndërtimit dhe industrisë ka mbetur pranë niveleve të një viti më parë, ndërkohë që rënie e theksuar evidentohet për sektorin e prodhimit, shpërndarjes së energjisë, gazit dhe ujit.

 

Rreziqet për kreditimin

Rreziku i kreditit në sektorin bankar mbetet një shqetësim për industrinë bankare dhe Bankën e Shqipërisë, por pritshmëritë për vitin në vijim shfaqen më të mira.Prania e stokut të lartë të kredive me probleme në bilancin e bankave e rrit koston e veprimtarisë, dëmton aftësinë e tyre për ndërmjetësim financiar dhe kërkon një përdorim të shtuar e joeficient të kapaciteteve.
Duke u nisur nga niveli aktual i kredive me probleme, rreziku për rritje të ndjeshme të raportit të kredive me probleme në të ardhmen e parashikueshme është i ulët. Madhësia e rrezikut të kreditit pritet të jetë më e kontrollueshme dhe të nisë një prirje rënëse graduale në të ardhmen afatshkurtër. Gjatë vitit 2013, u forcua prirja e dy viteve të fundit dhe u shënua një ulje e dukshme e ritmit të rritjes së kredive me probleme. Kjo ecuri lidhet kryesisht me punën e bërë nga industria bankare dhe Banka e Shqipërisë për evidentimin e hershëm të kredive me probleme, transaksionet për fshirjen e tyre nga bilanci, përmes shitjes, si edhe me disa ndryshime të kuadrit rregullator për nxitjen e ristrukturimit të kredisë. Këta faktorë janë shoqëruar me rritjen e nivelit si të provigjionimit për rrezikun e kredisë edhe të mbulimit me kapital të kredisë me probleme.
Në të ardhmen e afërt pritet që të përdoren më gjerësisht dhe në mënyrë më efektive ndryshimet ligjore që lidhen me ekzekutimin e kolateralit, të hyjnë në fuqi masa të tjera ligjore që lidhen me trajtimin tatimor për kreditë me probleme që fshihen nga bilanci i bankës, si edhe të kryhet pagesa e përshpejtuar e detyrimeve të prapambetura të qeverisë për punët publike të kryera nga sektori privat. Këto zhvillime do të përmirësojnë kushtet për trajtim më sistematik të kredive me probleme nga ana e industrisë bankare, dhe mund të kenë ndikim të rëndësishëm në uljen graduale të nivelit të kredive me probleme. Sidoqoftë, zhvillimet pozitive në këtë drejtim mund të jenë të qëndrueshme, nëse ecuria e treguesve makroekonomikë është e stabilizuar dhe rritja ekonomike përmirësohet. Sa më sipër, këto zhvillime marrin rëndësi për kufizimin e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit.

 

Ulen sërish interesat e bonove

Ulja e interesit të borxhit të qeverisë regjistroi dje një etapë të re, kur bonot 12 mujore të Thesarit u shitën në ankand me një normë mesatare interesi prej 3.36%. Interesat e ulëta vazhduan edhe për bonot me maturim 3-mujor, ndonëse me një rritje të papërfillshme në 2.96%, nga 2.94% që kishin qenë në ankandin e kaluar.

Gjithsej, qeveria siguroi një borxh prej 14.2 miliardë lekësh, kundrejt një oferte për financim që arriti në 15.7 miliardë lekë. Interesi i lartë në tregun financiar për të blerë borxhin e qeverisë ngelet faktor përcaktues në rënien e interesave në nivelet më të ulëta historike. Kreditimi i sektorit privat të ekonomisë vazhdon t’i shtyjë investimet e bankave drejt borxhit publik.

Kjo situatë ka ndihmuar një përcjellje të mirë të politikës monetare lehtësuese në tregun e borxhit të qeverisë. Interesat e ulëta të bonove kanë ndikuar ndjeshëm edhe në uljen e interesave të depozitave bankare dhe, pjesërisht, edhe në interesat e kredive në lekë. Në tërësi, kjo situatë favorizon huamarrësit e tregut financiar, që paguajnë interesa më të ulëta për borxhin.

Më pak të favorizuar janë investitorët në instrumente financiare, që përfitojnë kthim mjaft të ulët nga investimi i tyre. Kjo përmbush qëllimin e politikës monetare nxitëse, duke i shtyrë individët t’i shpenzojnë paratë në vend që t’i kursejnë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency