Bojkoti politik dëmton sektorin e ndërtimit

0
148

Ervin Kaduku

 Bie ndjeshëm miratimi i lejeve të ndërtimit, ku spikatin ato bashki, në të cilat këshillat prej kohësh ndiejnë peshën e bllokimit politik, pas ndryshimit të mazhorancës qeverisëse

 Kësaj rënieje nuk po i kundërvihet as ekzekutivi i ri, por më e keqja është angazhimi politik i mazhorancës për të prishur edhe atë frymë të vakët besimi, që ka ekzistuar më parë dhe që solli bumin në sektorin e ndërtimit

 

pallat-hipoteke1Kryeqyteti, dikur kantieri më i madh i ndërtimit në vend, sot ka ngecur tërësisht. Sipas statistikave të tremujorit të tretë, të publikuara nga INSTAT-i, për periudhën korrik-shtator në Tiranë janë dhënë vetëm 3 leje ndërtimi. Në total, për të gjithë 9-mujorin, numri i lejeve të ndërtimit dhënë në kryeqytet është vetëm 8, nga 150 leje në total, që janë dhënë në rang kombëtar për të njëjtën periudhë.

Kjo është pasoja e dukshme e një situate pa precedent, ku këshillat bashkiake, jo vetëm në Tiranë, bllokohen me nisma destruktive politike nga ana e aleancave të reja politike, të krijuara pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit të vitit të kaluar.

Në tremujorin e tretë bie në sy numri i lartë i lejeve të ndërtimit për qytetin e Kukësit, në 27, ndërkohë që në tremujorët e mëparshëm, qyteti i largët verior nuk kishte marrë asnjë leje.

18 leje janë dhënë dhe në Fier, një qytet që gjithashtu nuk kishte marrë asnjë leje në tremujorët e mëparshëm.

Kurse qyteti bregdetar i Vlorës, që deri në tremujorin e parë kryesonte për sa u përket ndërtesave të reja që merrnin leje të ngriheshin, i ka ulur ndjeshëm ritmet e miratimit. Në tremujorin e tretë u dhanë vetëm 4 leje, nga 11 në të parin.

Shkodra është qyteti që përgjatë gjithë vitit ka përfituar më shumë leje, 49 për tremujorin apo një të tretën e të gjitha lejeve për të njëjtën periudhë. Këtu nuk ka pasur probleme mazhorancash dhe çdo gjë ka ecur me normalitet.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e tretë 2013 janë miratuar në gjithë Shqipërinë vetëm 88 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave është 207.027 metra katrorë. Lejet e miratuara për ndërtesa banimi zënë 61,4% të numrit gjithsej të lejeve dhe ato për ndërtesat jo rezidente 38,6%. Për sa i përket vlerës gjithsej të lejeve të ndërtimit të miratuara, është rritur 150,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, dhe 126,6% kundrejt tremujorit paraardhës.

Në këtë tremujor, ndërtesat zënë pjesën më të konsiderueshme të kësaj vlere me 99,9%.

Vlerën më të lartë të lejeve të ndërtimit për ndërtesa të miratuara sipas klientëve, e zënë klientët privatë me 96,4%, ndërsa për sa i përket vlerës së lejeve të miratuara për punime inxhinierike sipas klientëve, klientët shtetërorë zënë 95,8 % të kësaj vlere.

 

Sipas shifrave të porsabotuara nga Instituti i Statistikave, në sektorin e ndërtimit, indeksi i shifrës së afarizmit në tremujorin e tretë 2013 është ulur me 11,3 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Krahasuar me tremujorin e paraardhës ka një rënie prej 19,2 për qind.

Kësaj rënieje nuk po i kundërvihet as ekzekutivi i ri, por më e keqja është angazhimi politik i mazhorancës për të prishur edhe atë frymë të vakët besimi, që ka ekzistuar më parë dhe që solli bumin në sektorin e ndërtimit, jo vetëm në infrastrukturë por edhe në ndërtimet e banesave dhe objekteve të biznesit.

 

 

 

 

 

Leku e hap vitin me pozita të lëkundura

Monedha vendase e ka nisur 2014-ën duke u kuotuar mbi nivelet e 140 lekëve, ndryshe nga e njëjta periudhë e një viti më parë, kur ajo këmbehej nën 140 lekë. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, të premten një euro këmbehej me 140.72 lekë. Ndonëse ka fituar pikë në raport me një ditë më parë, leku është më i dobët në raport me fillimin e javës, kur këmbehej me 140.66 lekë, ndërkohë që viti u hap me një kurs prej 140.1 lekësh.

Sipas tendencës historike sezonale, pasi forcohet në ditët para fundit të vitit, leku e nis janarin duke humbur pikë ndaj monedhës së përbashkët, si rrjedhojë e forcimit të kërkesës për euro në treg. Përgjithësisht, periudha nga marsi deri në qershor shoqërohet me një lek të dobët, teksa kompanitë e huaja transferojnë fitimet në vendet e tyre, çka rrit kërkesën për monedhën e përbashkët.

Edhe dollari po fiton pikë ndaj lekut, duke u këmbyer të premten me 103.48 lekë,menjë rritje prej 0.08 lekë në raport me një ditë më parë. Në tregjet ndërkombëtare dollari iu afrua nivelit më të lartë në 6 javë kundrejt euros, teksa investitorët presin sinjale se Rezerva Federale do të reduktojnë stimujt. Dollari u rrit 0.2 për qind në $1.3595 për euro.

 

 

 

Forumi i Davosit, një përpjekje globale për të “riformatuar” botën e dobësuar nga kriza

Më shumë se 2.500 drejtues biznesi, qeverish dhe shoqatash akademike e civile pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos të Zvicrës. Në takim, i cili zhvillohet nga 22 deri më 25 janar, do të diskutohet rreth sfidave të botës së sotme në ndryshim.

Mes më shumë se 40 kryetarë shtetesh që pritet të marrin pjesë janë kryeministrat e Australisë, Japonisë dhe Britanisë së Madhe si dhe presidentët e Meksikës, Koresë së Jugut dhe Brazilit. Për herë të parë që nga viti 2004, një president i Iranit do të shkojë në Davos. Organizatorët e Forumit thonë se Hassan Rouhani do të flasë rreth vendit të Iranit në botë dhe do të paraqesë pikëpamjet e tij të marrëdhënieve të Teheranit me pjesën tjetër të botës.
Pjesëmarrësit do të marrin pjesë në diskutimin e fushave të ndryshme. Shumë prej tyre do të marrin pjesë në diskutime komisionesh të përqendruara në temën e këtij viti: “Riformimi i botës: Pasojat për shoqërinë, politikën dhe biznesin”.
Themeluesi i forumit dhe kryetari ekzekutiv, Klaus Schwab, thotë se disa prej mendjeve më të ndritura do t’u kërkohet të zgjidhin kompleksitetet e botës. Ai thotë se atyre do t’u kërkohet të shqyrtojnë çështje të vështira, si për shembull situata në Lindjen e Mesme. Atyre do t’u kërkohet gjithashtu që të ofrojnë zgjidhje rreth çështjeve shumë të vështira të botës, përfshirë fushat e reja dixhitale dhe teknologjike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngrohja globale.
“Ajo që duam të bëjmë këtë vit në Davos në këtë fushë është të fillojmë nga e para. Bota është shumë e mbërthyer në menaxhimin e krizave dhe harrojmë se duhet të gjejmë zgjidhje për çështje të rëndësishme. Ne duhet ta shikojmë të ardhmen në një mënyrë shumë më konstruktive dhe strategjike”.
Mes çështjeve më të rëndësishme janë sesionet mbi ndryshimet klimatike dhe objektivat e zhvillimit pas vitit 2015, e ardhmja e shëndetit dhe kujdesit shëndetësor si dhe problemi i rëndësishëm i papunësisë mes të rinjve.
Sesione të tjera përfshijnë diskutime mbi perspektivat e ekonomive të rëndësishme si Kina, India, Brazili, Meksika dhe Rusia. Do të diskutohet edhe mbi të ardhmen e Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme. Edhe Afrika do të zerë një vend të rëndësishëm, por ndryshe nga vitet e mëparshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency