Blog&kombe/ Kronikë e gafave që ndryshuan historinë e botës

0
130

381[gr]AQë nga pyjet e Teuteburgut e deri në malet e Afganistanit, ja një kronikë e gabimeve ushtarake më dramatikë të të gjitha kohërave, pasojat e të cilave kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe, sot e kësaj dite, kanë ndikimin e tyre në skakierën ndërkombëtare

 Salamina (480 p.e.s.)

Dinakëri dhe taktikë, por edhe marrëzi dhe gabime të rëndë janë ingredientët që, të përzier bashkë, sollën fillimin dhe fundin e betejës së përgjakshme të Salaminës, gjithmonë e kujtuar si një prej përplasjeve që kontribuoi për t’u mbyllur persëve dyert e Greqisë së lashtë dhe bashkë me të edhe Evropës. Një betejë detare që u luftua ashpërsisht në 28 nëntor të vitit 480 p.e.s. dhe që shënoi humbjen e mbretit të Persisë dhe Egjiptit, Kserksi I, biri i Darit të Madh, i konsideruar nga Eskili “mbret i mbretërve, i të gjithë fiseve njerëzorë dhe i të gjithë tokave të largëta”, e që u fitua nga një strukturë qytetesh-shtete të udhëhequr prej Athinës dhe Spartës.

Dhjetë vite pas humbjes së Maratonës (shtator 490 p.e.s.) ushtria perse provoi sërish që të sfidonte grekët. Kserksi urdhëroi për luftë dhe menjëherë një seri qytetesh dhe provincash u dorëzuan pa asnjë rezistencë: u gjunjëzuan Thesalia dhe Teba, Etolia, Epiri dhe Cikladat lindore.

Gjenerali grek Themistokliu, nuk iu përgjigj as ambasadorit të dërguar prej mbretit “për të pasur tokat dhe ujërat”, domethënë të nënshtrohej. I preu kokën, jo për shkak të kërkesës së paturpshme, por për faktin që e kish bërë këtë kërkesë në greqisht, një gjuhë shumë fisnike dhe e lartë për t’u përdorur prej barbarëve, siç konsideroheshin grekët prej persëve. Menjëherë nxit një revolucion strategjik, pasi e kupton që ushtria e madhe perse nuk mund të ndalej në tokë, pasi ishte shumë më superiore, mbi të gjitha në numra, sesa ajo greke. E vetmja shpresë, pavarësisht rezistencës shumë të fortë nga brenda dhe të aleatëve spartanë, është deti, “druri” i përmendur dhe ndoshta i sugjeruar prej Orakullit të Delfit, i cili u pyet disa herë për këtë argument: “…Zeusi i gjithëpushtetshëm bën të vetmin lëshim që të mbetet i paprekur muri i drurit! O Salaminë hyjnore, do të shkatërrosh ose do të bësh të vdesin bijtë e nënave”.

Dhe kështu ndodhi. Euribiadi, luftëtar dhe admiral spartan, udhëheq flotën greke, por është strategu Themistokliu që bën të gjithë lojën: një skllav i tij dërgohet tek Kserksi që, i mashtruar, nis të besojë se flota greke është e ndarë. Mbreti pers nënvlerëson forcat helenike dhe lejon të tërhiqet në Gjirin e Salaminës – ngushtica që lidh gjirin Saronik me atë të Eleusit – i shtyrë edhe prej nxitimit për të mbyllur sa më shpejt fushatën e gjatë.

Në pikën më të ngushtë të gjirit të vogël janë të vendosura 378 anijet e mëdha greke, nga ana tjetër 720 anijet perse (1200 sipas Eskilit), anije të vogla që në det të hapur, dhe jo në një ngushticë, do të kishin mundur t’u bënin bisht atyre greke. Linja e parë dhe pas saj të tjerat praktikisht shtypen pre anijeve të mëdha greke.

Është një katastrofë. Dymbëdhjetë orë luftime më vonë, ujërat janë skuqur prej më shumë se 100 mijë të vdekurish, grekët kanë humbur 40 anije, ndërsa kundërshtarët e tyre më shumë se 200. “Janë të mbushura me kufoma brigjet e Salaminës dhe vendet përreth… Ah, Salaminë, tingulli i dhimbjes, ah Athinë, kujtimi i vajit!” Greqia shpëton dhe persët mposhten, bashkë me ëndrrën e tyre për të krijuar perandorinë e parë botërore.

 

Teutoburgu (Viti 9)

 Pushtimi i Gjermanisë Veriore mes Renit dhe Elbës në vitet 4-5 pas Krishtit, realizuar nga Tiberi dhe që zgjati më shumë se njëzetë vite, u prish brenda vetëm tri ditëve prej njërës prej disfatave më të rënda të historisë ushtarake romake. Për ironi të fatit, në krye të ushtrisë nuk ishte një gjeneral, por guvernatori i territoreve të sapopushtuara, Lucio Varo. Biografi Svetoni, tek “Jetët e dymbëdhjetë Cezarëve” na informon se Perandori August, pasi mëson për rezultatin e ekspeditës, pothuajse i marrosur prej dhimbjes ka ulëritur: “Varo, ku i ke legjionet e mi!”

Në shtator të vitit 9 pas Krishtit, ushtria legjionare që marshon drejt lumit Ren bie në një pritë të organizuar nga Armini, princi i Keruskëve në krye të një koalicioni fisesh gjermanike. Mospërgatitja totale e guvernatorit romak do të materializohej në një seri gabimesh taktike dhe ushtarake me pasoja dramatike gjatë kalimit të pyllit të Teutoburgut. Varo kishte në dispozicion tri legjione me rangje të plota, pra afro 15 mijë legjionarë dhe 5 mijë ndihmës dhe kishte përballë një armik pak më të madh në numër. Guvernatori, pa u vënë veshin zërave që qarkullonin për një pritë të mundshme, në një territor të paeksploruar dhe në brendësi të një pylli të rrethuar me këneta, nuk mori asnjë masë paraprake për të shmangur rënien në kurth. Marshimi, i shoqëruar nga një mot me shi, rezultoi që në fillim një sipërmarrje e pamundur.

Për tri ditë, legjionet u sulmuan, duke rënë në prita të befasishme, nga luftëtarë që e njihnin shumë mirë terrenin dhe që nuk lëshonin pe nuk bënin armëpushim. Radha e ushtarëve zgjatej me kilometra dhe nuk kishte asnjë mundësi të rreshtoheshin në strukturë luftimi. Dy ditët e para humbjet ishin shumë të mëdha, por ushtria vazhdoi të përparojë. E fundit ishte më e gjata dhe më tragjikja. Legjionarët, të përgjysmuar u rrethuan dhe u sulmuan nga të gjithë anët. Pikërisht për këtë arsye, siç tregon historiani romak Cassio Dione, “Varo dhe zyrtarët e tjerë të rangut të lartë nga frika se mos kapeshin të gjallë, kryen një vetëvrasje kolektive”. Me marrjen e lajmit të humbjes së komandantëve, pjesa tjetër e ushtrisë mori arratinë. Ishte një masakër. Përllogaritet që ka pasur 15 mijë të rënë në radhët e romakëve. Pasojat e kësaj disfate të tmerrshme patën një impakt shumë të thellë në historinë e Romës, dhe ndoshta me shumë gjasa edhe në atë të Evropës siç e njohim sot. Shumë historianë bien dakord që nëse kolonizimi i territorit gjermanik do të përfundonte siç ishte nisur, ashtu si kish ndodhur edhe me popullsitë kelte, dhe nëse fiset lokalë do të ishin asimiluar atëherë do të kish pasur një presion më të ulët mbi kufijtë perandorakë dhe, nuk përjashtohet një ekspansion i territoreve mes lumenjve Elba, Oder dhe Vistola.

Me paqësimin e territorit gjermanik, një sasi e madhe e trupave, burimeve dhe fondeve do të orientoheshin në fronte të tjerë, duke larguar rrezikun e pushtimeve. Pikërisht nga kufijtë përtej Renit, që nga shekulli IV, nisën të vijnë kërcënimet seriozë ndaj sigurisë së Romës. Një prej faktorëve, në mos më i rëndësishmi, që solli rënien e Perandorisë romake të Perëndimit.

 

Adrianopoja (378)

Nën presionin e Hunëve, në vitin 376, shumë fise Gotësh kaluan Danubin me miratimin e perandorisë. Por, shumë shpejt ky migrim u transformua në një rebelim të hapur ndaj Romës. Për dy vite, ushtria legjionare u përpoq në të gjitha mënyrat që të eliminojë rrezikun, por me rezultate zhgënjyese. Atëherë ndërhyri perandori i Lindjes Valente, në krye të një ushtrie prej 40 mijë vetash; e arriti armikun e tij në fushim në pllajën e Adrianopojës dhe i rreshtoi trupat për betejë.

Gotët kishin në dispozicion një kontigjent pothuajse dyfish, me 50 mijë këmbësorë dhe po kaq kalorës. Ndonëse Valente mund të priste ardhjen e përforcimeve, ai vendosi gjithsesi që të nisë betejën. Ka pasur shumë spekulime në lidhje me arsyet e një zgjedhjeje të tillë: njëra mbi të gjitha, që perandori kishte marrë informacione që e nënvlerësonin numrin e vërtetë të forcave armike.

Megjithatë, ka nga ata që thonë se perandori thjeshtë nuk donte që të ndante lavdinë e një fitoreje me Grazianon, perandor i Perëndimit, i cili po afrohej me pjesën tjetër të ushtrisë. Luftimet nisën me repartet e kalorësisë së lehtë romake që, e ndodhur nën goditjen e barbarëve, sulmoi me iniciativën e vet. Megjithatë, kjo përcaktoi ndërhyrjen e kalorësisë armike, që ishte në pozicion të tërhequr: harkëtarët romakë në kuaj ishin tani më të paktë dhe u bë e domosdoshme ndërhyrja e kalorësisë së rëndë. Pararoja e Valentes arriti që të binte në kontakt me këmbësorinë e armikut, por u gjend krejt e pambrojtur nga kalorësit: më e paktë në numër, u mposht edhe ajo. Në pjesën tjetër të frontit, dy ushtritë vazhdonin të luftonin, por me një ndryshim të shpejtë kalorësia e gotëve kaloi në krahun e majtë të rreshtimit romak që kish mbetur zbuluar.

Legjionarët nuk arritën të durojnë goditjen dhe në fund i gjithë fronti mori arratinë. Perandori u përpoq të rezistojë por u godit nga një shigjetë dhe vdiq, duke përcaktuar kështu fundin e luftimeve. Kjo disfatë shtyu pasardhësin e tij, Theodhosin që të adoptonte një politikë e cila lejonte asimilimin e popujve të vendosur përgjatë Limes (kufiri i perandorisë) me migrime në shkallë të gjerë dhe rekrutimin masiv të trupave mercenare. Siç është theksuar nga historiani Mikhail Rostovzeff, ishte fillimi i një agonie të zgjatur që solli rënien përfundimtare të perandorisë dhe copëtimin e saj. Ushtarakisht, legjionet ndryshuan fizionomi duke marrë në radhët e tyre kontigjente barbarësh gjithnjë e më të mëdhenj në numër që dëmtonin operativitetin e tyre. Veç kësaj, varësia nga forcat mercenare solli dhe një fenomen alarmant: paaftësinë për të drejtuar ushtritë dhe komandantët e tyre, për shkak të presioneve të shpeshtë që ushtarët bënin ndaj autoriteteve perandorakë.(“bota.al”)

(vijon numrin e ardhshëm)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency