Biznesi: Pjesë të paketës fiskale kanë krijuar probleme për ekonominë

0
254

  Ervin Kaduku

 

Mbahet e fshehtë paketa e taksave të reja të rekomanduara nga FMN-ja

 

Sa kanë kaluar tre muaj nga hyrja në fuqi e paketës fiskale me rregullat e reja të miratuara prej qeverisë, sipas kushteve të diktuara nga Forrobaqepsindi Monetar Ndërkombëtar, biznesi ka ndjerë shenjat e para të problematikës që këto masa kanë shkaktuar në ekonominë reale. Ditën e djeshme, ka qenë grupimi i industrive shqiptare Konfindustria, që ka ngritur zërin, jo vetëm për të kërkuar thyerjen e fshehtësisë që mbulon ende marrëveshjen midis qeverisë dhe FMN, por edhe duke vënë në dukje që kushtet e vendosura nga ky organizëm nuk kanë vonuar për të krijuar një situatë aspak pozitive në ekonominë reale të vendit.

Në letrën e hapur të publikuar dje thuhet se Konfindustria, duke mbështetur në parim miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të kredisë së Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kërkon vendimmarrjes politike dhe Ekzekutivit shqiptar të jenë të kujdesshëm në vlerësimin e masave të parashikuara në paketën fiskale shoqëruese. Konfindustria këshillon se është e domosdoshme që jo vetëm të gjithë skenarët e politikave fiskale, për të cilat është dakord parimisht me FMN, duhet të bëhen publike në kohë, por edhe duhen konsultuar me qëllim suksesin e manovrës financiare dhe sigurimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme të shumëpritur.

Për sa më sipër, Konfindustria vlerëson se është e nevojshme që sa më shpejt të kryhet nga Ekzekutivi vlerësimi i pasojave në ekonominë reale të zbatimit të masave të pjesës së parë të paketës fiskale të kushtëzuara nga marrëveshja me FMN, që ka hyrë në fuqi në vitin 2014.

Të dhënat e ardhura për 3-mujorin e parë 2014 pranë Konfindustrisë tregojnë se pjesë të paketës fiskale në fuqi kanë krijuar probleme në ekonominë reale dhe kanë nevojë për përmirësime të rëndësishme, përfundon mesazhi i biznesmenëve shqiptarë.

Ajo që po mbahet e fshehtë nga qeveria është sidomos pjesa “rezervë” e masave të rekomanduara nga FMN-ja. Përveç taksave shtesë të prezantuara me paketën fiskale në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar edhe një listë tjetër masash në drejtim të rritjes së taksave për efekt të ruajtjes së stabilitetit fiskal. Këto masa janë klasifikuar si “të mundshme” për t’u ndërmarrë në të ardhmen, në rast se rritja aktuale e taksave nuk mjafton për të vënë nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin publik të vendit.

Të shënuara si “masa për t’u ndërmarrë në terma afatshkurtër”, d.m.th brenda këtij viti, si të mundshme janë renditur këto rritje taksash:

  1. Reduktimi i statusit të biznesit të përjashtuar nga TVSH për shërbimet arsimore.
  2. Vendosjen e një takse 2 për qind për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës – Kukës.
  3. Rritje të pagesës vjetore për makinat e përdorura me 50 për qind.
  4. Vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës për ndërtimet me përqindje.
  5. Zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit. Duke qenë se Shqipëria ka një popullatë të madhe emigrantësh që zakonisht merr në telefon familjarët në Shqipëri, propozimi është që këta emigrantë të paguajnë përveç TVSH-së për telefonatat që kryejnë nga vendet ku janë, edhe TVSH kur telefonata e tyre mbërrin në territorin e Shqipërisë.
  6. Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit.
  7. Rritje të taksave mbi të ardhurat nga interesat, aksionet, dividendët, qiratë apo pagesat për pronësi intelektuale nga 10 në 12 për qind.

Ndërkohë, midis të dy palëve është rënë dakord për disa masa, të cilat, madje, janë përfshirë edhe në paketën fiskale, të miratuar në Kuvend në fund të vitit të kaluar. Në to përfshihet, p.sh., rritja e tatimfitimit nga 10 në 15% për biznesin, që parashikohet të sjellë një rritje prej 0.5% të prodhimit bruto të vendit, apo rritja e akcizës mbi cigaret, verën, birrën, pijet alkoolike, pijet energjike, duhanin dhe grason, që duhet të sjellin një fitim për shtetin në masën 0.4% të PBB.

Me rekomandim të FMN-së, tashmë është kryer edhe dyfishimi i taksës mbi pronën për objektet që përdoren për qëllime biznesi, që parashikohet të ndikojë pozitivisht në masën 0.1% të PBB-së.

Rritja e çmimit të karburantit me pakicë rreth 6.5% apo vendosja e tatimit 7.5% për bizneset me xhiro midis 2-8 milionë lekëve, gjithashtu janë masa që tashmë kanë hyrë në fuqi. Po ashtu sikurse edhe heqja e tavanit për kontributet e sigurimit shëndetësor.

Sa u përket ndryshimeve në shpenzimet buxhetore, ngrirja e pagave në sektorin publik – me përjashtim të policëve – në nivelin e vitit 2013, si dhe fakti që rritja e pensionit nuk do të kapërcejë nivelin e inflacionit, janë masa të pranuara nga qeveria Rama. Kjo tregon se dakordësia për marrjen e huasë është arritur që para se kjo hua të jepej nga FMN-ja.

 

Masa të propozuara nga FMN-ja

Reduktimi i statusit të biznesit të përjashtuar nga TVSH-ja për shërbimet arsimore dhe importet me anije

Vendosjen e një takse 2 për qind për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës – Kukës

Rritje 50% të pagesës vjetore për makinat e përdorura

Vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës dhe heqjen e TVSH për qiratë

Zbatimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit

Taksë fikse mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit

Rritje të taksave mbi të ardhurat nga interesat, aksionet, dividendët, qiratë apo pagesat për pronësi intelektuale nga 10 në 12 për qind

Mbledhja e taksës mbi pronën nisur nga kontratat e shitjes dhe jo nga e drejta mbi pronësinë

Futje e një tarife mbi taksën vjetore të qarkullimit të automjeteve bazuar mbi vlerën e makinës

Akcizë mbi mallrat e luksit të tilla si bizhuteritë apo makinat e shtrenjta

Pakësim i vjedhjes së energjisë, rritje e arkëtimeve dhe cilësisë në shpërndarje

Reformim i sistemit të pagave në sektorin publik, si pjesë e reformës së nëpunësit civil

Rritje e moshës së pensionit në 67 vjeç për burrat dhe 65 vjeç për gratë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency