Biletë/ Një sugjerim për vizitën e Atit të Shenjtë

0
128

Nga Artan Fuga

Artan_Fuga Unë nuk flas si besimtar dhe vizitën e shenjtërisë së Tij, Papës, nuk e shoh si i tillë.

Por unë këmbëngul se Shqipëria është nga trevat e para të krishterimit evropian. Këtu duhet këmbëngulur fort. Nuk është thjesht problemi i martirizimit të klerit katolik gjatë monizmit. Paraardhësit tanë kanë krijuar duke përqafuar krishterimin shumë herët, qysh në gjenezat e tij, dhe nuk kemi përse dallohemi për sensin e masakrimit. Krishterimi sikurse fetë e tjera janë parasë gjithash modele humanizmi dhe si të tillë ne certifikohemi në rrënjët tona me vizitën e Atit të Shenjtë. Ne duhet ta ripozicionojmë sensin e mesazhit tonë të mikpritjes të Papës.

Ne ende nuk kemi mesazhin që duam të transmetojnë me mikpritjen tonë. Nuk më duket se përgatitjet po bëhen tamam. Papa “Qytetar Nderi i Tiranës”, kjo nderon Tiranën, por jo Atin e Shenjtë. Rregullimi i sheshit “Nënë Tereza”, pffff, pa kuptim, përmasë materiale. Nuk i shton asgjë, sepse bukurisë se çastit asnjë pllakë mermeri nuk mund t’i shtojë asgjë….

Lëre se çfarë dëgjojmë, Bubs, Quks, Luks… nuk janë historira ato.

Bëjini një surprizë Atit të Shenjte sikurse u bëjmë njerëzve të dashur për ditëlindje, thërritini të gjithë katolikët e Ballkanit që atë ditë të vijnë në Shqipëri.

Le të vijnë qindra mijëra turistë, një milion po të duan, në Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Elbasan atë ditë shtatori. Të hapë dyert Shqipëria për të gjithë katolikët e Ballkanit.

Bëni një transmetim dixhital global për çdo cep të botës. Mëkat i madh ta humbasin këtë rast, me quks, bubs, rups etj. Në atë ditë mund t’i dërgojmë gjithë botës mesazhin e feve shqiptare, të krishterimit si humanizëm shqiptar, çfarë kanë qenë atëherë qytetet evropiane veç Romës, Durrësit, Athinës? Stacione autobusi…

Brenda tri javësh rigjallërohet solidariteti shpirtëror mes shqiptarësh, që ka rënë në fund të këmbëve, duke u mobilizuar vullnetarisht mijëra të rinj për këtë mision.

Promovojmë markën shqiptare, vetë bëhemi më të mirë, dhe pastaj mijëra pelegrinë ballkanas, qindra mijëra le të zbulojnë hotelet, kuzhinën, shërbimet shqiptare…

Turizëm masiv gjigant, me përmasa shpirtërore, një shans i paparë.

Unë nuk jam pushtetar dhe nuk ndikoj dot në vendimmarrje, unë nuk jam agjenci turizmi dhe s’bëj dot gjë, por e them si punonjës i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, strukturës më të madhe universitare dhe shkencore për marrëdhënie publike dhe marketing mediatik në boten shqiptare. Unë do të plasja nëse nuk do ta thosha dhe sugjeroja këtë gjë. E di fare mirë se si bëhet. Le të na besojnë si departament vetëm skicë idenë dhe do të shikoni…

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency