Biletë / Ligjé jo hilé

0
108

mendime-mbi-nj-euml-dat-euml-historike_hdArtan Fuga

Po nuk shkon fare kjo punë.

Studentët të paguajnë lekët për shkollim.

Pedagogët të japin mësim përpara të papunëve të ardhshëm në auditorë, duke “kënduar” si “gjinkalla”, kurse lekët, në formë rrogash, shpërblimesh, honorarësh, t’i marrin administratorët që do të mbushin vendet e punës në pesë a gjashtë agjencitë burokratike të krijuara, bordet e universiteteve, administratat e fakulteteve.

Ku bëhet universitet me studentë si Lula të vocërr dhe pedagogë rrjepacakë që nuk kanë lekë as për ushqimin e tyre mujor.

Pse, strehë vorfnore dhe azil të pastrehësh janë universitetet??? Ashtu jemi katandisur…

Rrjepacukë që fryhemi duke tundur diplomat. Sa bukur e përshkruan Tomas Mori talljen e banorëve të qytetit “Utopia”, kur panë se vizitorët e ardhur nga bota e njerëzve mbanin të varur në qafë e në kokë me dhjetëra kilogramë zbukurime floriri. Dhe thanë: U, janë hamej që kanë detyrë të mbajnë në qafë flori…

Çfarë bordesh!

Mos e bëjmë bordello fare këtë punë!

Bord,

“Bordello”,

Bordero.

Dhjetëra e dhjetëra nëpunës do të shtohen dhe do të vijnë vërdallë kot, do të kërkojnë statistika secili sipas qejfit të vet, sikurse bëhet tani, do t’i hapin punë vetes duke tundur kot derën dhe pastaj gjatë fushatave elektorale do të bëjnë punë partie sikurse të gjithë nëpunësit tanë kanë bërë në këta 100 vjet.

Pse krijojnë një korpus prej qindra nëpunësish me kohë të plotë a të pjesshme pune, që na qëndron si kamxhik partish mbi krye?

Nga një ministri, do të bëjmë nja pesë ministri, pesëdhjetë ministriçka të vogla gjithandej.

Nëpunësit edhe tani rrinë kot, në vend t’i shkurtojnë me sëpatë dardhari, bashkë me numrin e deputetëve, këshilltarëve, etj., i fusin nga dritarja, nga brimat që krijohen.

Mirë administrata e shtetit do të kontrollojë cilësinë e punës shkencore, po cilësinë shkencore të punës të administratës shtetërore kush do ta kontrollojë.

Pse o me punën tonë do të punësohen militantë, miq, shokë, “shu-shu-të” e të fortëve?

Ndërkohë që universitetet dhe studentët kanë mbetur pa laboratorë, pa biblioteka, pa infrastrukturë INTC, pa mobilitet studentor, pa pedagogë të huaj të ftuar, pa ngrohje, pa subvencione për kërkim shkencor, vetëm salla si magazina…, si ndërtesa kazermash dhe ndërtesa burgjesh…

Po, jooooo, nuk shkon kjo punë kështu.

Hajde mendojmë të gjithë si ta bëjmë më mirë, se universitetet, ne, kemi të metat tona, nuk jemi engjëj jo, sa kusure kemi ne!!!, pa fund, por nuk mund të bëhet kompromis në kusure, ne qejfin tonë dhe politika qejfin e vet, ne punësojmë pa fund pedagogë, politika punëson pa fund nëpunës, si bletët po ja thithim pjalmin lules së rinisë shqiptare dhe nuk po bëjmë dot mjaltë, vetëm zhukatim të dyja palët, ne edhe ata, të dalim që këtej pa hilé, por me bashkëpunim, jo për vete, por për rininë shqiptare që lëngon në dije që prej 100 vjetësh, edhe sot, edhe po vazhduam kështu, edhe 100 vjetët e ardhshëm.

Masim forcat si në tërheqje litari, tërhiq, lësho, u bë njëqind vjet që pushtetet duan t’i hipim përsipër dijes dhe i kanë hipur dhe dija, po 100 vjet, që është kthyer në një përrallë për të vënë gjumë mamin dhe babin.

Po tallet bota, fqinjët me ne, duke na trajtuar si injorantë…

Po mjaft, o mjaft…, mjaft, lutem… mjaft.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency