“Beteja për ballokumen” dhe integrimi evropian

0
146

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1

Nga media njoftohemi se në Bruksel përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe delegacioni shqiptar, i përbërë edhe nga anëtarë të shumicës parlamentare, edhe nga opozita, kanë bërë një takim.

Po media njofton se brenda delegacionit shqiptar ka pasur mosmarrëveshje lidhur me një sërë pikash, çka thuhet se ka bërë shkakun apo pretekstin për të mos pasur një deklaratë të përbashkët.

Kuptohet se ngjarja është serioze, madje e rëndë, për fatet e përmirësimit të statusit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Shenjat jo vetëm që nuk janë të mira për sa i përket asaj që pritet të merret si vendim në qershor, por nga sa shohim, ato që po zhvillohen në sytë tanë janë shumë domethënëse për të kuptuar se nuk është vetëm fjala që Shqipëria nuk plotëson kushtet e domosdoshme për të përparuar më shpejt dhe përfundimisht drejt objektivit përfundimtar, por si duket, nga disa, nuk ekziston as vullneti për ta bërë këtë hap.

Nga raportimet e medias shihen gjëra shumë të çuditshme, por domethënëse që kanë ndodhur.

Shqetësuese!

E para, nuk kuptohet se përse do të duhej të kishte një deklaratë të përbashkët ku të përfshihej edhe një qëndrim i përbashkët midis shumicës parlamentare dhe opozitës. Dihet se një gjë e tillë nuk mund të realizohej, sepse të çarat midis partive politike kundërshtare njihen, diheshin dhe ishin paraqitur para komisionerit Fyle në Tiranë pak orë më parë sesa të bëhej takimi i Brukselit.

Atëherë çfarë pritej?

Që kjo shfaqje të jepej edhe një herë në Bruksel para një audience që mban sigurisht shënime dhe e zbyth edhe më shumë shansin e Shqipërisë për të bërë hapin e munguar drejt integrimit evropian?

Kjo shfaqje u dha dhe aktet u luajtën ashtu sikurse priteshin. Tani në qershor duhet të ndodhë çudia që vendet që ishin për arsyet e tyre kundër marrjes të statusit si vend kandidat për integrimin evropian nga ana e Shqipërisë të ndryshojnë mendim.

E pse do të duhet ta ndryshojnë këtë mendim pas këtyre që ndodhin?

Sado ta respektojmë opozitën, me Brukselin Shqipëria duhet të paraqitet si shtet dhe jo si aleancë apo kacafytje partish shqiptare. E ka mirë apo e ka keq qeveria, është ajo që e përfaqëson Shqipërinë atje, me të duhet bërë deklarata e përbashkët, është ajo që e mban përgjegjësinë nëse përfaqësimi zyrtar dhe hapat zyrtarë të bërë deri në qershor do të jenë pozitivë apo të dështuar.

Çfarë pune ka që ndërlikojnë edhe opozitën në këtë proces? Kështu ky i fundit rrezikon të mos mbyllet kurrë.

E dyta, nuk kuptohet se çfarë lidhjeje ka marrja e statusit të vendit kandidat për integrimin evropian të Shqipërisë me problemet e brendshme shqiptare. Këtu duhet të ndodhë sikurse edhe me vendet e tjera. Gjykohet për parametrat institucionalë të demokracisë shqiptare, por nuk ka vend që kritere të bëhen edhe ngjarje koniunkturale politike apo sociale sepse të tilla do të gjenden plot, ato nuk mbarojnë kurrë, si ato ka në çdo vend. Ka korrupsion, ka kërcitje të demokracisë, ka kriza, nga tensione politike, ka ankimime në planin juridik, por këto nuk mund të konsiderohen si rrethana dhe kushte penguese. Integrimi evropian i Shqipërisë do të ndihmonte pikërisht që edhe demokracia fare fillestare shqiptare të bëjë hapat e veta dhe jo e kundërta, pra që Brukseli të bëhet arbitri që ndan se cila nga forcat politike shqiptare ka të drejtë në akuzat që hedh për tjetrën. Kjo, sepse Brukseli nuk do ta bëjë kurrë as arbitrin dhe as gjyqtarin e ndeshjeve të “boksit” me raunde disavjeçare të forcave politike shqiptare.

Në çdo vend dihet se opozita kundërshton qeverisjen dhe po të mos e bëjë këtë, nuk ka kuptim se përse duhet të ekzistojë fare. Në çdo vend evropian opozitat janë kritike, por marrëdhënia opozitë – qeveri askund nuk merren si kriter vlerësimi për shkallën e demokracisë në një vend.

E treta, kushtet penguese po i ngjanë një loje që përsëritet pa fund. Mjafton diçka që të ekzistojë dhe procesi pengohet. Qeveria dhe opozita, cilatdo qofshin, ndryshojnë argumente, por qëndrimi i tyre mbetet në varësi të pozicionit që kanë lidhur me qeverisjen.

Dikur ishin socialistët që thoshin se nuk mund të afrohemi me Brukselin për arsye të Fierit, të një kryetari qarku atje në Myzeqenë e “Topiasve”, kurse demokratët e quanin këtë një pretekst pengues dhe një lojë politike. Tani po e ndodh e njëjta gjë pavarësisht me kahe të kundërta. Janë demokratët që ngrejnë çështjen e votimeve të para disa muajve në Korçë, duke e konsideruar atë shëmti si korrupsion politik dhe socialistët, këtë radhë në pushtet, e quajnë si pretekst pengues atë që ka ndodhur në qytetin e lashtë të atij rajoni që disa nëpër internet e quajnë paturpësisht “Rajoni i Kaonëve”!!!

Kështu, ne kurrë nuk kemi për të bëjmë asnjë hap drejt Brukselit të largët, sepse rrugës gjithmonë do të na dalë Fieri, Korça, Kavaja, Tirana (konflikti për ballokumen e Ditës së Verës: Kush do ta hajë ballokumen?), Gjirokastra etj. Kuptohet se po hyjnë në llogari edhe këto marrëdhënie dytësore nuk ka integrim evropian. Puna është se përse partitë politike shqiptare i fusin edhe këto çështje në axhendat e integrimit? Puna është të pyetet se kush ndikon te ato për ta mbajtur këtë qëndrim?

E katërta, marrëdhëniet midis partive politike dhe qëndrimi i tyre, sidomos i partive në pushtet ndaj institucioneve përbën një problem shqetësues edhe lidhur me kriteret që na lejojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për integrimin evropian. Por ky është një problem që lidhet me strukturën konstitucionale të shtetit shqiptar, me marrëdhëniet midis shumicës parlamentare dhe institucioneve kushtetuese, midis administratës shtetërore dhe partive politike, pra ka të bëjë krejtësisht me modelin juridik të shtetit shqiptar. Është e qartë që shumë anë të këtij shteti ligjor mungojnë. Më shumë forma juridike e shtetit shqiptar është një aleancë, konkurrencë, tension midis partive politike, por vështirë të konsiderohet si një shtet ligjor. Mjafton të krahasohen kushtetutat e vendeve evropiane dhe Kushtetuta e Shqipërisë për të dalluar lehtësisht se rasti shqiptar ka mungesa të mëdha dhe serioze që sjellin pastaj si pasoja edhe probleme me statusin e nëpunësit civil, edhe me korrupsionin, edhe me pavarësinë e gjykatave, edhe me pavarësinë e agjencive shtetërore që përfaqësojnë autoritete që nuk varen fare nga qeveria, madje as nga Kuvendi për sa i përket veprimtarisë të përditshme të tyre.

Pra, sa kohë që problemi nuk do të shihet te modeli juridik dhe kushtetues i formës shtetërore, por te sjellja e operatorëve politikë, çka, kjo e fundit vjen nga faktori i parë, aq herë ne do të ndodhemi bashkë me Brukselin jo përpara ujkut por para gjurmëve të tij. Pyetja është se përse nuk shkohet te thelbi i çështjes, por te pasojat dytësore të saj?

E pesta, dihet që kundër bërjes së hapit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian ishin vende konkrete evropiane, që tërësisht në të drejtën e tyre sovrane u shprehën negativisht për kërkesën shqiptare. Këto janë rregullat e lojës dhe atyre u duhet nënshtruar me modesti dhe me kokën ulur. Duhen realizuar objektivat e kërkuar dhe kriteret e vendosura. Por, në vend që diplomacia dhe politika shqiptare të shkojë e të negociojë me përfaqësuesit e këtyre vendeve, të shohë se cilat janë mundësitë e bindjes së tyre për të pasur një qëndrim më pozitiv ndaj Shqipërisë, mbërthehet në takime me fokus të zhvendosur, as mish, as peshk, me deklarata formale që nuk thonë asgjë, si edhe në takime me diplomatë apo zyrtarë shtetesh fqinje që tashmë e kanë dhënë fjalën e tyre. Puna është të dihet nëse ndonjë vend që ka thënë “jo”, e ka thënë vetëm në emër të vetes së tij apo duke shprehur edhe një vullnet më të përgjithshëm të padeklaruar hapur?

E në këtë rast, problemi do të paraqitej edhe më i vështirë sesa duket.

Gjithsesi, këto shenja tregojnë se procesi integrues është vështirësuar shumë dhe vetëm një mrekulli mund të bëjë që në qershor vendet që votuan kundër të ndryshojnë mendim.

Integrimi evropian dhe beteja për ballokumen në Tiranë, çfarë lidhjeje, më thoni, kanë me njëra-tjetrën?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency